Lajmet në gjuhën shqipe 01/06/2015

---Në rrugën përfundimtare negociatat e qeverisë dhe partnerëve me
objektivin e Athinës për të mbyllur marrëveshjen këtë javë.

Në një klimë të mirë është mbajtur telekonferenca e kryeministrit
Aleksi Cipra me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin
francez, François Hollande, sipas burimeve qeveritare. Vendimtar
konsiderohet dhe takimi i sotëm i udhëheqësve të Gjermanisë dhe
Francës në Berlin, me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude
Juncker.

«Marrëveshja e re e qeverisë me partnerët e saj përfshin shumë
angazhime jopopullore të tilla si privatizimet, ndryshimet në TVSH,
sigurimet sociale dhe marrëdhëniet e punës, një gjë që pranon në
mënyrën më zyrtare dhe Kryeministri në artikullin e tij në gazetën Le
Monde», thotë komenti i Partisë Komuniste Greke (KKE).

---«Më është e pamundur që të pranojë emërimin tim mes reagimeve
negative nga deputetë dhe anëtarë të SYRIZA», deklaron Elena Panariti,
ndërsa burime qeveritare thonë se zgjedhja e Elena Panaritit, si
përfaqësuese e vendit në Fondin Monetar Ndërkombëtar, u bë në mënyrë
kolektive.

---Është një nevojë urgjente që të zëvendësohen menjëherë drejtorët që
ka emëruar ish ministri i Shëndetsisë, Adonis Georgiadis, me urdhërin
që të zbatojnë verbërisht drejtimet e memorandumeve në thellësi të
shërbimeve publike të shëndetit, ka thënë kryetari i Federatës së
Bashkimeve të Mjekëve Spitalorë të Greqisë, Dimitris Varnavas.

---Frenimin për ryshfetet në Ushtri përpiqet për të vënë projektligji,
që do të paraqitet në fillim të qershorit nga Ministria e Mbrojtjes,
sipas rrjetit e Ushtarëve të Lirë «Spártakos».

Qëllimi i udhëheqjes politike është që sistemi i transferimeve të jetë
sa më i drejtë dhe rekruti të transferohet në afërsi të vendbanimit të
tij, vetëm mbi bazën e kritereve ekonomike dhe sociale. Kriteri
kryesor që do të japë edhe pikët më të larta, do të jetë fatura
sociale e Koorporatës Elektroenergjitike e Greqisë (DEH).

---Me lëndën e zgjedhjes së Parimeve të Teorisë Ekonomike përfundojnë
të martën, 2 qershor provimet e maturantëve të Shkollave të Mesme të
Përgjithshme të Përditshme dhe të Natës si dhe të Shkollave të Mesme
Profesionale të Përditshme e të Natës.

Provimet e lëndëve të veçanta do të mbahen në periudhën 17-24 qershor.
Testimi dhe Kontrolli Praktik i kandidatëve për pranim në T.E.F.A.A.
do të mbahet nga data 15 qershor e deri në 26 qershor.

---Iniciativa për organizimin dhe menaxhimin sa më të thjeshtë të
vendeve për pritjen e refugjatëve në ‘’KAPTAIN ILIAS’’ në ishullin e
Kos, të cilët përballen me probleme të rënda të mbijetesës, ka marrë
grupi i solidaritetit, në momentin që vazhdohet refuzimi i dhënies së
ndihmës nga autoritetet lokale, Bashkia dhe Qarku.

---Informacion për dhënien e drejtpërdrejtë të tenderit për natën
finale të Eurovizionit në MAD TV, të pronarit Andréa Kurí, dhe për
shumat e borxheve të tij ndaj punonjësve të përjashtuar nga Metropolis
nga Andréa Kurí, kërkon deputeti i SYRIZA Kristos Karagiannidis.

---Drejtues të Rojes Bregdetare, funksionarë të lartë të policisë dhe
të Agjencisë së Informimit Kombëtar (EYP – shërbimi sekret grek ) janë
në qendër të një hetimi nga Departamenti i policisë për Çështjet e
Brendshme (ELAS) pasi dyshohen për lidhje me organizatat kriminale të
trafikut të qenieve njerëzore, njoftoi gazeta e përditshme greke
”Kathimerini”.

Ajo citon një burim pranë hetimit, sipas të cilit të paktën tre
zyrtarë të lartë të Rojes Bregdetare mund të jenë përfshirë në
kontrabandën e emigrantëve.

Shkalla e përfshirjes së tyre duhet të përcaktohet nga gjykatësit, të
cilët kanë marrë nga drejtori i EYP-it, Rubatis raportin ku
evidentohet se rastet e korrupsionit në gjirin e policisë kalojnë
nivelin e atij referuar kriminalitetit të organizuar dhe që mund të
përbëjë edhe një komplot ndaj qeverisë.

Rubatis i ka dhënë një kopje edhe zëvendësministrit të Transporteve,
Theodoris Dricas, atij të Brendshëm Nikos Vucis dhe atij për Mbrojtjen
e Qytetarit, Janis Panusis. Rubatis ka informuar personalisht edhe
kryeministrin Cipras.

---Propozimet e Telegraph janë ... për të gjitha shijet, pasi paraqet
propozime për pushime familjare, pushime luksoze, relaksim, romanca,
dhe ... argëtim të shfrenuar!

Në kategorinë e plazheve, vendin e parë e zë ishulli Formentera që i
takon grupit të ishujve Balearic, vendin e dytë e zë ishulli grek i
Naksos dhe me shënimin se ishulli grek ka plazhet më të mira në
Cyclades.

Sa për luksin? Sardenja është fituesja, ndërsa vendin e dytë e merr
ishulli Cavallo që ndodhet në Korsikë.

Kategoria e destinacionit më ideal për pushime familjare ka përsëri
ngjyrën e Greqisë, edhe në qoftë se Korfuzi zë vendin e dytë pas
Mallorca.

Zgjedhja më e mirë kulturore konsiderohet Sicilia dhe Qipro është në
vendin e dytë, ndërsa kur flasim për romanca, nuk është e mundur që
Santorini të humbasë vendin e parë! Ishulli i mahnitshëm grek me të
drejtë renditet në vendin e parë dhe teksti që e shoqëron tregon se
Santorini është romantik në kufijtë ... e klishe dhe natyrisht bëhet
një referencë e veçantë për pamjen që të befason, por dhe për
perëndimin e paharrueshëm të diellit! Kjo kategori, ndërkohë ka
absolutisht "ngjyrën" bardhë e blu, pasi vendin e dytë e merr Patmos,
i cili paraqitet si një destinacion ideal për çifte!

Ndalesa tjetër; Argëtimi. Por argëtimi i shfrenuar! Ibiza në vendin e
parë dhe natyrisht ishulli i Mykonos në vendin e dytë!

Përfaqësim të Greqisë kemi edhe në kategorinë ... "value for money",
dmth në krahasimin e kostos me cilësinë. Vendi i parë shkon për Maltën
dhe vendi i dytë për ishullin Hio!

Njëkohësisht, Lefkada merr vendin e parë në drejtim të zgjedhjes më të
mirë për sportet e ujit dhe të anijeve me vela dhe Menorca, ishulli
spanjoll i Mesdheut që bën pjesë në kompleksin e Ishujve Balearic e
ndjek në vendin e dytë.

Qetësia është një tjetër kategori me praninë greke, pasi Kefalonia
paraqitet si alternativa më e mirë ... nëse ju nuk preferoni ishullin
Vis të Kroacisë në detin Adriatik. Në fund, ishulli i Kretës
karakterizohet si zgjedhja më e mirë për ecje në këmbë e ndjekur nga
Korsika!

---Sot shënohet festa e 1 Qershorit, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.

Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e botës dhe aktivitete të shumta u
kushtohen vetëm atyre.

Përveçse një ditë festive, në fakt 1 Qershori është edhe një ditë
sensibilizimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos
angazhimin e tyre në punë kur janë ende të mitur.

Shqipëria
---Gjermania jep edhe këtë vit mbështetjen e saj në vlerën e 37.600
eurove për organizatën joqeveritare shqiptare Albanian Human Rights
Group (AHRG).

Përmes këtij projekti është menduar që në kuadër të Akademisë Verore
(Minority Rights Academy), e cila zhvillohet çdo vit në juglindje të
Shqipërisë, në Voskopojë, studentë të ndryshëm të edukohen në funksion
të mbështetjes dhe zbatimit më të mire të të drejtave të pakicave si
edhe të ndërtimit të një rrjeti të efektshëm të shoqërisë civile në
këtë drejtim.

Në këtë kontekst, në Ambasadën Gjermane në Tiranë u nënshkrua
marrëveshja përkatëse mes Ambasadorit Hellmut Hoffmann dhe
Drejtoreshës Ekzekutive të AHRG, Elsa Ballauri. “Për mua është
kënaqësi, që Gjermania mbështet organizata të tilla joqeveritare
sikurse është AHRG që ndihmojnë pjesëtarët e minoriteteve në Shqipëri
në realizimin e të drejtave të tyre“, deklaroi Ambasadori Hoffmann.

Që prej vitit 2012, AHRG organizon çdo vit Akademinë Verore në
Voskopojë me temën “Të drejtat e minoriteteve”. Ky aktivitet synon të
përforcojë bashkëpunimin e pakicave mes njëra-tjetrës si dhe me
pushtetin qendror dhe atë lokal, por njëkohësisht të përmirësojë
formimin e studentëve në fushën e të drejtave të njeriut. Gjermania e
ka mbështetur këtë projekt edhe vitin e shkuar me një shumë prej
25.000 eurosh./m.m/

---Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë në një
prej aktiviteteve festive që Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë
zhvilloi në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershorit.

Nga festa që nxënës e fëmijë zhvilluan në sheshin “Shtraus”, Ministrja
uroi fëmijët për 1 Qershorin. Festa e fëmijëve u ndje në çdo lagje të
Tiranës, ku DAR kishte organizuar aktivitete të ndryshme.

Ministrja Nikolla ishte gjithashtu e pranishme në Spitalin Pediatrik,
ku nxënës të disa shkollave shpërndanë dhurata për fëmijët e shtruar
në këtë spital, duke mundësuar edhe për ta një atmosferë feste. Ajo
vlerësoi nxënësit që morën këtë nismë, që ndër të tjera demonstruan se
si mund të funksionojë mjaft mirë shkolla si qendër komunitare.

Ky aktivitet pranë fëmijëve të sëmurë ishte nismë e një grupi fëmijësh
të shkollave si, “Jeronim De Rada”, “Fan Noli”, “Avni Rustemi”, “Edit
Durham” dhe “Faik Konica”, të kryesuar nga nxënësja 10 vjeçare Ejona
Buxhelaj, që të ardhurat e mbledhura nga shitja e revistës “Bota e
fëmijëve”, i shpenzoi për fëmijët e shtruar në spital./m.m/

---Pas 8 vitesh ndërprerjeje në Shëngjin rikthet linja e pasagjerëve
Brindizi-Shëngjin.

“Në këtë port, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka
investuar për ndërtimin e hyrjes së re të Portit dhe zyrave të
sigurisë rreth 26 milionë lekë, investim ky prej të adhurave të
buxhetit të shtetit”, thanë për ATSH-në, burime nga Ministria e
Transportit dhe Infrastrukturës.

Sipas burimeve, në Shëngjin së shpejti pritet të nisë edhe ndërtimi i
Portit të Jahteve, një investim ky austriako-slloven.

“Brenda këtij sezoni turistik synohet të vihet në funksion dhe linja e
pasagjerëve Bari-Shëngjin, çka do ta kthejë Shëngjinin në një port të
rëndësishëm, jo vetëm për mallrat por edhe për pasagjerët e gjithçka
tjetër “, deklaruan burimet./a.gjonaj/ /a.g/

---Përfundoi në Pragë raundi i tretë i takimit të ekspertëve shqiptarë
dhe çekë për finalizimin e detajeve teknike të marrëveshjeve mes dy
vendeve në fushën e mbrojtjes sociale, për pensionet dhe sigurimet
shëndetësore.

Sipas njoftimit zyrtar të MPJ-së, në ditën e tretë e të fundit,
kryetarët e të dy delegacioneve, Itena Ndroqi, Sekretare e
Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Jiři
Bauer, nënshkruan protokollin e takimit që finalizon
draft-marrëveshjet në fushën e pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore
mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke.

Negociatat u ndoqën nga Ambasadori i Shqipërisë në Republikën Çeke,
Riza Poda dhe këshilltari i Ambasadës, Lulzim Çota, të cilët i kishin
paraprirë këtij raundi me takime në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve
Sociale dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve
Shoqërore në Republikën Çeke.

Marrëveshja për pensionet, pas ratifikimit nga parlamentet respektive,
do t’u mundësojë shtetasve shqiptare dhe çekë , që kanë punuar në të
dy vendet, mbrojje sociale pavarësisht se ku jetojnë, apo do të
jetojnë në të ardhmen. Gjithashtu marrëveshja në fushën e sigurimeve
shëndetësore do t’u sigurojë trajtim të barabartë shëndetësor
personave të siguruar, pavarësisht se në secilin nga të dy shtetet ata
u nënshtrohen trajtimit shëndetësor të nevojshëm.

---Përmbyllet Java Botërore e luftës kundër duhanit me ndarjen e
çmimeve të konkursit “Një vend pa duhan, një shoqëri më e
shëndetshme”, për punimet më të mira në pikturë të nxënësve të Liceut
Artistik “Jordan Misja” dhe shpalljen e ekipit fitues të ndeshjeve mes
shkollave të mesme të Tiranës – shkollën “Sami Frashëri”.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në Ditën Botërore Pa Duhan 2015, mori
pjesë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Zv.Ministrja e
Shëndetësisë, Milva Ekonomi, Drejtuesja e Zyrës së Organizatës
Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, Dr. Ledia Lazëri, Kryeinspektori i
Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Dr. Eltar Deda, Drejtori i Fondit
të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, Dr. Astrit Beci,
si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe nxënës të shkollave të
mesme të Tiranës.

Drejtuesja e Zyres Rajonale të OBSH-së, Ledia Lazëri, përcolli për të
pranishmit vlerësimin e autoritetit më të lartë të OBSH-së për punën e
bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, duke
përgëzuar masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare,
Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria civile për të luftuar
duhanpirjen.

Bota
---Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka thënë se të
gjitha organizatat humanitare që veprojnë në Irak, do të apelojnë për
një fond prej 500 milionë dollarësh, për krizën e krijuar nga grupi i
Shtetit Islamik (IS).

Njoftimi vjen në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe një ditë para
konferencës ndërkombëtare në Paris, për luftën kundër Shtetit Islamik.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Irak, Philippe Heffinck, ka thënë se
"situata humanitare në Irak është pranë katastrofës". Sipas UNICEF-it,
tetë milionë irakianë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare.

---Të paktën 37 persona u vranë të hënën pas një atentati kamikaz me
ndihmën e një automjeti të blinduar me eksploziv kundër një baze të
policisë në veriperëndim të Bagdadit, njoftuan burime policore dhe
mjekësore.

”Sulmi kishte si shënjestër një bazë të policisë që ndodhej mes
Samarras dhe liqenit Tharthar”, sipas oficerëve. Një mjek theksoi se
të paktën 37 trupa të transportuar në spitalin e Samarras. ”Bëhet
fjalë kryesisht për policë”, shtoi ai. Mjeku konfirmoi gjithashtu se
ishin dhe 33 të plagosur si pasojë e këtij sulmi, që ishte kryer me
ndihmën e një tanku, sipas oficerëve.

Zona e prekur ndodhet në perimetrin e operacionit të ndërmarrë nga
forcat qeveritare për t’i prerë rrugët e furnizimit xhihadistëve të
Shtetit Islamik në provincën Al-Anbar./ec/

---Në debatin për menaxhimin e fluksit të madh të emigrantëve të
paligjshëm që mbërrijnë në brigjet e Evropës, qeveritë e Francës dhe
Gjermanisë kërkojnë kontrolle që në stacionin e parë të mbërritjes së
tyre si edhe dëbimet më të shpejta të mundshme për emigrantët e
paligjshëm.

”Veçanërisht, propozimi ka të bëjë me faktin që emigrantët duhet të
shkojnë në ato qendra pritjeje që janë më pranë vendit të mbërritjes
së tyre dhe më pas të verifikohen”, thanë në një komunikatë të
përbashkët ministrat e Brendshëm francez dhe gjerman, Bernard
Cazeneuve dhe Thomas de Maiziere. ”Pas verifikimit, shpërndarja e tyre
do të bëhet proporcionalisht sipas kritereve të rëna dakord mes
shteteve”, shtojnë ata.

”Por, emigrantët e parregullt duhet të jenë menjëherë objekt i
procedurave të riatdhesimit apo largimit”, theksojnë ministrat e
Brendshëm francez dhe gjerman, Bernard Cazeneuve dhe Thomas de
Maiziere./ a.jor.

---Zgjedhjet e djeshme të pjesshme rajonale dhe lokale në Itali u
zhvilluan përmes një pjesëmarrjeje më të ulët nga të kaluarat, në
ndërkohë që rezultatet e tyre ishin në një linjë me sondazhet.

Sipas analistëve, këto zgjedhje ishin edhe një test për qeverinë e
kryeministrit, Matteo Renzi. Pas mbylljes së qendrave të votimit në
shtatë rajone dhe 750 komuna, pjesëmarrja ishte 64 për qind për të
zgjedhurit lokalë dhe rreth 53 për qind për të zgjedhurit rajonalë,
thënë ndryshe 10 për qind më pak sesa zgjedhjet e kaluara të vitit
2010.

Sipas gazetës italiane ”Corriere della sera”, partia e majtë në
pushtet e kryeministrit Renzi fitoi në rajonet e Pulias, Markes,
Toskanës, Ligurias dhe Venetos dhe humbi në Kampanja dhe Umbria./
a.jor.

---Kompania ajrore Malaysia Airlines ka "falimentuar teknikisht",
lajmi konfirmohet nga shefi ekzekutiv i kesaj kompanie.

Shkak për falimentimin e kompanisë, janë bërë edhe dy aksidentet
ajrore të ndodhura në vitin 2014. Rënia e perfomancës ka nisur shumë
kohë para ngjarjeve tragjike të 2014-ës", ka thënë Christoph Mueller.

Në mars të vitit të kaluar, fluturimi i Malaysia Airlines MH370 është
zhdukur me 239 njerëz në bord. Aeroplani nuk është gjetur ende. Katër
muaj më vonë, fluturimi MH17 është rrëzuar nga një raketë e dyshuar
tokë-ajër derisa ka qenë në hapësirën ajrore të Ukrainës. Të 298
njerëzit në bord kanë humbur jetën.

---Pirja e duhanit në publik në Pekin të Kinës është e ndaluar tani me ligj.
Kina ka mbi 300 milionë duhanpirës dhe mbi një milion kinezë vdesin
çdo vit nga sëmundje që lidhen me duhanin.

Ligji i ri ndalon duhanin në restorante, zyra dhe transportin publik.
Mijëra inspektorë do të mbikëqyrin zbatimin e ligjit.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Martën, 2 qershor
shira të përkohshme në zonat malore të rajoneve veriperëndimore. Era
do të fryjë e fortë në Egje në drejtimin verior në 6 ballë dhe
lokalisht deri në 7 ballë.

Në Attikë do të ketë vransira të pjesshme. Era do të fryjë mesatare në
drejtimin verior nga 4 deri në 5 ballë dhe në zonat lindore deri në 6
ballë. Temperatura do të variojë nga 17 deri në 28 gradë Celsius dhe
në zonat bregdetare do të jetë dy me tre gradë më e ulët.

Në Selanik parashikohen vransira të pakta dhe më të dendura kryesisht
në mesditë dhe pasdite, kur ka mundësi të shënohen reshje lokale shiu,
kryesisht në zonat malore. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor
dhe juglindor nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë
nga 14 deri në 28 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti
i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme
- nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët
e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00
pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet
televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54