Lajmet në gjuhën shqipe 05/03/2015

---Betejë në shumë fronte jep qeveria greke në prag të takimit të Eurogroup-it të hënën që vjen.
Shtabi ekonomik i qeverisë përpunon planin me gjashtë reforma, të cilin do të paraqesë të plotësuar për partnerët e tij evropianë, ministri i Financave Giáni Varoufáki. 

---Brenda fundjavës, siç kishte njoftuar zëvendës ministrja e Financave Nádia Valaváni do të paraqitet projekt-ligji për 100 këstet, tha zëdhënësi i qeverisë Gavriíl Sakellarídis, në një emision televizin në mëngjes

---Në një përgënjeshtrim të dyfishtë vazhdoi sot ministria e Financave, duke qartësuar së pari se nuk priten grupe të Bashkimit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Athinë dhe së dyti se në Grupin Euro Working nuk është bërë asnjë referencë për përmbajtjen e propozimeve greke.

---Në 68,8 miliard euro rritet shuma që mund të tërheqin bankat greke nëpërmjet mekanizmit emergjent të likuiditetit emergjent (ELA) pas një vendimi të miratuar sot nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane në Nikosia. Kufiri i mëparshëm ishte 68,3 miliard euro.

Presidenti i Këshillit Drejtues i Bankës Qendrore Evropien, Mario Draghi pritet të njoftojë dhe kohë diagramën si dhe detajet e programit të lehtësisë sasiore, i cili parashikon tregun e bonove shtetërore dhe jo.

---Në burgun e Koridallos u kthye Ilías Kasidiáris, pas apologjisë së tij në hetuesi për bisedën e filmuar me sekretarin e atëhershëm të përgjithshëm të qeverisë së Demokracisë së Re, Táki Baltáko. Deputeti i Agimit të Artë akuzohet për shkelje të fshehtësisë së të njëjtës bisedë me gojë dhe për përdorimin e paligjshëm të shkruarjes të të njëjtës bisedë. Sipas informacioneve ka mohuar se bëri regjistrimin dhe insistoi se nuk e di kush e ka filmuar bisedën me Panagioti Baltáko. 

---Gjykata ka vendosur se është e paligjshme dhe abuzive greva 48-orëshe e punonjësve në kompaninë Wind. Megjithatë, punonjësit kanë bërë grevë edhe të enjeten, siç kishin njoftuar, me mbulimin e Qendrës të Punës së Athinës dhe të Federatës Greke të Punonjësve Privatë.

---Me burgim 12 muaj janë dënuar dy anëtarë të Agimit të Artë për rrahjen e një anëtari të ANTARSYA-s. Të dy të pandehurit, mes tyre dhe ish deputeti i qytetit të Serres, Nikítas Sióis, janë dënuar nga Gjykata e këtij qyteti si fajtorë për lëndime të rënda trupore, për armët që u janë gjetur dhe për përdorim të këtyre armëve..

---Në ERT-in e lirë do të japë intervistën e saj të parë ekskluzive, sot, Zoí Konstantopoúlou. Kryetarja e Parlamentit do të referohet gjerësisht në ndryshimet e shumta, të cilat i ka njoftuar përmes një konference për shtyp dhe do të përgjigjet në mënyrë të detajuar për të gjitha pyetjet që mund të kenë dalë nga vendosja e saj. Intervista do të fillojë në orën 21:00, do të zgjasë 1 ½ orë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni ET3, nga radio e ertopen, radiot lokale rajonale të EPA dhe në internet në mbarë botën përmes ertopen.com. Gjithashtu do të transmetohet e filmuar edhe nga televizioni i Parlamentit. Intervistën e drejtojnë gazetarët e ERT-it, Níkos Angelídis dhe Éva Mavrogénni. 

---Lëvizje Sociale dhe grupe të miqësisë dhe solidaritetit me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Bolivariane të Venezuelës kanë organizuar të enjten një kushtim për  Komandantin Hugo Chavez, në qendrën e kulturës dhe politikës Rígas Velestinlís, në rrugën Ksenofóntos 4, në sheshin Sintagma, me rastin e dyvjetorit të vdekjes së udhëheqësit të revolucionit Bolivarian.

Shqipëria
---Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka “zbarkuar” në Tiranë për rishikimin e katërt të marrëveshjes trevjeçare, pas miratimit të transhit të dytë dhe të tretë të kredisë që ky institucion i dha qeverisë shqiptare në fund të muajit shkurt.

Ekipi që mbërriti në Tiranë, i kryesuar nga Shefi i Misionit për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, do të analizojë të gjithë sistemin e financave publike. Burime nga ministria e Financave bënë të ditur se në axhendën e takimeve janë parashikuar të analizohen zhvillimet e fundit makroekonomike dhe prespektiva e rritjes, bilanci i pagesave dhe kushtet fiskale.

Gjithashtu, do të analizohet struktura e borxhit dhe parashikimet strategjia e menaxhimit të tij. Axhenda e këtij misioni parashikon takime me Kryeministrin Edi Rama, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani dhe atë të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Në përfundim të axhendës, e cila parashikohet të zgjasë 2 javë, pritet edhe një dalje publike e Misionit, Ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për të bërë të ditur ecurinë e bisedimeve./a.ke/

---Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u bëri thirrje të enjten të gjithë politikanëve të frenojnë gjuhën dhe veprimet ndezëse dhe të lejojnë institucionet e vendit të funksionojnë në interesin më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat menjëherë pas mbarimit të seancës së sotme plenare, OSBE shpreh zhgënjimin  me debatin politik në vend, gjatë ditëve të fundit.

“OSBE ka ndjekur me zhgënjim përkeqësimin e debatit politik gjatë ditëve të fundit. U bëjmë thirrje të gjithë politikanëve të frenojnë gjuhën dhe veprimet ndezëse dhe të lejojnë institucionet e vendit të funksionojnë në interesin më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë./a.ke/

---Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati prezantoi sot në Bruksel para Komisionit të Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme ecurinë e SEECP gjatë kryesisë shqiptare.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ministri Bushati thekson se, “I njoha eurodeputetët me aktivitetet e SEECP gjatë këtij viti, duke u ndalur kryesisht në kalendarin e përgatitur nga Kryesia shqiptare. Në mënyrë të veçantë u ndala në ministerialin e SEECP të zhvilluar në Tiranë, më 23-24 shkurt dhe deklaratën e përbashkët të miratuar kundër terrorizmit”.

Zhvillova takim me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe me eurodeputetin Kukan dhe në takimin me Komisionerin Hahn konfirmuam se në datë 24 mars do të zhvillohet në Tiranë, takimi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, thekson në postimin tij ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

---Shkodra nuk njihet vetëm si qyteti i traditës dhe kulturës së hershme, nga ku kanë dalë breza të tërë artistësh, sportistësh e zejtarësh me famë ballkanike, por Shkodra ka hyrë në historinë shqiptare  edhe si qyteti i biçikletave. Kjo është një traditë e hershme që fatmirësisht vazhdon edhe në ditët e sotme.

Edhe biçikleta shqiptare ka një histori që lidhet me Shkodrën. Nga studimet e deritanishme rezulton se  biçikleta e parë në kë qytet ka ardhur në vitin 1907 nga konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër, që supozohet të jeta edhe biçikleta e parë e hyrë në Shqipëri. Këtu nis historia  shkodrane e biçikletës, një vazhdimësi deri në ditët e sotëme. Vazhdimisht në këtë qytet organizohen shëtitje kolektive me biçikleta në vendet piktoreske të qytetit dhe në zonat  rreth tij. Bashkia e Shkodrës është përfshirë në mënyrë aktive në promovimin dhe mbrojtjen e kësaj kulture dhe tradite, duke dhënë ndihmesën e saj. /a.ke/

Bota
---Ushtarët rusë që kanë humbur jetën në luftimet në lindje të Ukrainës janë të shumtë në numër, deklaroi sot në Riga zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow.

“Ushtarët rusë luftojnë dhe një numër i madh prej tyre kanë humbur jetën në lindje të Ukrainës ku separatistët prorusë luftojnë kundër ushtrisë ukrainase”, theksoi Vershbow gjatë një konference të parlamentarëve evropianë në kryeqytetin letonez. Rusia ka përgënjeshtruar deri tani praninë e ushtarëve të saj në Ukrainë./ec/

---Zyrtarët e sigurisë së Afganistanit kanë thënë se një operacion që ka pasur si qëllim lirimin e një grupi civilësh të marrë peng në pjesën jugore të Afganistanit është ende duke vazhduar, pasi dje ka arritur të vrasë dhjetëra militantë.

Deri më tani, forcat e sigurisë megjithatë nuk kanë arritur të lirojnë pengjet.

Persona të maskuar dhe të armatosur patën rrëmbyer muajin e kaluar 30 pasagjerë nga dy autobusë në krahinën jugore të Zabulit. Shumica i përkrasin minoritetit etnik Hazara, një grup që është persekutuar nga regjimi i dikurshëm i talibanëve pashtun. Sipas ushtrisë afgane, shumica e 50 militantëve të vrarë në këtë operacion janë luftetarë të huaj.

---Mijëra fluturime u anuluan në SHBA, qindra mijëra nxënës dhe funksionarë kanë qëndruar në shtëpi në pritje të një stuhie dëbore, që do prekë lindjen dhe juglindjen e SHBA-së.

”Më shumë se 2.600 fluturime janë anuluar sot”, sipas faqes së internetit ”Flightaware”.

”Dëbora ka nisur në kryeqytetin Uashingtonit rreth orës 12:00 GMT dhe trashësia e saj ka arritur në 18 centimetra shoqëruar me një rënie temperaturash deri në -13 gradë Celsius gjatë natës”, sipas shërbimeve meteorologjike (National Weather Service, NWS). ”Alarmet për stuhi dëborë kanë prekur rreth 29 milionë amerikanë, që nga Teksasi deri në Anglinë e Re (verilindje) duke kaluar nga brigjet e Virxhinias”, sipas NWS.

”Administrat qendrore duke përfshirë këtu shumë ministri, kanë mbyllur dyert”, njoftoi në rrjetin social Twitter OPM, zyra e këtyre funksionarëve. Shumë shkolla janë mbyllur gjithashtu në Uashington dhe në rajonet përreth, ku transporti publik është bllokuar./ec/

---Egjipti i lashtë nuk ”harron” kurrë të na habisë.

Një varr 3000-vjeçar i mbushur me piktura me ngjyra u zbulua nga arkeologë amerikanë pranë Luksorit, në bregun perëndimor të Nilit, ja larg prej Luginës së Mbretërve. Varri i përkiste një fisniku, Amenhotepit, i cili ruante Tempullin e Amunit, zoti më i fuqishëm në panteonin egjiptian.

Ministria egjiptiane e Antikitetit tha se varri daton në dinastinë XVIII të Mbretërisë së Re, më e famshmja e Egjiptit të lashtë, madje edhe e asaj të Tutankhamonit. Varri në formë T-je u përdhos në kohërat antike./ a.jor.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 6 Mars mot të keq në pjesën më të madhe të vendit, me shira, dëborë në zonat malore dhe stuhi të fuqishme.
Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 5 deri në 7 ballë dhe në Egje 8 ballë. Temperatura do të shënojë rënie në rajonet perëndimore, qendrore dhe veriore.
Në Attikë parashikohen vransira me shira që gradualisht do të rriten dhe në disa raste do të ketë stuhi të forta. Temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 12 dhe 15 gradë Celsius.
Në Selanik priten shira dhe stuhi lokalisht të forta, kryesisht në rajonet lindore, ndërsa në zonat malore do të ketë dëborë. Temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 10 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54