Lajmet në gjuhën shqipe - 13/07/2014

Presidenti Karolos Papulias në ishullin e Rodos
Në ishullin e Rodos ndodhet presidenti, Karolos Papulias, kryeministri
Antonis Samaras dhe një grup i qeverisë për të takuar Presidentin e
Kinës, që bën një vizitë private në vend.
Xi Jinping niset nesër për Brazil, për të marrë pjesë në samitin e
lartë të vendeve që quhen BRICS me inicialet e Brazilit, Rusisë,
Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.

Shumë dyshime për zjarrin në Keratea
Nga shumë anë janë shprehur dyshime në lidhje me zjarrin në Keratea, i
cili ka kërcënuar zonat e banuara dhe ka lënë pas dëme të rënda në
shtëpitë pranë zonës Depseliza.
Përveç kryetarit të Bashkisë së Lavrios i cili ka lënë dje të kuptohet
për zjarrvënie të dyshuar dhe Pavlos Haikalis me një deklaratë të tij
sot identifikon problemet dhe dobësitë në menaxhimin e zjarrit dhe
ngre pyetje.

Përfundoi me sukses lëvizja "Kurrë të dielën"
Sukses të madh kishin sot lëvizjet me sloganin "Kurrë të dielën" në
Athinë dhe Selanik, ku dyqanet më të shumta mbetën të mbyllura dhe ato
që u hapën janë mbyllur shpejt nga grevistët, të cilët u përpoqën për
të mbrojtur grevën e tyre.

Deri tani gjashtë të vdekur nga mbytja e anijes me emigrantë
Vazhdohen kërkimet për gjetjen e të mbijetuarve nga mbytja e një anije
me emigrantë në veri të Samos. Në gjashtë ka arritur numri i
emigrantëve të vdekur deri tani, ndërsa në gjendje kritike mbetet
18-vjeçari që kurohet në spital.

Vazhdon bojkotazhi i kompanisë Coca-Cola
Denoncim mbi reklamën mashtruese të kompanisë Coca-Cola përmban
njoftimi i Federatës Panhelenike e punonjësve të pijeve, duke kujtuar
për të gjithë, se bojkotazhi që kanë kërkuar punonjësit grevistë të
kompanisë jo vetëm vazhdon, por jep edhe fryte.

Përfundon të hënën dorëzimi i deklaratave për të ardhurat e qytetarëve
Përfundon të hënën afati i dorëzimit të deklaratës për të ardhurat e
qytetarëve, ndërsa Ministria e Financave ka përjashtuar mundësinë e
një zgjatje tjetër të afatit.

Fillon dorëzimi i aplikimeve për Programin e Ndihmës për pushime
Fillon nga nesër dorëzimi i aplikimeve për Programin e Ndihmës së
Pushimeve të Punonjësve, të Papunëve dhe Familjeve të tyre me një Çek
të Turizmit Social për periudhën 2014-2015. Ky Program siguron një
ndihmë për pesë netë nga 15 shtatori i vitit 2014 deri më 31 gusht
2015.

Lajme nga Bota

Presidenti ukrainas thotë se vendi i tij do të hakmerret për vrasjen e ushtarëve
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko është zotuar se do t’i
përgjigjet sulmit që vrau 19 ushtarë ukrainas nga separatistët pro
rusë në pjesën lindore të vendit.
Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, ka njoftuar se 93 ushtarë të tjerë
janë plagosur gjatë një sulmi me raketë të premten, në afërsi të
kufirit me Rusinë.
Sulmi paraqet pengesë për forcat qeveritare të cilat patën filluar të
arrijnë sukses javën e kaluar kur detyruan separatistët të largohen
nga Sllovjanski.
Qeveria ukrainase është duke luftuar kundër separatistëve pro rusë që
tre muaj në pjesën lindore të Ukrainës, ndërsa vetëm javën e kaluar,
ata kanë arritur të marrin nën kontroll gjysmën e territorit që
kontrollohej nga separatistët.

Të paktën 165 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite
Më shumë se 800 raketa janë lëshuar nga Rripi i Gazës drejt jugut të
Izraelit gjatë pesë ditëve të fundit, me një mesatare prej më shumë se
160 të tillash në ditë, deklaroi një zëdhënës ushtarak izraelit.
”Të paktën 635 prej këtyre raketave kanë goditur kryesisht jugun e
vendit. Ndërkohë, raketat e tjera, të paktën 147 janë interceptuar nga
sistemi ynë antiraketor ‘Iron Dome”, deklaroi ai.
Megjithatë, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet ajrore izraelite
në Rripin e Gazës është rritur në 165, ndërkohë që janë plagosur më
shumë se 1085 të tjerë.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, mes të vrarëve janë edhe
29 fëmijë dhe 19 gra.

Nuk formohet qeveria në Irak, gjë që çoi në shtyrjen e takimit të
rëndësishëm të parlamentit të martën.
Kombet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Irakun që duhet sa më parë të
formojë qeverinë e re, ndryshe rrezikon që të futet në kaos.
Parlamenti irakian u mblodh më 13 korrik në një seancë, e cila kishte
për qëllim që të zgjedhë qeverinë e re, në një kohë kur kryengritja
xhihadiste ka marrë nën kontroll pjesë të mëdha të territorit.
I deleguari i OKB-së, Nickolay Mladenov, ka thënë se dështimi që të
vazhdohet tutje për të zgjedhur kryetarin e ri të parlamentit dhe
qeverinë e re, rrezikon që ta fut shtetin në kaos. Seanca e mëparshme
e parlamentit ka përfunduar në kaos, derisa ligjvënësit kërcënonin
njëri tjetrin.
Prej asaj kohe, politikanët kurdë në Bagdad kanë anuluar pjesëmarrjen
në qeveri në shenjë proteste ndaj akuzave të kryeministrit aktual Nuri
al Maliki, i cili ka thënë se kurdët janë duke i ndihmuar
kryengritësit Sunni në pjesën veriore të Irakut.

Moti
Mot me diell në të gjithë vendin dhe shira ose stuhi lokale në orët e
mesditës në zonat malore të Maqedonisë dhe Thrakës parashikon Shërbimi
Kombëtar Meteorologjik.
Temperatura në Athinë do të arrijë në 33ºC, ndërsa në Selanik
temperatura do të arrijë në 31ºC.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54