Lajmet në gjuhën shqipe 03/06/2015

---Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh optimist për një
zgjidhje me partnerët evropianë mbi të ardhmen e financimit të vendit
të tij dhe nënvizoi se Evropa duhet të bëjë atë që duhet, duke
shmangur ndarjen.

“Duhet që të shmangim ndarjen, jam i sigurt se drejtuesit evropianë do
të bëjnë atë që duhet”, theksoi Aleksis Cipras për median para se të
nisej në Bruksel, ku do të takohet me presidentin e Komisionit
Evropian, Jean-Claude Juncker, në përpjekje të arritjes së një
marrëveshjeje që do të mundësonte zhbllokimin e këstit të kredive
jetike për mbijetesën financiare të Greqisë.

“Dje në mbrëmje kam marrë ftesë nga Jean-Claude Juncker për të shkruar
në Bruksel për të biseduar me të dhe e kam pranuar këtë ftesë me
kënaqësinë më të madhe”, theksoi Aleksis Cipras, duke shtuar se kishte
si synim të diskutonte në bazë të propozimit të qeverisë greke.

Kryeministri përsëriti se Athina u kishte paraqitur kreditorëve
programin e saj, duke detajuar propozimet për reformat dhe masat
buxhetore, por që nuk kishte marrë komente nga ana e partnerëve lidhur
me këtë çështje.

Kryeministri do të ketë një telekonferencë me kancelaren gjermane
Angela Merkel dhe presidentin francez François Hollande.

---Kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë konkluduan në vijat e
përgjithshme të marrëveshjes që do t’i propozojnë qeverisë greke në
një përpjekje që të finalizohen negociatat që po zgjasin që prej katër
muajsh.

”Teksti përfshin gjithë politikat kyçe dhe pasqyron bisedimet e javëve
të fundit. Me kryeministrin grek, Aleksis Cipras do të diskutohet të
mërkurën”, tha sot një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, i cili
kërkoi të mos identifikohej.

Një tjetër zyrtar në kushte të anonimatit deklaroi se kancelarja
gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez François Hollande do ta
informojnë brenda orëve të ardhshme Ciprasin mbi përmbajtjen e
marrëveshjes.

---Të enjten do të mblidhet Grupi Parlamentar i SYRIZA.

Natyrisht, në tryezë do të jetë ecuria e negociatave të qeverisë greke
me huadhënësit, por dhe teksti i marrëveshjes me institucionet.

---Përpjekje për terrorizimin e punonjësve dhe në radion ERA-Serres,
në momentin që administrata e ERT-it refuzon të angazhohet për
rihapjen e të gjitha strukturave.

Të martën, policia ka thirrur punonjësin e kësaj radio për një padi të
ngritur më 14 dhjetor të vitit të kaluar dhe i përket të gjithë
punonjësve në radion ERA-Serres. Punonjësit i bëjnë thirrje
administratës së re të ERT-it për të marrë përgjegjësinë që të
tërhiqet padia.

---Dy vjet pas «mbylljes së zezë», Radio EPA e Janinës përgatitet për
të festuar rihapjen e stacionit historik dhe fton miqtë dhe të
solidarizuarit për të vendosur së bashku programin e aktiviteteve të
datës 11 qershor, të enjten 4 qershor në orën 20:00 në ambientet e
ERA-Janinës.

---Punonjësit e ERT-it dhe ertopen, POSPERT dhe Koordinimi Kundër
Mbylljes dhe Disponueshmërisë bëjnë thirrje për një tubim të enjten,
11 qershor në orën 19:00 pasdite në ndërtesën e ERT-it në Agia
Paraskevi.

Më 11 qershor mbushen dy vjet nga mbyllja e ERT-it dhe përpjekja për
të pretenduar ERT-in e ëndrrave tona dhe të shoqërisë, një ERT i
hapur, publik, të lirë dhe me të gjitha strukturat e tij vazhdon.

---Zgjedhje sot dhe nesër për gazetarët e Athinës, të cilët ftohen për
të zgjedhur një Këshilli të ri drejtues me 11 anëtarë në Shoqatën e
Redaktorëve të Gazetave të Përditshme të Athinës, si dhe për Këshillin
e ri drejtues për Fondacionin Kulturor, përfaqësuesit e vendeve të
punës, por edhe anëtarët, të cilët do të përbëjnë stafin e instancave
të nivelit të parë e të dytë të Bordit Disiplinor.

---Të mërkurën, në sallën e këshillit bashkiak të Nea Ionias është
paraqitur libri i gazetarit tonë Naso Braco me titullin «Sporti dhe
Lëvizjet Shoqërore».

---Gjithçka është gati në Teatrin e Rematias në Halandri për koncertin
e madh që do të jepet të mërkurën në orën 20:00 me iniciativën e
Bashkisë.

Më pak se një muaj pas zjarrit që shkatërroi plotësisht hapësirën,
teatri hapet përsëri dhe normalisht do të zhvillohen aktivitetet e
festivalit të këtij viti.

---Është ndarë të martën nga jeta në moshën 56 vjeç një koleg i
dashur, Thanasis Papageorgiou.

Thanasi punonte si elektronik në departamentin e stacioneve rajonale
të ERT-it. Shërbimi funeral do të mbahet të enjten në orën 16:00
pasdite në Kishën e Shën Thomait në Goudi dhe varrimi do të bëhet në
varrezat e Zografos.

---Një kushtim prej katër faqe për ishujt më të largët dhe të
paeksploruara të Greqisë, Hálki, Mílo, Gávdo, Ikaría, Tílo, Skýro,
Sými dhe Páno Kufonísi mirëpret revista mujore in-flight «High Life» e
British Airways në revistën e muajit qershor.

Ky artikull fton lexuesin për të vizituar këto ishuj më pak të njohura
të Greqisë, pasi çdo njëri prej tyre ka për të ofruar një përvojë të
ndryshme.

Vizitori mund të vizitojë një muze paleontologjik në Tílo, katakombet
nëntokësore në Milos, qendrat e mjekësisë holistike në Skýro, të
mbetet si mysafir në një manastir në Sými, të notojë në plazhet e
shkretuara në Pano Kufonissi, të bëj kamping të lirë në Gávdo.

Cilindo ishull që ju do të zgjidhni, do të kenë mundësinë të shijoni
dhe të jetoni përvoja të veçantë të turizmit alternativ, larg nga
luksi, nga atmosfera kozmopolite dhe nga ritmet e shpejtë të ishujve
të tjerë grekë.

---Të mërkurën, në sallën e këshillit bashkiak të Nea Ionias është
paraqitur libri i gazetarit tonë Naso Braco me titullin «Sporti dhe
Lëvizjet Shoqërore».

Shqipëria
---Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, priti në
takim një delegacion të kryesuar nga ambasadori i Norvegjisë, Jan
Braathu, në përbërje të të cilit ishin përfaqësues nga grupi INTPOW,
një organizatë norvegjeze e themeluar për të promovuar bashkëpunimin
ndërmjet bizneseve norvegjeze dhe aktorëve shtetërore e private të
vendeve të tjera.

Ministri Gjiknuri falendëroi Shoqatën e Investitorëve të Huaj në
Shqipëri (FIAA) dhe ambasadorin norvegjez për mundësimin e takimit me
grupin INTPOW, përmes të cilit qeveria shqiptare paraqet potencialet
që ofron vendi për investimet e huaja. Gjatë takimit, ministri
Gjiknuri vlerësoi faktin se në Shqipëri ka një prezencë të investimeve
norvegjeze në energjitike. Ai e cilësoi shembull të suksesshëm
sipërmarrjen e kompanisë Statkraft me projektin e Kaskadës së
Devollit.

Gjiknuri njohu delegacionin norvegjez me hapat e marra nga qeveria në
dy vitet e fundit për të rimëkëmbur sektorin energjitik në Shqipëri,
përmirësimin e treguesve financiar, reduktimin e humbjeve dhe rritjen
e arkëtimeve. Duke ftuar sipërmarrësit norvegjezë ta shohin Shqipërinë
si një vend me potenciale të konsiderueshme, ministri Gjiknuri u ndal
edhe tek diversifikimi i burimeve energjitike dhe përspektiva për
krijimin e një tregu gazi në vend. /a.ke/

---Qytetarët pritet të marrin shërbime më cilësore nga administrata
publike. Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e
grupit të Bankës Botërore ka akorduar një fond prej 2 milionë
dollarësh për hartimin e projektit për reformimin e shërbimeve
publike.

Marrëveshja e nënshkruar me qeverinë shqiptare, u prezantua të
mërkurën në Komisionim Parlamentar të Ekonomisë, nga Ministrja për
Inovacionin, Milena Harito.

Sipas Haritos, ky fond do të përdoret për realizimin e një studimi mbi
numrin dhe llojin e shërbimeve që ofrohen në zyrat publike dhe që kanë
kontakt direkt me qytetarët. Marrëveshja parashikon ngritjen e 4
qendrave pilot për shërbimet publike në mbarë vendin me qëllim që të
testohet modeli i ri i ofrimit të shërbimeve publike, me qëllim që më
pas të shtrihet në të gjitha institucionet e vendit.

Risia e kësaj nisme është se qytetarët do të kenë mundësinë e
vlerësimit për çdo shërbim që merr në administratën publike. Referuar
të dhënave zyrtare, janë 1.400 shërbime të listuara të cilat ofrohen
në zyrat e shtetit shqiptar.

---Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pranë Ministrisë së Kulturës ka
miratuar së fundi projektin për restaurimin e ish-hotel Dajtit, si
Monument Kulture i Kategorisë II, duke ruajtur të pandryshuar pamjen e
tij të jashtme dhe duke respektuar rifiniturat, volumetrinë ekzistuese
dhe të gjitha dëshmitë historike të tij.

Gjatë mbledhjes që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Kulturës,
KKR shqyrtoi ndërmjet të tjerash projektin për “Rikonstruksionin dhe
ndërtimin e objektit ish-Hotel Dajti, Tiranë-Projekti i Zbatimit”, me
porositës Bankën e Shqipërisë.

“Pas disa orësh diskutimi të alternativave dhe të hapësirave ligjore,
KKR thellësisht e shqetësuar për gjendjen e degraduar të godinës së
ish-Hotel Dajtit, me synimin për të shpëtuar objektin nga degradimi i
mëtejshëm, mbështetur në kompetencat dhe detyrimet ligjore të saj,
vendosi që të miratojë restaurimin e objektit “Ish-Hotel Dajti”, si
Monument Kulture i Kategorisë II”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu bëhet e ditur se në mbledhje u vendos që të mos miratohen
të gjitha shtesat e tjera të propozuara nga projekti brenda perimetrit
të territorit të objektit./m.m/

---Në skenën e Teatrit Kombëtar do të shfaqet në datat 6 dhe 7
qershor, ora: 19:00, komedia “Të  gjithë burrat e  Analizës” e autorit
Luigi Lunari me regji  nga Roland Minga.

Kjo është një vepër me dy akte kushtuar lirisë  së individit, çlirimit
nga  rregullat e ngurta e të “trashëguara”, nga  mënyra jetesës që
kthehen në korniza të pacënueshme, ku dhe  vetëm “krisja” mund të
përbëjë revolucion më vete. Për  më tepër, kur protagoniste e kësaj
“krisjeje” bëhet një femër, ajo shndërrohet në një të “çare”, atëherë
liria kthehet në një kauzë, jo thjesht për  gjininë, por për seicilin
pjesëtar të shoqërisë. Liria e gjithë seicilit e bën shoqërinë
evolucionare dhe të ndërgjegjshme për zhvillim.

Skenografia & kostumet nga Agron Jakupi dhe formulimi muzikor nga
Artur Dhamo. Në role aktorët: Klodiana Keço; Artan Islami; Astrit
Mamaj; Jorgaq Tushe dhe  Ilirian Ali. /a.gegvataj/

Bota
---Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se
mbi 10 mijë pjesëtarë militantë të Shtetit Islamik (IS) janë vrarë që
kur koalicioni ndërkombëtar ka filluar fushatën e saj ajrore kundër
këtij grupi, nëntë muaj më parë në Irak dhe Siri.

Në një intervistë dhënë France Inter-radio në Paris, Blinken ka thënë
se ka pasur përparim në luftën kundër Shtetit Islamik, por grupi ka
mbetur "ende i aftë për të marrë veprime. Kjo fushatë do të marrë kohë
dhe kemi konceptuar një plan trevjeçar", ka thënë Blinken. Vendet e
koalicionit që po luftojnë militantët e Shtetit Islamik (IS), janë
zotuar për mbështetje të fuqishme për Irakun, në luftën e tij kundër
grupit xhihadist.

Ata e kanë bërë këtë zotim në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar
pas konferencës në Paris, e cila ka mbledhur ministra nga 20 vende,
përfshirë Shtetet e Bashkuara, por jo edhe Rusinë, Iranin apo Sirinë.

---Organizata për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ”Human Rights
Watch” akuzoi sot Amanin për bllokimin e qindra refugjatëve sirianë në
shkretëtirën jordaneze pranë kufirit me Sirinë, me një akses të
limituar për ndihmë humanitare.

“Autoritetet jordaneze kanë limituar në mënyrë të ndjeshme, që prej
fundit të muajit marsit 2015, lëvizjen e refugjatëve në pjesën lindore
të vendit duke bllokuar qindra sirianë në zonat e shkretëtirës në
krahun jordanez të kufirit”, theksoi HRW-ja në një komunikatë.

Organizata theksoi se bazohej në imazhet satelitore dhe dëshmitë e
punonjësve humanitarë ndërkombëtarë. Sipas HRW-së, këta refugjatë kanë
një akses të limituar për ushqim, ujë dhe asistencë mjekësore.

“Jordania duhet t’i lejojë personat e bllokuar të shkojnë më tej
Jordanisë dhe komisariati i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatë
(HCR) t’i regjistrojë si azilkërkues”, shtoi HRW-ja./ec/

---Muaji Prill i këtij viti shënoi rënie me 0.1% të papunësisë në Eurozonë.

Sipas Eurostat, në Prill, papunësia arriti nivelin 11.1% nga 11.2% që
ishte në muajin pararendës. Greqia kryeson listën mes vendeve antare
me një papunësi prej 25.4%. Ndërsa nivelin më të ulët e ka Gjermania
me 4.7%.

---Rinis pas dy vitesh me kapacitet të plotë, puna në laboratorin
shkencor të Zvicrës CERN.

Në të ka nisur kryerja e eksperimenteve fizike, që mund t’i japin
shpjegim mistereve të mëdha të universit që kanë të bëjnë me
gravitetin apo materien e errët.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Enjten, 4 qershor
stuhi të izoluara, kryesisht në zonat malore. Era do të fryjë e fortë
në Egje në drejtimin verior në 6 ballë dhe lokalisht të përkohshme
deri në 7 ballë.

Në Attikë parashikohen vransira të pakta që në mesditë dhe pasdite do
të jenë më të dendura. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior
nga 4 deri në 5 ballë dhe në zonat lindore lokalisht deri në 6 ballë.
Temperatura do të variojë nga 19 deri në 29 gradë Celsius dhe në zonat
bregdetare do të jetë dy me tre gradë më e ulët.

Në Selanik, moti pritet të jetë i paqëndrueshëm, me vransira, shira
lokale dhe kryesisht në zonat malore do të ketë stuhi të izoluara në
mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtime të ndryshme
nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 17 deri në
29 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti
i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme
- nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët
e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00
pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54