Lajmet në gjuhën shqipe - 24/07/2014
Projektligji i pyjeve paraqitet në Komitetin e Parlamentit
Ka kaluar nga leximi i parë në Komitetin e Parlamentit, projekt-ligji për pyjet i Ministrisë së Mjedisit. Në favor të tij kanë qëndruar PASOK-u dhe Demokracia e Re, ndërsa zëvendës ministri i mjedisit ka premtuar se deri në leximin e dytë do të bëjë "përmirësime", që askush nuk e di se çfarë qëllimi do i shërbejnë.
Në Parlament një amendament "dhuratë" për sipërmarrësit e veprave të mëdha
Gjithashtu, në Parlament me një amendament "dhuratë" që është paraqitur si gjithmonë krejtësisht pa lidhje në projekt-ligjin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, sipërmarrësit e mëdhenj të veprave të mëdha mund të ndërmarrin projekte të çdo buxheti dhe jo vetëm vepra të mëdha siç parashikohej deri më tani.
Një 56-vjeçare humb jetën për një borxh prej 250 euro
Në përvjetorin e rivendosjes së Demokracisë, kontraktorët privatë të DEDHE-së kanë prerë energjinë elektrike nga një 56-vjeçare nga Hanja e Kretës, që ishte në mbështetje mekanike, për një borxh prej 250 euro dhe si pasojë ajo humbi jetën. Ky fakt nuk e ka penguar Presidentin e Republikës për të deklaruar se: "Në periudha të krizës, flaka e lirisë dhe e institucioneve demokratike duhet të mbizotërojë", ndërsa ndërhyrje të drejtësisë për vdekjen e 56-vjeçares kërkojnë SYRIZA dhe Grekët e Pavarur.
Grupe të ndryshme të shoqërisë me mënyrën e tyre kanë nderuar rivendosjen e Demokracisë
Rojet e shkollave, mësuesit në dispozicion dhe pastrueset e ministrisë së Financave kanë nderuar në thelb dhe jo me fjalë rivendosjen e demokracisë në Greqi me mobilizimin e tyre jashtë Muzeut të Akropolit. Gjithashtu protestë jashtë zyrave të OKANA-së kanë bërë sot punonjësit në qendrat e parandalimit të varësisë, të cilat janë mbytur financiarisht nga vonesa e qeverisë për të finalizuar legjislacionin mbi statusin institucional të tyre.
Greqia duhet të kthejë 600 milion euro në Bashkimin Europian
600 milion euro nga subvencionet bujqësore të dekadës së fundit duhet të kthejë qeveria greke Bashkimit Evropian, sipas dy vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që i gjykoi të paligjshme. Vendimet do të njoftohen zyrtarisht brenda dhjetë ditëve dhe duhet të ekzekutohen deri në fund të shtatorit, duke krijuar kështu një boshllëk financiar të ri.
Protestë kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Mesdhe
Protestë në lundrim dhe përpjekje për t'u afruar në anijen «Cape Ray», ku bëhet hidroliza e armëve kimike e Sirisë, ka nisur sot nga organizata të ndryshme dhe qytetarë të Kretës.
Koncert i Grupit Muzikor i ERT-it në Sindagma
Të enjten, më 24 korrik në orën 19:00 pasdite, Grupi muzikor i ERT-it të lirë ka organizuar një koncert në solidaritet me luftën e pastrueseve të ministrisë së Financave, në Sindagma, për të bashkuar zërin tonë në një luftë të përbashkët kundër politikës që hedh të zezën në jetën tonë.
Lajme nga Bota
Një avion algjerian me 110 pasagjerë në bord rrëzohet mbi Sahara
Avioni algjerian i cili humbi kontaktin me radarin ndërsa udhëtonte mbi Sahara, thuhet se është rrëzuar për shkak të motit të keq. Mediat algjeriane bëjnë të ditur se avioni me 110 pasagjerë në bord dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, humbi kontaktin me kullën e kontrollit 50 minuta pasi ishte nisur nga Burkina Faso drejt Algjerisë.
Autoritetet po operojnë me planin e emergjencës, ndërsa avioni i kompanisë Air Algerie operohej nga një agjenci spanjolle.
Burime të kompanisë thanë se avioni nuk ishte larg kufirit algjerian kur iu kërkua të ndryshonte rrugë për shkak të shikueshmërisë së keqe dhe rrezikut të përplasjes me një avion tjetër.
Vazhdohen sulmet izraelite në Rripin e Gazës
Të paktën nëntë palestinezë, prej të cilëve një fëmijë një vjeçar u vranë sot në një shkollë të OKB-së në Beit Hanoun, në veri të Rripit të Gazës, ku ndodhen të strehuar palestinezët, sipas një fotografi.
Trupat u dërguan në morgun e spitalit Jabaliya, pranë Beit Hanun, sipas fotografit të AFP-së.
Punonjës të Kombeve të Bashkuara u vranë në sulmin kundër një shkolle të OKB-së në Rripin e Gazës, theksoi sot sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili dënoi ashpër këtë sulm.
“Ka shumë të vdekur, prej të cilëve fëmijë dhe punonjës të OKB-së”, deklaroi Ban Ki-Moon, në një komunikatë të OKB-së.
Të paktën 15 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur kur një shkollë e menaxhuar nga OKB dhe që shërbente si strehim në Gaza është bombarduar nga sulmet izraelite.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë. Qindra palestinezë ndodheshin në këtë shkollë, në Beit Hanun, pasi ishin larguar nga zonat e përfshira nga lufta.
Ukraina drejt zgjedhjeve
Me një ankesë që i kanë dorëzuar sot ambasadorit të Ukrainës, deputetët e opozitës greke kërkojnë të mos ndalohet Partia Komuniste e Ukrainës nga presidenti i vendit, Peter Poroshenko, i cili ndërkohë mirëpriti largimin e dy partive nga koalicioni qeveritar gjatë së enjtes, gjë që i hap kështu rrugën liderit të shtetit të thërrasë zgjedhjet e reja dhe t’u japë ukrainasve “një formatim të plotë” të pushtetit.
Dy partitë ukrainase thanë se kanë lënë koalicionin e mazhorancës në Parlament, për të lejuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe për të pastruar ata që një politikan i quajti “agjentë moskovitë” nga dhoma e Parlamentit.
Politikanët dhe aktivistët janë ankuar se, tashmë që Ukraina e ka një president të ri, pse të mos zgjidhej edhe një legjislaturë e re, e cila rezulton që pas shkarkimit të liderit pro-rus Viktor Yanukovych, në Shkurt, duke akuzuar madje mbështetësit e tij se po pengojnë punën e liderit të ri.
Sipas Kushtetutës ukrainase, Parlamenti ka 30 ditë kohë për t’u përpjekur të formojë një koalicion të ri. Nëse nuk ia del, presidenti shpërndan më pas Parlamentin dhe thërret mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Greqia ka shpëtuar që të mbrohen interesat e bankave
"Greqia ka shpëtuar në mënyrë që të mbrohen interesat e bankave të mëdha evropiane, të cilat ishin ekspozuar", ka thënë sot kryeministri i Italisë Matteo Renzo sipas njoftimeve të një gazete gjermane.
Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten vransira të pakta, më të dendësuara në mesditë në rajonet kontinentale, shira lokale dhe stuhi kryesisht në zonat malore, ndërsa temperatura do të luhatet nga 19ºC deri në 35ºC.
Mot me diell, por dhe vransira të përkohëshme në zonat veriore të saj do të ketë të premten Attika. Temperatura më e lartë në qendrën e Athinës do të jetë 35ºC.
Mot me diell, por dhe vransira të pakta më të dendura në mesditë presim të premten në Selanik, ndërsa temperatura më e lartë do të jetë 33ºC.