Lajmet në gjuhën shqipe 26/02/2015

---Dje në mbrëmje vonë përfundoi takimi maratonë i grupit parlamentar të SYRIZA-s, që kishte filluar në orën 10:45, me temë zhvillimet përsa i përket negociatave të Greqisë me partnerët.

Sipas burimeve qeveritare, pas kërkesës së kryeministrit Aleksis Cipras, pati votim në grup, ku shumica e deputetëve deklaruan se mbështesnin marrëveshjen e arritur të premten e kaluar.

Në mbyllje të mbledhjes, kryeministri theksoi se “rezultati i marrëveshjes do të varet dhe do të gjykohet nga mënyra që do të funksionojmë si qeveri. Me hap më të shpejtë të promovojmë punën e qeverisë dhe të ushtrojmë qeverisjen, duke respektuar mandatin popullor”.

Më tej kryeministri vërejti se “presim të shohim procedurën edhe në parlamentet e huaja dhe pastaj do të shohim kuadrin e vendimit politik, dy-tri ditët e ardhshme”.

---Në numrin e radhës të revistës satirike franceze ”Charlie Hebdo”, që ka qarkulluar me tirazh 2,5 milionë kopjesh, publikohet edhe një intervistë me ministrin grek të Financave, Gianis Varufakis, titulli i së cilës merret nga fjalët e ministrit, sipas të cilit “Evropa i rekomandon masat shtrënguese ekonomike ashtu si mjekët në të kaluarën rekomandonin thithjen e gjakut nga shushunjat”.

Në prezantimin e intervistës, nënvizohet se mesazhi i Varufaqis është se “masat shtrënguese janë një sëmundje dhe se Greqia nuk do të mundë të paguajë borxhin e vet, përveçse kur vetë zhvillimi ekonomik t’ia lejojë. Është një mesazh që është vështirë të dëgjohet në Evropë, që e ka bërë zakon të mos diskutojë, siç tregoi takimi i Eurogrupit i 16 shkurtit”, nënvizon ”Charlie Hebdo”.

I pyetur nëse Trojka vdiq apo jo, Varufakis përgjigjet ndërmjet të tjerash se “puna kolosale që kemi përpara, është të zhdukim frymën e Trojkës, të zhdukim mentalitetin e saj dhe t’i japim fund ndikimit të saj në Evropë dhe jo vetëm në Greqi”.

---Ministri i punës, Pános Skourlétis njoftoi sot se do të ketë një afat kohor mbi projekt-ligjin e qeverisë në lidhje me rivendosjen graduale të pagës minimale në 751 euro dhe se ka një afat kohor specifik për rivendosjen e pagës minimale.

---Dispozita për ngrirje të pasurive të 17 personave ka lëshuar prokurori i krimit financiar, pas shenjave për evazion fiskal dhe pastrim parash nga veprimtari kriminale, që kanë rezultuar nga informacioni i Qendrës së Tatimpaguesve me pasuri të madhe.

---Optimist për mbulimin e boshllëkut financiar deklaroi ministri i Ekonomisë, Giórgos Stathákis, duke dalë nga mbledhja e shtabit ekonomik të qeverisë. 

---Frymëmarrje likuiditeti që do të lehtësojë depozitat e arkave dhe do të mbulojë nevojat afatshkurtra përbëjnë përafërsisht 700 milionë euro, që do të japë Banka e Greqisë në Shtetin Grek.

---Parlamenti gjerman ka dhënë sinjale të qarta se do të mbështesë planin e reformave të qeverisë greke të Aleksis Cipras.

Votimi është parashikuar të mbahet të premten. Në një votim testues vetëm 22 nga 311 deputetët e partisë së Kancelares Merkel ishin kundër, ndërsa social -demokratët në koalicion ishin unanim në vendim.

---Hapi i parë për përfundimin e masave shtrënguese në Evropë karakterizon Grupi i të Majtëve në Parlamentin Evropian, marrëveshjen e Eurogroupit për Greqinë.

---Ka vazhduar dhe sot me deponimet e dëshmimtarëve gjyqi i Giórgos Papakonstantínou në Gjykatën Speciale.
Ish-ministri i Financave akuzohet për veprën penale të manipulimit të dokumenteve shtetërore si dhe të veprës për tentativë abuzimi me detyrën.

---Vendimin përfundimtar për shtyrjen e kampionatit të Super Ligës deri të mërkurën tjetër, kur do të vlerësohet përsëri progresi në luftimin e dhunës, ka njoftuar zëvendës ministri i Sporteve, Stávro Kontoní pas takimit të tij me kryeministrin Aleksi Cipra. 

---Sasi e madhe e papërshtatshme për konsum e mishit të derrit është konfiskuar në Spitalin e Kancerit të Pireut «Metaxá» nga inspektorët e ushqimit të Rajonit të Pireut.
Kanë shpëtuar 15 emigrantë, të cilët ishin zhdukur që në mëngjes, të enjten në zonën bregdetare në jug të Plomarit.

Shqipëria
--- Këtë vit, në panairin “Holiday World” që u zhvillua nga 19 deri 22 shkurt në Pragë mori pjesë edhe Shqipëria me një stendë ku, krahas Agjencisë Kombëtare të Turizmit, pjesë e stendës ishin edhe 4 agjenci private turistike.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKT, Julinda Dhame në një intervistë për gazetën prestigjoze të udhëtimeve dhe turizmit, (e cila shpërndahet në 10 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Çekinë) Travel Trade (TTG,) foli mbi turizmin e qëndrueshëm, mikpritjen dhe bregdetin e paprekur shqiptar.

Gjatë ditëve të panairit pati një interes të konsiderueshëm nga ana e qytetarëve çekë, ashtu sikurse edhe nga përfaqësuesit e bizneseve turistike. Stenda e Shqipërisë u vizitua nga grupe të tilla si përfaqësues të mediave, konsultantë turistike, agjenci të huaja turistike etj. Lidhur me interesin e vizitorëve çekë ai ishte kryesisht i drejtuar ndaj turizmit të “diellit dhe detit“ si dhe drejt lehtësirave dhe çmimeve që ofron vendi ynë për turizmin. Stenda u vizitua gjithashtu edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Republiken Ceke, Ilirian Kuka.

---Syri i një klouni nuk i sheh gjërat ndryshe nga të tjerët, por dhuntia e tij për të qeshur edhe kur duhet të qajë shpreh gjithçka që ndodh në mendjen e njeriut. 

"Me syrin e një klouni" romani i nobelistit gjerman Hajnrih Bël (Heinrich Böll) vihet në skenën e Teatrit Kombëtar, e përshtatur si monodramë nga përkthyesi i kësaj vepre në shqip, Ardian Klosi dhe i sjellë nën regjinë e Ema Andreas. Klouni i kësaj drame, Neritan Liçaj ka theksuar se kjo nuk ishte një zgjedhje e rastësishme, por po vjen në përkujtim të Ardian Klosit.
"Me syrin e një klouni" eshtë drama e artistit të përjashtuar nga shoqëria, familja, e dashura dhe qarqet kishtare për arsye të antikonformizmit dhe rebelimit ndaj normave sunduese në shoqërinë e mirëqenies ekonomike dhe botës të shoë-biznesit, për arsye të mospajtimit me fshehjen dhe shtrembërimin e së kaluarës.

Neritan Liçaj dhe Ema Andrea do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës për të qenë pjesë e shfaqjes "Me syrin e një klouni", që do të shfaqet më 28 shkurt dhe për t'iu rezervuar surpriza e parë më 1 mars, në orën 19:00.

---Një thënie franceze thotë se “Femra është molla e sherrit”. Edhe në komedinë me regji të Kastriot Çipit, femra dhe konkretisht të mbathurat e saj bëjnë lëmsh një qytet të tërë.

Edhe pse për herë të parë ajo është vendosur në Gjermaninë e vitit 1911, edhe sot komedia me titullin provokues “Brekët” tingëllon aktuale, veçanërisht në shoqërinë shqiptare, ku gruaja ende pozicionohet “e dyta” në çdo tipologji të marrëdhënieve.

Për Alesia Xhemalaj, e cila vjen në rolin e Luizës që i bien të mbathurat gjatë një mitingu dhe bëhet shkaku i luftës së dy meshkujve, për të patur një aventurë erotike me të, ky personazh vjen me nota sikleti.

“Brekët” e Kastriot Çipit do të kenë premierën në 27 shkurt në teatrin Metropol.

Bota
---Liderët e lëvizjes politike Podemos në Spanjë akuzuan kryeministrin Mariano Rahoj se pavarësisht premtimeve të tij, makthi nuk ka përfunduar aspak për vendin e zhytur në krizë ekonomike e papunësi.

Lideri i lëvizjes emri i së cilës përkthehet si slogani i Obamës "We Can", apo ne Mundemi, mbajti një fjalim altrenativ me atë të "gjendjes së kombit" që mban presidenti amerikan.  "Podemos" ishte thirrja e turmave në Madrid ndërsa lideri i lëvizjes, Pablo Iglesias doli për fjalimin. Ai sfidoi pretendimet e kryeministrit konservator të vendit, një ditë më parë, dhe e ftoi atë në debat televiziv.

"Masat e kursimit nuk kanë ndihmuar të largojnë krizën", tha Iglesias. Nuk kanë ndihmuar të lëmë pas tre problemet kryesore të spanjollëve, papunësinë, borxhet dhe pabarazinë. Të tre këto probleme, sipas tij, vetëm sa janë shtuar. Iglesias tha se shumë nga vendet e punës të sapokrijuara janë për profile të ulëta, me pagesa të ulëta e të përkohshme, të cilat sipas ekonomistëve dhe sindikatave paraqesin rreziqe afatgjata.

Aktualisht pa përfaqësim në Parlament, Podemos përballet me testin e parë elektoral në 22 mars, kur Andaluzia rajoni më i madh i Spanjës shkon në zgjedhje. Votimet lokale dhe rajonale do të zhvillohen edhe në zona të tjera në maj, ndërsa ato të përgjithshme në fund të vitit. Sipas sondazheve pritet që Podemos të fitojë pikë në zgjedhje, në gjurmët e radikalëve të majtë të Syrizas në Greqi.

---Ukraina njoftoi sot fillimin e tërheqjes së armëve të rënda nga linja e frontit në lindje të vendit nën kontrollin e separatistëve prorurë, në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në Minsk, sipas një komunikate të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase.

“Konform marrëveshjeve të arritura në Minsk më 12 shkurt, Ukraina filloi tërheqjen e topave të kalibrit 100 milimetra në linjën e frontit”, thuhet në komunikatë.
“Ky është hapi i parë nën mbikëqyrjen edhe të OSBE-së”, theksohet në të./ a.jor.

---Ushtria e Irakut po përgatitet për operacione në shkallë të gjerë kundër organizatës terroriste ISIS, njoftoi ministri irakian i Mbrojtjes Halit el-Ubeidi, i cili ka mbikëqyrur përgatitjet në vend dhe ka vizituar trupat ushtarake në rajonin Taxhi të Salahadinit.

Sipas informacioneve mësohet se Ubeidi ka monitoruar trupat ushtarake të dislokuara në Taxhi, të cilët do të luftojnë kundër ISIS-it. Ubeidi ka marrë informacione në lidhje me përgatitjet dhe në lidhje me gjendjen e sigurisë në rajonet problematike.

Ai ka vëzhguar dhe përgatitjet për operacionet që do të ndërmerren kundër militantëve të ISIS-it dhe gjithashtu ka diskutuar me komandantët për municionet ushtarake dhe nevoja të tjera që do të jenë të nevojshme gjatë operacionit. Në rajonin Taxhi të Salahadinit, në veri të vendit, jetojnë anëtarët e fiseve sunite.

Sipas të dhënave të OKB-së, popullsia e rajonit është rreth 300 mijë banorë. Në rajonin ku ndodhet baza ushtarake Taxhi më parë ka qenë fabrika më e madhe ushtarake që përdorej për prodhimin e materialeve të përdorura në ndërtimin e tankeve./ a.jor.

---Xhon Xhihadisti, ekzekutori i ISIS-it, i cili shfaqet në disa video duke vrarë pengje, quhet Mohamed Emwazi dhe është një 27-vjeçar londinez, njoftoi sot BBC-ja duke cituar burime nga Scotland Yard.

Emri i vërtetë i Xhon Xhihadistit ishte i njohur nga autoritetet, por ato zgjodhën ta fshehin për të mos kompromentuar hetimet. Emwazi u shfaq për herë të parë në një video, duke i prerë kokën gazetarit amerikan, James Foley, gushtin e kaluar. Sipas disa miqve të terroristit, Emwazi i përket një familjeje me emër në perëndim të Londrës dhe ka studjuar për Shkenca Kompjuterike. Besohet se ai ka mbërritur në Siri në vitin 2012 për t’iu bashkuar ISIS-it./ a.jor.

---Policia daneze ka arrestuar 95 persona me akuzën e trafikut të qënieve njerëzore, mashtrimit dhe vjedhjes së identitetit.

Shumica e të ndaluarve janë shtetas rumunë, ndërsa janë të arrestuar dhe një avokat e kontabilist vendas. Akuza shtesë ndaj këtyre të fundit është edhe ajo e evazionit fiskal. Operacioni masiv u realizua në dy prej ishujve të vendit nordik, pas një hetimi të hollësishëm më shumë se 5 – mujor.
Sipas policisë, ata kanë përdorur identitetet e personave të tjerë, për të trafikuar rreth 300 rumunë. Besohet se rrjeti ka përfituar nga trafiku 54 milionë korona daneze ose mbi 7.2 milionë euro.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 27 shkurt mot të keq në të gjithë vendin me shira dhe stuhi në zonat fushore dhe dëborë në  zonat malore.
Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 9 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 6 dhe 12 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54