Lajmet në gjuhën shqipe 28/02/2015

---Kryeministri Aleksi Cipra hapi sot punimet e Komitetit Qëndror të SYRIZA në kinemanë Keramikos.

Në çështjet e mbledhjes përfshihet vlerësimi i betejës zgjedhore dhe zhvillimet politike. Gjithashtu pritet të zgjidhen anëtarët e Sekretariatit të ri Politik dhe Sekretari i ri i Komitetit Qëndror.

Kryeministri mes të tjerash foli dhe për planet, që siç tha, ekzistonin për rrëzimin e qeverisë nga forcat konservatore të Evropës në bashkëpunim me qeverinë Samara. Si dhe për nismat legjislative të javës së ardhshme, për trajtimin e «regjimit monstruoz të korrupsionit dhe ngatërresës» dhe theksoi nevojën, që SYRIZA të mos bëhet një mekanizëm për shpërndarjen e pushtetit, siç bëhej në të kaluarën dhe të mbështesë, por dhe të mbajë një qëndrim kritikues ndaj qeverisë.

Duke iu referuar negociatave mbi marrëveshjen - urë me huadhënësit, vuri në dukje se populli grek ndjehet se fiton dinjitetin që i kishin vënë në dyshim dhe i kishin privuar dhe shtoi se gjatë negociatave, qeveria tha, «jo një, por disa, JO të njëpasnjëshme brenda disa ditëve, pavarësisht presioneve, të cilat në disa raste u bënë të padurueshme dhe morën natyrën e shantazhit». Ai shtoi se "trojka si mekanizëm jo institucional dhe jashtë çdo kontrolli dhe legjitimiteti demokratik i mbikëqyrjes dhe i dominimit ka përfunduar dhe zyrtarisht».

---Projektligji i parë që do të paraqesë qeveria javën e ardhshme do të ketë të bëjë me përballimin e krizës humanitare, ndërsa në vazhdim do të depozitohen projektligje për rregullimin e detyrimeve të pashlyera ndaj shtetit, ku do të përfshihet edhe mbrojtja e banesës së parë dhe rifunksionimi i ERT (Radiotelevizionit Publik Grek), deklaroi kryeministri Aleksis Cipras në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Duke iu referuar tërthorazi qëndrimit të ”Demokracisë së re”, Cipras tha se “sot shumë do të donin që të kishim pranuar masat e shkatërrimit të shoqërisë për të cilat kishte rënë dakord qeveria e mëparshme, vetëm e vetëm që të mos dëshmohet lakuriqësia e saj politike dhe mungesa e kredibilitetit” dhe se “disa shpresojnë se do të ketë një memorandum të tretë, në qershor”.

”Më vjen keq, por përsëri do t’i zhgënjejmë”, tha kryeministri duke shtuar se “ajo që synojmë në fund të katërmujorit është një marrëveshje reciprokisht e pranueshme me partnerët për çlirimin përfundimtar të vendit nga mbikëqyrja mbytëse dhe diskredituese. Një marrëveshje që do t’i bëjë të qëndrueshme detyrimet tona financiare dhe do të japë mundësinë që të kthehemi te zhvillimi, normaliteti dhe kohezioni social”.

Kryeministri komunikoi gjithashtu se javën e ardhshme do të depozitohet në parlament propozimi për krijimin e një komisioni parlamentar me qëllim që të hetohen kushtet, por edhe përgjegjësitë politike të faktorëve që luajtën rol në falimentimin e vendit. Kryeministri u rekomandoi pjesëtarëve të Këshillit të Ministrave që të punojnë më shumë për të realizuar mandatin popullor.

---Ministri grek i Financave, Ganis Varufakis premtoi sot se do të ishte i pamëshirshëm kundër atyre që kanë mundësi të paguajnë, duke mos përjashtuar vendosjen e një takse të jashtëzakonshme me qëllim për të garantuar një ekuilibër buxhetor.

“Ne jemi të angazhuar për të pasur buxhete të ekuilibruara. Nëse unë jam i detyruar për të vendosur një takse të jashtëzakonshme do ta bëj, por kjo do të jetë për ata që kanë mundësi të paguajnë (…), nuk do të kërkojmë para nga ata që nuk kanë mundësi”, deklaroi ministri gjatë një interviste për televizionin grek ”Skai”.
”Jemi angazhuar se do të kemi buxhete të balancuara. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se duam të rifitojmë pavarësinë e vendit dhe sovranitetin popullor brenda mureve tona, duke garantuar se kurrë më nuk do të kemi deficite primare”, theksoi Varufaqis.

“Jemi të interesuar për ata që kanë para dhe nuk kanë paguar kurrë. Ata do të jenë shënjestra jonë dhe do të jemi të pamëshirshëm”, shtoi ai.

Ministri u kërkoi gjithashtu partnerëve evropianë të ndihmojnë Greqinë, duke reaguar kundër kompanive të tyre që i shpëtojnë taksave dhe jo vetëm për të na dhënë mësime.

---Këshilli Drejtues i Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar (EFSF) ka miratuar ndryshimin e Kontratës Kryesore për Lehtësimin Financiar të Greqisë dhe kreu i Mekanizmit të Stabilitetit Europian (ESM) Klaus Regling karakterizoi zgjatjen e marrëveshjes së kredisë, si një hap të ndërmjetëm për Greqinë.

---Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin (BERZH) do të ndizë dritën e gjelbër për mbështetjen e Greqisë, thanë për Agjencinë Reuters burime të mirëinformuara të bankës. 

Rikujtojmë se qeveria e Demokracisë së Re kishte paraqitur një kërkesë vitin e kaluar për të marrë mbështetje nga banka, por procesi «ngriu» për shkak të pasigurisë për zgjedhjet e fundit në vend.

---Dekretimi i shërbimit për shefat e Shtabeve të Përgjithshme njoftoi Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Pános Kamménos, në përshëndetjen e tij me rastin e ceremonisë së  marrjes dhe dorëzimit të detyrave të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Aeroporisë, Gjeneral Lejtnant Evángelos Tourná tek nën Lejtnant Hrísto Vaïtsi, në objektet e Akademisë.

---Përfaqësuesi i ministrisë Ruse të Bujqësisë ka lënë të hapur mundësinë që Greqia të jetë një nga vendet e para që do të hyjnë në tregun rus, kur të hiqet embargu, pas kërkesës së zëvendës ministrit grek të Zhvillimit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Panagióti Sgourídi.

---Gjithsej 2 milion euro janë borxhet ndaj shtetit, të tre personave që u arrestuan në  Sérres dhe Amýntaio të Flórinas. Të arrestuarit do të dërgohen në prokurorët kompetentë të zonave të kapjes së tyre.

Shqipëria
---Në Bukuresht, gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama u prezantua për publikun rumun libri “Kurban”, i përkthyer në rumanisht.

Ceremonia e promovimit u zhvillua në praninë e Kryeministrit Victor Ponta dhe personaliteteve rumune të fushës së letrave.

Krahas përmbajtjes së librit, interesi i audiencës u përqendrua në pikëpamjet e Kryeministrit mbi çështje të aktualitetit rajonal si bashkëjetesa fetare dhe sfidat e të ardhmes së përbashkët në Ballkan.

Kryeministri foli për rastin e shqiptarëve në Ballkan si shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare. Ndërsa e përcaktoi përshkallëzimin e radikalizmit islamik në zona ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik si kërcënimin më serioz, Kryeministri nënvizoi se përshpejtimi i integrimit europian i vendeve të rajonit është përgjigja e duhur ndaj tij.

---Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Rumani, ditën e premte mori edhe titullin e posaçëm Doctor “Honoris Causa” nga Akademia e Arteve të Bukureshtit.

Një ngjarje e veçantë, e nënvizoi Kryeministri në fjalën e tij, jo aq për privilegjin e titullit, sesa për domethënien e tij. Kuptimplotë është të flasësh për këtë në një vend pjesë e BE-së dhe që ka kaluar me sukses shumë aspekte, të cilat në Shqipëri, qeveria është e angazhuar t’i përmbushë. Por euroskepticizmi në rritje, nënvizoi Kryeministri, përbën një sfidë reale për Europën e Bashkuar.

---Kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit për periudhën (27 shkurt-20 mars) parashikon shqyrtimin e një numri ligjesh të rëndësishme në komisionet parlamentare, që do t’i kalojnë për miratim seancave plenare në ditët në vazhdim.

Në axhendën e projektligjeve përfshihen projektligjet “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”; “Për sektorin e energjisë elektrike”; dy draftet “Për hapjen e dosjeve”; disa ndryshime në kodin zgjedhor, etj.
Kalendari i punimeve parlamentare përfshin dhe diskutimin e një sërë marrëveshjesh që lidhen me investime në infrastrukturë, kanalizime e ujësjellës në zona të ndryshme të vendit, kryesisht të financuara nga donatorë të huaj.
Gjatë javëve në vazhdim është parashikuar të diskutohen dhe dy pr/vendime, ai “Për caktimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”, zgjedhja e një anëtari dhe kryetari të AMF-së, si dhe shqyrtimi i dekreteve të Presidentit për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë. /a.s//a.ke/

---Këngëtari i mirënjohur italian Pino Daniele është përkujtuar mbrëmjen e kaluar në Durrës, gjatë një koncerti të organizuar nga artistë shqiptarë dhe italianë. Këngëtari napoletan Mario Maglione dhe këngëtarja durrsake, Luljeta Strefi kënduan së bashku “Napule e’”, këngën hymn të Pino Danieles, i cili u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti.

Spektakli “Rikthimi”, që mblodhi në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhjetra artdashës u organizua nga nga shoqata italo-shqiptare “New umor sound” në bashkëpunim me shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit dhe grupin e baletit të koreografit Arjan Plaku.

Bota
---Ministria rumune e Brendshme njoftoi të shtunën kapjen e një anijeje në Detin e Zi me 70 imigrantë të paligjshëm në bord, pjesa më e madhe sirianë dhe irakianë.

”Mes imigrantëve të shumtë në këto anije peshkimi, që vinin nga Turqia, ndodheshin shtatë fëmijë përfshirë këtu dhe një bebe pesë muajshe dhe 20 gra”, sipas komunikatës. Anija me flamurin rumun po drejtohej drejt plazhit ku ajo u gjend në vështirësi për shkak të erërave të forta dhe një deti të egërsuar.

Imigrantët e paligjshëm kanë shpëtuar dhe janë shoqëruar deri në portin Constanta për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Sipas rojave bregdetare bëhet fjalë për përpjekjen e dytë të këtuj lloji në harkun kohor të dy viteve./ec/

---Boris Nemtsov, lideri i opozitës antiPutin dhe ish-zëvendës kryeministri liberal i epokës së presidencës së Boris Jelcinit, u vra në ndërkohë që ecte në qendër të Moskës.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, politikani ishte shënjestër e katër plumbave. Nemtsov u godit nga persona që zbritën nga një makinë, pranë Kremlinit, sipas Juri Barminit, mik dhe bashkëpunëtor në luftërat politike të tij. Sipas medias, Nemtsov ishte në shoqërinë e një gruaje.

Nemtsov, 55 vjeç, ishte parë si zëvendësues i mundshëm i Jelcinit në Kremlin.Guvernator i Nizhni Novgorodit, ai ka mbajtur shumë poste të rëndësishme në Moskë, duke u imponuar si reformator.

Më vonë, ai krijoi Bashkimin e Forcave të Djathta, një formacion liberal, së bashku me ish-kryeministrin, Sergei Kirienko dhe ish-zëvendës kryeministrin, Anatoli Ciubais, por më vonë u shfaq si kundërshtar i ashpër i Putinit./ a.jor.

---Presidenti rus, Vladimir Putin konfirmoi sot, pas vrasjes së opozitarit, Boris Nemtsov se do të bëhet gjithçka që organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij krimi të rëndë dhe cinik të marrin dënimin që meritojnë.

“Boris Nemtsov ka lën gjurmë në historinë e Rusisë, në jetën politike dhe shoqërore. Ai ka shprehur gjithmonë hapur dhe ndershmërisht qëndrimet e tij”, deklaroi presidenti rus në një mesazh ngushëllimi për Dina Eidman, mamaja e Boris Nemtsov. “Ndaj sinqerisht fatkeqësinë që ju ka goditur”, shtoi Putin./ec/

---Lideri i burgosur i rebelëve kurdë në Turqi, Abdullah Oçalan kërkon paqe me Ankaranë.

Mesazhin e përcolli për mediat turke, përmes një përfaqësuesi të partisë së tij. Për Oçalan ka ardhur koha t’i jepet fund konfliktit të armatosur dhe të gjendet një zgjidhje demokratike mes të dyja palëve. Konflikti shumëvjeçar i kanë marrë jetën 40 mijë njerëzve.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të dielën 1 mars mot të paqëndrueshëm në pjesën më të madhe të vendit me shira lokale, por dhe me periudha me diell. Temperatura minimale dhe maksimale në Greqinë Veriore do të jenë 5 dhe 13 gradë Celsius, 6 dhe 15 gradë në Greqinë Qendrore, 8 dhe 17 gradë Celsius në Greqinë Jugore.
Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 17 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 5 dhe 13 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54