Lajmet në gjuhën shqipe 20/04/2015

--Tjetër tragjedi në brigjet jugore të Europës.

Rreth orës 09:00 të paradites rojet bregdetare të ishullit Rodos u vunë në alarm pasi një varkë e mbipopulluar me emigrantë sirianë u përplas me një masiv shkëmbor. Pjesa më e madhe e refugjatëve rezultojnë të zhdukur. Aktualisht janë nxjerrë nga deti, tre trupa të pajetë, të një fëmije, një gruaje dhe një burri.

80 persona arritën të shpëtojnë, shumica me ndihmën e rojes bregdetare greke dhe të pushuesve që ndodheshin në plazhin më të afërt Zefiros, ndërsa të tjerët me not. Sipas mediave greke, refugjatët ishtin nisur nga Turqia, në kërkim të një jete më të mirë në Europë.

Tragjedia ndodhi vetëm një ditë pas asaj të përmasave edhe më të mëdha në ujërat e Mesdheut, ku një peshkarexhë me 950 persona në bord u fundos 70 milje larg brigjeve libiane.

Flitet për 50 të mbijetuar dhe për 24 trupa të nxjerrë nga deti deri më tani. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Dëshmitarët thonë se pjesa më e madhe e refugjatëve ishin bllokuar nga trafikantët në kuvertën e peshkarexhës. Pjesa dërrmuese e tyre ishin nga vendet afrikane.

---Kryeministri grek, Aleksis Cipras u kërkoi qeverive të vendeve anëtare të BE-së hartimin e menjëhershëm të një plani koherent për përballimin e krizës humanitare me të cilën po ndeshet Evropa nga flukset e emigrantëve dhe refugjatëve.

“Tragjedia e re humanitare me qindra të vdekur pranë brigjeve të Lampeduzës, na mbush me trishtim dhe shqetësim. Askush prej nesh nuk mund të qëndrojë indiferent, kur qindra shpirtra humbasin në detin Mesdhe, në përpjekjen e tyre për t’u larguar nga lufta dhe varfëria”, deklaron Cipras me anë të një komunikate.

”Evropa nuk mund t’i referohet vlerës supreme njerëzore, nëse nuk mobilizohet që të ndalojë kjo tragjedi e vazhdueshme. Të pushojë Mesdheu së qeni një det-varrezë. Mesdheu ishte dhe duhet të bëhet sërish vetëm djep qytetërimi, tregtie, komunikimi, humanizmi. U bëj urgjentisht thirrje qeverive të vendeve anëtare të BE për hartimin e menjëhershëm të një plani koherent për krizën humanitare me të cilën po përballemi”, theksoi ai.

”Ne duhet të përmirësojmë strukturat e menaxhimit të emigracionit dhe kërkim-shpëtimit në Mesdhe, të mbështesim vendet evropiane mesdhetare që pranojnë flukse emigrantësh dhe refugjatësh shumë më të mëdha se kapacitetet e tyre, me një shpërndarje të drejtë të barrës në nivel ndihme ekonomike dhe akomodimi dhe të ideojmë iniciativa diplomatike për një zgjidhje paqësore të konflikteve në Siri, në Irak dhe në Libi, si dhe për përballimin rezultativ të xhihadizmit”, tha Cipras.

---Bashkimi Evropian nuk ka më asnjë alibi dhe duhet të marrë masa të menjëhershme për të parandaluar tragjedi të tilla në Mesdhe, konfirmoi të hënën shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, pas vdekjes së të paktën 700 imigrantëve pas mbytjes së një anijeje.

“Ne nuk kemi më asnjë justifikim. Bashkimi Evropian nuk ka asnjë justifikim, shtetet anëtare nuk kanë asnjë justifikim”, shprehu me keqardhje Mogherini pas mbërritjes në një takim në Luksemburg.

“Tragjeditë e këtyre ditëve të fundit, këtyre muajve të fundit, këtyre viteve të fundit kanë qenë të shumta”, shtoi ajo.

“Është nevoja për masa të menjëhershme nga ana e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare”, nënvizoi ajo duke cituar riforcimin e operacionit evropian për mbikëqyrjen detare në Bashkimin Evropian.

Një pjesë e madhe e këtyre çështjeve janë kompetencë ekskluzive e shteteve anëtare, shumë të rezervuar për të pritur emigrantët, ndërkohë që Italia, ka rikuperuar 11.000 persona në det në një javë, Greqia dhe Spanja duhet ët mbajnë pothuajse të gjithë barrën.

---Pjesëtarët e Grupit të Brukselit dhe ekspertët ekonomikë grekë kanë vendosur gjatë takimit të tyre në Paris, që u cilësua si produktiv nga burime qeveritare, thirrjen e takimit të ekspertëve të eurozonës, Euro Working Group, të mërkurën më 22 prill.

Ndërkaq, dje vazhdoi për të dytën ditën në Paris takimi i Grupit të Brukselit me ekspertët grekë, në selinë e përfaqësisë greke në OECD.

Objektiv i këtyre takimeve është konstatimi i progresit në konsultimet, por edhe përpjekja që të hidhen disa baza mbi të cilat do të mund të mbështetet marrëveshja.

Bisedimet vlerësohet se do të vazhdojnë deri të martën, një ditë para mbledhjes së Euro Working Group.

---Në datën 7 maj do të zhvillohet gjyqi për çështjen e Agimit të Artë para Gjykatës tre anëtarësh të Apelit për Krime të Rënda, me qëllim që të caktohen avokatët për ata të akuzuar që nuk kishin. 

Gjyqi filloi të hënën në sallën e gjyqit të burgut të grave Koridallos, pa udhëheqësin e Agimit të Artë, Nikos Mikaloliakos, por dhe deputetëve të tjerë të akuzuar të organizatës neo-naziste. 

Gjykatësit ftohen të konkludojnë në një vendim me rëndësi historike dhe të gjykojnë nëse Agimi i artë është një morfemë e tipit nazist e kamufluar si parti politike, siç bëhet me dije në materialin e akuzës. Në të njëjtën kohë, gjykatësit duhet të japin drejtësi për viktimat e sulmeve që kanë kryer të pandehurit, pasi do të gjykojnë tre çështje konkrete që sipas organit të akuzës përbëjnë akte të një organizate kriminale, absolutisht të strukturuar dhe të koordinuar.

Trupi gjykues do të vendosë nëse ato akte u kryen “në zbatim të parimeve të statutit” dhe synimeve të organizatës kriminale, siç nënvizohet në raportin e prokurorit të Gjykatës së Lartë greke apo nëse përbëjnë incidente të veçuara, të pavarura nga direktivat partiake.

---Kreu i Gazprom, Alexey Miller do të vizitojë të martën Athinën dhe do të takohet me kryeministrin Aleksis Cipras dhe ministrin e Riorganizimit të Prodhimit, Panajotis Lafazani (në orën 14:00). 

Në kontaktet e tyre «do të diskutohen çështje aktuale me interesim për energjinë» dhe kujtojmë se në takimin e fundit të Kryeministrit me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin është njoftuar ndërtimi i tubacionit në Greqi që do të transportojë gaz natyror nga Turqia në Evropën Qendrore.

---Vizitë zyrtare në Egjipt zhvillon të hënën Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos ku do të takohet me presidentin e vendit Abdel Fattah el-Sisi, më vonë me homologun e tij egjiptian dhe do të vendosë një kurorë në varrin e ushtarit të panjohur. Gjithashtu do të vizitojë monumentin e greke të rënë në El Alamein

---Në Shtetet e Bashkuara për bisedime me faktorin amerikan, por dhe me OKB-në, ndodhet nga sot, ministri i Jashtëm, Nikos Koxias, në një kohë kur fillojnë të avancohen zhvillimet në të tre frontet kombëtare: Problemi i Qipros, marrëdhëniet Greqi-Turqi dhe marrëdhëniet me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

---U hap sot procesi dhe palët e interesuara mund të dorëzojnë aplikimet e tyre për të marrë pjesë në programet e trajtimit të krizës humanitare. 

Ky proçes do të zgjasë deri më 20 maj dhe programet kanë të bëjnë me lidhjen falas të energjisë elektrike, dhënien falas të një pjese të energjisë elektrike, dhënien e ndihmës për qiranë e shtëpisë dhe subvencionimin e të ushqyerit. 
Aplikacionet dorëzohen elektronikisht nëpërmjet një formulari të posaçëm të zhvilluar nga Ministria e Punës dhe do të përmbahet në faqen e saj, ndërsa për ata që nuk kanë qasje në internet mund të paraqesin kërkesën e tyre nëpërmjet Qendrave të Shërbimit të Qytetarëve KEP.

---Mundësinë e dorëzimit të kërkesës në mënyrë elektronike për përfshirjen e tyre në rregullimin e 100 kësteve jep nga dita e hënë Fondi i të Vetëpunësuarve OAEE, për ata që i detyrohen më pak se 5.000 euro, nëpërmjet faqes së internetit të këtij Fondi.

---Mbi 31.000 aplikime janë bërë nga debitorët në aplikimin elektronik të TAXISnet për përfshirjen në rregullimin e borxheve të prapambetura ndaj shtetit me kushte të favorshme dhe deri në 100 këste. 

Aplikacionet kanë lidhje ose me përfshirjen në rregullimin e 100 kësteve, duke paguar këstin minimal, ose përfshirjen në programin e parapagesës për një pjesë të totalit të borxhit dhe fshirjes së sasisë përkatëse të interesit, taksave shtesë dhe dënimeve shtesë.

Shqipëria
---Ora 18:00 e ditës së martë shënon dhe skadimin e afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Neni 65, pika 1 e kodit zgjedhor parashikon që dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen si koalicion në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Dy kampet e mëdha politike PD dhe PS thuajse kanë përfunduar marrëveshjet me partitë e vogla dhe pritet që brenda këtij afati të dorëzojnë në KQZ listat e plota të koalicioneve. Partia Socialiste dhe aleatët e saj e zgjeruan koalicionin e majtë me rreth 40 parti, jo vetëm të spektrit të majtë, por edhe të krahut të djathtë. Afrimi i fundit në koalicion ishte një parti e djathtë, Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga ish-Presidenti, Bamir Topi. Ndërsa, pritet dhe konkretizimi i marrëveshjes mes PS-së dhe dy aleatëve të vjetër të saj, Partisë Socialdemokrate dhe Demokracisë Sociale. /a.s/f.n/

---Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ndodhet për një vizitë dyditore në Romë, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e konferencës së kryeparlamentarëve të vendeve të Bashkimit Europian.

Shqipëria merr pjesë për herë të parë në një takim të këtij niveli, me statusin e vendit kandidat.

Gjatë qëndrimit në Romë, kryeparlamentari Meta do të pritet nga homologët italianë Laura Boldrini dhe Pietro Grasso, ndërsa do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të tjerë europianë, që marrin pjesë në konferencë.

Kryetari i Kuvendit gjatë vizitës së tij shoqërohet nga deputetët e Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe Fatmir Toçi. /a.s//m.m/

---“Mos bini pre e mashtrimeve”, është apeli që Avokati i Popullit, Igli Totozani i drejtoi të hënën qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian.

Përmes një njoftimi për shtyp, Totozani shprehet i shqetësuar për situatën e krijuar në vend, lidhur me largimin e qytetarëve nga vendi me qëllim kërkimin e azilit.  “Prej më shumë se një viti Avokati i Popullit po ndjek me shqetësim të madh largimin e qytetarëve nga vendi. Këtë shqetësim Avokati i Popullit e ka ndarë me Parlamentin dhe qytetarët qysh një vit më parë, nëpërmjet një raporti të posaçëm ku analizohen me përgjegjësi shifrat dhe shkaqet e këtij fenomeni që po merr përmasa alarmante sot”, theksohet në njoftim.

“Avokati i Popullit, lexohet më tej në njoftim, nxit autoritetet shtetërore ta trajtojnë me shumë kujdes, përgjegjshmëri dhe humanizëm këtë fenomen për të kuptuar shkaqet reale social-ekonomike që shtyjnë në këtë lëvizje masive. Njëkohësisht, Avokati i Popullit i bëj thirrje qytetarëve që të mos bien pre e atyre që përfitojnë në mënyrë të paskrupullt duke mashtruar shqiptarët për mundësi azili në vendet perëndimore, mundësi të cilat sikundër është përmendur nga ambasadorët e vendeve perëndimore, nuk ekzistojnë”, përfundon njoftimi i AP-së./m.m/

---Të hënën nisi java Europiane e Vaksinimit. Kjo është një iniciativë e vendeve europiane e koordinuar nga zyra e OBSH-së për rajonin europian në bashkëpunim me UNICEF dhe Qendrën Europiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, e cila trajton probleme që lidhen me vaksinimin.

Fokusi këtë vit është në nevojën për rinovimin e angazhimeve ndaj imunizimit në nivel politik, profesional dhe personal. Gjatë kësaj jave, vendet e rajonit bashkohen në slloganin – Parandaloni! Mbroni! Vaksinoni! – dhe zhvillojnë aktivitete për të informuar dhe angazhuar personat përgjegjës në sfidat në lidhje me imunizimin. Kjo iniciativë ka për qëllim të sigurojë vaksinimin universal dhe ndërgjegjësimin për të rritur suksesin e programeve të imunizimit, duke përfshirë të gjithë individët sidomos ata që nuk janë vaksinuar apo nuk kanë marrë të gjitha vaksinat e duhura.

Vaksinimi shpëton më shumë jetë se çdo ndërhyrje tjetër në shëndet publik e megjithatë ende gjate viteve te fundit u shfaqën 31 685 raste me fruth në Europë, një rritje kjo 348 herë më shumë krahasuar me vitin 2007. Kosto e këtyre shpërthimeve epidemike si në njerëz ashtu dhe në vlera monetare është shumë e lartë.

---Me rastin e Festivalit Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik, në sheshin Grand Place në Bruksel do të zhvillohet një Festë e madhe muzikore popullore “Giant Horo”.

Sikurse bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme, në këtë event artistik i cili do të mbahet të shtunën, më 25 Prill, nga ora 12:00 – 14:00, të ftuar specialë do të jenë Ansambli Popullor “Lunxhëria” dhe grupi artistik “Vatra” i diasporës shqiptare në Bruksel.

Ansambli “Lunxhëria” do të japë shfaqjen e tij të hapur për publikun rreth orës 12:30 me disa prej këngëve dhe valleve të tij më të bukura.

Në këtë manifestim të madh kulturor të vendeve të Ballkanit do të jenë të pranishëm me mijëra shikues dhe vizitorë nga shumë vende si dhe zyrtarë të lartë belgë, të institucioneve të BE-së, etj.

Bota
---Një samit evropian i jashtëzakonshëm për dramën e imigrantëve në Mesdhe u thirr të enjten në Bruksel, pas tragjedive të fundit në brigjet libiane ku qindra persona kanë humbur jetën, njoftoi sot presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

“Kam vendosur të mblidhet një samit evropian i jashtëzakonshëm këtë të enjte në kuadër të situatës së krijuar në Mesdhe”, njoftoi Tusk në rrjetin social ”Twitter”.

Një takim i tillë ishte kërkuar dje nga kryeministri italian, Matteo Renzi dhe ishte mbështetur nga disa prej homologëve të tij.

---Tragjedia në brigjet e Siçilisë mund të ketë përmasa edhe më të mëdha, pasi numri i viktimave, ende i pakonfirmuar mund të ketë shkuar në 900 persona. 

Mëngjesin e të hënës në portin e La Valleta mbëriti njëra prej anijeve të Rojes bregdetare me trupat e 24 të mbyturve në bord dhe 28 të mbijetuarit e tragjedisë. 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka njohur impaktin e rëndësishëm në Itali të mbërritjes së kaq shumë emigrantëve dhe i është mirënjohës qeverisë italiane për të gjitha sforcimet e saj, bën të ditur një zëdhënës i OKB-së. Ai i ka bërë apel komunitetit ndërkombëtar që të tregojë solidaritet për të shpërndarë peshën e kësaj krize. Ban Ki moon thekson se Mesdheu është bërë rruga e vdekjes në botë, për emigrantët që kërkojnë azil. "Përgjigja e komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë global dhe kolektiv", ka thënë ai.  

Ndërsa kryeministri italian, Matteo Renzi, deklaron se operacionet kundër skafistëve duhet të bëhen nga e gjithë Europa, pasi kushtet për këtë janë. "Italia ka bërë të mundur kapjen e skafistëve dhe i ka vënë ata para drejtësisë. Janë arrestuar 976, a është e mundur që ta bëjmë vetëm ne këtë? Mendoj se Këshilli Europian mund të mbajë një pozicion të bashkuar mbi temën e Libisë dhe emigracionit", tha ai. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian mblidhen lidhur me këtë temë, dhe Martin Shulc ka kërkuar ndryshim strategjie. Presioni ndaj BE-së po rritet për të bërë më shumë, që tragjedi të tilla të evitohen. 

Presidenti francez, Francois Hollande ka thënë se ekipet e shpëtimit kanë nevojë për më shumë anije dhe se ata duhet të luftojnë më shumë trafikantët e njerëzve. Deri më tash, 35 mijë azilantë dhe migrantë kanë arritur të hyjnë në Evropë, ndërsa mbi 900 raportohet se e kanë humbur jetën në këtë rrugëtim. Edhe Papa Francesku ka kërkuar nga ndërkombëtarët të reagojnë për vazhdimësinë e rasteve tragjike të fluksit të emigrantëve, të cilët humbin jetën në det duke tentuar të hyjnë në Itali, nga Afrika e Veriut.

---Partia opozitare e Qendrës fitoi dje zgjedhjet parlamentare në Finlandë, e ndjekur nga një tjetër parti e opozitës së djathtë euroskeptike ”Finlandezët e vërtetë”, sipas rezultateve të bëra publike sot në mëngjes.

Vota e finlandezëve, të cilët dënuan partitë qeveritare pas viteve krizë ekonomike, duhet të çojë në postin e kryeministrit deputetin Juha Sipila, 53 vjeç. Ai do të ngarkohet të formojë një koalicion me një parti që kundërshton integrimin evropian dhe ndihmën ndaj Greqisë.

Sipas votave, Partia e Qendrës ka marrë 49 vende, ”Finlandezët e vërtetë” 38, para konservatorëve me 37 vende dhe socialdemokratëve me 34 vende./ a.jor.

---Tajvani është goditur mëngjesin e të hënës nga një tërmet i fuqishëm, me magnitudë 6.8 ballë. 

Ai ka goditur brigjet lindore të tij dhe lëkundjet kanë shkaktuar panik tek banorët e kryeqytetit, Taipei. Fatmirësisht nuk janë raportuar njerëz të lënduar apo dëme. 
Japonia fillimisht paralajmëroi cunami të vogël, mirëpo më pas e tërhoqi alarmin pasi një tërmet më i vogël e godit pjesën jugore të Okinavës. 

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Martën 21 prill, shira lokale në rajonet verilindore dhe në rajonet e tjera kontinentale në mesditë dhe pasdite stuhi të përkohshme në zonat malore. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior deri në 6 ballë në zonat bregdetare. 

Në Attikë parashikohen re të pakta, të cilat pasdite do të rriten dhe ka mundësi të ketë shira lokale në lagjet perëndimore dhe veriore të saj. Në mbrëmje moti do të jetë në përgjithësi i mirë. Era do të fryjë mesatare në drejtimin veriperëndim nga 3 deri në 5 ballë dhe në lindje deri në 6 ballë. Temperatura do të variojë nga 10 deri në 20 gradë Celsius, ndërsa në zonat veriore dhe lindore do të jetë nga 2 deri në 3 gradë më poshtë.

Në Selanik priten vransira të pakta, të cilat në mesditë dhe pasdite do të jenë më të dendura me shira lokale, ndërsa në zonat lindore të qytetit ka mundësi të ketë stuhi të përkohëshme. Era do të fryjë mesatare në drejtimin veriperëndim nga 4 deri në 6 ballë. Temperatura do të variojë nga 9 deri në 16 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54