Lajmet në gjuhën shqipe 04/03/2015

---Një drekë në një atmosferë të qetë, siç raportojnë informacionet, ka pritur në Pallatin Presidencial, kreu i lartë i shtetit në largim, Károlos Papoúlias në nder të pasardhësit të tij Prokópi Pavlópoulo.

Në drekë, e cila zgjati dy orë përveç bashkëpunëtorëve të ngushtë të të dy presidentëve, kanë marrë pjesë kryetari i Këshillit të Shtetit, Sotíris Rízos, z.Pétros Molyviátis etj ..

Nga udhëheqësit politikë, sipas rolit të tyre institucional, morën pjesë kryeministri Aleksis Cipras dhe kreu i opozitës Antonis Samaras.

Është tregues se dreka u organizua në fshehtësi dhe nuk kishte për këtë asnjë informacion zyrtar për përfaqësuesit e akredituar të Mediave, as nga Presidenca e Republikës, as nga Kryeministria, por as nga selia blu. Është karakteristike se nuk ka pasur "mbulim gazetarik" të kësaj ngjarje, as nga kamerat televizive, as nga fotografët.

---Me një paketë prej gjashtë reformash qeveria greke do të fillojë bisedimet me partnerët institucionalë ndërkombëtarë, me objektivin për një marrëveshje të re.

Sipas burimeve qeveritare greke, gjatë reformat janë si më poshtë:
1 dhe 2 – Kriza humanitare dhe Reforma administrative
Bëhet fjalë për një përpjekje më të madhe të luftës kundër varfërisë në ushqime të domosdoshme, strehim dhe energji elektrike optimale, që do të ndërthuret me reformën administrative që e ka nevojë i gjithë vendi.

3 – Projektligj për rregullimin e detyrimeve të pashlyera ndaj shtetit dhe enteve të sigurimeve shoqërore.
Çlirim dhe rishqyrtim të mijëra debitorëve në sistemin e tatimeve me një mënyrë që do të ndihmojë krijimin e së ashtuquajturës ndërgjegje tatimore, që nuk redukton kapitalin e detyrimit dhe që stimulon debitorët korrektë.
4 – Reformim i administratës tatimore.
5 – Aktivizim i Këshillit Tatimor.
6 – Krijimi i një trupe të zhdërvjellët të kontrolleve të adresuara tatimore, të përbërë nga kontrollorë të përzgjedhur rreptësisht.

---Kryeredaktori i revistës Forbes, Steve Forbes, në letrën e tij drejtuar Kryeministrit Aleksis Cipras dhe ministrit të Financave Giáni Varoufáki shpreh vlerësimin se gjëndja e Greqisë është e pashpresë, propozon mënyra që Greqia të mos kërkojë ndihmë financiare dhe konkludon: «Ju lutemi të na përgënjeshtroni të gjithë ne sfiduesit, duke e kthyer me vendosmëri vendin tuaj në Hong Kong, Singapor, Zvicrën e Mesdheut, pasi suksesi do të jetë hakmarrja e juaj më e mirë». 

---Në një intervistë me MSNBC, Christine Lagarde tha se «nNe duhet të shohim në praktikë se si do të zbatohen reformat».

---Mirëpresin industrialistët përpjekjet e qeverisë për të mbajtur vendin në euro, për të rindërtuar bazën e prodhimit grek, për të rivendosur kohezionin social dhe për të nxitur ndryshimin e teksteve të këqija në institucionet dhe mentalitetet, siç vihet në dukje në një njoftim të Unionit të Bizneseve dhe Industrisë dhe të Shoqatave Rajonale Industriale, kryetarët e të cilëve kanë zhvilluar një mbledhje në qytetin e Volos.

---Të kënaqura me ato që dëgjuan nga Ministri i Financave, Giáni Varoufáki në takimin disa minuta që kishin sot në mesditë, janë pastrueset e ministrisë së Financave, që për 303 ditë ndodhen në çadra. «Në thelb rikthimi ynë është në vijën përfundimtare, pasi ne presim që të rivendosen vendet tona të punës, të cilat ishin hequr», tha një nga pastrueset e ministrisë së Financave, duke shtuar se do të qëndrojnë në çadra derisa ata të kthehen në punën e tyre.

---I revoltuar me mënyrën që ka rrjedhur urdhëri përreth «politikës së re në lidhje me procedurat e paraburgimit të të huajve», që mban nënshkrimin e Gjeneral Majorit të Policisë Greke është shfaqur në intervistën e tij të parë përpara gazetarëve, zëvendës Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve dhe Rendit Publik, Giánnis Panoúsis.

Ministri ka revokuar urdhrin për mbylljen e kampeve të përqëndrimit, urdhëroi një Hetim administrativ dhe shefi i Policisë kërkoi të bëhen dorëheqje. Nga ana tjetër, Sekretari i SYRIZA-s, Tásos Koronákis në një intervistë tha se «kampe të tilla si ato të Amydalézas duhet të mbyllen. Nuk mund të mbajmë emigrantët të burgosur pa një kohë të caktuar».

---«Dhe kjo politikë që zbatohet pa planifikim dhe pa organizim, rrezikon të sjellë përsëri qendrën e Athinës në gjendjen që ishte përpara krijimit të qendrave të mbajtjes së emigrantëve», deklaron në njoftimin e tij për këtë çështje POTAMI.

---Amendamenti që përfshihet në projektligjin për trajtimin e krizës humanitare parashikon heqjen e të gjithë rritjes së shumës për borxhet e prapambetura, nëse paguhet menjëherë borxhi fillestar. Ky rregullim është i pavarur nga projektligji për 100 këstet.

---Në një deklaratë të saj, Partia Komuniste e Greqisë komenton projekt-ligjin për trajtimin e krizës humanitare: «Prapa titujve pompozë dhe thërrimeve për varfërinë absolute, qeveria fsheh vazhdimin e politikave të qeverive të mëparshme të Demokracisë së Re - PASOK-ut, që çon në gjakderdhjen e popullit dhe nuk përballon në thelb as fenomenet e mjerimit të skajshëm».

---Në dy këste do të bëhet rivendosja e pagës minimale. Kësti i parë do të jepet brenda vitit 2015 dhe kësti i dytë në gjysmën e dytë të vitit 2016, tha ministri i Punës, Pános Skourlétis.

---E lirë me kushte të kufizuara është lënë pas hetimit të saj 36-vjeçarja që u arrestua të shtunën për çështjen Ksiroú dhe planin «Gorgopótamos».

Shqipëria
---Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i cili po zhvillon një vizitë pune në Bruksel, firmosi marrëveshjen COSME, programi që synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Sipas zyrës së shtypit të MZHETTS-së, Ahmetaj u takua me Komisioneren Europiane për Tregun e Brendshëm, Industrinë, Sipërmarrjen dhe SME-të Elżbieta Bieńkowska, me të cilën nënshkruan marrëveshjen që formalizon hyrjen e Shqipërisë në Programin për Konkurrueshmërinë e Sipërmarrjeve dhe Bizneseve të Vogla dhe të Mesme (COSME).

COSME është programi i BE-së që synon forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërinë e SME-vë, program i cili është në fuqi nga viti 2014-2020 me një buxhet prej 2.3 miliardë euro në total. Vendet mund të aplikojnë me projektet e tyre për të përfituar nga fondi i programit. Shqipëria është vendi i pestë jo-anëtar i BE-së që i bashkohet dhe kontribuon në program, pas Malit të Zi, Maqedonisë, Moldavisë dhe Turqisë./a.g/

---Në takimin e Punës në kuadër të projektit rajonal të IOM, për “Forcimin e luftës kundër trafikimit të personave dhe kontrabandimit të migrantëve në Ballkanin Perëndimor”, të zhvilluar të mërkurën në hotel Tirana, u nënvizua roli i bashkëpunimit ndërkufitar për parandalimin e rasteve të trafikimit.

Në takim ishin të pranishëm, zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani dhe Shefja e Zyrës së IOM në Tiranë, Alma Jani.

Trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi mbeten çështje shqetësuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilat rrezikojnë qëndrueshmërinë sociale dhe sigurinë e vendeve. Në kuadër të zbatimit të projektit IOM, grupi i parë i takimeve tematikë të punës me të njëjtin synim, forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, është zhvilluar gjatë muajve të shkuara dhe të tjerë takime për gjyqësorin dhe asgjenci të zbatimit të ligjit do të organizohen në të ardhmen.

Ndërkaq, përgjatë takimit, u theksua identifikimi i mangësive në bashkëpunimin ndërkufitar dhe hartimin e masave që duhet të ndërmerren nga vendet e e tyre për t’i zgjidhur këto mangësi./m.m/

---Pesëdhjetë vite krijimtari të poetit të njohur Xhevahir Spahiu, në 70 vjetorin e tij, përmblidhen në dy vëllime “Udhët”. 

Në këtë përvjetor të tij publikohen dhe poezi të ndaluara të poetit. Këto dy vëllime që janë përgatitur nga “Poeteka” përmbajnë një krijimtari të zgjedhur të poetit duke filluar që nga viti 1965. Promovimi i dy vëllimeve me poezi të zgjedhura u zhvillua në sallën e Teatrit të Metropolit në aktivitetin “Ora poetike”. 

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe vetë poeti i njohur Xhevahir Spahiu, ndërsa shumë urime mori dhe nga të afërm, miq dhe kolegë të tij. Një aktivitet që kishte në qendër figurën e poetit të shquar, u përcoll përmes një ceremonie të bukur, ku poezitë të tij më të bukura u interpretuan dhe nga aktorët, dhe gjithçka erdhi si një teatër poetik. Para se të fillonte ky aktivitet, redaktori i dy vëllimeve Arian Leka, u shpreh se për dy vëllimet me poezi është bërë një përzgjedhje e kujdesshme, por nuk mungojnë dhe grafikat që janë bërë për poetin nga miqtë e tij artistë. “Këtë aktivitet e zhvillon “Poeteka” dhe miqtë e Xhevahir Spahiut. 

Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Diplomohet në vitin 1967 për letërsi në Universitetin e Tiranës. Që nga ky vit e deri më sot ai ka punuar si gazetar, mësues, botues, skenarist. I cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet ’70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si “Ti qytet i dashur (1973)”, “Vdekje e perëndive (1977)”, “Dyer dhe zemra të hapura (1978)”, “Poezia shqipe (1990)”, “Kohë e krisur (1991)”etj.

---Baleti me dy akte “Coppelia” do të jetë këtë javë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Ky balet klasik është i dashur për të gjithë, të rritur dhe fëmijë, një përrallë e bukur, ku dashuria e Franzit dhe Svenildës triumfon në fund, siç ndodh gjithmonë në përrallë, me muzikën e bukur të Leo Delibes.

Kjo shfaqej vjen me dirigjent Stefano Ligoratti dhe koreografi të Ilir Kernit, që të rikthen në një botë përrallash ku protagonistja kryesore Svenilda (Ledia Sulaj, Adela Muçollari) do të luftojë për dashurinë e Franz (Endri Shkoza, Fatjon Lito), i cili joshet nga bukuria e kukullës Coppelia.

Për publikun vepra do të vijë në skenë më datat 7 dhe 8 mars, ora 19:00.   Kjo vepër baleti ishte dhe dhjetorin e vitit që kaloi në skenë, ndërsa u interpretua nga solistët dhe trupa e baletit të TKOB në skenë./a.g/

Bota
---Të paktën 32 minatorë kanë humbur jetën pas një shpërthimi në një minierë qymyrguri në lindjen separatiste proruse të Ukrainës, deklaroi sot presidenti i Parlamentit ukrainas, Volodymyr Groisman.

“Një tragjeti e tmerrshme ka ndodhur në minierën e Zassiadkos. Ka viktima, aktualisht 32”, deklaroi Groissman, duke iu kërkuar deputetëve të mbanin një minutë heshtje.

Autoritetet separatiste njoftuan më herët  se 47 minatorë rezultonin të zhdukur pas shpërthimit në një minierë qymyrguri në Donetsk, në lindjen separatiste proruse, në Ukrainë.
“Fati i 47 minatorëve nuk dihet, ata mund të kenë humbur jetën. Në momentin e shpërthimit, 207 minatorë ndodheshin në minierë, 53 prej të cilëve në zonën e prekur. Pesë minatorë me djegie të rënda kanë dalë nga zona e shpërthimit”, deklaroi zyrtari i sindikatës së pavarur të minatorëve, Mikhailo Volynets.

---ISIS-i ka djegur tri fusha naftëmbajtëse në Libinë Qendrore, njoftoi një zyrtar ushtarak libian, përfaqësues i qeverisë së vendit afrikan të njohur ndërkombëtarisht.

”Militantët e grupit xhihadist, që kontrollojnë zona të gjera në Siri dhe Irak, janë tërhequr nga fushat naftëmbajtëse të Sirtes, pasi i kanë djegur ato”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë, Ali Ehwas.

Një zëdhënës për forcën përgjegjëse për mbrojtjen e fushave naftëmbajtëse tha po sot se gjatë kësaj jave ISIS-i ka zaptuar fushat naftëmbajtëse të Mabrukut dhe Bahit dhe ka sulmuar atë të Dahras. Ky zhivllim është një shenjë domathënëse se ISIS-i ka fituar avantazh pas zënkave mes dy qeverive rivale për zgjerimin e kontrollit në vendin afrikanoverior./ a.jor.

---Verilindja e Spanjës është përfshirë prej një jave nga përmbytje të fuqishme. 

Në rajonin e Aragonës, dalja nga shtrati e lumenjve përmbyti mijëra ndërtesa. Afro 2 mijë shtëpi konsiderohen të pabanueshme për shkak të dëmtimeve të rënda.

---Bashkimi Evropian dhe Kuba rifilluan të mërkurën negociatat në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve të tyre në sfondin e afrimit historik mes Havanës dhe Uashingtonit.

Shenjë e vullnetit të evropianëve për të mos mbetur pas, presidenca franceze njoftoi të martën në mbrëmje se François Hollande do të zhvillonte një vizitë zyrtare në Kubë më 11 maj, gjë që përbën vizitën e parë të një presidenti francez në këtë vend. Ndërkohë që marrëdhëniet mes BE-së dhe Kubës janë ndërprerë zyrtarisht që prej vitit 2003, përfaqësuesit e tyre kanë rihapur dialogun me iniciativë të 28 vendeve të Bashkimit Evropian, të vendosur për të ndryshuar politikën dhe për të inkurajuar Havanën të kryejë reforma në fushën e të Drejtave të Njeriut.

Propozimi u pranua nga Kuba, e cila dëshiron që Bashkimi Evropian të braktisë ”qëndrimin e përbashkët” në fuqi që prej vitit 1996 dhe që kushtëzon bashkëpunimin evropian me regjimin komunist për progreset demokratike, veçanërisht përsa i përket të drejtave qytetare dhe politike./ec/

---Kina ka miratuar projektligjin për shtimin me 10% të shpenzimeve buxhetore për Ushtrinë. 

Vendimin e bëri publik një zëdhënëse e Kongresit Kombëtar të Kinës. Ajo tha se rritja ka për qëllim përshpejtimin e modernizimit të Ushtrisë, për të arritur nivelet e vendeve të tjera që kanë nisur këtë proces. Vitin e kaluar këto shpenzime arritën në 130 miliardë dollarë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të enjten 5 Mars përkeqësim gradual të motit, duke filluar nga rajonet veriperëndimore me shira dhe stuhi të forta lokale. Do të ketë forcim gradual të erës në drejtimin jugor, në fillim në Jon nga 7-8 ballë dhe gjatë ditës edhe në Egje. Në mëngjes dukshmëria do të jetë e kufizuar.
Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 7 dhe 14 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54