Lajmet në gjuhën shqipe 30/03/2015

---Një debat rreth negociatave që zhvillohen tani kërkoi kryeministri Aleksis Cipras nga Kryetarja e Parlamentit dhe i cili do të mbahet të hënën në orën 20:00.



Sipas burimeve qeveritare, Aleksis Cipras pritet të ftojë liderët e partive opozitare të vendosen në qoftë se ata pajtohen apo jo me nismat legjislative të qeverisë, me ecurinë e negociatave  me partnerët, por gjithashtu do të bëj edhe një bilanc të plotë të punës së qeverisë deri tani.



---Në një klimë të mirë të bashkëpunimit vazhduan dhe të dielën bisedimet në Brussels Group, sipas burimeve qeveritare.

Dita e parë përfundoi me një diskutim mbi propozimet e qeverisë greke dhe secila palë ka dhënë sqarimet e nevojshme.

Sipas këtyre burimeve, në Brussels Group kishte një marrëveshje në parim, se duhet të hartohen politikat e duhura, që do të transferojnë barrën nga të ardhurat më të ulëta në të ardhurat më të larta.

Dmth, të mos paguajnë vetëm «të dyshuarit e zakonshëm» siç ndodhte në të kaluarën, por dhe të pasurit. Të njëjtat burime vënë në dukje se programi i qeverisë është i përpunuar, i llogaritur dhe parashikon të ardhura mbi 3 miliard euro për vitin 2015, pa patur masa shtrënguese.




Gjithashtu, vihet re se veprimet që propozohen mund të sjellin një suficit primar prej 1,5% e PBB-së dhe do të lejojnë një rritje ekonomike që vlerësohet në 1,4%.



---Objektivat e buxhetit për vitin 2015 do të rishikohen në bazë të rezultateve të negociatave, vë në dukje ministri i Financave, Ganis Varoufakis, duke u përgjigjur në një pyetje me shkrim të deputetit të partisë Demokracia e Re, Leftéri Avgenáki.



Ministri i Financave sqaroi se ekzistenca ose jo e hendekut financiar për vitin 2015 varet nga synimi i nivelit të suficitit primar për vitin aktual, sipas metodologjisë të programit të politikës ekonomike, e cila është duke u negociuar me partnerët.



---Ministri grek i Financave, Ganis Varufaqis theksoi të hënën se akuzat e ndërsjellta të shkëmbyera mes Gjermanisë dhe Greqisë janë në interes të armiqve të Evropës, duke kërkuar në një artikull të publikuar nga e përditshmja ”Handelsblatt”, një përmirësim të marrëdhënieve dy palëshe.

“Vetëm armiqtë e Evropës përfitojnë nga ky shkëmbim akuzash të ndërsjellta mes Berlinit dhe Athinës, që janë shtuar me ardhjen në pushtet të qeverisë greke të së majtës radikale, shkruan ministri, duke përmendur një armiqësi të hapur mes grekëve dhe gjermanëve.

“Kjo duhet të ndërpritet. Dhe vetëm atëherë, Greqia, me mbështetjen e partnerëve të saj evropianë, që kanë gjithashtu interes për rimëkëmbëjen e saj ekonomike, mund të përqendrohet në zbatimin e reformave efikase dhe një strategjie politike për gjenerimin e rritjes ekonomike”, shtoi ministri, zërat për dorëheqjen e të cilit u përgënjeshtruan të premten nga qeveria.




---Deri më 14 korrik është shtyrë paraqitja e ofertave për eksplorimin e hidrokarbureve në detin Jon dhe në jug të Kretës, pas një vendimi të ministrit të Riorganizimit Prodhues, Mjedisit dhe Energjisë, Panajoti Lafazani.



Zgjatja për dy-muaj, sipas ministrisë ishte e nevojshme në mënyrë që të forcohen përpjekjet dhe iniciativat informuese, me qëllim që të bëhet më intensiv dhe më i gjerë interesimi i vendeve dhe kompanive për shfrytëzimin e energjisë së zonave të veçanta detare.



---Rritje rreth 35% e vetëvrasjeve në Greqi pas vitit 2010 regjistron një grup shkencor, që vjen për shkak të kursimit ekonomik dhe rritjes së normave të papunësisë.



Madje, ndikimi i politikës së memorandumeve duket se ka ndikuar më shumë meshkujt, që humbën punën e tyre dhe një rritje e vetëvrasjeve u regjistrua dhe në mesin e pensionistëve të moshuar.



Siç raportohet në një artikull të revistës shkencore BMJ Open, ekipi shkencor i Departamentit të Mjekësisë, në Universitetin e Thesalisë, ka analizuar të dhënat e vetëvrasjeve për periudhën 2003 - 2012 dhe ka zbuluar një «kapërcim» të rëndësishëm në vdekshmërinë nga vetëvrasjet pas vitit 2010, një vit "moment historik" për zbatimin e Memorandumit dhe politikave shtrënguese në vend.



---Katër projekt-ligje vijnë në Parlament brenda kësaj jave, sipas burimeve të qeverisë.



Duke përfunduar përpunimin e tyre, qeveria do të paraqesë projekt-ligjet që përfshijnë rikrijimin e  ERT-it, heqjen e burgjeve të tipit G, riorganizimin e sektorit publik dhe rehabilitimin e padrejtësive në lidhje me nëpunësit civilë dhe në fund pezullimin e ankandeve të banesës së parë.



---Rajoni i Serres vazhdon me fortifikimin e vendbanimeve nga ujërat e lumit Strymóna.



Situata në këtë rajon është dramatike, pasi nuk mund të kontrollohen ujrat e rrëmbyeshëm të lumit dhe si rezultat të përmbyten fusha dhe kultivime.



"Kujdesi kryesor tani është që të mbrojmë vendbanimet, objektet e prodhimit dhe fermat", tha zëvendës prokurori i Serres, Giánnis Moysiádis që vlerësoi se në orët e ardhshme pritet të përmbyten më shumë se 70.000 hektarë tokë e punueshme në prefekturën e Serres. Sa i përket Kerkinit, niveli i ujit të liqenit është në kulmin e tij.

---Nga sot (30 mars) e deri të mërkurën e Madhe (8 prill) do të jetë jashtë qarkullimit rruga kombëtare Athinë-Patra, në rajonin e gjerë të Korinthit, nga pika që shkon për në Epídavro e deri në kryqëzimin që shkon për në Tripoli.



Shqipëria
---Kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë thirrje për thellimin e bashkëpunimit rajonal, për të kapërcyer sfidat me të cilat ai përballet. 

Zoti Rama ishte ftuar në auditorin e “Aurum” në Pescara, për të folur lidhur me makrorajonin Adriatiko-Jonian dhe Bashkimin Europian. 
“Një nga sfidat më të mëdha të politikës evropiane, dhe në të njëjtën kohë një nga sfidat më të rëndësishme të secilit prej vendeve tona është të bindim qytetarët që “më shumë Europë” dhe “jo më pak Europë” është mënyra kryesore për të dalë nga kjo situatë e vështirë në të cilën ndodhemi aktualisht” tha zoti Rama. 

Sipas tij "Të kërkojmë zgjidhjen jashtë Europës është si të kërkojmë zgjidhjen jashtë historisë. Unë e përsëris se strategjitë makrorajonale duhet të shkojnë në bazën e atyre kombëtare. Sfida jonë e përbashkët duhet të jetë ajo e vendosjes së një bashkëpunimi. Një bashkëpunimi në baze projektesh të bazuara në vizionin e përbashkët europian, duke bërë qytetarët dhe komunitetin protagonistë të këtij procesi” theksoi kryeministri shqiptar.

---Importet në rritje për shumë grupe mallrash, sikurse janë produktet ushqimore, si dhe eksportet që kanë pësuar lëkundje në grupe të ndryshme kanë ndikuar në rritjen e defiçitit tregtar, i cili prej vitit 2000 njeh vetëm rritje.

Në muajin shkurt defiçiti tregtar arriti në vlerën 21 miliardë lekë, duke u rritur me 10,9 % krahasuar me shkurtin 2014 dhe 20,0 % në krahasim me janarin 2015.

Sipas INSTAT, në muajin shkurt importet e mallrave arritën vlerën 39 miliardë lekë, duke u ulur me 1,1 % në krahasim me shkurtin 2014 dhe duke u rritur 10,0 % në krahasim me janarin 2015, ku ndikimin kryesor e dhanë ato për energjinë, mineralet, metalet, etj. Kështu, rënie vjetore sipas peshës që zë çdo grup në importet, pësuan importet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 37,3 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 8,9 %.

Rritje më të madhe vjetore, sipas peshës që zë çdo grup në importet gjithsej, kanë pasur importet e grupeve: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 15,8%,“Ushqime, pije, duhan” 15,4 % dhe “Produkte kimike dhe plastike” 10,6 %./n.m//m.m/


---Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike prezantuan sot projektin “I learn/Unë mësoj”, i cili ka si objektiv pajisjen me tableta dhe ofrimin e një platforme dixhitale për fëmijët që nuk dëgjojnë.

Procesi i mësimdhënies për këtë grup fëmijësh që nuk dëgjojnë do të lehtësohet nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje pilot, duke mundësuar lehtësimin e procesit të mësimdhënies përmes një programi të personalizuar posaçërisht për ta në 450 tabletat të cilat do t`u vihen në dispozicion.
“Një program kompjuterik i specializuar do të zhvillohet për të siguruar komunikimin nëpërmjet gjuhës së shenjave, program qe do të ndikojë pozitivisht në shmangien e disa vështirësive siç është vështirësia e të shpjeguarit nga ana e mësuesve si dhe komunikimi interaktiv mes tyre dhe nxënësve të tjerë pa probleme dëgjimi”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.


Ministrja shtoi se platforma e-learning do të integrojë alfabetin multimedial daktilografik dhe fjalorin e gjuhës së shenjave, të plotësuar edhe me përkthimin përkatës në gjuhën e folur.

Projekti “I Learn/Unë mësoj”, financohet nga Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA, në bashkëpunim edhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Shoqatën Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk Dëgjojnë dhe organizatën italiane CESTAS. /a.ke/

---Trajneri i kombëtares shqiptare, italiani me shtetësi shqiptare Xhani De Biasi, është shprehur mjaftë i emocionuar nga fitorja 2-1 e Shqipërisë ndaj Armenisë. 

"Në radhë të parë ndeshjen e shijova si shqiptar dhe më pas si trajner. Ky rezultat është më i miri i mundshëm dhe ia dedikoj të gjithë shqiptarëve" tha ai. 
Sipas De Biasit  "kjo është mënyra më e mirë për ti dhënë përgjigje të gjithë atyre që na hoqën 3 pikët pas Serbisë". Pas takimeve të fundit në Grupin I, Portugalia udhëheq me 9 pikë, ndërsa Danimarka dhe Shqipëria kanë nga 7 pikë.

Bota
---Një avion i kompanisë ajrore ”Turkish Airlines” bëri sot një ulje emergjente në Kazablanka, Marok, pas një alarmi për bombë gjatë fluturimit të tij nga Stambolli drejt Sao Paolos, njoftoi media turke.


”Avioni u ul pa probleme dhe udhëtarët u larguan në mënyrë që xhenierët të kryenin punën e tyre”, tha kanali informativ turk, NTV.

”Në avion u gjet një shënim ku shkruhej ‘bombë”, shtoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolli./ /e.g/ a.jor.

---Dy vjet nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2017, opozita e djathtë mori dje një fitore të gjerë përballë socialistëve në pushtet, në përfundim të zgjedhjeve rajonale shënuar nga një rritje tjetër e ekstremit të djathtë.

Partia e djathtë UMP e ish-presidentit Nicolas Sarkozy dhe aleatët e qendrës (UDI) siguruan kontrollin e 66 departamenteve nga 101, sipas rezultateve të zgjedhjeve. E majta mori 33 departamente dhe një departament, Vocluse në jug mbetet i pasigurt.

Njëzet e pesë departamente kanë kaluar nga e majta në të djathtë dhe vetëm një Lozere ka kaluar në krahun e kundërt.

Fronti Kombëtare (FN, ekstremi i djathtë) ka marrë shumë vota, një sukses i admirueshëm në sytë e presidentes, Marine Le Pen që është gëzuar për nivelin zgjedhor të jashtëzakonshëm të partisë së saj, ”suport fitoreje për të nesërmen”. ”Por partia e saj nuk ka arritur të marrë drejtimin e të paktën një departamenti”, theksoi numri dy i FN-së Florian Philippot.

Këto zgjedhje konsiderohen si një test i rëndësishëm para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017. Parisi dhe Lioni, dy qytetet më të mëdha të Francës, u përjashtuan nga votimi i së dielës./ec/

---Luftimet në Tikrit kanë vijuar pa rreshtur dhe mëngjesin e të hënës, ku forcat e sigurisë së Irakut luftojnë ndaj militantëve të shtetit islamik, ndërkohë që dhe forcat e SHBA dhe aleatëve vijojnë me sulmet ajrore. 

Zyrtarët kanë tërhequr vërejtjen se beteja për rimarrjen e këtij qyteti me popullatë shumicë sunite myslimane, nuk do të jetë e lehtë. Duket se operacionet janë ngadalësuar pas disa javëve të humbjeve të rënda dhe tensionet brenda qeverisë së Irakut dhe zyrtarëvetë Shteteve të Bashkuara, lidhur me rolin e Iranit në mbështetjen e milicive shiite që luftojnë së bshku me forcat qeveritare irakiane, por që kohëve të fundit janë tërhequr.

Militantët ekstremistë të Shtetit Islamik (IS) të udhëhequr nga myslimanët suitë, e kanë marrë Tikritin në qershor të vitit 2014 gjatë një avancimi të shpejtë në pjesën veriore dhe perëndimore të Irakut.

---Kryeministri britanik, David Cameron mbërriti të hënën në mesditë në pallatin mbretëror Buckingham Palace për një takim me mbretëreshën Elizabeth II, që zyrtarizoi hapjen e fushatës për zgjedhjet legjislative më 7 maj.

Mbërritja e Cameron, i cili kandidon për një mandat të dytë, por me një rezultat të ngushtë me opozitën laburiste të drejtuar nga Ed Miliband, u transmetua drejtpërsëdrejti nga stacionet televizive informative.

Si zakonisht kryeministri duhet t’i dorëzojë mbretëreshës një datë për dorëheqjen nga qeveria, para shpërndarjes së Parlamentit dhe kërkesës për zhvillimin e zgjedhjeve. Kryeministri britanik, David Cameron premtoi vazhdimin e rritjes ekonomike nëse partia e tij konservatore fitonte në zgjedhjet legjislative të 7 majit, pak pas takimit me mbretëreshën Elizabeth II që zyrtarizoi hapjen e fushatës zgjedhore.

“Bota është e rrezikshme dhe e pasigurtë. Ne kemi nevojë për një lidership solid për të ruajtur sigurinë tonë kombëtare si dhe sigurinë tonë ekonomike”, shtoi ai./ec/

---Një gjykatë e Jerusalemit shpalli sot ish-kryeministrin izraelit, Ehud Olmert fajtor për një çështje korrupsioni, ku ai akuzohet për marrjen e zarfeve me para nga biznesmeni amerikan, Morris Talansky, njoftoi media izraelite.

---Një delegacion i Kongresit amerikan zhvillon një vizitë deri më 31 mars në Ukrainë, ndërkohë që Kievi i kërkon SHBA-së armë për të luftuar kundër separatistëve prorusë në lindje, ku konflikti ka shkaktuar më shumë se 6 000 të vdekur në 11 muaj.




Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën 31 mars, në përgjithësi mot të mirë në pjesën më të madhe të vendit, vransira të përkohshme në Kretë dhe në Egjeun Lindor.




Era në Egje dhe në Jon do të fryjë mesatare në drejtimin veriperëndimor.



Mot me diell, por dhe re të pakta kryesisht në mëngjes presim në Athinë të martën, ku temperatura do të arrijë në 20 gradë Celsius. Të njëjtat kushte të motit do të ketë edhe Selaniku, ku temperatura do të arrijë në 16 gradë Celsius.


Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54