Lajmet në gjuhën shqipe - 29/06/2014

U nda nga jeta kolegia jonë e dashur Adamantia Panti nga EPA-Zakinthos.

Nënpunësja e administratës 51-vjeç e ERT-it shtohet në mijëra viktimat
e pasojave të politikave kanibaliste të Memorandumit dhe të mbylljes
fashiste të Radiotelevizionit Publik më 11 qershor të vitit 2013.
Një tjetër viktimë e punonjësve të ERT-it, nga qeveria e vdekjeve dhe
vetëvrasjeve, varfërisë dhe mjerimit, e shitjes dhe shkatërrimit të të
gjitha të mirave publike dhe shoqërore, e cila mund të mburret për
mizorinë e saj tek pushtuesit dhe t'ju lutet që të njohin arritjet e
saj.
Adamantia Panti ka marrë pjesë aktive në luftën kundër mbylljes
fashiste të ERT-it dhe shërbente si teknike e zërit në radion e
vetëadministruar të Zakinthos. Një njoftim për vdekjen e saj ka dhënë
edhe POSPERT-i, i cili ndër të tjera deklaron se "Familja e ERTOPEN
është në zi, por nuk përkulet. Vizioni dhe lufta e Adamantias për
dinjitet, drejtësi dhe demokraci do të vazhdohet me këmbëngulje edhe
më të madhe nga të gjithë ne. Betimi që ne kemi dhënë dhe ato që lanë
të vdekurit tanë të nderuar, riafirmohet me humbjen e saj të padrejtë,
deri në momentin e drejtësisë dhe funksionimit të ERT-it, si mbrojtësi
i pluralizmit dhe kulturës.
Të gjithë punonjësit dhe ata që mbështesin përpjekjen tonë i urojmë
Adamantias një udhëtim të mirë dhe shprehim ngushëllimet më të
sinqerta për familjen dhe të afërmit e saj", përfundon deklarata e
POSPERT.


Gjashtë të burgosur në grevë urie janë transferuar në spitalin e
burgut Koridallo dhe njëri prej tyre është i mitur nga burgu Avlona.

Katër mijë e gjysëm të burgosur vazhdojnë për të gjashtën ditë grevën
e tyre të urisë, për të protestuar ndaj vendimit të qeverisë, që të
krijojë burgje të sigurisë maksimale, në të cilat të burgosurit nuk do
të kenë asnjë të drejtë. Në heshtje për këtë çështje është si
ministria e Drejtësisë dhe mediat.
Shqetësim për rrezikun që kanë të burgosurit që janë në grevë urie,
shkaktojnë informacionet që raportojnë se ata nuk janë nën kontrollin
e mjekut. Të shtunën janë organizuar dhe aktivitete të ndryshme në
mbështetje të të burgosurve të grevës së urisë në Athinë dhe në qytete
të tjera të vendit.


Njëmbëdhjetë deputetë të qeverisë kërkojnë komision hetimor për memorandumin

Njëmbëdhjetë deputetë të qeverisë kërkojnë komision hetimor për
memorandumin në lidhje me çështjen e deficitit në vitin 2009, sipas
gazetës Realnews, ndërsa një deputet i Demokracisë së Re ka dyshime
për qeverinë e Jorgo Papandreut dhe kërkon dorëheqjen e kryetarit të
Autoritetit Grek të Statistikave, Andreas Georgiu.


Plazhet i përkasin qytetarëve dhe jo kontraktorëve dhe "peshkaqenëve"!

Me slloganin plazhet i përkasin qytetarëve dhe jo kontraktorëve dhe
"peshkaqenëve", është organizuar të dielën pasdite nga rinia e SYRIZA
një tubim në marinën Flisvo, kundër shitblerjes së bregdeteve që të
parandalohet projektligji i shitjes së tyre dhe të ketë qasje të lirë
për të gjitha dhe për të gjithë në plazhet tona!
Ndërkohë, zyra e shtypit e SYRIZA vë në dukje në një koment të saj mbi
zhvillimet politike, se SYRIZA do të intensifikojë edhe më tej
përpjekjet e saj për krijimin e fronteve në nivelin shoqëror dhe
politik, në mënyrë që të parandalohen privatizimet dhe të formohet një
koalicion i ri i pushtetit".


Ka përfunduar të dielën në Lavrio kongresi themelues i Potamit

Ka përfunduar të dielën në Lavrio kongresi themelues i Potamit, pa
patur surpriza, pasi në krye të partisë ka mbetur Stavros Theodorakis,
i cili në mbylljen e punimeve të kongresit është zgjedhur me ngritjen
e duarve të delegatëve në kongres, dhe pasi ai ishte kandidati i vetëm
për postin.
Duhet shënuar, se në ditën e dytë të punimeve të kongresit themelues
të partisë kanë bërë "hapje" në drejtim të Potamit, deputeti i
pavarur, Petros Tatsopulos dhe deputeti i të Majtës Demokratike,
Grigoris Psarianos.


Fillojnë të hënën grevat e punonjësve të ADEDH kundër shkurtimeve dhe
disponueshmërisë

Demonstrata fillojnë të hënën nga punonjësit e sindikatës ADEDH kundër
shkurtimeve dhe disponueshmërisë me mitingje proteste, që do të mbahen
në orën 15:00 në të gjithë vendin. Në tubimin e Athinës merr pjesë dhe
POE-OTA me kërkesë tërheqjen e vlerësimit të nënpunësve, shfuqizimin e
masave të disponueshmërisë dhe të shkurtimeve në sektorin publik.
Në Athinë, tubim do të zhvillohet jashtë Ministrisë së Financave,
ndërkohë që demonstratat e ADEDH-së do të përshkallëzohen më 9 korrik,
në mbarë vendin me një grevë 24-orëshe në të gjithë sektorin publik me
mitingje dhe marshime në të gjithë vendin.


Punonjësit e DEH-së në greva 48-orëshe

Shitja e Koorporatës Elektroenergjitike e Greqisë ka shkaktuar
kundërshtime nga shumë anë. Greva të përsëritura 48-orëshe, nga data 2
korrik, dita e paraqitjes së projekt-ligjit në Parlament, ka shpallur
sindikata kryesore e punonjësve GENOP, me vendimin e të gjithë
sindikatave të shkallës së parë. Gjithashtu, nga data 2 korrik do të
mbyllen njësitë e DEH-së në Maqedoninë Perëndimore, siç vendosi
sindikata lokale, Spartakos. Kundërshtimi i tyre në shitjen e DEH-së
së vogël kanë shprehur qytetarët e Maqedonisë Perëndimore në tubimin e
tyre të premten në sheshin qendror të Ptolemaidës. Punonjësit e ERT-it
dhe POSPERT mbështesin kolegët e tyre në Koorporatën
Elektroenergjitike të Greqisë (DEH) në luftën e tyre kundër shitjes së
ndërmarrjes.


Të hënën vendosin administratorët e universitetit Politeknik

Të hënën më 30 qershor me mbledhjen e përgjithshme të tyre,
administratorët e Universitetit Politeknik Metsovio do të vendosin për
atë nëse do të vazhdojnë pushtimin e ndërtesave ose do të kërkojnë
mënyra të tjera të lëvizjes së tyre, për shkak se siç thonë, duan të
vazhdojnë protestat e tyre edhe me forma të tjera kundër 436
shkurtimeve nga puna e kolegëve të tyre. që ka vendosur qeveria.


Tërmet në Karpatho

Një tërmet me magnitudë 4,2 e shkallës Rihter ka ndodhur të dielën në
mesditë në Karpathos. Epiqendra ndodhet 64 kilometra në juglindje të
Karpathos. Tërmeti pati një thellësi prej 2 km.


Lajme nga Bota

Valë e re e emigrantëve ilegalë drejt Evropës

Një valë e re imigrantësh ilegalë drejt Evropës dhe Italisë u
regjistrua dje nga anijet e Marinës Ushtarake dhe të Rojes Kufitare,
të përfshira në misionin ”Mare Nostrum”, që njoftuan për mbërritjen e
shtatë barkave të mëdha dhe për shpëtimin e 1 654 personave të nisur
nga brigjet afrikane.
Ndërhyrja e parë u bë nga anija ”Dattilo” e Rojes Kufitare, që mori në
bordin e saj 416 imigrantë të cilët ndodheshin në një barkë në
vështirësi të mëdha lundrimi. Ndërkohë, katër barka u shpëtuan nga
anija ”Grecale” e Marinës Ushtarake, në bordet e të cilave ndodheshin
227 persona, mes të cilëve 19 gra dhe 18 të mitur. U shpëtuan
gjithashtu edhe 218 persona të tjerë, përfshirë 29 gra dhe 39 të mitur
nga një barkë dhe 84 të tjerë nga një gomone. Ndërhyrja e fundit ishte
për shpëtimin e 327 imigrantëve të tjerë nga anija ”Orione” e Marinës
Ushtarake.


Të paktën 10 persona humbën jetën në Nju Delhi

Të paktën 10 persona humbën jetën pas shembjes së një pallati në veri
të Nju Delhit, ndërmjet të cilëve pesë fëmijë, njoftoi agjencia
indiane e lajmeve, PTI.
Ajo shtoi se në zonën e ngjarjes kanë filluar operacionet e shpëtimit.
Godina, e ndërtuar para 50 vitesh dhe me vetëm tre kate, ndodhej në
zonën e Inderlok, pranë një stabilimenti në ndërtim e sipër. Dyshohet
se pikërisht këto punime kanë provokuar shembjen e pallatit. Sipas
nënkomisarit të policisë së Nju Delhit, Madhur Verma pallati ishte
ndërtuar në mënyrë abuzive, si në shumë raste në metropolin indian që
numëron rreth 18 milionë banorë. Në pritje të përfundimit të hetimeve,
deri tani janë arrestuar dy funksionarë lokalë.


Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të hënën mot të mirë,
ndërsa nga mesdita në rajonet perëndimore dhe veriore do të zhvillohen
vransira dhe do të ketë stuhi, sidomos në zonat malore veriore.
Në Attikë moti do të jetë i mirë, ndërsa temperatura do të luhatet nga
19ºC deri në 33ºC dhe në zonat bregdetare dy ose tre gradë më pak.
Në Selanik, në fillim moti do të jetë i mirë, por nga dreka do të ketë
vransira lokale dhe ka shumë mundësi stuhi, sidomos në zonat malore.
Temperatura do të luhatet nga 20ºC deri në 31ºC.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54