Lajmet në gjuhën shqipe 27/02/2015

---Me temë përgatitjen e punës qeveritare të javës që vjen, është mbledhur kabineti qeveritar dhe fjalimi i kryeministrit Aleksi Cipra është transmetuar direkt në televizion.
Mbledhja e Kabinetit Qeveritar vjen pas mbledhjes së jashtëzakonshme të shtabit ekonomik nën drejtimin e kryeministrit me temë çështjen e mbulimit të nevojave financiare.

---Marrëveshja që u nënshkrua është fundi i Memorandumit. Memorandumet janë veprimtari të paligjshme, deklaroi sot në një intervistë televizive i Gianis Varufakis, duke sqaruar se marrëveshja katër mujore ishte "gjethe e fikut" për të përfunfuar Memorandumi dhe në thelb është një tekst reformash që e zëvendësoi.
"Kemi arritur të anulohen të gjitha masat e rënies ekonomike. Nuk ramë në kompromis në asnjë nga parimet tona bazë", tha ministri i Financave". 

---Këshilli Drejtues i Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar (EFSF) sot ka miratuar ndryshimin e Kontratës Kryesore për Lehtësimin Financiar të Greqisë dhe kreu i Mekanizmit të Stabilitetit Europian (ESM) Klaus Regling karakterizoi zgjatjen e marrëveshjes së kredisë, si një hap të ndërmjetëm për Greqinë.
Ai vuri në dukje se qeveria greke mund të bazohet mbi progresin e rëndësishëm që është arritur në Greqi deri sot, «në sajë të përpjekjeve të jashtëzakonshme të popullit grek» dhe se do të ketë mundësinë për të bashkëpunuar me partnerët e saj për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, për ato që do të vazhdojnë pas 30 qershorit. 

---Deputetët gjermanë të Bundestagut miratuan me një maxhorancë të dukshme zgjatjen e ndihmës financare për Greqinë.

Nga 587 deputetë të pranishëm në votim, 542 prej tyre votuan pro zgjatjes së ndihmës financiare për Greqinë me katër muaj, deri në 30 qershor 2015.

Ndërkohë, 32 deputetë votuan kundër dhe 13 abstenuan.
Para votimit, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble u kërkoi deputetëve të Bundestagut të miratonin zgjatjen e ndihmës financiare Greqisë edhe pse e konsideroi jo të lehtë, por të domosdoshëm një veprim të tillë.
”Vendimi nuk është i lehtë, por i kërkoj çdo deputeti të miratojë zgjatjen e ndihmës financiare”, deklaroi Schauble.

---Kryeministri grek, Alexis Cipras përshëndeti sot votimin e deputetëve gjermanë për zgjatjen e planit të ndihmës për Greqinë dhe premtoi se do të punonte fort për të ndryshuar Greqinë, në një intervistë për televizionin ”Euronews”.

“Ne do të fillojmë të punojmë fort për të ndryshuar Greqinë, në një Evropë që po ndryshon”, deklaroi Cipras, kreu i partisë së majtë radikale ”Syriza” duke nënvizuar se vota e Parlamentit gjerman ishte një votëbesim i Berlinit në Evropë. Ka ardhur koha për reformat për të cilat vendi ka nevojë dhe që asnjë qeveri nuk ka kërkuar të bëjë. Deputetët gjermanë hoqën sot pengesën e fundit për ndihmat ndërkombëtare, që duhet të jepen për Greqinë duke miratuar me një shumicë dërrmuese një zgjatje për katër muaj të ndihmës vendosur të martën nga evropianët.

”Votimi gjerman ka provuar se Evropa mund të shkojë përpara kur ka një vullnet politik, që ajo mund të kapërcejë pengesat dhe të kërkojë rrugë alternative drejt politikave për rritjen ekonomike dhe për t’i dhënë prioritet të ardhmes të popujve të Evropës”, nënvizoi Cipras për ”Euronews”.

---Iniciativa politike për të ndaluar fushatën e rrezikshme dhe populiste ndaj Greqisë dhe popullit grek, kërkon nga Komisioni Evropian me një pyetje të tij, zëvendës Presidenti i Parlamentit Europian dhe eurodeputet i SYRIZA, Dimitris Papadimoulis, duke marrë si shkas publikimin e djeshëm, ekstrem të gazetës gjermane Bild.

---Një tubim në Sýntagma ka organizuar të premten Partia Komuniste KKE me fjalimin e sekretarit të Përgjithshëm të saj, Dimitri Koutsouba. Siç vë në dukje KKE, shkak për tubimin është zgjerimi thelbësor dhe formal i Memorandumit si dhe vazhdimi i politikave antipopullore i qeverive të mëparshme.

---Greqia është i vetmi vend i Bashkimit Europian, ku paga minimale nominale bruto u ul në vitin 2015 në raport me 2008-n, nga 794 në 684 euro, domethënë me 14 për qind, sipas të dhënave të Eurostat-it që u publikuan në Bruksel.

Përsa u përket vendeve të tjera që kishin memorandume, në Portugali paga minimale u rrit me 19 për qind (nga 497 në 589 euro) dhe në Irlandë qëndroi konstante në 462 euro për të njëjtën periudhë.

---Ne jemi partnerë të barabartë në BE, tha ministri i jashtëm Níkos Kotziás në një intervistë televizive në kanalin privat Alpha. «Duke respektuar rregullat e tij, natyrisht kemi edhe ne të drejtë për të forcuar marrëdhëniet tona me ndonjë vend të tretë, nëse kjo i përshtatet vendit tonë. Nuk do të ngremë dorën si të ishim nxënës që kërkojnë leje ... », theksoi zoti Kotziás.

Ministri i Jashtëm ka argumentuar se Turqia «një vend i NATO-s, por që nuk aplikoi  sanksionet në Rusi është i vetmi fitues deri tani. Dhe askush nuk është duke folur për të. Ne, dmth, do të hamë vetëm "shpulla"? Disa mendonin se Greqia e shuplakave të pesë viteve të fundit duhet të vazhdonte të ishte e tillë. E pra, ne nuk jemi!».
Zoti Kotziás është referuar dhe në çështjen e dëmshpërblimeve dhe të kredisë së periudhës së pushtimit. Ai theksoi se ka propozuar krijimin e Komitetit të Personaliteteve të Shquar për këtë çështje dhe vuri në dukje se «në memorandumin e dytë është bërë një gabim themelor; Një tërheqje; Mund ti thoni si dëshironi. Parashikon se paratë që marrim si borxh nuk llogariten me borxheve të vjetra. Kjo është gabim». 

---Brenda javës që vjen pritet të vijë në Parlament, projektligji për mbrojtjen e banesës së parë nga ankandet.
Hapi tjetër do të jetë paraqitja e projektligjit për rregullimin e kredive të kuqe, të cilat në këtë moment janë në 85 miliard euro.

---Të enjten, 5 Mars qeveria do të paraqesë në Parlament edhe projektligjin për ERT-in. Sipas burimeve qeveritare ligji i ri parashikon rikthimin e punonjësve, që mbetën pa punë në 11 qershor të vitit 2013, nëse dëshirojnë dhe asnjë barrë për buxhetin e shtetit nga rifunksionimi i tij. 
Në një intervistë televizive, ministri i Shtetit, Nikos Papas deklaroi se shqyrtohet një rritje e vogël e tarifës së kontribut.

---Tejkalojnë të pesë miliardë euro detyrimet e papaguara nga ngarkesa e madhe e cigareve të kontrabanduara, që kanë zbuluar autoritetet dje në portin e Pireut, në kontejnerë nga Filipinet.

---Barazh të kontrolleve fiskale për luftimin e evazionit fiskal dhe rritjen e ardhurave publike parashikon plani operacional i Sekretariatit të Përgjithshëm të të Ardhurave Publike për vitin 2015. Deri në fund të vitit do të jetë aktivizuar dhe Regjistri i Amzave të kompanive offshore, ndërsa po përparon dhe sistemi i automatizuar i menaxhimit dhe mbledhjes së borxheve ndaj shtetit.

---Një hetim paraprak ka urdhëruar shefi i Prokurorisë së Qarkut, Ilías Zagoraíos për denoncimet në lidhje me keqtrajtimin e emigrantëve në Qendrën e Mbajtjes në Amygdaléza.

---Vdiq sot koleksionisti Íon Vorrés, themeluesi i Muzeut me të njëjtin emër në Paianía.

Shqipëria
---Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri zhvilloi sot në Pogradec, tryezën e dytë këshillimore me rreth 30 përfaqësues vendorë të organizatave të shoqërisë civile (OShC), me qëllim marrjen e mendimeve të tyre mbi temat e dy thirrjeve të reja për Propozime (ThP), para shpalljes në pranverë 2015, të dy fondeve prej 3.4 milionë € në kuadrin e Programit për Shoqërinë Civile (CSF) dhe 1.15 milionë € në kuadrin e Instrumentit Evropian për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR)

“Delegacioni i Bashkimit Evropian është këtu në Pogradec për t’ju dëgjuar sepse Shqipëria nuk është vetëm Tirana”, u shpreh Stefano Calabretta, Drejtues i Projekteve për Shoqërinë Civile pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Ndërsa për fondet EIDHR, përparësi do të kenë mbrojtja e të drejtave të kategorive të cënueshme dhe nxitja e përfshirjes sociale të grupeve të margjinalizuara.

Qëllimi i përgjithshëm është nxitja e pjesëmarrjes aktive e shoqërisë civile në politikëbërje dhe ndihmesa e saj në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit me BE-në. Kjo ishte tryeza e dytë këshillimore mes BE-së dhe shoqërisë civile, nga tre të planifikuara. Takimi i parë u zhvillua në Tiranë, në 23 shkurt, ndërsa takimi i tretë do të zhvillohet në Shkodër, të hënën, 2 mars, në orën 10:30, në Qendrën e Informacionit të BE-së./m.m/

---Në Bruksesl është nënshkruar  marrëveshja për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Europian “Europa për Qytetarët”, duke ju referuar njoftimit zyrtar te Ministrisë  së Mirëqenies Social.

Marrëveshja u nënshkrua nga zv/ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, ndërsa për Komisionin Europian nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme dhe të Migracionit, Matthias Ruete.

Sipas njoftimit, pas ceremonisë së nënshkrimit, zv/ministrja Sula u shpreh se “ky program është një mundësi e mirë, sidomos për grupet e interesit që janë prekur direkt nga regjimi i shkuar komunist, siç janë shoqatat e ish të përndjekurve politikë dhe grupet e tjera të të drejtave të njeriut, për të realizuar programe të përbashkëta me partnerë të vendeve të tjera që kanë patur të njëjtën histori, ashtu si Shqipëria.

“Programi i cili mbështetet në dy shtylla, kujtesa për të shkuarën dhe promoviomin e qyteteve të Europës, ka qëllim të sigurojë një bashkëjetesë harmonike që i jep frymë bashkëjetesës integruese”, mësohet të jetë shprehur  zv/ministrja Sula, duke shtuar se ky program krijon mundësi për shoqërinë civile, për të realizuar projekte në fushën e promovimit të frymës së bashkëjetesës harmonioze, tolerante dhe të integruar.

---Violinisti i njohur shqiptar në Europë, Tedi Papavrami, do të interpretojë sot në mbrëmje për publikun francez  “6 Sonatat dhe Partitat”, pjesë e repertorit të kompozitorit të madh Johan Sebastian Bach.

Shfaqja e sotme e organizuar nga Fondacioni Louis Vuitton, e cila do të zhvillohet në Fondation Louis Vuitton, 8 avenue, Mahatma Gandhi, Bois de Boulogne, 75116 Paris, rikthen artistin Tedi Papavrami pas në kohe dhe kujtime, ku pikërisht këto pjesë ai ka nisur t’i luaj që në moshën 8- vjeçare.

“Nuk e dija që do të ishte kjo muzika, e cila do të më shoqëronte gjatë gjithë jetës” është shprehur më parë artisti, lidhur me pjesët e kompozitorit të madh dhe njërit prej idhujve të tijë Johan Sebastian Bah.

Edhe ministrja e kulturës Mirela Kumbaro me anën e një statusi në adresën zyrtare të ministrisë në rrjetin social Facebook e cilëson  shfaqen e sotme si “Një mbrëmje e veçantë koncertale për një muzikë monumentale”.

Cikli i plotë i sonatave dhe partitave të Bahut për violinë kudo në botë, luhet rrallë në koncert, dhe këtë të fundit e kanë konfirmuar shumë studiues të cilët kanë mbështetur idenë se nevojitet  një përqëndrim i madh shpirtëror për të ndjekur veprat e Bachut.

---Në Monte Carlo, u hap sipari i  Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Komedi krijuar nga aktori dhe prezantuesi i njohur italian i programit “Striscia la Notizia”, Ezio Greggio. Edicioni i 12-të i Monte Carlo Film Festival, ka mbledhur në garë 10 prodhimet më të suksesshme kinematografike të vitit 2014.

E veçanta e këtij edicioni është se krah emrave të njohur të kritikëve, regjisorëve e aktorëve që gjenden në jurinë e këtij festivali, mes tyre është përzgjedhur dhe aktorja e njohur shqiptare Yllka Mujo.
Yllka së bashku me italianen Maria Grazia Cucinotta, Giovanni Veronesi, Klod Zidi dhe Lee Scott Marshall do të shpallin fituesit e këtij festivali në mbrëmjen gala të 28 shkurtit në Monte Carlo.

Bota
---Nëntë persona u gjetën të vdekur përfshi dhe të dyshuarin e krimit në disa vendbanime të ndryshme, pas raportimit për të shtëna në pjesën jugore të Misurit, njoftoi sot policia në një konferencë shtypi.

Sipas hetimit që po vazhdon, shtatë persona ishin vrarë dje në mbrëmje në katër shtëpi të ndryshme në fshatin e vogël Tyrone.

”Personi i tetë, një grua e moshuar, gjithashtu u gjend e vdekur në shtëpinë e pestë, por mendohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale”, sipas Missouri State Highway Patrol. Dje në mbrëmje, rreth orës 22:15, policia e Teksasit ishte njoftuar për disa të shtëna në një shtëpi në fshatin Tyrone, Misuri.
Policia zbuloi dy të vdekur në këtë shtëpi para se të zbulonte dhe pesë persona të tjerë të vrarë dhe një të plagosur në vendbanimet e tjera në të njëjtin qytet.

”Personi që dyshohet si autor i të shtënave, një 36-vjeçar me origjinë nga Tyrone u gjet i vdekur në një veturë në rajonin fqinj Shannon, pasi mendohet të ketë kryer vetvrasje”, theksoi zëdhënësi i policisë, Jeff Kinder../ec/

---Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe e cilësoi sot si krim kundër trashëgimisë së njerëzimit shkatërrimin e thesareve antike në Irak nga grupi i Shtetit Islamik, duke dënuar gjithashtu rrëmbimin nga xhihadistët të 220 të krishterëve asirianë në Siri.

Shteti Islamik publikoi sot një video në të cilën luftëtarët po shkatërronin thesaret arkeologjike në muzeun e Mosulit, qyteti i dytë në Irak, ku ata kanë nisur fillimisht ofensivën e tyre në qershor 2014. Në video shiheshin gjithashtu xhihadistët, duke shkatërruar krahët e demit asirian, hyjni mbrojtëse në Muzeun Ninevah në Mosul. Statuja daton që në  shekullin e IX para erës sonë, shkëlqimi arkeologjik i qytetit.

“Ky agresion barbar kundër trashëgimisë së popullit irakian përbën një prej krimeve më të rënda të kryera në kohën tonë kundër trashëgimisë të njerëzimit”, nënvizoi shefi i organizatës pan-arabe, vendosur në Kajro, Nabil al-Arabi.

Al-Arabi dënoi gjithashtu në një komunikatë rrëmbimet dhe torturat e kryera nga Shteti Islamik kundër anëtarëve të komunitetit asirian, pas rrëmbimit që prej të hënës të 220 të krishterëve asirianë në Siri, sipas një bilanci të ri të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH)./ec/

---Separatistët pro rusë kanë nisur tërheqjen e raketave Grad nga Donestku. Sipas Interfax, agjencisë ruse të lajmeve, një autokolonë me katër sisteme të tilla la vijën e frontit.

Zëvendësministri i Mbrojtjes i separatistëve, Eduard Basurin deklaroi se nuk parashikohet ende tërheqja e armëve të rënda, sidomos nga aeroporti i Donetskut. Ukraina njoftoi dje fillimin e tërheqjes së armëve të rënda nga linja e frontit në lindje të vendit nën kontrollin e separatistëve prorurë, në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në Minsk, sipas një komunikate të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase.

---Në aeroportin njujorkez të Njuarkut është zbuluar një pikturë e vjedhur e mjeshtrit spanjoll Pablo Picasso. Autoritetet doganore amerikane thanë se pakoja ku u gjet ishte dërguar nga Belgjika.

Piktura ishte vjedhur në vitin 2011 në qendrën “Pompidu” në Paris dhe atëherë ishte vlerësuar me 2 milionë euro.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të shtunën 28 shkurt shira në pjesën më të madhe të vendit, stuhi të fuqishme ka shumë mundësi në mëngjes në ishujt e Egjeut dhe në Dodekanez dhe nga dreka në Jon. Ndërkohë, do të ketë dhe periudha të përmirësimit të motit.
Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 17 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 7 dhe 14 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54