Lajmet në gjuhën shqipe 03/03/2015

--- Me një dosje me gjashtë reforma të propozuara nga Greqia do të
shkojmë të hënën, më 9 mars, në takimin e Eurogrupit, deklaroi
ministri grek i Financave, Ganis Varufakis.

Mbi bazën e këtyre propozimeve do të ketë diskutime në radhët e
Eurogrupit, se cilat reforma do të kryhen më parë në ndërkohë që vendi
do të gjykohet nga reformat që do të realizojë.

Duke folur në emisionin “Enikos” të gazetarit Nikos Haxhinikolau në
televizionin grek ”Star”, Varufaqis tha gjithashtu se Greqia do të
jetë korrekte në pagesën e borxheve ndaj FMN-së. Varufakis theksoi se
zgjidhja e vetme është ristrukturimi i borxhit brenda eurozonës dhe se
“në asnjë rast nuk është zgjidhje kthimi tek dhrahmija”.

Ai cilësoi si përfitim nga negociatat faktin se u sigurua se nuk do të
merren masa shtrënguese katër muajt e ardhshëm.

Varufakis përgënjeshtroi kategorikisht zërat mbi ardhjen në Athinë të
ekipeve teknike të institucioneve dhe nënvizoi se qeveria do të
përpiqet që të arrijë përpara mbylljes së katërmujorit marrëveshje me
partnerët.

---Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të ndërmarrë
një program investimesh në Greqi, duke iu përgjigjur një kërkese të
autoriteteve të vendit për t’i ndihmuar në rritjen ekonomike, njoftoi
ajo sot.

Aksionerët e këtij institucioni që ndodhet në Londër dhe me seli në 64
vende dhe dy organizata ndërqeveritare, kanë votuar sot në mbështetje
të këtij programi investimesh, që do të vazhdojë deri në vitin 2020.

“Ajo që ne do të provojmë të bëjmë, është përdorimi i ekspertizës së
bankës për të zhvilluar sektorin privat dhe për të mbështetur rritjen
ekonomike në Greqi”, deklaroi në një konferencë shtypi në Bruksel
presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti. Ai nuk dha detaje për shumën e
kësaj ndihme dhe refuzoi të konfirmonte vlerën prej një miliardë
eurosh të përmendur nga shtypi.

”Ekspertët e bankës do të shkojnë tashmë në vend për të biseduar për
prioritetet me autoritetet greke. Ne do të bëjmë një vlerësim të plotë
të asaj që ne mund të bëjmë”, shtoi Chakrabarti.

Programi i investimeve do të përfshijë kushte dhe do të varet
gjithashtu nga politika e ndërmarrë nga qeveria e Aleksis Ciprasit.

---Bazuar në të ardhurat reale do të përcaktohet se kush jeton në
varfëri të skajshme, tha zëvendës ministrja e Solidaritetit Social,
Theanó Fotíou në një emision të mëngjesit, mbi projekt-ligjin për
krizën humanitare, konsultimi i të cilit ka përfunduar të martën në
orën 14:00 në mesditë.

Energji elektrike falas, transport publik falas, tollona ushqimorë dhe
ndihmë për të paguar qeratë, janë disa prej propozimeve të qeverisë
greke në paketën më të re të ndihmave sociale ndaj të varfërve, që do
të diskutohet ditët në vijim në parlament.

Paketa kap vlerën 200 milionë euro dhe ka për qëllim të ndihmojë, që
të tejkalojnë limitin e varfërisë. Prioritet sipas radikalëve të majtë
të Cipras janë familjet me fëmijë dhe të papunët. Sipas statistikave
të vitit 2013, në këtë kategori bën pjesë 35.7% e popullsisë greke.

Projektligji publikohet vetëm pak ditë, pasi pala greke arriti me
vështirësi një marrëveshje me kreditdhënësit ndërkombëtarë, për të
shtyrë me 4 muaj afatin e përfundimit të paketës aktuale të ndihmës
financiare. Programet financiare europiane parashikohet të përkrahin
këtë nismë të qeverisë së Athinës.

---Nga ana e saj, Partia Komuniste komentoi: «Kur nga njëra anë
ministri i Financave lë të hapur mundësinë e vazhdimit dhe zgjerimit
të taksave (ENFIA, TVSH etj) për familjet e e varfëra dhe nga ana
tjetër qeveria reklamon thërrimet për varfërinë e skajshme, që dhe ato
jepen me pakicë, atëherë përsëri familja e varfër do të paguajë dhe do
të mbetet e varfër, ndërsa kapitali i madh edhe një herë tjetër do të
dalë fitues».

---Ministri i Mbrojtjes, Pános Kamménos ka informuar kryeministrin,
Aleksi Cipra për rastet e korrupsionit që kanë lidhje me pajisjet
ushtarake.

«Kemi tashmë në duar të dhënat e para- të dhëna shumë serioze- nga të
cilat rezultojnë ka shumë mundësi, akte të dënueshme dhe shumë para»,
në dy nga raste, deklaroi z.Kamménos.
Hetimet në programet e armatimit i kryen Komiteti i Kontrollit të
Çështjeve të Brendëshme të Forcave të Armatosura të Ministrisë së
Mbrojtjes, ndërsa sipas z.Kamméno, oficerët që kanë ndërmarë këtë
vepër kanë filluar një hetim nga Sekretariati i Përgjithshëm i
Armatimeve.

---Të premten, 6 mars do të paguhen ndihmat familjare që kanë lidhje
me aplikimet e modifikuara të përfituesve (A21), që janë pastruar për
vitet 2014 dhe 2013. Siç njoftoi OGA (Organizata e Sigurimeve
bujqësore), këtë pagesë e marrin 36.383 përfitues të ndihmave
familjare. Palët e interesuara mund të marrin informacion mbi ecurinë
e aplikimit të tyre nëpërmjet aplikimit të veçantë «Informacion të
Ndihmave Familjare A21», që ndodhet në faqen e internetit të OGA-së.

---Për të tretin vit radhazi, punonjësit e dëbuar nga dyqanet e
kompanisë Metropolis bëjnë thirrje për një protestë jashtë qendrës, ku
do të zhvillohet nata finale e këngës fituese, që do të përfaqësojë
Greqinë në Eurovision, të martën në orën 19:30, në rrugën Peiraiós
178.

Shqipëria
---Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, znj. Maja Gojkoviç do të
vizitojë nesër Tiranën me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta do të presë të mërkurën në orën 10:00
në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Kryetaren e Parlamentit të
Serbisë, Maja Gojkovic dhe delegacionin që e shoqëron. Pas takimit do
të ketë edhe një prononcim të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Kryetarja e Parlamentit të Serbisë,
znj. Maja Gojkovic do të takohet me krerët më të lartë të vendit,
Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani dhe
Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama./f.n/

---Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe
Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj zhvilloi të martën një takim me Drejtorin
e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian
Danielsson.

“Në Bruksel, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin i Komisionit
Europian, Danielsson vlereson programin e reformave ekonomike dhe
procesin e integrimit në Bashkimin Europian”, shkruan ministri Ahemtaj
në rrjetin social, Twitter.

Ndërsa Ahmetaj u shpreh se, vëmendja e Europës për Shqipërinë është
inkurajuese. “Jemi në rrugën e duhur të reformave”, tha ai./a.g/

---Shqipëria bëhet gati për pjesëmarrjen në panairin ndërkombëtar të
turizmit ITB Berlin nga data 4-8 Mars.

Shqipëria pritet të shpalosë vlerat, resurset dhe kapacitetet si një
vend ku turizmi nuk është më spontan, por gjithëpërfshirës dhe i
pandalshëm në çdo stinë e ditë të vitit.

Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) këtë vit i janë bashkuar edhe 18
agjenci turistike private për të prezantuar Shqipërinë turistike. Këtë
vit pozicioni i stendës së Shqipërisë është më i favorshëm, pasi është
më pranë stendave të vendeve të tjera të Rajonit dhe Evropës./a.g/

---Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në
Tiranë dhe Ministrinë e Kulturës çelën ekspozitën, “Ballkani i vitit
1917 i vizatuar nga artisti austriak i Artit Modern Leopold Forstner”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori i Austrisë, Thomas
Schnol, Ambasadori i Gjermanisë, Hellmut Hoffmann, Ministrja e
Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi
Labi dhe të tjerë artdashës të njohur shqiptarë.

Ceremoninë e çeli drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Labi, i cili
tha se kjo ekspozitë ku tregohet Ballkani i vitit 1917 është i
rëndësisë së veçantë, pasi shfaq para publikut shqiptar foto dhe
vizatime të pa ekspozuara më parë”. Ambasadori i Austrisë, Schnol tha
se, ekspozita e sotme është një shprehje e kulturës, është një
ekspozitë ku tregohet ballkani i viteve 1917-1918.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 15 Mars 2015 në hollin
kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Leopold Forstner, bashkëpunëtor i artistit Gustav Klimt ka udhëtuar në
vitet 1917 dhe 1980  në cilësinë e tij të oficerit të Perandorisë
Austro-Hungareze në territoret e sotme të Shqipërisë, Kosovës,
Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ai vizatoi portrete të banorëve
vendas, fotografoi veshje kombëtare dhe mblodhi objekte artizanale.
Misioni i tij ishte dokumentimi i kulturës së popujve të Ballkanit
përgjatë luftës së parë botërore./a.gegvataj/

Bota
---Disa mijëra persona janë mbledhur për të marrë pjesë në ceremoninë
mortore të Boris Nemtsov, një prej opozitarëve më të ashpër të
presidentit Vladimir Putin, vrarë të premten e kaluar pranë Kremlinit.

Është përcjellë për në banesën e fundit politikani opozitar Boris
Njemcov, i ekzekutuar të premten pranë Kremlinit. Rradhë të gjata
njerëzish u krijuan pranë qendrës së të drejtave të njeriut Zaharov,
ku iu bënë nderimet e fundit pranë arkivolit me trupin e tij.

Shumë politikanë nga vendet perëndimore nuk janë lejuar të marrin
pjesë, pasi nuk iu dha leje nga autoritetet ruse. Sipas Moskës, vrasja
e Njemcov ka për qëllim të destabilizojë vendin.

---Numri i të papunëve ka regjistruar rënie në muajin shkurt në
Spanjë, por mbetet ende i lartë me 4,512 milionë të papunë, njoftoi
sot Ministria e Punës, pas një rritjeje në muajin janar.

”Vendi numëronte në fund të muajit shkurt rreth 13.538 të papunë më
pak se një muaj më parë. Në një vit, numri i personave të regjistruar
në listat e agjencive për punësimin është ulur me 300.333, rënia më e
lartë që prej vitit 1999”, sipas një komunikate.

Ekonomia spanjolle po rimëkëmbet pas një krize të rëndë, por përqindja
e papunësisë prej 23,7 për qind në fund të vitit 2014, sipas një
mënyre tjetër llogaritjeje, mbetet në nivele shqetësuese./ec/

---Koreja e Veriut ka rihapur kufinjtë për turistët e huaj dhe
biznismenët, gati pesë muaj pasi i mbylli ato nga frika e përhapjes së
virusit vdekjeprurës, Ebola.

Koreja e Veriut është një nga vendet më të izoluara, ndërsa gjendet
disa mijëra kilometra larg epiqendrës së virusit në fjalë, më saktë
Afrikës Perëndimore. Koreja e Veriut nuk e ka të raportuar asnjë rast
të infektimit me këtë virus që në vendet e tjera ka marrë jetën e 9
mijë personave.

Megjithatë, kufinjtë e shtetit komunist janë mbyllur për turistët nga
tetori i vitit të kaluar nga frika se virusi do të përhapej edhe aty.
Koreja e Veriut gjithashtu ka aplikuar edhe mbajtjen në mënyrë strikte
në karantinë për 21 ditë të diplomatëve dhe punonjësve të huaj, duke
iu thënë që të rrinjë brenda hapësirave të ambasadave.

---Të paktën 276 kandidime janë bërë deri tani për këtë vit për
fituesin e çmimit Nobel për Paqen, njoftoi sot Komiteti Norvegjez i
Nobelit (NNC).

”Jemi në një numër rekord”, tha Olav Njolstad, sekretari i NNC-së.
Papa Françesku, mjeku kongolez, Denis Mukwege, ish-punonjësi i
Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden dhe
Memoriali, organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me qendër
në Moskë janë mes emrave më të njohur.

”Kandidimet përfshijnë 227 individë dhe 49 organizata”, tha Njolstad./ a.jor.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të mërkurën 4 Mars
re të pakta, të cilat gradualisht nga perëndimi do të rriten, duke
sjellë shi vonë pasdite, në pjesën veriore të Detit Jon, në Greqinë
Qendrore e Perëndimore, në Epir dhe në disa zona të Maqedonisë
Perëndimore dhe Qendrore, si dhe borë në zonat malore. Në mëngjes do
të ketë mjegull lokale.
Re të pakta, më shumë pasdite do të ketë të mërkurën Attika, ndërsa
temperatura maksimale do të arrijë në 17 gradë Celsius.
Vransira, të cilat gradualisht do të rriten dhe vonë në mbrëmje do të
ketë shi, presim të mërkurën në Selanik dhe temperatura maksimale do
të jetë 13 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital
në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet
Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54