Lajmet në gjuhën shqipe 31/03/2015

---Qeveria e Aleksis Cipras ka zhvilluar të hënën në mbrëmje një debat në Parlament, për të bërë bilancin e marrëveshjes së parë të nënshruar mes Athinës dhe kreditorëve më 20 shkurt. 

Zbatimi i marrëveshjes, që parashikon zgjatjen me katër muaj të dhënies së kredive ndërkombëtare, i kërkon qeverisë të paraqesë një listë të re reformash. Kryeministri grek, Aleksis Cipras në fjalën e tij tha se kërkonte një kompromis të ndershëm me kreditorët e vendit, pa qenë i gatshëm për të gjitha koncesionet dhe duke e gjykuar gjithmonë të nevojshëm një rinegocim të borxhit grek.

“Ne kërkojmë një kompromis të ndershëm me partnerët tanë. Por, mos prisni që ne të nënshkruajmë një dorëzim pa kushte. Për këtë ne jemi sulmuar pa mëshirë, por kjo është arsyeja për të cilën shoqëria na mbështet”, theksoi shefi i të majtës radikale para Parlamentit.

”Partitë e opozitës duhet të përgjigjen nëse do të mbështesin politikën negociuese të qeverisë, me qëllim që t’i jepet fund shtrëngesës që vitet e fundit e shkatërroi ekonominë dhe shoqërinë apo do të jenë zëdhënës të frymëzuesve të memorandumit”, theksoi ai.

“Qeveria e re greke po negocion, po lufton, po përgjaket që të ndalojë përgjakja e shumicës së popullit grek”, tha Cipras dhe shtoi se lista e reformave që qeveria u paraqiti partnerëve do të ndryshojë vendin.

Ai iu referua edhe “situatës pa precedent të asfiksisë monetare që po përjeton vendi”, i vetmi vend që nuk i rikapitalizon borxhet e veta, por i paguan nga buxheti i vet, “megjithëse disa u kujdesën që të krijohet kjo situatë asfiksuese, duke e ditur se vendit po i ofrohej ndryshimi”.

Cipras sulmoi programin e reformave të qeverisë së mëparshme, duke theksuar se emërtonte “reforma” pushimet nga puna në sektorin publik, shfuqizimin e kontratave kolektive të punës dhe mbylljen e spitaleve dhe shkollave, në të njëjtën kohë që refuzonte të rregullonte fushën e mediave radiotelevizive, megjithëse këtë ia impononte memorandumi.

---Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk theksoi të martën se situata ekonomike e Greqisë mbetet nën kontroll, duke shprehur gjithashtu se një marrëveshje me kreditorët nuk do të arrihet para Pashkëve, duke mbetur e mundshme para fundit të muajit prill.

“Procesi i vlerësimit të planit grek është shumë kompleks dhe nuk parashikoj zhvillime para Pashkëve”, deklaroi Donald Tusk në një konferencë shtypi me kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy

Athina arriti më 20 shkurt një marrëveshje me kreditorët, që parashikon zgjatjen me katër muaj të dhënies së kredive ndërkombëtare, por që varet ende nga një plan grek reformash që po diskutohet në Bruksel.

“Mund të themi sot se situata e Greqisë është nën kontroll”, deklaroi Tusk në kuadër të një turneu në Maltë, Spanjë dhe në Tunizi.

Mariano Rajoy theksoi nga ana e tij se shpresonte që këto negociata të përfundojnë me sukses dhe që Greqia të mbetet në zonën euro. ”Greqia duhet të kuptojë se për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që rregullat e lojës duhen respektuar”, shtoi Rajoy.

---Gjithashtu kanë përfunduar të hënën në mbrëmje negociatat në Brussels Group. 

Të dy palët ranë dakord për intensifikimin e procesit të konsultimit që zhvillohet në Athinë, ndërsa të mërkurën do të mbahet një telekonferencë e Euroworking Group.

---Përfundoi të martën vizita zyrtare në Qipro e Presidentit të Republikës, Prokopi Pavlopoulos.

---Është paraqitur në Parlament propozimi i SYRIZA-s për krijimin e një Komiteti Shqyrtues për Memorandumin. 

Sipas njoftimeve, diskutimi do të mbahet në një seancë të posaçme plenare të hënën e Shenjtë dhe do të zhvillohet në katër periudhat, duke filluar nga muaji tetor i vitit 2009, duke kërkuar përgjegjësi politike të ish-kryeministrit Giórgo Papandréou, Louká Papadímou dhe Antóni Samará, por dhe të ish-ministrave të Financave, Giórgo Papakonstantínou dhe Evángelo Venizélo.

---Një rezolutë për transferimin e gjykimit të anëtarëve të Agimit të Artë, jashtë burgut Koridallos, i ka dorëzuar të martën kryetari i bashkisë së qytetit, Stavros Kasimatis zëvendësministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, Giánni Panoúsi dhe Arsimit, Táso Kouráki.

---Më 30 prill do të vazhdojë në Gjykatën e Pireut gjyqi i torturuesve të Waleed Taleb, në të cilin të martën ka deponuar dhe ai vetë. 

Përshtypje jo të mirë ka shkaktuar për audiencën sjellja e avokatit të të akuzuarve në drejtim të punëtorit egjiptian, një sjellje që madje ka provokuar ndërhyrjen e kryetarit të Gjykatës.

---Ka nisur sot në Gjykatën Tre-anëtare të Apelit të Krimeve të Rënda të Athinës, gjyqi për çështjen kundër organizatës kriminale e përfshirë në trafikimin e grave, duke pasur si vitrinë dyqanet «Attikoí Foúrnoi» dhe «Choriátiko» me deponimet e 23 të pandehurve. 

---Në mëshirën e përmbytjeve është rajoni i Serres dhe autoritetet vazhdojnë të jenë në gatishmëri. 

Në rajonin më të gjerë të bashkisë Visaltia vazhdohet ndërtimi i digave mbrojtëse të përkohshme. Në Kerkini, situata mbetet e qëndrueshme dhe niveli i ujit në liqen mbetet në "pikën e kuqe", por pa një rritje të konsiderueshme.

---Nesër në mesditë në amfiteatrin e radios 9,84 në Gazi do të paraqitet pjesa e dytë e hetimit të SOMA-s për evazionin e gjerë fiskal të kompanisë Eldorado Gold nëpërmjet kompanive - filjale në Holandë. Siç denoncoi në edicionin e lajmeve të ERT-open, Tólis Papageorgíou, të enjten do të vendoset në uzinë një kontraktues specialist nga Athina, që do të merret me punën e uzinës, pavarësisht nga fakti se nuk ka më asnjë licencë që të mbulojë punimet që do të kryej, ndërsa më 5 prill do të zhvillohet edhe një tjetër demonstratë në Kákavo.

---Një tubim i pensionistëve do të organizohet të mërkurën në orën 10:00 në sheshin e Rezistencës Kombëtare. 

---Një pazar me rastin e festës së Pashkëve me krijime të punuara me dorë organizojnë punonjëset e ERT-it nga data 3 deri më 6 prill, nga ora 10:00 - 22:00, në ertopen, Mesogeíon 463, përballë ndërtesës së madhe të Radio-Televizionit Publik Grek në Agia Paraskevi. 

---Fillon të mërkurën, orari festiv i dyqaneve në Athinë, të cilat do të kthehen në orarin e tyre normal të martën, 14 prill.

Shqipëria
---Komisioni Europian do të mbështesë me asistencë financiare zbatimin e reformave politike, ligjore dhe ekonomike në vendin tonë për të arritur standardet e Bashkimit Europian.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi marrëveshjen kuadër mes qeverisë dhe Komisionit Evropian, për rregullat e zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të instrumentit për asistencën e para-anëtarësimit (IPA II). Zbatimi i programit të asistencës financiare të Komisionit Evropian në vendin tonë do të bëhet në bazë të rregullores zbatuese të saj.

Zëvendësministrja e Integrimit, Erisa Xhixho tha se instrumenti i ri për asistencën e para-anëtarësimit apo “Rregulloren IPA II” do të përbëjë bazën ligjore për dhënien e asistencës financiare për vendin tonë, për ta mbështetur atë në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike si dhe për të përafruar, gradualisht, rregullat, standardet dhe politikat e BE-së, me synimin për t’u bërë vend anëtar.

---Përfundon sot afati i dorëzimit elektronik të pasqyrave financiare për vitin fiskal 2014.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bazuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, data 31 mars 2015 është afati përfundimtar për të dorëzuar në formë elektronike Formularin e Deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi Fitimin e vitit ushtrimor 2014, bashkë me bilancin kontabël dhe anekset e tij.

DPT bën të ditur se pasqyrat financiare të dorëzuara në version pdf (të skanuara) detyrimisht do të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga administratori i shoqërisë. Ndërsa gjendja e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2014 (analitik) do deklarohet në versionin e mundshëm të tatimpaguesit por me kushtin që versioni i deklaruar të jetë i pandryshueshëm./a.gjonaj/ /a.g/

---Duke filluar nga data 1 prill 2015 hyn në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme.

Lista e re e barnave të rimbursueshme e vitit 2015 është pasuruar me 29 barna të reja, 12 prej të cilave janë principe të reja aktive. Këto barna përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si: onkologjik, gastro-hepatologji, pneumologji, reumatologji, infektiv, në terapinë kardiake, Parkinson, etj.

Falë ligjit të ri të FSDKSH, tanimë kemi hapësirat ligjore për të rimbursuar edhe materiale mjekësore, për të cilat ka patur kërkesa të vazhdueshme në Fond nga popullata në nevojë. Këtë vit, do të mund të rimbursohen edhe materialet mjekësore, siç janë strishat për diabetikët, aq të nevojshme për të mbajtur nën kontroll sëmundshmërinë.

Rimbursimi i materialeve mjekësore u bë i mundur falë vendimit për uljen e çmimeve të barnave.

---Turizmi shqiptar dhe vlerat e pazbuluara të tij, kanë zënë tashmë një vend të veçantë në faqet e shtypit botërorë.

Shpesh herë është quajtur si një zbulim në mes të Europës, dikush e cilëson si destinacion të domosdoshëm për t’u vizituar, ndërsa së fundmi në artikullin e  gazetares suedeze Kicki Lind e cila udhëtoi gushtin e kaluar në Shqipëri, cilësohet “Dritë e re mbi Shqipërinë”.

Artikulli është  shumë pozitiv dhe tregon mbi përpjekjet që po bën qeveria mbi prezantimin e turizmit shqiptarë në botë. Një vend të veçantë në artikull, zë edhe idea e hedhur nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit dhe drejtori i saj Auron Tare, për hapjen e ishullit të Sazanit për vizitorët vendas e të huaj si një Park Kombëtar./a.g/

---Edicioni i 21-të i Ekspozites Ndërkombëtare e Arteve Pamore “Onufrii do të zhvillohet në periudhën nëntor – dhjetor 2015, me me ndryshime rrënjësore në mënyrën e organizimit, bëri të ditur sot Galeria Kombëtare e Arteve në një njoftim për shtyp.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve  pas  analizës disa mujore të stafit të ministrisë, specialistëve të GKA si dhe specialistë të pavarur të artit bashkëkohor, kanë marrë vendimin për ta rikthyer projektin e artit pamor.

Bota
---Gjykata e Stambollit ka shfajësuar sot në mënyrë spektakolare mbi 200 ushtarakë që u akuzuan se kishin bërë komplot në vitin 2003 për të përmbysur qeverinë islamiko-konservatore turke, raportuan mediat vendase.

”Verdikti i gjykatësve që pasoi aktakuzën pas një ndërprerjeje prej disa orësh, u prit me gëzim nga të afërmit e të pandehurve të grumbulluar para gjykatës”, sipas agjencisë së lajmeve Dogan.

Procesi i parë gjyqësor, i cili përfshinte 236 persona të çështjes “Balyoz” (“Vareja”) përfundoi në shtator të vitit 2012, ku u dënuan me burgim afatgjatë disa nga anëtarët me grada më të larta të ushtrisë turke. Por, dënimet u anuluan për shkak të mungesës së provave dhe të hapjes së procesit të ri gjyqësor nëntorin e kaluar.

Gjatë zhvillimit të procesit, officerët e tij nuk rreshtën së mohuari pjesëmarrjen në komplotin e hamendësuar të vitit 2003 kundër qeverisë së kryeministrit të asaj kohe Recep Tayyip Erdogan, sot president i Turqisë./ a.jor.

---Bashkimi Evropian premtoi të martën dyfishimin e ndihmës, në 1,1 miliardë euro në vitin 2015 kundër 550 milionë eurove në vitin 2014, me qëllim për të lehtësuar vuajtjet e popullit sirian, në një konferencë të donatorëve të Kuvajtit.

“Përmasa e krizës siriane vë në provë kapacitetet e gjithë sistemit të ndihmës ndërkombëtare”, theksoi komisioneri evropian për Ndihmën Humanitare, Christos Stylianidis, cituar në një komunikatë.

Shuma totale e njoftuar, që arrin dyfishin e asaj të premtuar në vitin 2014, përfshin kontributet e vlerësuara nga 28 shtetet anëtare të BE-së./ec/

---Xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik ekzekutuan sot të paktën 30 persona duke përfshirë dhe fëmijë, pas një sulmi kundër një fshati në provincën Hama, në qendër të Sirisë, sipas një OJQ-je.

”Shteti Islamik publikoi një sulm kundër fshatit Majube, ku banojnë sunitë, alauitë dhe ismaelitë. Ata ekzekutuan me të shtëna, djegje dhe prerje kokash të paktën 30 persona duke përfshirë gra dhe fëmijë”, konfirmoi drejtori i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), Rami Abdel Rahmane. Televizioni sirian konfirmoi sulmin në Majaube, në lindje të Hamas./ec/

---Mijëra afganë po kthehen nga Pakistani. Kjo bëhet e ditur nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, IOM, e cila ka shprehur shqetësimin e saj rreth numrit në rritje të këtyre personave.

Sipas Radio Evropa e Lirë, 55 mijë afganë janë kthyer në Afganistan nga Pakistani përmes një pike kufitare gjatë tre muajve të parë të këtij viti, shifër kjo që është mbi dy herë më e madhe se e njejta periudhë në vitin e kaluar.

Shefi i misionit të IOM-it në Afganistan i ka thënë Radios Evropa e Lirë se "kjo rritje e të rikthyerve nga fillimi i këtij viti është sfidë e madhe për qeverinë afgane dhe për vet IOM-in". 

---Më 31 mars të vitit 1899 u përurua në kryeqytetin e Frances, Paris, Kulla Eiffel, monumenti më i vizituar me pagesë në botë, me thuajse 7 milionë frekuentues, por prej vitesh dhe një simbol, një objekt kulti, një pikë referimi, sfondi i fotove të turistëve, modeli i paarritshëm për piktorin dhe arkitektin.

Kulla Eiffel, e cila mori emrin e inxhinierit Gustave Eiffel, u ndërtua fillimisht për të shërbyer si portë hyrëse për “Exposition Universelle”, panairi botëror i mbajtur në vitin 1889, organizuar në nderim të 100-vjetorit të Revolucionit Francez.

Ndërtimi i Kullës filloi në vitin 1887 dhe u nevojitën përpjekjet e më shumë se 300 punëtorëve për ta përfunduar. Për të krijuar strukturën janë përdorur më shumë se 18.000 copa hekuri të pastër.

Atë kohë, Kulla Eiffel nuk konsiderohej një copë gjeniale arkitekturore, siç cilësohet sot. Për shkak të strukturës së hapur të kullës, procesi i ndërtimit të saj ka qenë shumë i rrezikshëm. Gustave Eiffel e dinte këtë, dhe ndërmori një sërë masash sigurie, përfshirë skela dhe struktura të tjera mbrojtëse lehtësisht të zhvendosshme. Gjatë procesit të punës, është regjistruar vetëm një punëtor që ka humbur jetën.

Kritikët e artit e urrenin këtë kullë. Atyre u vriste sytë dhe e kritikuan ashpër, madje edhe duke publikuar letra të shumta në gazetat lokale që ankoheshin për pamjen e shëmtuar dhe ndikimin që kishte në horizontin e qytetit. Ata prisnin me padurim të përfundonte garancia 20-vjeçare e kullës. Sipas garancisë, në vitin 1909, pronësia e kullës do t’i rikthehej bashkisë së qytetit. Bashkia kishte planifikuar ta çmontonte kullën, por me mbërritjen e afatit të skadencës, u vendos që të mbahej, për arsye se shërbente si mjet komunikimi. U përdor si e tillë edhe gjatë Betejës së parë të Marne.

Ajo i është nënshtruar 17 herë rikonstruksionit të saj. Dhe shumë herë ngjyra i është ndryshuar: nga e kuqe veneciane origjinale, është shndërruar në portokalli, në të verdhë-ari dhe të kuqe të errët. Prej shumë vitesh i është dhënë një ngjyrë bronzi të errët, duke u përshtatur më së miri me ngjyrat e gurëve apo të tarracave të ndërtesave parisiane.

Është një ngjyrë e mbrojtur, në kuptimin që i është rezervuar Kullës dhe nuk mund të përdoret absolutisht për asgjë tjetër arkitekturore.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të mërkurën 1 prill mot me diell, re të pakta dhe shi në rajonet perëndimore, veriore dhe ishujt e Egjeut Lindor.

Temperatura në vend do të jetë në rritje dhe do të luhatet nga 3 deri në 22 gradë Celsius.

Në Attikë do të ketë diell me vransira të pakta dhe temperatura maksimale do të arrijë në 21 gradë Celsius. Në Selanik do të ketë diell, por dhe vransira, të cilat pasdite do të rriten dhe ka mundësi të bjerë shi, ndërsa temperatura maksimale do të jetë 21 gradë Celsius. 

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54