Lajmet në gjuhën shqipe 09/03/2015

---Qeveria greke përshëndetui rezultatin pozitiv të takimit të ministrave të Financave të zonës euro (Eurogroup) në Bruksel, duke njoftuar se bisedimet teknike për reformat e parashikuara do të fillojnë të mërkurën.

“Rezultati i Eurogrupit është pozitiv (…) dhe bisedimet teknike fillojnë të mërkurën në Bruksel me vullnetin për të zgjidhur sa më shpejt problemin financiar të Greqisë”, theksoi qeveria në një komunikatë.

”Ky zhvillim është një tregues pozitiv për të arritur një zbutje të qëndrimit të BQE-së përballë Greqisë”, sipas tekstit, që nënvizon se rezultati është arritur pavarësisht keqinformimeve të ditëve të fundit.

Qeveria greke njoftoi qëllimin e saj, për të zgjeruar listën prej shtatë reformash të paraqitura fillimisht për partnerët e saj me dhjetë reforma të tjera, që do të bëjnë pjesë në planin kombëtar të ristrukturimit dhe të zhvillimit që do të paraqesë Greqia deri në muajin prill për të promovuar rritjen ekonomike.

”Reformat e njoftuara deri tani nga qeveria greke përfshijnë masa sociale për të varfërit dhe një sërë masash kundër evazionit fiskal dhe mashtrimit”, sipas qeverisë.

Qeveria përshëndeti gjithashtu faktin që këto diskutime ishin zhvilluar tashmë në Bruksel me institucionet (BE dhe FMN) dhe jo në Athinë si në të kaluarën me ”trojkën”, zyrtarët e lartë të BE-së, BQE-së dhe FMN-së.

---Me shtatë reforma është paraqitur Greqia në takimin e Eurogrupit që është mbajtur në Bruksel dhe sipas burimeve qeveritare greke do të fillojë procedura e përpunimit të propozimeve të vendit, procedurë që do të jetë pikënisja për të ndryshuar jo vetëm klima e krijuar, por edhe vendimet e BQE-së. Sipas të njëjtave burime, Greqia do të shtrojë kuadrin e vendimit të BQE-së të 20 shkurtit, kuadër që bazohet në angazhimet që mori jo vetëm vendi, por edhe partnerët.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka filluar një tjetër raund kontaktesh ndërkombëtare. Të enjten do të shkojë në Paris, ku do të flasë në konferencën e OECD-së mbi reformat që do të bëhen në Greqi për riorganizimin e administratës publike dhe rehabilitimin e drejtësisë sociale dhe do të takohet me kreun e organizatës Ángel Gurría. Ditën tjetër kryeministri do të takohet në Bruksel me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.

Më herët, kryeministri ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin e BQE-së, Mario Draghi dhe presidentin francez, François Hollande.

Cipras dhe Hollande premtuan një bashkëpunim më të ngushtë në të gjitha fushat. Gjithashtu u ra dakord që të zhvillohet menjëherë në Paris një takim mes ministrave të Financave të të dy vendeve, ndërsa një takim i tillë do të zhvillohet edhe në Athinë. 

---Pranim të lartë nga qytetarët kanë masat e propozuara nga Qeveria, për trajtimin e krizës humanitare, siç reflektohet në pjesën e dytë të një studimi kombëtar të kompanisë Marc për «Gazetën e Redaktorëve». Pak e rritur është preferenca e të anketuarve për një kompromis të drejtë kundrejt një çarje me partnerët e vendit.

---Në një kohë të analizës së vetvetes ka hyrë Demokracia e Re. Edhe pse për Antonis Samaras konsiderohet e mbyllur çështja e lidershipit në Demokracinë e Re, deputetja Dora Bakojanis ka këmbëngulur në propozimin për zhvillimin e kongresit të partisë, ndërsa Nikos Dendias tha me kuptim se «llogaria duhet të shkojë me atë që i lejoi shoqërisë për të na konsideruar një formë të ekstremit të djathtë». 

Gjithashtu, ka bërë përshtypje dhe letra e dorëheqjes së Dimitris Avramopulos nga posti i zëvendës kryetarit, me kritika për udhëheqjen aktuale.

---Rikrijimin, riorganizimin dhe përmirësimin e Komisionit Parlamentar Ndërpartiak për Rivendikimin e Borxheve që Gjermania i ka Greqisë kërkon kryetarja e Parlamentit, Zoí Konstantopoúlou. Propozimi i Kryetares së Parlamentit do të diskutohet të martën në seancën plenare të tij.

Në Komision propozohet që të marrin pjesë dhe zëvendëskryetarët e Parlamentit si dhe proporcionalisht të gjitha grupet parlamentare me të paktën një deputet.

---Shërbimet konsultative të kompanisë Lazard i jepen ministrisë së Financave pa pagesë, bën të qartë në një shkresë të saj që është dërguar në Kuvend nga Ministria e Financave në përgjigje të një pyetje të deputetit të PASOK-ut, Ioánni Drivelénga, i cili kërkonte të informohej për kriteret dhe procedurat e zgjedhjes së kompanisë Lazard..

---Dorëheqjen e tij ka dorëzuar drejtori i Agjencisë së Punësimit, Theódoros Abatzóglou.

Në letrën e tij, zoti Abatzóglou informon ministrin përgjegjës për "çështjet kryesore të Agjencisë për punësimin OAED dhe vë në dukje se dorëhiqet, "sepse në Greqi është "normale" të ndryshohen drejtoritë e dikastereve të mëdha, kur ndryshon qeveria".

---Në një liqen janë shëndruar më shumë se 40.000 hektarë të tokës bujqësore në prefekturën e Serres, për shkak të shiut të madh. Gjithashtu në gatishmëri janë autoritetet në Evro, për shkak të rritjes së vazhdueshme të nivelit të ujit.

Shqipëria
---Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka kryer vizitën e tij të parë në Tiranë që nga marrja e drejtimit të ekzekutivit të Kosovës. 

Ai do bëjë një sërë takimesh me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Një ndër këto ka qënë takimi mes dy delegacioneve në konferencën e përbashkët për shtyp, ku kryeministri Edi Rama shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, për heqjen e barrierave që ekzistojnë në pikat e kalimit kufitar si dhe krijimin e lehtësirave për sa i përket biznesit ndërmjet dy vendeve.

Rama e falenderoi homologun kosovar për solidaritetin e treguar nga bizneset në Kosovë ndaj zonave të permbytyra në jug të Shqiperisë. Ndërsa Mustafa nga ana e tij shprehu mirënjohje për mbështetjen e qeverisë shqiptare në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ai theksoi se "kemi arritur rezultate shumë të mira në projektet e përbashkëta në arsim dhe kulturë, dhe tani duhet të punojmë në projektet ekomomike". 

Gjithashtu Mustafa e vlersoi perkrahjen e Shqipërisë për njohjen e Kosovës nga vendet e Bashkimit Europian. 

---Sistemi bankar e ka nisur me rezultate pozitive vitin 2015. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, gjatë muajit janar sektori bankar realizoi një fitim prej 3.7 miliardë lekësh, ose katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas statistikave, sistemi bankar arriti një total të aktiveve në 1,295 miliardë lekë, afro 5% më shumë kundrejt janarit 2014. Ndërsa rritja pozitive e kreditimit mbështeti vijimësinë e zgjerimit të përmasave të sistemit bankar. Ecuria pozitive e kreditimit dhe gjendja më e stabilizuar e kredive me probleme po sjell efekte pozitive edhe në treguesit e përfitueshmërisë. 

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, rritja vjetore e portofolit të kredisë në fund të janarit rezultoi rreth 5.7%. Shkalla e kredive me probleme ishte 22.8%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë kishte qënë 24.1%. Sistemi bankar vazhdon të ketë nivele të larta të kapitalizimit./m.m/

---Çmimet e konsumit pësuan një rritje të lehtë në muajin shkurt, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, por edhe krahasuar me muajin janar.

Sipas raportit të publikuar të hënën nga INSTAT, në muajin shkurt 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,3 %.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %. Rritja vjetore në muajin shkurt 2015 është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,88 pikë përqindje. Çmimet e grupit “pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje.

Ndërsa, çmimet e grupit “komunikimi” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit “transporti” dhe “shëndeti” kanë kontribuar respektivisht me -0,20 pikë përqindje dhe -0,15 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0,05 pikë përqindje.

---Dukuria e dhunës në familje nuk raportohet nga mjekët dhe infermierët.

Nëpërmjet faqes zyrtare të USAID/Albania, është bërë e ditur se qendrat shëndetësore në Shqipëri kanë dobësi në mbajtjen e të dhënave në lidhje me dhunën në familje.

“Sipas një vëzhgimi të kryer nga Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme, qendrat shëndetësore në Shqipëri kanë dobësi në mbajtjen e të dhënave lidhur me dhunën në familje, dhe dukuria nuk raportohet nga mjekët apo nga infermierët”, nënvizohet në faqen zyrtare të USAID/Albania, në rrjetin social në Facebook./m.m/

---Përfundoi në Berlin Panairi Ndërkombëtar  i Turizmit që u organizua në datat 4-8 mars, ku mori pjesë edhe Shqipëria e përfaqësuar me 18 operatorë turistikë nën logon “Guri i fundit i pazbuluar i Europës”.

Ky panair promovoi edhe njëherë vlerat dhe mundësitë që ofron Shqipëri në këtë fushë. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit, ministri Ahmetaj deklaroi se pritet rritje me dy shifra e turistëve, në vitin 2015. Gjithashtu, gjatë fjalës së mbajtur në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, Ministri Arben Ahmetaj deklaroi se interesi për vendin tonë ka qenë disa herë më i madh krahasuar me vite më parë. Ahmetaj ndër të tjera theksoi se duhet të punohet ende për imazhin, në mënyrë që të afrohen sa më shumë turistë. Ky ishte një tjetër panair Ndërkombëtarë ku vendi ynë është pjesëmarrës./m.m/

---Një rrugë në Durrës do të mbajë emrin e klerikut shqiptar Fan S. Noli. Vendimi është marr nga këshilli bashkiak i Durrësit pas propozimit të Kishës Orotodokse. 

Kjo e fundit të dielën ka mbajtur një meshë, pasi më 8 mars, në moshën 26-vjeçare Noli u shpall prift. Pastaj në mjediset e jashtme u krye ceremonia e vendosjes së pllakës prej guri me emrin e Fan Nolit.

Në cermoni morën pjesë klerikë të feve të tjera si dhe drejtues të pushtetit vendor. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako theksoi vlerat e Fan Nolit si dhe kontributin e tij të madh në historinë e vendit tonë. Dako tha se, "bashkia e ka për detyrë që të vazhdojë të promovojë figurat të cilat kanë dhënë kontribute për vendin dhe veçanërisht për Durrësin".

Bota
---Vrasja e Boris Nemtsov është motivuar nga qëndrimi i tij pro publikimit të karikatuarës së profetit Muhamed nga gazeta franceze “Sharli Hedbo”.

Për ekzekutimin e opozitarit rus mbrëmjen e 27 shkurtit akuzohen 5 persona. Sipas shtypit rus, dy prej të dyshuarve e kanë pranuar krimin, duke thënë se e kishin kryer atë për hakmarrje ndaj qëndrimeve të Nemtsov. Ata u arrestuan në fundjavë dhe janë të gjithë me origjinë nga Çeçenia.

Njëri prej të akuzuarve ka qënë oficer policie. Një ditë më parë një gjykatë në Moskë dha për ta masën “arrest me burg”.

---Ushtria nigeriane dhe ajo çadiane, që kanë ndërmarrë një sulm kundër Boko Haramit, kanë rimarrë qytetin e Damasakut (në verilindje) që ishte nën kontrollin e islamikëve nigerianë dhe që e kishin pushtuar që prej muajit nëntor, u bë e ditur nga një burim i sigurisë i Çadit.

Sipas këtij burimi, të dielën pati rreth 200 luftëtarë të vrarë nga Boko Harami si edhe 10 të vrarë dhe 20 të plagosur mes ushtarëve çadianë.

“Damasaku u çlirua nga koalicioni pas luftimesh të përgjakshme”, konfirmoi një zyrtar nigerian në Difa, kryeqyteti i juglindjes nigeriane, që ndodhet disa kilometra larg Damasakut.

---Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Nabil al-Arabi përkrahu sot idenë e domosdoshmërisë së krijimit të një force arabe deri në shkatërrimin e grupeve terroriste.

Deklarata e al-Arabit u bë gjatë një takimi të zakonshëm të ministrave të Jashtëm të vendeve të Lidhjes Arabe, me qendër në Kajro.

Një prej këshilltarëve të tij kishte paralajmëruar që më 3 mars se krijimi i një force ushtarake arabe do të shqyrtohej gjatë samitit vjetor të kësaj lidhjeje, i parashikuar për më 28-29 mars, në Sharm el-Sheik.

Kohët e fundit, presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sisi ka bërë thirrje për ngritjen e kësaj force arabe të përbashkët që kur xhihadistët e Shtetit Islamik (ISIS) kanë shtrirë ndikimin në Libi dhe kanë shtuar sulmet në Irak dhe Siri. a.jor.

---Avioni i parë me energji diellore është nisur të hënën nga Abu Dhabi në përpjekje për të fluturuar rreth botës duke përdorur vetëm energji diellore.

Avioni pritet të arrijë në destinacionin e parë Muskatin e Omanit, pas 10 orë fluturimi. Disa pjesë të udhëtimit, siç janë fluturimet mbi Oqeanin Paqësor dhe atë Atlantik, nënkuptojnë se do të zgjasin deri në pesë apo gjashtë ditë.

Themeluesit e impulseve diellore në këtë avion dhe pilotët e tij, Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg, kanë thënë se shpresojnë të inkurajojnë zëvendësimin e “teknologjive të vjetra ndotëse me teknologji të pastër dhe efikase”./m.m/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën 10 Mars vransira në pjesën më të madhe të vendit, shira lokale dhe dëborë në zonat malore.

Stuhi do të ketë në ishujt e Jonit, ndërsa në Egje do të ketë dhe periudha të përmirësimit të motit. Era në Egje do të fryjë mesatare në drejtimin verior, ndërsa në Jon do të fryjë e fuqishme në drejtimin juglindor.

Në Attikë, temperatura maksimale do të jetë 14 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura maksimale do të jetë 9 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54