Lajmet në gjuhën shqipe 31/05/2015

---Me ritme të shpejta duket se përparojnë negociatat për arritjen e marrëveshjes në Bruksel. 

Burime pranë këtyre diskutimeve thonë se në linja të përgjithëshme, ritmi i konsultimeve përshpejtohet dhe arritja graduale e marrëveshjes në nivel teknik konsiderohet e realizueshme. Gjithashtu, sipas informacioneve nga Brukseli, diskutimet janë shumë afër marrëveshjes për çështjen e TVSH-së dhe sidomos në drejtimin për të patur katër nivele, ku për ushqimet do të jetë niveli më i ulët, në 7%.

---Ndërkohë, vazhdojnë edhe sot në Bruksel konsultimet për çështjet e ekonomisë greke, në kontekstin e «Brussels Group».

Në kuadrin e negociatave politike, kryeministri Aleksi Cipra pritet të ketë në mbrëmje një telekonferencë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez, François Hollande.

Ndërkohë, të shtunën është mbajtur në Pallatin Maksimu një mbledhje maratonë e Grupit të Politikës Negociatore nën drejtimin e Kryeministrit dhe në të njëjtën kohë ky Grup ishte në linjë të hapur me Brukselin, ku ishte duke u zhvilluar Brussels Group.

---«Mungesa e marrëveshjes deri më tani nuk është për shkak të një qëndrimi të supozuar të papajtueshëm dhe të pakuptueshëm të Greqisë. 

Por është për shkak të këmbënguljes së disa faktorëve institucionalë, për të paraqitur propozime absurde dhe të tregojnë indiferencë të madhe si për zgjedhjen e fundit demokratik të popullit grek dhe për pranimin publik të të tri institucioneve se duhet të ketë një fleksibilitet të nevojshëm, në mënyrë që të respektohet verdikti popullor», thekson Kryeministri Aleksis Cipras në një artikull të tij në gazetën franceze «Le Monde».

Z. Cipras vë në dukje se çështja e Greqisë nuk i përket absolutisht vetëm Greqisë, por është epiqendra e përplasjes së dy strategjive diametralisht të kundërta për të ardhmen e integrimit evropian.

---Kredi 30-vjeçare me interes të ulët nga Mekanizmi Evropian i Mbështetjes, ku do të transferohet borxhi që posedon sot Banka Qendrore Evropiane, dhe paralelisht ristrukturim të pjesëve të tjera të borxhit, po planifikon qeveria, me synim hyrjen e vendit në tregjet financiare, deklaroi ministri grek i Financave, Ganis Varufakis.

Në një intervistë për gazetën greke “Avgi”, Varufakis thotë se qeveria ka vënë si prioritet kombinimin e ristrukturimit të borxhit, injeksione investimesh dhe reformash që i shmangen praktikës ç'njerëzore të reduktimit të pensioneve, kompensimeve dhe pagave.

”Ky kombinim do ta shtyjë shoqërinë për të kapërcyer errësirën e krizës së vetushqyer borxh-recesion”, thekson ai. Sipas ministrit, ENFIA është një taksë monstruoze që duhet hequr.

“Për sa kohë nuk hiqet, ndihemi të gjithë përgjegjës ndaj popullit grek, mirëpo heqja e kësaj takse qoftë dhe gradualisht, do të bëhet kur të përfundojnë negociatat dhe të mundim të gjejmë taksa ekuivalente nga pasuria e madhe e patundshme, dhe nga taksimi progresiv i të ardhurave që sot shmangen”, thekson Varufalkis.

“Në një ekonomi që ndodhet nën darën e deflacionit dhe të borxheve, me tatime që rëndojnë të varfërit, si do të mund të shtonim të ardhurat publike me një për qind të PBB-së pa shkaktuar një defekt edhe më të madh në motorin e ekonomisë, në prodhimin dhe në tregjet?”, pyet Varufaqis.

---Qëndrimin se politikat e kursimit dhe regjimi i Memorandumeve cënojnë vlerat e demokracisë, drejtësisë sociale dhe të shtetit të së drejtës ka theksuar kryetarja e Parlamentit Grek, Zoí Konstantopúlu nga tribuna e seancës plenare «Forumi i Alternativave - Aleanca kundër kursimit», që organizojnë forcat politike të majta, progresive dhe ekologjike, lëvizje dhe kolektiva në fundjavën 30-31 maj 2015 në Paris.

Në veçanti për Greqinë, ajo theksoi ndër të tjera se është padrejtësi e padurueshme, që çdo fëmijë i lindur në Greqi të ketë një borxh prej 32.500 euro.

---Vazhdohet tragjedia e datës 8 Maj në ELPE. 

Të dielën ka humbur jetën punëtori i katërt i plagosur rëndë, Kóstas Mangúras, i cili u plagos rëndë në aksidentin që ndodhi në objektet industriale të Aspropirgos.

---Kujtimin e Stéfano Saráfit, komandanti ushtarak i ELAS në periudhën e Rezistencës nderoi me mesazhin e tij, zëvendësministri i Mbrojtjes, Kóstas Ísychos me rastin e përvjetorit të 58 të vdekjes së tij. 

---Në Shkollën e Bujqësisë zhvillohet të dielën Festivali i nëntë Antiracist, që organizohet nga Shkolla e së Dielës për Emigrantët dhe Lëvizja Dëboni Racizmin.

---Rrjeti i ushtarëve të lirë Spártakos denoncon se qeveria promovon shfrytëzimin dhe të aeroporteve ushtarake.

---31 Maji, u shpall në vitin 1987, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si Dita botërore pa duhan, ditë kur në të gjithë botën organizohen aktivitete sensibilizuese për dëmet që shkaton, duhani, ky vrasës i madh. 

Sipas te dhenave çdo vit, gati të paktën gjashtë milionë njerëz vdesin nga sëmundjet lidhur me duhanin. Vetëm 8 përqind e popullsisë botërore jetojnë në vendet me taksat mjaft të larta të duhanit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 600 mijë që janë jo duhanpirës vdesin duke pirë cigare të dorës së dytë.

Bima e duhanit e njohur me emrin “Tobaku” nga fiset Maja të Amerikës Qendrore, erdhi në Europë nga Francesko Pace, i cili në 1492 e solli në Portugali. Më pas, këtë bimë, ambasadori francez ia dërgoi mbretëreshës së Francës Katerina de Medicini, e cila vuante nga migrena. Kjo bimë në fillim u quajt bima e “dehjes”. Ajo u përhap shpejt në Europë dhe më tej në Turqi, Marok dhe deri në Japoni. Kështu, duhani para 4 shekujsh përdorej vetëm nga një numër i kufizuar njerëzish, ndërkohë që fillimet e shekulli XX-të nisi të konsumohej në masë. Specialistët shpjegojnë se gjatë ndezjes së cigares në tymin e krijuar prodhohen një numër shumë i madh lëndësh biokimike. Me teknikat e ndërlikuara bashkëkohore janë përcaktuar rreth 400 lëndë të tilla, 43 prej të cilave janë me përbërje kancerogjene. 

Në bazë të studimeve të bëra lëndët më të dëmshme janë ato me veprim të fortë kancerogjen si katrani e benzopireni. Ndërkohë, krahas mënyrës tradicionale të pirjes së duhanit përmes djegies së tij, përdoret edhe përtypja me dhëmbë e gjetheve të lagura të duhanit, përmes të cilës nikotina kalon në organizëm. Njerëzit që pijnë duhan janë më të prekshmën ndaj sëmundjeve. 55 sëmundje të ndryshme zhvillohen në mënyrë të menjëhershme nga pirja e duhanit. Kështu në sistemin vaskular shfaqen rreth 13 sëmundje, në sistemin respirator rreth 15, në sistemin tretës 5 sëmundje, në sistemin nervor 5, në sistemin urogenital 10 sëmundje.

Shqipëria
---22 qendra shëndetësore me shërbim 24 orë do të jenë në shërbim të turistëve në zonat bregdetare apo edhe malore, përgjatë muajve të verës.

Qendrat janë të paisura me set terapie intensive për rastet emergjente. Nga qyteti bregdetar i Vlorës, duke folur për këtë shërbim, kryeministri Edi Rama u shpreh se vendosja e këtyre qëndrave përgjatë vijës bregdetare do të bëjë që pacientët ta marrin shërbimin pa vonesë.

Shërbimi 24 orësh i këtyre qendrave shëndetësore, sipas kryeministrit është edhe një ndihmë për operatorët turistik, të cilët duhet ta prezantojnë si pjesë e paketës së shërbimeve të ofruara. Ndryshimet e ndodhura për gjatë 18 muajve në shërbimin e urgjencës, kryeministir i konsideroi të mira, por jo të mjaftueshme.

Në kuadër të masave të marra për të garantuar sezonin turistik, është edhe dezinsektimi, proces për të cilin kryeministri garantoi se po realizohet me sukses.

---Me rastin 1 Qershorit, tradicionalisht e festuar në Shqipëri si Dita e Fëmijëve, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF si dhe oranizatat Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision urojnë të gjithë fëmijëve të Shqipërisë ‘Gëzuar 1 Qershorin, ditën e Fëmijëve’, dhe kujtojnë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë në mbrojtjen e fëmijërisë, se të drejtat e të gjithë fëmijëve pa dallim duhet të mbrohen dhe të promovohen.

Në një deklaratë për shtyp të këtyre organizatave thuhet se, ‘Origjina e kësaj dite (e lidhur me shpalljen e Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve në 1950) na kujton se fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit apo neglizhimit. Kjo e drejtë është një nga shtyllat kryesore të  Konventës së të Drejtave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, por është gjithashtu e shprehur në Kushtetutën si dhe në legjislacionin shqiptar”. Që kjo e drejtë e fëmijëve të realizohet, shumë më tepër duhet bërë në të gjitha nivelet e qeverisjes, por veçanërisht në nivel vendor nëpërmjet bashkëpunimit efektiv të të gjithë aktorëve të përfshirë në punën për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës.

Agjencia Shtëtërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision në ditën e 1 Qershorit gjejnë rastin t’u bëjnë thirrje të gjithë kandidatëve për zgjedhjet lokale që të tregojnë publikisht angazhimin e tyre për fëmijët si dhe t’i kushtojnë rëndësi dhe të trajtojnë me prioritet çështjet e mbrojtjes së fëmijëve. Agjencia Shtëtërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision qëndrojnë të gatshme të mbështesin njësitë vendore në përmbushjen e detyrimeve të tyre, por njëkohësisht do të monitorojnë punën e administratave të reja lokale në këtë drejtim. /gj.m/f.n/

---Guidës turistike të Shqipërisë së fundi i është shtuar Parku Arkeologjik i Orikumit. 

Deri një vit më parë, Parku ishte lënë jashtë itinerarit turistik të vendit, për shkak të gjendjes së rrënuar, monumenteve të mbuluara nga ferrat, mungesës së udhërrëfyesit dhe çdo tabele informuese.

Pas një projekti rehabilitues të Ministrisë së Kulturës, tashmë ky Park që gjendet brenda bazës së Pashalimanit është rikthyer në një destinacion atraktiv i turizmit elitar. Në Orikum është pastruar vegjetacioni, është sistemuar ambienti, janë vendosur tabela informuese shqip dhe anglisht për çdo monument dhe janë sistemuar ambientet e zyrave të shërbimit dhe biletarisë.

Në këtë Park ishte të dielën, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Një nga monumentet më interesante të Parkut është monumenti i gërmuar nga misioni shqiptaro-sovjetik në vitet 1958-1960, i cilësuar si Teatër, por që pas gërmimit sërish nga misioni shqiptaro-zviceran në vitin 2013 u konfirmua se bëhet fjalë për një Fontane ose Nymfe Monumentale, e ndërtuar rreth shek. I p.e.s./f.n/

---Festivali i Komedisë do të nisë të hënën në Mitrovicë. Festivalin e hap të hënën pasdite Teatri i Qytetit të Obiliqit me komedinë “Hotel Kashta” të autorit Ymer Shkreli e regjisorit Miftar Mehana.

Ditëve në vijim, do te  prezantohen Teatri “Istref Begolli” i Pejës me komedinë “Dinjiteti” të autorit Ruxhdi Pulaha e regjisorit Agim Selimit të marten, Teatri i Qytetit i Vushtrrisë me komedinë “Burri Burrë” me autor Kristo Floqi e regjisor Fazli Muharremi-Tali të mërkuren, Teatri i të Rinjve të Qytetit i Prishtinës me komedinë “Shi në Plazh” të autorit Teodor Laço e regjisorit Xhemail Luta të enjten dhe Teatri i Qytetit të Suharekës me komedinë “Lokali i Gabuar” me autor Burhan Sejdiu e regjisor Astrit Bytyqi të premten.

Në këtë festival do të marrë pjesë edhe Teatri “Migjeni” i Shkodrës .Në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” shkodranët do prezantohen të shtunën në mbrëmje me komedinë “Tre Halla e një Tul” me autor Besnik Çinari dhe regjisor Bruno Shllaku, bëjnë të ditur për ATSH organizatorët e festivalit. Në mbrëmjen e të shtunës, pas shfaqjes së shkodranëve bëhet ndarja e nëntë çmimeve, për trupa dhe individë pjesëmarrës të festivalit në edicionin e shtatë. /gj.m/f.n/.

Bota
---Të paktën 25 persona, shumica prej të cilëve fëmijë, humbën jetën, ndërkohë që mbi 30 të tjerë u plagosën, pas zjarrit aksidental në një spital të vogël në verilindje të Sirisë, njoftoi televizioni shtetëror sirian.

“Të paktën 25 civilë humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u plagosën, pas shpërthimit të një tankeri karburanti në një spital në Qamichli, një qytet kurd në kufi me Turqinë”, tha ky televizion.

”Shumica e viktimave ishin fëmijë”, shtoi ai./ a.jor.

---Organizata terroriste e ISIS-it kontrollon rreth 80 për qind të naftës dhe gazit në Siri, ndërsa forcat e regjimit të Bashar al-Asadit vetëm tetë për qind, sipas të dhënave të qeverisë siriane.

Në ndërkohë, grupet kurde të Sirisë kontrollojnë rreth 12 për qind të fushave të naftës dhe gazit, kryesisht në pjesën veriore të vendit.

ISIS-i kohët e fundit ka arritur të marrë kontrollin mbi një numër fushash në pjesën qendrore të vendit si dhe mbi shumicën e puseve në Deir Ez-zor në lindje të vendit. Harta e fushave të naftës dhe shenjat e grupeve që kanë kontrolle mbi to, është publikuar nga zyra e informacionit gjeografik në Ministrinë siriane të Transportit dhe Industrisë, ndërsa kjo është bërë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Energjetikës dhe Naftës./ a.jor.

---Autoritetet ruse kanë hartuar listën e 89 politikanëve, ushtarakëve dhe zyrtarëve europianë, të cilëve u ndalohet të shkelin në Rusi, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të Bashkimit Europian për rolin e Moskës në lindje të Ukrainës.

Reagimi i Brukselit është shumë i ashpër, duke e cilësuar vendimin “arbitrar dhe të pajustifikuar, në kushtet e mungesës së transparencës”. Lista nuk është publikuar zyrtarisht, por sipas Bashkimit Europian autoritetet ruse e kanë shpërndarë pas kërkesave të disa diplomatëve. Një version i saj u publikua në gjuhën gjermane, online. Mes emrave të ndaluar është Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së Uve Corsepius, ish-zv/kryeministri Nik Kleg.

Politikanë të tjerë të përfshirë në listën e Rusisë janë nga: Gjermania, Franca, Holanda, Cekia, Polonia, Letonia, Lituania, Estonia, , Suedia, Danimarka, Finlanda, Rumania, Bullgaria dhe Spanja. Shumë prej emrave të përfshirë në listë janë kritikë të ashpër të Kremlinit, madje disa prej tyre janë kthyer nga Moska muajt e fundit. Ministrja e Jashtme suedeze, Margot Ëallstrom duke i kërkuar shpjegime Moskës dhe tha se lista nuk i “kontribuon rritjes së besimit për veprimet e Rusisë”.  

Ministri i Jashtëm Gjerman, Frank Ëalter Shtajnmajer tha se “në kohën kur ne po përpiqemi të zgjidhin një konflikt të rrezikshëm në mes të Europës, kjo është një kontribut që ndihmon”.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Hënën, 1 qershor vransira të pjesshme, të cilat me kalimin e kohës do të jenë më të dendura. Reshje të përkohshme shiu apo stuhi do të ketë në mesditë dhe pasdite në rajonet kontinentale perëndimore dhe në zonat malore veriore. 

Më në detaje, në Attikë do të ketë vransira të pjesshme, që me kalimin e kohës do të jenë më të dendura në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin veri, veriperëndim nga 3 deri në 4 ballë dhe në zonat lindore deri në 5 ballë. Temperatura do të variojë nga 14 deri në 26 gradë Celsius dhe në zonat bregdetare do të jetë dy me tre gradë më e ulët.

Në Selanik parashikohen vransira të pakta dhe më të dendura kryesisht në mesditë dhe pasdite, kur ka mundësi të shënohen reshje lokale shiu, kryesisht në zonat malore. Era do të fryjë mesatare në drejtimin juglindje nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 13 deri në 26 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54