Lajmet në gjuhën shqipe 08/05/2015

---Telekonferencë e Euro Working Group është zhvilluar të premten, në
mënyrë që ekspertët financiarë të Ministrisë së Financave të Eurozonës
të informohen nga institucionet dhe kreu i grupit negociator grek,
Giórgo Houliaráki, për progresin në Brussels Group.

Në vazhdim, ekspertët financiarë do të informojnë ministrat e
financave të eurozonës, në mënyrë që të përgatitet një deklaratë në
Eurogrupin e të hënës, që do të njohë se diskutimet janë në rrugën e
duhur. Ndërkohë, do të vazhdojnë dhe në fundjavë konsultimet e grupit
negociator grek me ekspertët e institucioneve. Pikat e konvergjencës
janë tani shumë, ndërsa mbeten çështje të hapura për marrëdhëniet e
punës dhe sistemin e sigurimeve sociale.

---Arritja e një marrëveshjeje për reformat që Greqia duhet të
miratojë për të përfituar vazhdimin e dhënies së kredive për vendin,
varet nga vullneti politik i Evropës, konfirmoi të premten
kryeministri, Aleksis Cipras.

Ndërkohë, ministri grek i Financave Janis Varufakis, i cili përfundoi
të premten në Madrid një mini-turne evropian me një takim me ministrin
spanjoll të Ekonomisë, Luis de Guindos, është shprehur plot shpresë që
së shpejti mund të jenë në gjendje për të njoftuar procesin që do të
çojë në fundin e krizës.

“Vetëm vullneti politik mund të garantojë arritjen e një marrëveshjeje
mes Athinës dhe kreditorëve, BE-së dhe FMN-së, nuk ka çështje teknike
për të zgjidhur”, deklaroi Aleksis Cipras para Parlamentit gjatë një
seance pyetjesh nga deputetët.

“Ishte vetëm vullneti politik që mundësoi hyrjen e Greqisë në vitin
1980 në Bashkimin Evropian, pavarësisht mendimeve të kundërta në atë
kohë nga Komisioni, dhe ai që i mundësoi vendit të bëhet pjesë e euros
në vitin 2000, ndërkohë që ajo nuk përmbushte kushtet e kërkuara”,
kujtoi kryeministri.

Përpjekjet e gjata mes kreditorëve dhe Athinës janë penguar nga
rezistenca e qeverisë së re e të majtës radikale për të miratuar masat
e reja shtrënguese, kryesisht ulje të tjera të pensioneve dhe pagave.
Megjithatë, qeveria është shprehur këto ditë e gatshme për të bërë një
kompromis për arritjen e një marrëveshjeje.

---Ne synojmë një marrëveshje me të ashtuquajturat institucione -nuk e
di nëse termi është dokimos- e cila do të jetë plotësisht në përputhje
me programin e qeverisë dhe deklaratat programatike të saj, tha
ministri i Riorganizimit Produktiv, Mjedisit dhe Energjisë, Panagiótis
Lafazánis.

---Huadhënësit insistojnë në reduktimin e pensioneve kryesore dhe ato
ndihmëse, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm për sigurimet shoqërore,
Giórgos Romaniás në një kanal televiziv.

Siç tha në mënyrë karakteristike «kanë mail e Hardúvelit pranë tyre
dhe janë të mbërthyer në atë». .

---Detyrë karakterizon kancelarja gjermane solidaritetin evropian, por
duke theksuar se ndihma nuk mund të jepet pa kushte.

«Evropa duhet të mbetet e bashkuar dhe të tregohet e solidarizuar për
stabilitetin e euros», tha Angela Merkel nga Bremen, ku ajo u ndal në
kuadrin e fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën.

---Nënshkrimin e Traktatit të Paqes në mes të Greqisë dhe Gjermanisë
dhe shlyerjen e borxheve gjermane që nga Lufta e Dytë Botërore ka
kërkuar evrodeputeti i SYRIZA, Manolis Glezos.

Duke folur për korrespondentët e huaj në Berlin, ka theksuar në mënyrë
të përsëritur, se populli gjerman nuk është përgjegjës për krimet e
nazistëve dhe e ftoi atë që të kërkojë nga qeveria e tij shlyerjen e
borxhit ndaj Greqisë.

---Gatishmërinë e palës ruse që të financojë kompanitë greke që do të
marrin pjesë në projektin e ndërtimit të ”Gazsjellësit grek” të gazit
natyror, ka konfirmuar presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një
bisede telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Cipras, sipas një
komunikate të Kremlinit.

I ashtuquajturi ”Gazsjellësi grek” është një zgjatje e ”Turkish
pipeline” që do të kalojë nën Detin e Zi.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve të përbashkëta të
infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e sistemit të transportit të
gazit rus në Greqi, si pjesë e rrjetit të ri të transportimit
nëpërmjet Turqisë dhe vende të tjera europiane”, thuhet në komunikatë.

“Në këtë kuadër u konfirmua gatishmëria e palës ruse që të shqyrtojë
çështjen e financimit për kompani greke publike dhe private, që do të
aktivizohen në këtë projekt”, theksohet në të.

Në komunikatë nënvizohet gjithashtu se “u shqyrtua spektri i
marrëdhënieve dypalëshe, në kuadër të realizimit të marrëveshjeve që u
arritën gjatë vizitës së Ciprasit në Rusi”.

---Është votuar të premten për të gjitha nenet, projektligji me «masat
urgjente për luftimin e dhunës në sport».

«Po» nga SYRIZA, Grekët e Pavarur, PASOK-u, «Jo» nga Demokracia e Re,
POTAMI dhe Agimi i Artë dhe «e pranishme» deklaroi Partia Komuniste.
Nuk ka asnjë problem në çështjen e projektligjit mbështet ministria,
pas kontaktit të ri që kishte me përgjegjës të UEFA.

---Në Moskë gjendet nga sot e deri të shtunën, kryetarja e
Parlamentit, Zoí Konstantopúlu, për të marrë pjesë në evenimentet që
do të zhvillohen në kryeqytetin rus me rastin e 70 vjetorit të
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

---Angazhimet e zëvendës Ministrit të Shëndetësisë, Andréa Ksanthoú
dhe të zëvendësministrit të Financave, Dimitris Mardas, për shlyerjen
e menjëhershme të pagesave si dhe përshpejtimin e emërimeve në
Sistemin Kombëtar të Shëndetsisë kanë marrë punonjësit në spitalet
shtetërore.

Gjithashtu, z.Ksanthós bëri të qartë se granti i jashtëzakonshëm i
spitaleve për kujdesin e qytetarëve tanë të pasiguruar, do të varet
nga ecuria e negociatave.

---6 persona u plagosën, njëri rëndë, nga zjarri që shpërtheu të
premten në mëngjes në rafineritë e Aspropirgos.

Siç raportohet në njoftimin e Ministrisë së Punës, ministri Panos
Skurletis shpreh keqardhjen e udhëheqjes politike për aksidentin e
sotëm.

«Të gjenden rrethanat e tragjedisë, të jepen përgjegjësitë dhe të ketë
forcim të masave të sigurisë por dhe riplanifikim nëse është e
nevojshme», theksoi nga ana e tij ministri i Riorganizimit të
Prodhimit, Mjedisit dhe Energjisë, Panajotis Lafazanis.

---Roli i Greqisë në zhvillimet energjetike në Evropë dhe Mesdheun
Lindor si dhe politika shumëdimensionale e jashtme dhe e energjisë e
vendit u diskutuan në takimin e ministrit të Shtetit Nikos Pappas me
të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për çështjet e energjisë Amo J.
Hochstein.

---Votë nominale mbi parimin e projektligjit për arsimin, që
diskutohet të premten në seancën plenare të Parlamentit, ka kërkuar
Demokracia e Re. Sipas informacioneve, votimi do të zhvillohet të
martën.

---Festë përpara ministrisë së Financave organizojnë të hënën në orën
19:30 pasdite, pastrueset e ministrisë së Financave, që pas 20 muajve
kthen më në fund në vendin e tyre të punës, pas votimit të
projektligjit përkatës.

---Rritje e fluturimeve në aeroportet greke rreth 10,3% është shënuar
në muajin prill, sipas të dhënave nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Në mënyrë të veçantë, numri i përgjithshëm i fluturimeve në aeroportet
greke arriti në 28.859 (nga të cilat 15.271 të brendshme dhe 13.588
jashtë vendit), duke paraqitur një rritje në krahasim me të njëjtin
muaj të vitit 2014 rreth 10,3% (+8,9% në fluturimet e brendshme dhe
+12,0% në fluturimet ndërkombëtare). Numri i fluturimeve të brendshme
edhe këtë muaj është më i madh nga ai i fluturimeve ndërkombëtare. Në
22 aeroporte (në krahasim me vetëm 11 aeroporte në mars të vitit 2015)
u shfaqën fluturime çarter, preambula e turizmit veror.

Numri i përgjithshëm i pasagjerëve që kanë lëvizur arriti në 2.798.434
(nga të cilët 1.161.513 brenda vendit dhe 1.636.921 nga jashtë), duke
paraqitur një rritje në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2014
rreth 15,3% (+18,8% në fluturimet e brendshme dhe +13,8% në fluturimet
ndërkombëtare).

Dhe për muajin prill, si dhe për tre muajt e mëparshëm të vitit,
ndryshimet më të mëdha në fluturimet e brendshme kanë ndodhur në
aeroportet e Athinës, Selanikut dhe Chania (nga 7.212 fluturime në
prill të vitit 2014 arritën në 8.164 në prill të vitit 2015).

Në fluturimet ndërkombëtare ndryshimet janë bërë pothuajse
ekskluzivisht për shkak të performancës së shkëlqyer të Aeroportit
Ndërkombëtar të Athinës, i cili nga 6.275 fluturime ndërkombëtare në
prill të vitit 2014 u ngjit në 7.877 fluturime në prill të vitit 2015
dhe nga 769.462 pasagjerë të huaj në prill të vitit 2014 në 945.907 në
prill të vitit 2015. Me këto madhësi, Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës
mbulon 63% të udhëtarëve të huaj të vendit për muajin prill (nga 52%
në të njëjtin muaj të vitit 2014).

----Në 10 destinacionet më të dashura për pushime luksoze në botë për
verën e vitit 2015, e vendos Greqinë, rrjeti më i madh i turizmit
luksoz për Amerikën dhe Kanadanë, Virtuoso, sipas një artikulli të
tornosnews.gr. Gjithashtu, Greqia është tregu i pestë me zhvillimin më
të madh të rezervimeve për pushime luksoze nga viti në vit.

Këto të dhëna janë paraqitur gjatë Simpoziumit vjetor të Virtuoso, që
është mbajtur këtë javë në Hong Kong dhe vijnë nga agjencitë
turistike-pjestare të saj në SHBA dhe Kanada.

Në mënyrë të veçantë, Greqia duket se është destinacioni i dhjetë më i
dashur në mesin e turistëve të pasur amerikanë dhe kanadezë për
pushime verore të vitit 2015. Në të njëjtën kohë, është në vendin e
pestë të renditjes botërore të Virtuoso me destinacionet që shënojnë
rritjet më të mëdha në vit të rezervimeve, me një rritje ekonomike të
fuqishme prej 41%.

Udhëtimet luksoze me destinacion Greqinë janë kthyer në plan të parë,
vënë në dukje të dhënat e Virtuoso dhe 58% e rezervimeve zhvillohen
nga muaji qershor e deri në muajin gusht, pasi udhëtarët shkojnë në
ishujt e tyre të preferuar grekë si Santoríni, Mýkonos, Kreta dhe
Ródos.

Shqipëria
---Sot eshte Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe është
lëvizja më e madhe vullnetare në botë, pjesë e së cilës janë 189
shoqata të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, me mbi 17 milion
vullnetarë.

Kryqi i Kuq Shqiptar është organizata më e madhe humanitare në
Shqipëri që vepron si ndihmëse e pushtetit për çështjet humanitare. Ai
është krijuar në vitin 1921 dhe është anëtar i Federatës Ndërkombëtare
që prej vitit 1923. Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të
Gjysmëhënës së Kuqe, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, së bashku
me Federatën Ndërkombëtare, përbëjnë Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit
të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

Prej vitesh, Kryqi i Kuq Shqiptar ka zgjedhur që të kremtojë këtë ditë
me dy veprimtari mjaft të rëndësishme të saj që janë : Konkursi
kombëtar i Ndihmës së Parë dhe Ekspozita kombëtare e vizatimit
“Fëmijët dhe Kryqi i Kuq” .

Ekspozita, finalja e një konkursi në kuadër të një fushate disa mujore
për promovimin e vlerave humanitare, qe u çel ne Muzeun Historik
Kombetar ne Tirane, synon të kontribuojë në edukimin qytetar të
fëmijëve dhe të ndërgjegjësojë pjesëmarrësit dhe publikun mbi
veprimtarinë e Kryqit të Kuq Shqiptar.

Në të janë përfshirë një numër i madh nxënësish, mësuesish,
vullnetarësh dhe të punësuarish në të gjithë vendin. te cilet
ekspozojne piktura nga aspekte te ndryshme te jetes.

---Ministri i Mjedisit, Lefter Koka zhvilloi një vizitë pune në
Gjermani, ku u takua me homologen e saj, Barbara Hendricks.

Ministri Koka u shpreh se qeveria shqiptare brenda 18 muajve arriti të
vendosë mjedisin në qendër të opinionit publik, dhe është e
përkushtuar për të bërë punë të mëtejshme për të siguruar standarte më
të mira jetese për qytetarët shqiptarë.

Nga ana e saj Ministrja Hendricks siguroi Ministrin Koka për
gatishmërinë e qeverisë gjermane për të ndihmuar Shqipërinë në
çështjet më prioritare të mjedisit.

Gjatë takimit, palët identifikuan edhe fushat e bashkëpunimit midis dy
vendeve duke u fokusuar në pyllëzimin dhe luftën kundër erozionit, por
edhe në binjakëzime, në kuadër të programeve të BE-së.

---Në qytetin bregdetar të Sarandës në jug të vendit, dhjetëra
kultivues midhjesh, restorante  dhe njësi tregtimi, janë duke
përgatitur Festën e Midhjes, që do të organizohet kete te premte në
mbrëmje.

Burime nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, pjesëmarrës në këtë
aktivitet, ben te ditur se, këtë vit, produkti do të promovohet së
bashku me vajin e ullirit, një prej produkteve më cilësore të
bregdetit jonian.

Panairi, sipas KASH-it, pritet të sjellë më shumë prodhues për të
ekspozuar produktin e tyre, sfida më e madhe e produktit vijon të
mbetet tregu europian. Midhja e liqenit të Butrintit prej vitesh po
përballet me bllokadën e pamundësisë për eksport dhe promocionin e
ulët në këtë drejtim.

Aktualisht ne liqenin e Butrintit me një sipërfaqe prej 1600
hektarësh, ndodhen rreth 78 impiante te prodhimit te saj me te cilat
operojnë 50 subjekte private. Prodhimi i midhjes ne vit shkon ne 13
deri ne 15 mije kv. e,xh/f,n/

Bota
---Konservatorët e kryeministrit britanik David Cameron sigurojnë
vendet e mjaftueshme në parlamentin britanik për të qeverisur të
vetëm. Ata kanë 327 deputete, një më shumë se numri që u duhej për
formimin e qeverisë.

Fitorja e tyre çoi në dorëheqjen e 3 drejtuesve politikë. Dorëheqjen e
dha kreu i laburistëve Ed Milliband. Partia e tij u rendit e dyta,
duke siguruar 232 vende në parlament, 22 më pak se legjislatura e
kaluar. Dorëheqjen e dha edhe kreu i liberal demokratëve Nik Klegg.
Partia e drejtuar prej tij pësoi një humbje të paprecedentë që prej
kirjimit, duke marrë vetëm 8 vota, 48 më pak se legjislatura e kaluar.
Edhe euroskeptiku Nigel Faraxh dha dorëheqjen nga partia për
Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar, e njohur si UKIP. Kjo parti do të
përfaqesohet vetëm me një vend në parlament.

Fitues të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve konsiderohen Nacionalistët
Skocezë, të cilët do të kenë 56 deputetë, 50 më shumë se legjislatura
e kaluar.

Në parlamentin e ri do të përfaqësohen gjithësej 11 parti. Por
pavarësisht se ka siguruar numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë,
Kameron pritet të nisë negociatat për një koalicion, që do t’i jepte
më shumë frymarrje qeverisjes së tij. Partnerë të mundshëm janë
Liberal Demokratët ose Partia Unioniste Demokratike e Irlandës së
Veriut.

---Ushtria pakistaneze ka njoftuar se është rrëzuar një helikopter, në
bordin e të cilit ishin Ambasadorët e Norvegjisë dhe Filipineve në
Pakistan. përplasja ka rezultuar fatale për ambasadorët.

Në këtë aksident kanë humbur jëtën edhe bashkëshortet e tyre si edhe 2
pilotët e helikopterit. Mes të plagosurve janë ambasadori i Polonisë
dhe Holandës

---Data 8 e muajit maj njihet kudo në botë si Dita e Luftës kundër
Talasemisë, kësaj sëmundjeje të shekullit XX dhe të shekullit XXI, që
është përhapur shumë, veçanërisht vitet e fundit në rruzullin tokësor.

Në këtë ditë bëhen të gjitha përpjekjet për të sensibilizuar sa është
e mundur njerëzit që të dhurojnë gjak të sigurt për personat e prekur
nga kjo sëmundje. Federata Ndërkombëtare e Talasemisë (TIF), në të
cilën përfshihen 91 shtete, lufton për të gjetur metoda të reja për
trajtimin dhe kurimin e talasemikëve, pjesa me e madhe e të cilëve
janë fëmijë, por edhe adoleshentë dhe të moshës madhore.

Përfaqësues të kësaj federate, megjithëse me një staf të vogël mjekësh
dhe administrues, por me tepër me vullnetarë në vende të ndryshme të
botës, janë përqendruar kryesisht në disa pika si, gjetja e indeve që
mund të rrisin prodhimin e hemoglobinës në rruazat e kuqe, gjetjen e
ilaçeve të reja, eliminuese të hekurit që të mund të merren dhe nga
goja, transplantimi i palcës së kockës, apo i celulave bazë dhe
terapia gjenike, për të zëvendësuar gjenet e talasemisë me gjene
normale.

Talasemia është një nga sëmundjet gjenetike më të përhapura në botë.
Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë që e mbështet TIF in dhe
përkujton çdo vit në 8 maj luftën që bëhet kundër talasemisë, vlerëson
se çdo vit lindin me tepër se 100.000 fëmijë të prekur nga kjo
sëmundje. Kjo më tepër në zonat e fshatit në botë, ku nuk ekziston as
kujdesi mjekësor primar. Talasemia është një çrregullim i trashëguar i
gjakut. Ajo shkakton anemi (pagjakësi) dhe ne rast se nuk mjekohet,
zemra dhe organe të tjera në trup do të “mbarojnë” së funksionuari, si
rezultat i mungesës së oksigjenit. Transfuzioni i rregullt i gjakut
është i vetmi mjekim i përshtatshëm deri tani për talaseminë. /a.ke/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Shtunën, 9 Maj
shira dhe stuhi në rajonet perëndimore, qendrore dhe veriore në
mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior nga
5 deri në 6 ballë.

Në Attikë priten re të pakta. Era do të fryjë mesatare në drejtimin
verior nga 3 deri në 5 ballë dhe lokalisht në zonat lindore deri në 6
ballë. Temperatura do të variojë nga 15 deri në 25 gradë Celsius.

Në Selanik priten vransira me shira lokale dhe pasdite ka mundësi të
ketë dhe stuhi sporadike. Era do të fryjë mesatare në drejtime të
ndryshme nga 3 deri në 4 ballë dhe në mbrëmje në drejtimin
veriperëndim me të njëjtin intensitet, ndërsa temperatura do të
variojë nga 16 deri në 26 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti
i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme
- nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët
e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00
pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet
televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54