Lajmet në gjuhën shqipe 02/06/2015

---Ministri i Financave, Giánis Varufákis informoi deputetët e SYRIZA-s mbi progresin e negociatave me përfaqësuesit e kreditorëve. 

---Vlerësimin se një marrëveshje me Greqinë «teorikisht» nuk është e mundur brenda javës, shprehu kryetari i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, transmetoi agjencia Reuters. 

---Një mesazh të ri për refuzimin e çdo marrëveshje që nuk do të jetë në përputhje me programin e SYRIZA-së dërgon krahu i Majtë i SYRIZA, duke i bërë thirrje qeverisë që të «kundërshtojë ultimatumet e Trojkës».

---«Negociata krenare ka përfunduar në një ultimatum», komentoi zëdhënësi i Demokracisë së Re. 

---Partia Komuniste e Greqisë në komentin e saj mbi deklaratat e Kryeministrit për negociatat ka thënë: «Negociatat e qeverisë nuk i përkasin interesave të vërteta të popullit, por daljes së kapitalit nga kriza, prandaj dhe populli ftohet që të paguajë përsëri».

---Me shqyrtimin e dëshmitarëve vazhdohen në Parlament, punimet e Komitetit të Shqyrtimit për përfshirjen e vendit në Memorandumet.

---Me lëndën e zgjedhjes së Parimeve të Teorisë Ekonomike përfundojnë të martën, 2 qershor provimet e maturantëve të Shkollave të Mesme të Përgjithshme të Përditshme dhe të Natës si dhe të Shkollave të Mesme Profesionale të Përditshme e të Natës.

Provimet e lëndëve të veçanta do të mbahen në periudhën 17-24 qershor. Testimi dhe Kontrolli Praktik i kandidatëve për pranim në T.E.F.A.A. do të mbahet nga data 15 qershor e deri në 26 qershor. 

---«Një detyrë e madhe për Ministrinë e Arsimit, janë të rinjtë dhe sidomos shkencëtarët, për t'u mundësuar atyre për të jetuar me dinjitet dhe në kushte të drejtësisë në këtë vend», tha ndër të tjera në fjalën e tij në Ministrinë e Arsimit Aleksis Cipras.

Ndërsa për negociatat me kreditorët tha se qeveria greke u ka paraqitur dje në mbrëmje kreditorëve ndërkombëtarë një plan reformash të plotë dhe realiast, me qëllim për të marrë zhbllokimin e një financimi afatshkurtër jetësor për ekoniminë e saj.

“Natën e kaluar, një plan i plotë iu paraqit kreditorëve të vendit, BE, BQE dhe FMN”, deklaroi kryeminsitri grek për gazetarët gjatë vizitës së tij në Ministrinë e Arsimit, duke i cilësuar propozimet greke si realiste për daljen e vendit nga kriza ekonomike dhe sociale.

Pa dhënë shumë detaje lidhur me këtë version të ri të listës së masave buxhetore dhe reformave të paraqitura nga Athina, kryeministri përmendi koncesionet që do të jenë shumë të vështira.

“Janë propozimet e para nga qeveria greke që janë shqyrtuar”, deklaroi sot komisioneri evropian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici, duke folur për progrese serioze, veçanërisht për çështjen shumë të ndjeshme të sistemit të pensioneve. Ai shtoi gjithashtu se ka ende shumë rrugë për të bërë.

Koha kalon për një marrëveshje mes Greqisë dhe kreditorëve, ndërkohë që vendi, financat e të cilit kanë mbaruar, duhet t’i rimbursojë të premten një këst të kredive prej 300 milionë eurosh FMN.

---Komisioni Evropian përshëndeti sot faktin që Greqia dhe kreditorët shkëmbejnë dokumentet e punës mbi reformat që Athina duhet të zbatojë për të siguruar zhbllokimin e një financimi afatshkurtë, jetësor për ekonominë e saj.

“Dokumente të shumta janë dërguar mes institucioneve dhe autoriteteve greke. (…) Fakti që dokumentet janë shkëmbyer është tashmë një shenjë e mirë”, theksoi Annika Breidthardt, zëdhënësja e Komisionit Evropian e ngarkuar me Çështjet Ekonomike duke refuzuar të konfirmonte marrjen e një plani reformash që Athina kishte njoftuar se do ta dorëzonte të hënën në mbrëmje.

”Për një marrëveshje, ne nuk kemi arritur ende aty”, nënvizoi ajo./ec/

---Dy vjet pas «mbylljes së zezë», Radio EPA e Janinës përgatitet për të festuar rihapjen e stacionit historik dhe fton miqtë dhe të solidarizuarit për të vendosur së bashku programin e aktiviteteve të datës 11 qershor, të enjten 4 qershor në orën 20:00 në ambientet e ERA-Janinës.

---Në vendin e 21-të të renditjes europiane të TripAdvisor me monumentet që janë votuar më shumë nga përdoruesit e saj në të gjithë botën (Travellers Choice Awards) në vitin 2015, ndodhet Akropoli.

Çmimet e këtij viti kanë nxjerrë në pah më shumë se 700 monumente në mbarë botën. Këto çmime vjetore janë bazuar në kritikat e miliona përdoruesve të platformës në mbarë botën. Për zgjedhjen e fituesit është përdorur një algoritmi që përfshin sasinë dhe cilësinë e kritikave të hartuara për çdo monument në një periudhë prej 12 muaj.

Monumenti më i bukur në botë doli Angkor Wat në Kamboxhia dhe ndjekin monumentet e famshme Machu Picchu dhe Taj Mahal.

Në çmimet Travellers Choice janë zgjedhur gjithashtu dhe 10 monumentet më të mira në Greqi për vitin 2015. 
Ato janë: 1. Akrópoli 2. Partenoni 4. Delfoí 5. Tempulli i Ifaístou 6. Manastiri i Panagiás Chozoviótissas 7. Akrópoli Líndou 8. Spinalonga 9. Teatri i Epidauros 10. Ermís tou Praksitéli.

Shqipëria
---Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dërgoi të martën një mesazh urimi Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella, me rastin e Festës Kombëtare.

“Përfitoj nga rasti që, në këtë ditë të shënuar për vendin dhe popullin tuaj, të shpreh edhe njëherë mirënjohjen në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, për ndihmën e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në dy dekadat e fundit. Ndihma e Italisë për rimëkëmbjen ekonomike pas rënies së komunizmit, si dhe mbështetja e gjithanshme për anëtarësimin në NATO dhe procesin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian, mbeten të pazëvendësueshme”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se, falë lidhjeve historike e kulturore të miqësisë, si dhe bashkëpunimit shumëdimensional ekonomik e shoqëror, sot trashëgojmë marrëdhënie të shkëlqyera të një partneriteti strategjik, me të gjitha mundësitë për t’i zhvilluar e thelluar ato më tej./a.s//m.m/

Sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale, puna do të jetë pa pagesë, por kandidatët të cilët do të tregojnë aftësi të larta, do të kenë mundësi të konkurojnë më pas për një nga vendet e lira të punës.

---1.700 të rinj pritet të punësohen përkohësisht në qeverinë shqiptare gjatë muajve të verës. 

Ministria e Mirëqenies Sociale, ka ndërtuar një aplikacion i cili fton të rinjtë që kanë mbaruar studimet “Bachelor” apo “Master”. “Nëse jeni duke studiuar apo keni përfunduar studime të ciklit të dytë në një nga profilet studimore të mëposhtme, jeni të mirëpritur të aplikoni. 

Kandidatët duhet të tregojnë interes në punën e sektorit publik dhe të kenë aftësi shumë të mira analitike dhe komunikimi” parashikon programi i ri. Sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale, puna do të jetë pa pagesë, por kandidatët të cilët do të tregojnë aftësi të larta, do të kenë mundësi të konkurojnë më pas për një nga vendet e lira të punës.

---Plot 28,5 % e ndërmarrjeve aktive, kanë pronare dhe administratore femra, shumica në fushën e tregtisë.

INSTAT përcakton këtë fushë si kryesoren, pasi shënon pjesëmarrjen më të lartë të ndërmarrjeve me pronare dhe administratore femra dhe krahasuar me meshkujt, rezulton se femrat zotërojnë apo drejtojnë 34,2 % të totalit të ndërmarrjeve aktive në tregti. Gjithashtu 47,9 % e ndërmarrjeve të menaxhuara nga femrat kanë aktivitet ekonomik “Tregti”.

Sipas statistikave të regjistrit të ndërmarrjeve për vitin 2014, botuar së fundi nga INSTAT, rezulton se vetëm 16,1 % e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar zotërohen apo menaxhohen nga femrat.

Qarku i Tiranës kryeson në përqindjen më të madhe për këtë grup ndërmarrjesh, që zënë 47,5 % e ndërmarrjeve me pronare dhe administratore femra. Femrat zotërojnë më pak drejtimin dhe pronësinë e ndërmarrjeve aktive në qarqet Kukës dhe Dibër. Në krahasim me meshkujt, qarqet me përqindje më të lartë me pronare/administratore femra janë Tirana me 30,7 % dhe më të ultin e shënon Kukësi me 15,6 %.

Pozitiv duket trendi në hapjen e ndërmarrjeve të reja, pasi gjatë vitit 2014 rezulton se 31 % e tyre u hapën nga femrat si pronare dhe administratore të tyre./n.m//m.m/

---Në Shqipëri janë 5.245 ndërmarrje me pronarë apo bashkëpronarë të huaj, kryesisht në industrinë e fasonit, të pranishme që në fillimvitet 90-të e në vijim.

Sipas INSTAT, 5,6 % e tyre janë ndërmarrje me 50 e më shumë të punësuar dhe punësojnë 74,2 % të të punësuarve të ndërmarrjeve me pronësi të huaj e të përbashkët.

Ndërmarrjet e mëdha të këtij grupi ushtrojnë aktivitet ekonomik kryesisht në prodhim veshjesh e këpucësh, call center dhe aktivitete bankare. Pjesën kryesore e zënë ndërmarrjet e përbashkëta në industrinë e fasonit, ku kryesojnë partnerët nga Italia, Greqia, Gjermania, etj.

Qarqet e Tiranës dhe Durrësit kanë numrin më të lartë të ndërmarrjeve të përbashkëta, ku sipas llogaritjeve, arrin në 81,2 % të totalit të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta në vendin tonë./n.m//m.m/

---Në natën e tretë të Javës së Kulturës shqiptaro – britanike që është duke u mbajtur në Londër u organizua ceremonia e dorëzimit të albumit muzikor “Këngët e Atdheut”.

Ky album muzikor është një dhuratë e muzikantëve, Adelina Hoxha dhe Robert Radoja të përkrahur nga botuesi Flamur Hudhri, enkas për fëmijët e shqiptarëve në Britaninë e Madhe.

“Një sipërmarrje kaq bujare tërhoqi interesin e një audience të gjerë në Ambasadën Shqiptare në Londër.

---Me një fond prej 6 milionë eurosh ka nisur punimet projekti për realizimin e Parkut Olimpik në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, i cili do të mbajë emrin “Tirana Olimpik Park”. 

Projekti parashikon ndërtimin e fushave të futbollit, një minipallat sporti për lojërat me dorë, mundjen, peshëngritjen dhe një godinë për sportet ujore. Realizimi i këtij projekti do të ndihmojë në rritjen e cilësisë stërvitore të ekipeve kombëtare, tha me këtë rast kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se ky park olimpik do t’i shërbejë për më shumë motivim sportit shqiptar.

Ndërtimi i “Tirana Olimpik Park” u sulmua ashpër si një aferë korruptive nga ish kryeministri Sali Berisha. Sipas tij zoti Rama ka manipuluar një tender, duke i devijuar fondet drejt një njeriu të tij.

Bota
---Një traget me 458 persona në bord u fundos në lumin Jance në Kinë. 

Fundosja ndodhi në provincën Hubei. Ekipet e emergjencës nxorrën nga uji 5 trupa të pajetë, ndërsa arritën të shpëtojnë. Pjesa tjetër e pasagjerëve ndodhen të bllokuar në tragetin e fundosur.

Operacionet e shpëtimit vijojnë, por dyshohet se shumë prej tyre janë mbytur. Përpara fundosjes, personat që ndodheshin në bord dhanë alarmin për ndihmë.

Shkak i fundosjes mendohet të kenë qenë erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut. Sipas televizionit zyrtar, anija, e gjatë 76 metra dhe me një kapacitet prej 534 personash, është në pronësi të një kompanie që organizonte udhëtime në rajonin e ”Tre Grykave”.

Sipas agjencisë kineze të lajmeve ”Hsinhua”, operacionet e shpëtimit ishin vështirësuar nga erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut. Agjencia kineze e lajmeve shtoi se edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, ishte nisur për në vendin e ngjarjes./ec/

---Nëntë punonjës afganë të një OJQ-je çeke u vranë të martën në provincën Balkh, në veri të Afganistanit, pas një sulmi tjetër që kishte si shënjestër punonjësit humanitarë në vend”, bënë të ditur zyrtarët lokalë.

”Viktimat janë shtatë punonjës humanitarë, gjashtë burra dhe një grua dhe dy roja”, theksoi Abdul Razaq Qaderi, zëvendësshef i policisë Balkh, një prej provincave më të qeta në vend. Qaderi akuzoi rebelët talebanë si autorë të këtij sulmi, të cilët nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë.

Residenca ku ndodheshin punonjësit e organizatës ”People in Need” (PIN) u sulmua nga disa persona të armatosur gjatë natës. “Fatkeqësisht, gjatë natës së kaluar, disa persona të armatosur kanë sulmuar residencën tonë në Zari dhe kanë vrarë nëntë punonjësit tanë”, theksoi një zyrtar i PIN-it.

Informacioni u konfirmua nga Monir Farhad, zëdhënës i guvernatorit të provincës. Organizatat humanitare janë sulmuar herë pas here këto vitet e fundit në Afganistan./ec/

---Kryeministri i Irakut Haider al-Abadi, tha të martën se forcat pro qeveritare nuk po marrin ndihmën e mjaftueshme nga koalicioni ndërkombëtarë për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.

Ai i bëri këto komente në Paris para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të koalicionit për të diskutuar strategjinë e luftë kundër ISIS-it pas përparimeve të këtij grupi militant. Abadi tha se ka nevojë për më shumë veprime zbulimi dhe se numri i luftëtarëve të huaj që shkojnë në Irak nuk është zvogëluar më gjithë synimet e koalicionit që të pengojnë bashkimin e tyre me grupin Shteti Islamik.

Koalicioni nuk po ofron trupa tokësorë, duke u mbështetur në fushatën e sulmeve nga ajri për të përkrahur forcat pro qeveritare. Sipas të dhënave të Pentagonit, që nga muaji gusht i vitit të kaluar, avionët kanë kryer mbi 4 mijë e 200 sulme në Irak dhe Siri.

Takimi po ndodhë dy javë pasi që grupi Shteti Islamik mori Ramadin, kryeqytetin e krahinës Anbar, rreth 125 kilometra në perëndim të Bagdadit, gjë që e nxiti Abadin të thërras milicitë që të mblidhen në zonë për të filluar një kundërsulm javën e kaluar.

---Ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl, artizan i bashkimit të Gjermanisë, ndodhet në spital nën përkujdesje intensive mjekësore, njoftuan sot burime nga zyra e tij e shtypit.

”Ai ndodhet në spitalin e Heidelbergut, në jugperëndim të vendit”, konfirmoi ndërkohë media gjemane që i referohet të afërmve të tij.

”Ish-lideri konservator (1982-1998), 85 vjeç, bëri një operacion në zorrë dhe ndodhet në gjendje kritike”, tha e përdyjavshmja ”Der Spiegel” në faqen e saj të internetit./ a.jor.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Mërkurën, 3 qershor vransira të pakta dhe gjatë ditës më të dendura. Era do të fryjë e fortë në Egje në drejtimin verior në 6 ballë dhe lokalisht deri në 7 ballë. 

Në Attikë do të ketë vransira të pjesshme dhe gjatë ditës më të dendura. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior nga 4 deri në 5 ballë dhe në zonat lindore deri në 6 ballë. Temperatura do të variojë nga 17 deri në 27 gradë Celsius dhe në zonat bregdetare do të jetë dy me tre gradë më e ulët.

Në Selanik parashikohen vransira të pakta dhe më të dendura kryesisht në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor dhe juglindor nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 15 deri në 28 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54