Lajmet në gjuhën shqipe 06/05/2015

---Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe Kryeministri grek Aleksis Cipras kanë pasur të mërkurën një komunikim telefonik. 

Ata kanë shënuar progresin e bërë në ditët e fundit në bisedimet midis Greqisë dhe partnerëve të saj në çështjen e paketës gjithëpërfshirëse të reformave, në mënyrë që të përfundojë me sukses vlerësimi.

Referencë e veçantë është bërë për rëndësinë e reformave për modernizimin e  sistemit të pensioneve, në mënyrë që të bëhet më i drejtë, i qëndrueshëm nga ana financiare dhe efikas në drejtim të shmangies së varfërisë për të moshuarit.

Gjithashtu, diskutuan nevojën që zhvillimet në lidhje me pagat dhe institucionet e tregut të punës të luajnë një rol mbështetës në krijimin e vendeve të punës, konkurrencës dhe kohezionit social. Në këtë kontekst ka pasur konvergjencë të pikëpamjeve për rolin e një sistemi modern dhe efikas të negociatave kolektive, i cili duhet të zhvillohet përmes konsultimit të gjerë dhe të përmbushi standardet më të larta evropiane.

---Kryeministri Aleksis Cipras ka pasur një bisedë telefonike dhe me presidentin francez François Hollande. 

Diskutimi është bërë në një atmosferë shumë të mirë dhe u konfirmua vullneti i të dy palëve për një zgjidhje reciprokisht të dobishme. Bisedimet konstruktive duhet të vazhdojnë në kuadër të Brussels Group.

---Në një deklaratë të përbashkët që kanë lëshuar të tre institucionet theksojnë se punojnë së bashku, për të ndihmuar Greqinë dhe të arrihet progresi në takimin e Eurogrupit më 11 maj.

Ata kanë lëshuar deklaratën e mëposhtme:

«Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndajnë të njëjtin qëllim, për të ndihmuar Greqinë që të arrihet stabiliteti financiar dhe rritja ekonomike. Institucionet financiare vazhdojnë të punojnë ngushtë, për arritjen e këtij qëllimi. Të tri institucionet janë duke punuar shumë për të arritur progres të dukshëm më 11 maj».

---Kryetari i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem deklaroi të mërkurën se është bërë përparim në negociatat rreth financimit të Greqisë, pas takimit të tij në Paris me ministrin francez të Financave, Michel Sapin.

Dijsselbloem vuri në dukje se ka "perspektiva më pozitive për të ardhur në një marrëveshje se sa në javët e fundit", në një konferencë të përbashkët për shtyp me z.Sapin, i cili foli për "një periudhë, që mendimi është pozitiv dhe nga njëra palë, por edhe nga pala tjetër ".

Megjithatë të dy politikanët ranë dakord se nuk pritet një marrëveshje në takimin e Eurogrupit të hënën re ardhshme.

Dijsselbloem gjithashtu mohoi ekzistencën e përçarjes brenda këtij institucioni. "Koordinimi është shumë i fortë, ka përzgjedhje, të cilat duhet të bëhen në mes të politikës buxhetore, reformave strukturore dhe borxhit", shpjegoi ai.

Vetë ai rikujtoi se në nëntor të vitit 2012, Eurogrupi deklaroi "i gatshëm për të bërë më shumë në qoftë se qeveria greke angazhohej për të zbatuar plotësisht programin e reformave dhe se lartësia e borxhit e bënte të nevojshme".

---Në deklaratën e tij për përfaqësuesit e mediave të huaja menjëherë pas përfundimit të takimit me homologun e tij italian Pier Carlo Padoan në kryeqytetin italian, ministri i Financave, Giánis Varufákis tha:

«Ministri Padoan dhe unë kishim një bisedë shumë të frytshme dhe intensive, me qëllim shkëmbimin e pikëpamjeve në lidhje me rrugën më të mirë, mes së cilës takimi i Eurogroup-it të hënën e ardhshme, më 11 maj mund të kthehet në një platformë, që të ndërtohet një marrëveshje ndërmjet Greqisë dhe Partnerëve tanë, jo vetëm për të gjetur një zgjidhje në negociatat në vazhdim, por që të drejtohemi dhe në periudhën pas muajit qershor, e cila do të lejojë që ekonomia greke të arrijë të rimëkëmbet dhe në një zhvillim të ri. Z. Padoan dhe unë kishim shumë për ti thënë njëri-tjetrit, duke ndihmuar për të kuptuar së bashku se ku jemi dhe ku po shkojmë.

Ju siguroj se ne përdorim një gjuhë të përbashkët, me synim të përbashkët, dhe punojmë që të dy për arritjen e marrëveshjes, e cila është thelbësore jo vetëm për Greqinë, por për stabilitetin e Eurozonës. Ishte një takim i shkëlqyer, një lloj takimi që forcon besimin tonë se jo vetëm Greqia, por e gjithë Evropa, mund të gjejë një mënyrë për të dalë nga problemet që duhet të ishin kapërcyer kohë më parë".

---Ndërprerja e pagesave ndaj poseduesve të borxhit publik grek apo dalja nga zona e euros do të ishte katastrofale për vendin, por edhe një zhvillim destabilizues për ngrehinën e Unionit Ekonomik dhe Monetar, nënvizon Eurobank në një studim me titull “Grexit, përse nuk do të ndodhë?”.

Ndërmjet të tjerash, studimi vë në dukje se më shumë se 95 për qind e borxhit publik grek është në euro dhe pjesa më e madhe e tij (mbi 80 për qind), i nënshtrohet të drejtës së huaj.

Kjo do të thotë në thelb se një falimentim do ta ekspozonte vendin në një pasiguri ligjore kolosale dhe rrezikun e procedurave të kushtueshme dhe shumë të gjata në kohë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mëdha juridike me kreditorët ndërkombëtarë.

Më tej, në rast të daljes nga zona e euros, shndërrimi i kontratave vendase (për shembull kredi dhe depozita) në monedhën e re kombëtare do të ishte një proces veçanërisht i paqëndrueshëm për depozituesit, sistemin bankar, biznesin vendas dhe veçanërisht, për shtresat më të dobëta të popullsisë.

---Para Presidentit të Republikës, Prokopis Pavlopulos dhe në praninë e Kryeministrit Aleksis Cipras është bërë nga peshkopi i Methonit z.Klími betimi i zëvendës ministrit për Drejtësinë, Transparencën dhe të Drejtat e Njeriut, Dimítri Papangelópulos në Pallatin Presidencial.

Ceremonia u ndoq gjithashtu nga ministri i Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtave të Njeriut, Nikos Paraskevopulos dhe sekretari i përgjithshëm i Kabinetit qeveritar, Spiros Sagias.

Kryeministri Aleksis Cipras duke iu drejtuar ministrit dhe zëvendësministrit të Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtave të Njeriut, Nikos Paraskevopulos dhe Dimitris Papangelopulos, i uroi «bashkëpunim të mirë».

Më parë, kryeministri kishte disa një takim disa minuta me presidentin e Republikës, Prokopis Pavlopulos.

---Një turne në Greqinë e Veriut do të zhvillojë nga nesër e deri të shtunën, kryetari i Demokracisë së Re, Antonis Samaras.

Të enjten në mesditë, z.Samaras do të flasë në konferencën e KED-it që mbahet në Halkidiki. Pasdite do të vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet, në Serres, ndërsa të premten do të takohet me përfaqësuesit e Dhomave Tregtare dhe Komunitetin Universitar të Selanikut. 

Të shtunën, më 9 maj, kryetari i Demokracisë së Re do të flasë në një konferencë të partisë në Ksanthi, me temë: «Pushteti Vendor në realitetin e ri ekonomik dhe social».

---Rritje rreth 24,2% ka paraqitur lëvizja e pasagjerëve në aeroportin «Elefthérios Venizélos» të Athinës, gjatë katër muajve të parë të vitit, pasi kanë lëvizur 4,4 milionë udhëtarë.

Sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës, si lëvizja e udhëtarëve brenda vendit dhe jashtë ka paraqitur norma të larta rritjeje, + 30,5% dhe + 20,7% respektivisht. Numri i udhëtarëve greke u rrit me 21%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj ka shënuar gjithashtu një rritje prej 28%. 

Për sa i përket muajit prill, trafiku i pasagjerëve në aeroportin e Athinës arriti në 1,46 milion pasagjerë, duke tejkaluar rreth 21,1% nivelet respektive të vitit 2014.

Numri i pasagjerëve të huaj (948.914) u rrit rreth 22,8% në krahasim me muajin prill të vitit 2014 (772.602), duke reflektuar kështu rrjetin e zgjeruar ndërkombëtar të aeroportit gjatë sezonit aktual të verës. 

Numri i pasagjerëve të brendshëm gjithashtu ka vazhduar të shfaqi ritme të rritjes (+ 18,0%), ndërsa në total numri i udhëtarëve grekë ka paraqitur një rritje të konsiderueshme prej 16% dhe numri i vizitorëve të huaj gjithashtu regjistroi një rritje prej 25%.

---I mbyllur do të jetë këtë javë tuneli Sterna, në korsinë drejt Korinthit, në autostradën Tripoli-Korinth, për shkak të punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes.

Shqipëria
---U çel të mërkurën Festivali i Arteve dhe Librit, ose ndryshe “Tirana Open 1”, që do e shndërrojë për shtatë ditë Tiranën në një arenë arti dhe kulture. 

I shtrirë nga libri tek muzika, nga arti pamor tek filmi dhe arkitektura, “Tirana Open 1” do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, por edhe në Akademinë e Arteve, tek Piramida dhe në Galerinë Kombëtare.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nën kujdesin e veçantë të të cilit u organizua “Tirana Open 1”, i pari në llojin e vet në Ballkan, u shpreh kështu gjatë ceremonisë së hapjes, në Pallatin e Kongreseve: “Ky aktivitet, që nisi si një ide e mikut të paharruar Ardian Klosi, është kthyer në një pikë referimi që vit pas viti do të shkëlqejë si një institucion i krijuar nga njerëzit e artit, për njerëzit e artit. Qëllimi ynë, është që të stimulohen dhe të mbështeten sa më shumë nisma të njerëzve të njohur të artit sa herë që qasja e tyre është me projekte dhe sa herë që projekti i tyre hyn në mundësitë tona për t’i mbështetur edhe financiarisht. Duke investuar tek dituria dhe kultura, ne bëjmë një investim shumë herë më të çmuar, pasi bëjmë një investim tek liria e brendshme e njerëzve dhe tek liria e vetë shoqërisë sonë. “Tirana Open”, është një kontribut për librin dhe mendimin, ndaj kjo është një arsye për të ftuar edhe prindërit që në këtë aktivitet të sjellin fëmijët e tyre”- u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

---Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj prezantoi të mërkurën projektligjin për turizmin, që synon rritjen e numrit të turistëve dhe investimeve në këtë sektor.

Krahas ligjit për turizmin, që sipas Ahmetajt është ligj organik, brenda dy javësh ai informoi se do të prezantojë edhe një paketë ligjore mbështetëse për turizmin, që tashmë është në Këshillin e Ministrave për diskutim, në të cilën propozohet ulja e TVSH-së në 10 % si dhe përjashtimi nga sigurimet shoqërore për punonjësit mbi normën mesatare për periudhat bosh. Sipas kreut të MZHETT-së, Ahmetaj, ulja e TVSH-së nga 20 në 10 % do të bëjë tregun shqiptar më konkurues.

Gjithashtu, projektligji synon të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm, që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, i cili krijon vende të reja pune, kontribuon në uljen e varfërisë dhe ofron mundësi fitimi e rritjeje, veçanërisht për komunitetet rurale, me synimin e harmonizimit të tërësisë së veprimtarive turistike, që plotësojnë kërkesat e turistëve të huaj dhe vendas, mbron dhe ripërtëritjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisore, si pasuri për gjeneratat e sotme e ato të ardhshme.

---Nëpërmjet një fushate sensibilizuese, Organizata Ndërkombëtare World Vision në kuadër të javës ndërkombëtare të familjes thekson mesazhin kryesor se “Mbrojtja fillon në familje”. 

Kjo javë, ka si qëllim të forcojë më shumë lidhjet mes pjesëtarëve të familjes, duke u dhënë më shumë mundësi fëmijëve e prindërve të kalojnë kohë me njëri-tjetrin.

Qindra fëmijë, prindër dhe mësues do të mund të takohen me njëri-tjetrin, duke vënë në skenë shfaqje të ndryshme, njëkohësisht duke prezantuar punime dore e konkurse të ndryshme në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes nga 4 deri në 11 maj. Gjatë kësaj jave do të ngrihen mesazhe të fuqishme shprese për rëndësinë e familjes, në të gjithë Shqipërinë.

“World Vision punon me 33.000 fëmijë në Shqipëri, më së shumti në fshatra dhe në lagjet periferike të qyteteve. Nga pyetësori që u zhvillu me 392 fëmijë të moshës 8 – 11 vjeç, në maj 2014 në Dibër, Shkodër, Kurbin, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Korçë, Librazhd, Vlorë, doli se 70% e tyre kishte përjetuar dhunë fizike nga një i rritur. Ky i fundit ishte shpesh prindi i tyre”, thotë drejtoresha e programeve në World Vision, Migena Shulla.

Ndërkaq, ajo shtoi se “në punën tonë të përditshme me fëmijët, shohim se një pjesë e madhe e dhunës trupore dhe emocionale që ata pësojnë, ndodh pikërisht aty ku ata duhet ta ndjejnë veten më të mbrojtur se kudo tjetër; në familje. Kjo javë, përmes dhjetëra aktiviteteve mes vetë fëmijëve e prindërve te tyre, do të shërbejë si një çast gjatë të cilit ata të kuptojnë më tepër rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin. Dhe sigurisht, si një mundësi që të ndërtojne familje më të shëndetshme.

Sakaq, në kuadër të ndërgjesimit të qytetarëve, do të organizohen aktivitete të ndryshme brenda datave 4 -11 maj në fshatrat dhe periferitë e Tiranës, Durrësit, Dibrës, Shkodrës, Kurbinit, Lezhës, Korçës, Elbasanit, Vlorës dhe Librazhdit etj./m.m/

---Qyteti i Shkodrës ka festuar të mërkurën 6 majin “Ditën e Luleve”, siç njihet ndryshe si dita e ripërtëritjes.

Rrugët dhe sheshet e qytetit verior janë “veshur” me larmishmëri ngjyrash të luleve të shumëllojshme. Panairet, koncertet, aktivitetet e ndryshme dhe duart e qytetarëve shkodranë të mbushura me buqeta lulesh, janë ato që i japin jetë dhe gjallëri kësaj dite të veçantë dhe këtij qyteti që mbart shumë vlera dhe tradita.

Dita e luleve festohet që nga viti 2006 në Shkodër, ndërkohë që banorët e kësaj zone në shekuj e kanë ruajtur traditën e kultivimit dhe përkujdesjes për to. /a.g/

---Shqipëria do të marrë pjesë në Canne 2015, me projektin “Dita zë fill” i Art Alb Film me regji nga Gentian Koçi.

Nëpërmjet një drame sociale që vjen prej ndarjes së thellë klasore që ka pësuar shoqëria shqiptare, skenari i Koçit synon të pasqyrojë në stendën shqiptare në Canne, një pjesëz së ndryshimeve në shoqërinë shqiptare.

Ky film flet për përpjekjen e një nëne të re për të mbajtur me thonj një vend pune në një mjedis të pasurish të rinj. Projekti “Dita zë fill” është përzgjedhur fitues ndër 14 projektet më premtuese të rajonit për vitin 2014 në Cinelink.

Gjithashtu është përzgjedhur si fitues nga Euro Mediterranean Coproduction Forum. Mbështetet nga QKF dhe Ministria e Kulturës, duke patur bashkëpunime të rëndësishme me Connecting Cottbus, marketit më të madh të produksionit dhe Graal, një nga post poduksionet më të njohura evropiane. Regjisori sapo ka mbaruar audicionet e filmit. Ndërsa xhirimet pritet të nisin në muajin shtator./m.m/

Bota
---Duartrokitur nga 800 të ftuar, dy gazetarët e të përjavshmes satirike franceze ”Charlie Hebdo” morën në Nju Jork një çmim për lirinë e fjalës, katër muaj pas atentatit që përgjaku të përjavshmen satirike në Paris.

Çmimi i Qendrës amerikane Letrare ”PEN”, që ka si synim mbrojtjen e shkrimtarëve në mbarë botën, iu dha Gerard Biard, kryeredaktor dhe Jean-Baptiste Thoret, kritik i gazetës, gjatë një darke gala në Muzeun e Historisë Natyrore, në Central park.

Masat e sigurisë ishin shumë të mëdha. Policë me armë gjysmë automatike ishin vendosur para ndërtesës. Gjithë të ftuarit duhet të kalonin detektorët.

Vendimi i “PEN” për t’i dhënë Çmimin e Kurajos për Lirinë e Shprehjes pikërisht revistës “Charlie Hebdo” shkaktoi tërheqjen nga eventi të gjashtë prej shkrimtarëve më të shquar, ndërkohë që më shumë se 100 të tjerë shkruan një letër proteste, sipas “PEN”, një organizatë që del në mbrojtje të shkrimtarëve të persekutuar për shkak të detyrës./ec/

---SHBA-ja dhe Kuba akoma më afër, falë rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmarrë nga presidenti amerikan, Barack Obama dhe homologut, Raul Castro.

Duke nisur nga 3 korriku, kompania ajrore ”Jetbleu” do të inaugurojë një linjë vajtje-ardhje, Nju Jork-Havana. Kjo iniciativë u prezantua në praninë e guvernatorit të shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i cili është rikthyer nga një mision në Kubë muajin e kaluar në krye të një delegacioni ndërmarrësish të rëndësishëm.

Dhe jo vetëm. Së shpejti do të inaugurohet gjithashtu një linjë detare mes Floridas dhe ishullit të Karaibeve. Pasagjerët e trageteve mund të lundrojnë mes Floridas dhe Kubës për herë të parë pas 50 vitesh, pasi qeveria amerikane miratoi shërbimin e ri. Linja mes dy vendeve ndaloi së funksionuari kur SHBA-ja vendosi embargon tregtare me Kubën në vitin 1960./ec/

---Greva shtatditore e njoftuar nga sindikatata e makinistëve, ka bërë që pasagjerët që përdorin shërbimin hekurudhor në Gjermani të përballen me një situatë të vështirë, me ndërprerjen e udhëtimeve. 

Makinistët e trenave kërkojnë rritje page dhe orë më të shkurtëra pune ndërsa sindikata kërkon të drejtën për të përafqësuar edhe puonjës të tjerë. Kjo është ndërprerja më e gjatë që ka ndodhur në shërbimin hekurudhor të Gjermanisë e pritet të vijojë deri të dielën në mëngjes.

Ekonomistët paralajmërojnë se greva mund t'i kushtojë ekonomisë gjermane, më të madhes në Europë, deri në 750 milionë euro. Kancelarja Angela Merkel ka apeluar të dyja palët të pranojnë një ndërmjetës për të nisur bisedimet, në mënyrë që konflikti mes tyre të mos bjerë mbi qytetarët.

---Liderët e grupimeve politike kryesore në Britaninë e Madhe po zhvillojnë takimet e fundit elektorale përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 7 majit.

Sondazhet parashikojnë një rezultat të ngushtë mes konservatorëve të kryeministrit Dejvid Kameron, që pritet të renditen në krye dhe laburistëve të Ed Milliband.

---Një stuhi e fuqishme ka goditur pjesën veriore të Gjermanisë, duke shkaktuar një të vdekur dhe 30 të plagosur.

”Një drejtues automjeti humbi jetën dje në Hamburg pas një stuhie të fuqishme që ka shkaktuar dëme të rënda në të gjithë veriun e Gjermanisë”, sipas zjarrfikësve. ”Personi 26-vjeçar humbi jetën si pasojë e rënies mbi automjetin e tij të një tende dhe mbetjeve të tjera. E dashura e tij shtatëzënë është plagosur gjatë këtij aksidenti dhe është dërguar në spital”, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.DPA-së.

Erërat që kalonin shpejtësinë prej 100 kilometrash në orë kanë përfshirë të gjithë veriun e vendit, veçanërisht shtetet rajonale të Rhenanies në veri të Westphalies dhe Mecklemburg-Pomeranie-Occidentale.

Linja hekurudhore mes Hamburgut dhe Luebeck është bllokuar në të dyja drejtimet për shkak të rënies së pemëve si pasojë e stuhive./ec/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Enjten, 7 Maj, mot të mirë e të ngrohtë, ku temperatura maksimale në disa zona do të arrijë në 34 gradë Celsius. Rënia e temperaturës pritet të fillojë të enjten në mbrëmje nga rajonet veriore.

Stuhi do të ketë pasdite në Greqinë veriore dhe në zonat verilindore do të jetë më e fuqishme.

Në Attikë, moti në përgjithësi do të jetë i mirë. Vransira të përkohshme do të ketë pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtime të ndryshme nga 3 deri në 4 ballë dhe në mbrëmje në drejtimin verior deri në 5 ballë. Temperatura do të variojë nga 18 deri në 33 gradë Celsius, ndërsa në zonat pranë bregdetit do të jetë dy deri në tre gradë më e ulët.

Në Selanik priten re të pakta, që shumë shpejt do të rriten dhe pasdite do të ketë shira sporadike lokalisht të fuqishme. Era do të fryjë mesatare në drejtime të ndryshme nga 3 deri në 4 ballë dhe në mbrëmje në drejtimin veri, veriperëndim nga 4 deri në 5 ballë. Temperatura do të variojë nga 14 deri në 29 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54