Lajmet në gjuhën shqipe 08/03/2015

---Sot Dita Botërore Ndërkombëtare e Gruas dhe në kundërshtim me frymën e tregtimit të kësaj dite, një seri iniciativash në mbarë botën vijnë për të kujtuar pozitën e gruas në botë dhe luftërat e saj sociale.

Simboli aktual i luftës së grave janë gratë luftëtare të Kobanit. Krahas tyre dhe gra nga e gjithë bota, që janë këto ditë në këtë zonë, duke mbështetur ato më ndihmë morale dhe materiale. 

---Intensifikohen punimet politike në kuadrin e takimit kritik të hënën e Eurogrupit. 

Kryeministria zyrtarisht përgënjeshtroi deklaratën e Giáni Varoufákis për referendum në lidhje me euron. Kjo pasoi intervistën i ministrit të Financave në Corriere de la Serra, më të cilën deklaroi se nëse BE nuk e pranon planin e Greqisë, atëherë nuk përjashton zgjedhjet ose referendumin.

Ndërkohë, pozitive është sipas burimeve qeveritare, të cilat i referohen lajmeve nga interneti, përgjigja e kryetarit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem në letrën e z.Varoufáki. Kërkon të vazhdohen bisedimet me qëllim që të zbatohet vendimi i 20 shkurtit.

---Nuk besoj se është i domosdoshëm një borxh i ri dhe ideja që ne i propozojmë partnerëve evropianë është ajo e një projekti që do t’i rijapë Greqisë mundësinë e rritjes ekonomike dhe të frenimit të krizës humanitare, deklaroi ministri grek i Ekonomisë, Giáni Varoufáki në intervistën dhënë gazetës italiane ”Corriere della Sera”.

”Megjithatë, nga Eurogrupi ka vetëm heshtje mbi propozimet tona. Nëse propozimet vijnë nga një qeveri e së majtës radikale ekziston frika se ka diçka të dyshimtë. BQE-ja është shumë pedante me ne. Në vitin 2012, në një situatë të ngjashme krize, por me një qeveri konservatore ajo ishte fleksibël”, thekson Varoufákis.

---Të dielën është mbledhur komiteti politik i Demokracisë së Re me fjalimin e Antonis Samaras, i cili përjashtoi zhvillimin e Kongresit të jashtëzakonshëm dhe ndryshimin e udhëheqjes dhe ka njoftuar hapjen e dialogut në organizatat e partisë me bazën partiake dhe zgjerimin dypalësh të partisë, si dhe një riorganizim të përgjithshëm të aparatit të partisë. 

Ndërkohë, dha dorëheqjen si zëvendës kryetar i Demokracisë së Re, Dimitris Avramópoulos, duke kritikuar taktikat e partisë pas humbjes në zgjedhje.

«E ashtuquajtura "paranteza e majtë" kujton teorinë e dy ekstremeve», thotë Evrypídis Stylianídis në një intervistë të tij në gazetën e Redaktorëve në fundjavë. 
Nga ana e saj, deputetja Dora Bakogiánni në një intervistë të saj për gazetën Vima e së Dielës këmbëngul në mbajtjen e konferencës dhe lë të kuptohet se kritikon udhëheqjen e Demokracisë së Re, duke vënë në dukje se «Kushdo që nuk ndryshon, vdes». 
Të njëjtin qëndrim për zhvillimin e kongresit ka shprehur në kanalin televiziv MEGA dhe deputeti Nikos Dendias, duke e quajtur atë ''të domosdoshëm''.

---Qëndrimet konstante të palës greke në çështjen e emrit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka përsëritur ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias në takimin me homologun e këtij vendi, Nikola Poposki, në kuadër të takimit informal të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në kryeqytetin e Letonisë, Riga.

Kotzias nënvizoi se Greqia ka bërë lëvizje të konsiderueshme në kahun e një zgjidhjeje reciprokisht të pranueshme, me një emër me referencë gjeografike, për çdo përdorim, të brendshëm dhe të jashtëm (erga omnes) dhe se pret që edhe pala tjetër të dëshmojë të njëjtën përgjegjshmëri dhe predispozicion për zgjidhjen e problemit.

Duke iu referuar perspektivës së anëtarësimit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë në BE dhe në NATO, ministri grek deklaroi se vendimi do të merret mbi bazën e kritereve dhe procedurat që vlejnë për gjithë vendet kandidate dhe se gjithashtu vendimi që do të merret do të jetë kolektiv duke nënvizuar se rëndësi të veçantë do të ketë në këtë drejtim funksionimi i një shteti ligjor, marrëdhëniet paqësore ndëretnike, stabiliteti rajonal, respektimi i parimeve të fqinjësisë së mirë dhe përjashtimi i rivendikimeve.

---Vazhdon moti i keq në Greqinë Veriore dhe si rezultat mbeten dhe problemet nga shirat dhe dëbora. 

Janë përmbytur qindra sipërfaqje bujqësore në në Prefekturën e Serres, ndërsa në Aleksandroúpoli, transporti hekurudhor deri në Orménio është ndërprerë nga mbulimi me ujë i linjave hekurudhore të OSE-së. Qarkullimi i automjeteve në rrjetin malor provincial të Ksánthit, Rodópit, Drámas, Imathías, Flórinas, Kastoriás dhe Grevena bëhet vetëm me zinxhirë.

Shqipëria
---Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa do të zhvillojë të hënën një vizitë zyrtare në Shqipëri. 

Kjo është vizita e parë e tij zyrtare në Tiranë prej kohës kur ka marrë drejtimin e ekzekutivit të Kosovës. Zoti Msutafa pritet të takohet me krerët e shtetit të Shqipërisë. Agjenda e kësaj vizite pritet të bëhet e njohur nga kryeministria, por ka qenë zyra e shtypit të Presidentit të Republikës që ka bërë të ditur kohën e takimit me Kryeministrit të Kosovës. 

Në këtë njoftim theksohet se Presidenti i Republikes Bujar Nishani, do të zhvillojë nesër më 9 Mars, një takim me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Takimi do të zhvillohet në ora 10:00 në ambientet e Presidencës./y.pa/

---Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila festohet në të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe Shqipërinë. 

Nëse në vende të tjera gjatë kësaj dite organizohen protesta apo demonstrata për të kërkuar barazinë gjinore, vlerësimin e rolit të gruas në shoqëri etj, në Shqipëri prej kohësh kjo ditë shikohet si një festë.

Sot, më 8 Mars femrat marrin dhurata nga bashkëshortët, partnerët dhe fëmijët e tyre në shenjë mirënjohjeje dhe respekti.

---Shqiptarët, jo vetëm që nuk do të renditen më si një ndër vendet me popullsinë më të re, por rrezikon që të përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe sociale, nëse nuk merren masa afatgjata. 

Ekspertë të ekonomisë dhe të sociologjisë tregojnë se vijon emigrimi i lartë i popullsisë në moshë pune, lindshmëria është e ulët, jetëgjatësia është rritur, të gjitha këto kanë bërë që Shqipëria të ecë me ritme të larta drejt popujve, që moshën mesatare të popullsisë e kanë 40 vjeç.

“Nëse do të shikojmë piramidën moshore të vitit 2011, do të shikojmë që kemi një mungesë të grupmoshës 35-55 vjeç. Kjo tregon që një pjesë e madhe e kësaj grupmoshe kanë emigruar jashtë vendit. Sot Europa ka një moshë mesatare prej 42 vjeç, ndërsa ne parashikohet që t’i afrohemi kësaj moshe mesatare rreth vitit 2032”, tha Mirela Muça, eksperte e çështjeve sociale.

Statistikat tregojnë se numri i fëmijëve të moshës nën 15 vjeç, nga viti 1989 deri në 2011 është përgjysmuar.

“Në 1989-n ne kemi pasur 1 milion fëmijë të moshës nën 15 vjeç, ndërsa në 2011-n kemi 575 mijë të tillë. Vërehet që trendi i kësaj grupmoshe vjen duke u ulur me një shpejtësi shumë të madhe. Është shtuar numri i çifteve pa fëmijë. Së dyti është rritur mosha e grave për lindshmërinë e parë në mënyrë domethënëse. Të gjitha këto ndikojnë në nivelin e lindshmërisë”, tha më tej Mirela Muça.

Bota
---Dhuna ndaj grave është forma më e përhapur e dhunës në familje me të cilën përballen të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.

Në vitet e fundit, regjistrohet rritje e dhunës në familje në të gjitha vendet e rajonit, ndërsa sipas të dhënave në dispozicion në vit raportohen më shumë se 10.000 raste të dhunës në familje. ”Megjithatë, sipas ekspertëve, vetëm një përqindje e vogël e dhunës në familje raportohet në institucionet përkatëse”, raporton agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).

Sipas anketës gjithëpërfshirëse dhe karakteristikat e dhunës në Bosnje-Hercegonivë, raportohet vetëm 10 për qind e rasteve të dhunës në familje. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjes, në vitin 2014 janë raportuar 1.032 raste të dhunës në familje, ndërsa në etnitetin Republika Srpska (RS) po gjatë këtij viti janë regjistruar 1 363 raste të dhunës në familje.

Shumica e vendeve të rajonit kanë miratuar Konventën e Stambollit mbi parandalimin e dhunës në familje, por akoma vazhdojnë të punojnë rreth përafrimit të ligjeve nga ky dokument.

Koordinatorja e Institutit Këshillimor Kundër Dhunës në Familjes, Vesna Stanojeviç është e mendimit se ligji i tanishëm për këtë çështje në Serbi është i mirë, por problemi është në zbatimin e tij. Ajo gjithashtu theksoi faktin se gratë për shkaqe të ndryshme heqin dorë nga padia. Dënimet, kur është fjala për vepër penale sillen nga 14 në 40 vjet, por problemi qëndron në zbatimin e këtyre dënimeve.

Përsa i përket vitit 2013, ajo thekson se ishte një nga vitet më të këqija në Serbi. Në këtë vit u regjistruan 46 gra të vrara nga dhuna në familje. Më së shpeshti raportohet dhuna fizike. Që nga fillimi i këtij viti instituti ka pranuar 300 telefonata. Në Serbi, ka dhjetra strehimore.

Kroacia deri më sot nuk ka ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Vishnja Ljubiçiç, Avokatja e Popullit për barazinë gjinore, sipas disa të dhënave, pretendon se është rritur dhuna në familje kundër gruas në të gjitha format. Në 2013, në bazë të Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, për kundërvajtje ishin akuzuar 16.564 persona, që është 7,9 përqind më pak se në të njëjtën periudhë të 2012 dhe që paraqet një rënie të vazhdueshme që nga viti 2010.

Në Kroaci ka 19 strehimore dhe institucione këshillëdhënëse për viktimat e dhunës në familje, por edhe ky ballafaqohet me problemin e mos paraqitjes të dhunës në familje.

Në Mal të Zi, mesatarisht, çdo ditë nga një grua i drejtohet strehimoreve për ndihmë. Nga Zyra e strehimores së grave në Podgoricë thonë se situata në këtë aspekt shkon drejt përmirësimit, por se gratë ende kanë frikën për të lajmëruar dhunën në familje. Sipas zyrës së strehimore të grave në Podgoricë, në 2014 kësaj organizate i janë drejtuar 385 gra viktima të dhunës në familje.

Gjatë vitit të kaluar në strehimore ishin vendosur 144 persona, prej të cilëve 71 gra dhe 73 fëmijë. Gjithashtu, për 237 gra është ofruar këshillim në zyrat e ZSG, ndërsa për 385 është ofruar konsultim fillestar me telefon. Strehimore për gratë ekzistojnë në Podgoricë, Nikshiq dhe Plavë.

---Brukseli nuk duhet dhe nuk mund të lerë vetëm as Lampeduzën, as Italinë dhe as të gjitha vendet evropiane që duhet të përballen me imigracionin, deklaroi sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

"Tema e imigracionit nuk është temë e një ishulli të vetëm apo e një vendi të vetëm, por temë e gjithë Evropës dhe ne po punojmë që masat të jenë konkrete", theksoi Mogherini, sipas ATSH-së.

"Më 16 mars për herë të parë do të kemi në qendër të vëmendjes së ministrave të Jashtëm evropianë temën e imigracionit", shtoi ajo. 

---Çeçeni Zaur Dadajev, një nga katër të dyshuarit për vrasjen e opozitarit të njohur rus, Boris Nemtsov, pranoi sot përfshirjen në vrasje, njoftoi gjykatësja Natalia Mushnikova, e cila konfirmoi arrestimin e tij që më 28 shkurt.

Ajo konfirmoi edhe arrestimin e Anzor Gubashevit, ekzekutuesi i dyshuar i Nemtsovit. Dy të dyshuar të tjerë u arrestuan nga policia ruse për vrasjen e opozitarit, Boris Nemtsov. Kjo e çoi në katër numrin e personave të dyshuar për vrasjen e një prej liderëve kryesorë të opozitës ruse, i vrarë më 27 shkurt pranë Kremlinit.

Albert Barahojev, sekretar i Këshillit të Sigurisë në republikën ruse të Ingushetisë, pranë Çeçenisë, deklaroi se policia ingushete kishte arrestuar dy persona lidhur me ngjarjen. Një prej tyre është vëllai i Anzor Gubaçevit, arrestimi i të cilit së bashku me Zaur Dadajevin u njoftua nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB)./ a.jor.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të hënën 9 Mars mot të paqëndrueshëm me shira në rajonet lindore, në Peloponez, Egjeun Jugor dhe në zonat jugore të Detit Jon, dëborë në Greqinë Veriore si dhe në zonat e Maqedonisë e të Thrakës. 

Në Attikë, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 3 dhe 12 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 0 dhe 5 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54