Lajmet në gjuhën shqipe 04/04/2015

---Anëtarët e Grupit "Celulat e Zjarrit" pas 32 ditësh kanë ndaluar grevën e urisë, siç njoftuan në faqen e internetit në INDYMEDIA, pasi vlerësojnë se nëna e Krístos dhe Gerásimos Tsákalou si dhe shoqja e të dytit do të lirohen. 

Në njoftimin e tyre deklarojnë solidaritetin e tyre me anarkistin Nikos Maziotis dhe me Rrjetin e luftëtarëve të burgosur që vazhdojnë grevën e tyre.

---Mesazhin e luftës për «punë dhe jetë me dinjitet» ka dërguar nga Larisa, stacioni i parë i tij, "Karvani i Luftës dhe Solidaritetit", në të cilin marrin pjesë punonjësit e ΒΙΟΜΕ, e Fabrikës së Çimentos të Halkidas, punonjësit e ERT-3, pastrueset e ministrisë së Financave, rojet e shkollave të Selanikut, mësues të dalë në disponueshmëri dhe grevistët e kompanisë Coca Cola. 

Rikujtojmë se shoqata, lëvizje sindikaliste, nisma dhe lëvizje të tjera kanë filluar së bashku të premten, 3 prill nga Selaniku një udhëtim dinjiteti me "Karvanin e Luftës dhe Solidaritetit", që do të përfundojë të hënën 6 prill në Athinë me një marshim në ministrinë e Punës. 

Stacione të ndërmjetme do të jenë: Volos, radiot e lira të ERA në periferi, Livadia, Fabrika e Çimentos e Halkidas.

Të dielën, në orën 18:00 pasdite "Karvani i Luftës dhe Solidaritetit" do të bëj një ndalesë në ertopen.

---Filloi sot në Parlament, procesi për krijimin e Komitetit në lidhje me kontrollin e llogaritjes së borxhit. 

---Të dielën, në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar do të zhvillohet takimi i Drejtoreshës së Përgjithshme të Fondit me ministrin grek të Financave, me synim «një diskutim atipik të programit të reformave të qeverisë».

---Grevë të re 24 -orëshe dhe tubime jashtë dyqaneve tregtare shpalli për të dielën, 5 prill, Federata e Punonjësve Privatë të Greqisë, duke kundërshtuar në «hapjen» e tregut të dielave.

----Aksident pune në Halkidiki. Një punëtor 35 vjeçar nga Shqipëria ra nga një lartësi e madhe gjatë punime të ndërtimit në pastrimin biologjik të Olympiádas dhe ka përfunduar në Qendrën e Shëndetsisë të Néas Madytoú.

---Një lëvizje mbarëkombëtare kundër tarifave në rrugët kombëtare është e organizuar për të dielën, 5 prill në orën 12:00 në pikat e pagimit të tarifës të Afidnón, Mavromantílas dhe Tragánas.  

---Një pazar me rastin e festës së Pashkëve me krijime të punuara me dorë organizojnë punonjëset e ERT-it deri më 6 prill, nga ora 10:00 - 22:00, në ertopen, Mesogeíon 463, në katin e parë, përballë ndërtesës së madhe të Radio-Televizionit Publik Grek në Agia Paraskevi. 

Shqipëria
---Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se ëndrrat e fëmijëve janë e ardhmja më e sigurtë e një vendi dhe ne duhet të bashkojmë energjitë tona për këtë.

Këtë deklaratë, Kryeparlamentari e bëri në çeljen e Festivalit Ndërkombëtar të Gjuhës dhe Kulturës, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

“Fëmijët janë gjithnjë e më shumë viktima të politikës së gabuar, të politikës së dhunës, që synon konfliktin dhe jo zgjidhjet për të ardhmen. Fëmijët në Irak, në Siri dhe në Ukrainën lindore vuajnë dhe janë viktimat më të pambrojtura të këtyre konflikteve”, tha Meta.

Meta falënderoi organizatorët për këtë gëzim të jashtëzakonshëm që i dhanë Tiranës dhe Shqipërisë duke sjellë ngjyrat më të bukura të botës që janë ato të fëmijëve. Sipas Kryetarit të Kuvendit, bota të duket shumë e vogël kur shikon kaq shumë fëmijë bashkë dhe kur kupton se ëndrra e të gjithë fëmijëve në botë është për një të ardhme, e cila i bën ata të ndihen të sigurt, të gëzuar dhe plot besim se mund t’i realizojnë aspiratat e tyre.

---Katër piktorë kanë hapur mbrëmjen e kaluar në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të Durrësit një ekspozitë figurative me titull “Deti bashkon artin”. Albana Nexhipi, Ergys Faja dhe Edlir Kasoruho kanë mbështetur kolegen e tyre Ana Nina në përpjekjen e saj për të hapur një shkollë velash.

100 tablotë e ekspozitës sjellin individualitetet e piktorëve pjesmarrës, të cilët dallohen jo vetëm për temat e trajtuara, por edhe për cilësitë profesionale. 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur një muaj dhe ne synojmë që të bisedojmë me vizitorët për rikthimin e traditës së velës në një vend me një bregdet shumë të pasur si Shqipëria-nënvizon piktorja Ana Nina, e cila ka lindur në Durrës dhe më pas i është kushtuar lundrimit me velier. /a.ke/

---Kanë përfunduar edhe  5 ndeshjet e futbollit, të luajtura për javën e 29-të të Kategorisë Superiore, gjatë së cilave nuk kanë munguar edhe rezultatet surprizë.

Elbasani i vendit të fundit, është shkatërruar nga Kukësi i vendit të parë, i cili e ka dominuar ndeshjen, duke e mposhtur thellë në shtëpinë e saj, skuadrën e Shqipërisë së mesme me shifrat 0 me 4.
Në takimin Vllaznia – Teuta, shkodranët e kanë marrë 3 pikëshin me anën e golit të vetëm të takimit, gol ky i cili u realizua nga Shtubina në minutën e vetme shtesë të akorduar në pjesën e parë.

Vllaznia e Shkodrës aktualisht ndodhet në vendin e 4-rt nga fundi, me 33 pikë, dhe jashtë zonës së rrezikut (zbritjes nga kategoria),  ndërsa Teuta e Durrësit rrezikon disi, pasi renditet e treta nga fundi me 23 pikë, dhe ndiqet nga Elbasani thuajse i pa shpresë dhe thuajse i rënë nga kategoria (i renditur në vendin e fundit me 13 pikë), dhe Apolonia e Fierit, skuadra e parafundit me 16 pikë.

Surpriza e javës së 29-të të ndeshjeve të futbollit të zhvilluara në Kategorinë Superiore ndodhi në ndeshjen Laçi Skënderbeu, ku gjatë kësaj ndeshje laçianët edhe pse me 2 kartona të kuq të marrë nga Sheta në minutën e 11-të dhe Çela në të 78-tën, arritën ta fitonin takimin me Ujqërit e Dëborës (edhe këta me 1 karton të kuq Nimag në minutën e 94-tërt)  me anën e golit të realizuar nga Sefgjinaj pikërisht në minutën  e 94-tërt. 3 pikëshi i fituar nga laçianët, i ka çuar ata në vendin e 5-të me 53 pikë, ndërkohë që korçarët pretendentë renditen tashmë në vendin e dytë me 60 pikë.


Bota
---Papa Francesku ka dënuar "heshtjen bashkëpunuese" në vrasjen e të Krishterëve gjatë shërbimit të të Premtes së Mirë në Romë.

Mijëra pelegrinë i janë bashkuar atij në ceremonië e Rrugës së Kruqit, ku mishërohet kryqëzimi i Jezusit. Mes mbartësve të kryqit kishte edhe refugjatë sirianë dhe irakenë, si dhe Nigerian që i kanë shpëtuar persekutimit të Boko Haram. 

Shërbimi vjen një ditë pasi gati 150 vetë u vranë nga Al Shabab në një sulm në universitetin e Kenias.

---Irani këmbënguli të shtunën në heqjen e menjëhershme të sanksioneve dhe jo pas zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar me Fuqitë e Mëdha dhe pas verifikimeve të IAEA-së mbi respektimin nga ana e Iranit të kësaj marrëveshjeje, deklaroi sot zëvendësministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araqchi, i cituar nga agjencia iraniane e lajmeve, FARS.

“Deklarata e Lozanës konfirmon qartësisht se sanksionet do të anulohen. Të gjitha sanksionet ekonomike dhe financiare do të hiqen gjatë fazës së parë”, deklaroi Araqchi./ a.jor.

---Të paktën 185 persona, pjesa më e madhe civilë, u vranë dhe më shumë se 1.000 të tjerë u plagosën në nëntë ditë luftime në Aden, në jug të Jemenit, theksoi sot një zyrtar duke kërkuar një ndihmë urgjente në spitale.

Luftimet kanë përballur rebelët shiitë Houthis me mbështetësit, Abd Rabbo Mansour Hadi. Në të njëjtën kohë avionët e një koalicioni arab të ndërmarrë nga Arabia Saudite kanë nisur bombardimet që prej 26 marsit kundër rebelëve në përpjekje për të ndalur progresin e tyre.

”Që prej 26 marsit në mesnatë ne kemi regjistruar 185 të vdekur dhe 1 282 të plagosur të transportuar në spitalet në Aden”, deklaroi drejtori i departamentit shëndetësor, Al-Khader Lassouar. “Rreth 75 për qind e viktimave janë civilë”, shtoi ai.

Ai nënvizoi se bilanci ishte i pjesshëm pasi nuk përfshinte viktimat në radhët e rebelëve, lidhur me Iranin shiit. Lassuar u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe monarkive arabe të Gjirit Persik, që marrin pjesë në koalicion, të japin asistencë mjekësore urgjente në spitalet e Adenit, bastion i presidentit që është larguar në Arabinë Saudite pas hyrjes së Houthis në këtë qytet të zhytur në kaos./ec/

---Dy ditë pas sulmit kundër Universitetit kenian të Garissas, ku militantët e Al-shebabit vranë 148 studentë, vazhdon hetimi për arrestimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm të vrasësve.

---Besimtarët e krishterë katolikë festojnë këtë të dielë ditën e Ringjalljes së Krishtit, festën e Pashkës. Pak para mesnate nis dhe vigjilja e Pashkës, që në quhet dhe Shërbesa e mesnatës.

Ky proçesion i besimtarëve katolikë gjatë mesnatës të kujton proçesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është proçesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.

Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku me orët e para të ditës së parë së javës me qëllim që t'i japë njerëzve përvojën e "krijimit të ri" të botës dhe t'i lejojë ata të hyjnë mistikërisht në Jeruzalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të dielën 5 vransira të shumta. Shira, kryesisht në rajonet perëndimore dhe veriore, gradualisht në rajonet veriperëndimore do të ketë stuhi sporadike. 

Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 3 deri në 5 ballë dhe në det lokalisht deri në 6 ballë.
Temperatura në Athinë do të variojë nga 9 deri në 17 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura do të variojë nga 8 deri në 14 gradë Celsius. 

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54