Lajmet në gjuhën shqipe 19/02/2015

---Qeveria greke propozoi në Bruksel një zgjatje për gjashtë muaj të marrëveshjes së kredisë evropiane që nuk përfshin zgjatjen e memorandumit të ndërmarrë, sinonim i masave shtrënguese, por angazhohet gjatë kësaj periudhe për ekulibrimin buxhetor, theksoi një burim qeveritar.

”Qeveria e Aleksis Ciprasit, në linjë me premtimet e tij, nuk ka kërkuar zgjatje të memorandumit, programi i ndihmës në fuqi që prej vitit 2010, por një zgjatje të marrëveshjes së kredisë evropiane nëpërmjet një marrëveshjeje urë gjashtë mujore gjatë së cilës qeveria angazhohet për ekuilibrimin buxhetor”, theksoi i njëjti burim.

Në të njëjtën kohë, propozimi i Athinës garanton partnerët e saj evropianë për reforma të menjëhershme kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit dhe paralelisht për masa për të përballuar krizën humanitare dhe për rritjen e ekonomisë.

”Kjo marrëveshje ka si qëllim t’i japë më shumë kohë qeverisë për të prezantuar në zonën euro një kontratë të re për rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike për periudhën 2015-2019, që do të përfshijë një plan për reduktimin e borxhit, ashtu si parashikonte vendimi i vitit 2012 të ministrave evropianë të Financave” vijoi burimi./ec/

---Të premten në orën 15:00 do të mbahet takimi i jashtëzakonshëm i Eurogroup dhe të enjten mbledhja kritike e EuroWorking Group për kërkesën e Greqisë.

---Ndërkohë, ministria gjermane e Financave vlerësoi sot se kërkesa e depozituar nga ana e Greqisë për zgjatjen e ndihmës nga partnerët e saj evropianë nuk përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme dhe nuk u përgjigjet kushteve të fiksuara nga zona euro.

“Propozimi i Athinës nuk është i qenësishëm” deklaroi zëdhënësi i ministrisë së sipërcituar, Martin Jager në një komunikim të shkurtër me median. “Kjo kërkesë nuk u përgjigjet kushteve të përcaktuara të hënën e kaluar nga Eurogrupi”, theksoi ai./ a.jor.

---Prokopis Pavlopulos, 65 vjeç u zgjodh me 233 vota nga 300 deputetë, që ka në total parlamenti grek. 

Pavlopulos u propozua si kandidaturë nga radikalët e majtë të Siriza-s dhe Grekët e Pavarur, por ka gjetur edhe mbështetjen e deputetëve të Demokracisë së Re, si një prej figurave kryesore të kësaj partie.

Prokopis Pavlopulos ka shërbyer si Ministër i Brendshëm, gjatë periudhës 2004 – 2009, nën qeverisjen e konservatorëve të Kostas Karamanlis.
Ndërkohë kandidati i ”POTAMI”-t dhe PASOK-ut, Nikos Alivizatos mori 30 vota. Të paktën 32 deputetë abstenuan.

Z.Pavlopulos zëvendëson presidentin aktual, Karolos Papulias në datën 13 mars, kur përfundon detyra e të fundit.

---Presidenti gjerman, Joachim Gauck ftoi për një vizitë zyrtare në Gjermani homologun e tij të porsazgjdhur grek, Prokopis Pavlopulos duke deklaruar se kishte besim se kolegu i tij do ta drejtonte vendin me largpamësi.

”Popujt tanë janë të lidhur nga një miqësi e gjatë dhe e besueshme. Në këtë frymë jam i lumtur për bashkëpunim për mirëqenien e kombeve tona dhe të Evropës”, shkruan Gauck. “Kam besim në faktin se Ju do ta shoqëroni historinë e vendit tuaj me urtësi dhe largpamësi”, thekson presidenti gjerman në ftesën drejtuar homologut të tij grek.

---«Nuk do të nënshkruajmë asnjë marrëveshje që nuk respekton mandatin e popullit», deklaroi në një emision televiziv zëdhënësi i qeverisë Gavriíl Sakellarídis. 

«Nuk mund të flasim për vazhdimin e një programi që është hedhur poshtë nga shumica e popullit grek».

---Banka Qendrore Evropiane (BQE) vendosi të vazhdojë dhënien e likuiditeteve emergjente për bankat greke dhe të shtojë limitin e vlerës që mund të alokohet përmes mekanizmit të emergjencës ELA, duke e çuar në 68,3 miliardë euro.

Megjithatë, në mbledhjen e bordit të BQE-së kishte përplasje mendimesh, në kohën që Athinës po i bëhet presion për të pranuar zgjatjen e afatit të programit të mbështetjes.

Vendimi para dy javësh i BQE-së, që mos të pranoheshin më si kolateral bondet shtetërore greke, u interpretuan si një formë e përshkallëzimit të presionit që po i bëhej Athinës për të konkluduar në një marrëveshje me shtetet e tjera të eurozonës.

---Seksioni i pestë i Këshillit të Shtetit hodhi poshtë kërkesën e disa banorëve të Halkidikís që të mos vazhdohen punimet në uzinën metalurgjike dhe punimet për depozitimin e mbetjeve të vjetra në zonën e minierave të arit të kompanisë «Ellinikós Chrysós AE».

---«Sigurimi i shërbimeve shëndetësore në burgje është një prioritet i lidershipit politik të Ministrisë së Drejtësisë», tha ministri i Drejtësisë, Níkos Paraskevópoulos, ndërsa zëvendës ministri i Shëndetësisë Andréas Ksanthós tha se studjohen të gjitha parametrat në mënyrë që spitali i burgut Korydallo të bashkohet me Sistemin Kombëtar të Shëndetit, me objektiv sigurimin e nivelit të përfitimeve shëndetësore».

---«Kushte që kujtojnë kampe të përqendrimit» raportuan se kanë parë Mjekët e Botës gjatë vizitës së tyre në qendrën e mbajtjes së emigrantëve në Amygdaléza. Ata konstatuan se emigrantët janë të privuar nga shërbimet bazë, të tilla si ushqimi dhe kujdesi mjekësor dhe shumica e tyre nuk ka asnjë ide se pse ata mbahen atje dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

---Një protestë kanë organizuar të enjten në Propýlaia organizatat antiraciste me kërkesë të mbyllet tani Qendra e Emigrantëve në Amygdaléza, por dhe të gjitha kampet e përqendrimit. Tubime me të njëjtën kërkesë janë mbajtur dhe në qytete të tjera të mëdha.

---Edhe dy persona humbën jetën në 24 orët e fundit nga gripi sezonal që është në kulmin e tij në Greqi. 56 njerëz kanë humbur jetën në total që nga muaji shtator i vitit 2014.

---Në një rezolutë unanime të mbledhjes së kolegëve të ERT-3 vihet në dukje se çdo ditë që kalon me ERT-in e mbyllur, plaga në Demokraci jo vetëm nuk shërohet, por rritet. Rrjedhjet në shtyp për ditën e nesërme në ERT krijojnë shqetësim për punonjësit e tij. Asnjë hapje e ERT-it nuk mund të bëhet nga e para dhe duhet që përvoja e jetuar e vetëdrejtimit me marrëdhënie horizontale të punës të jenë modeli i funksionimit të tij. Ata janë kundër vlerësimit dhe kërkojnë kthimin e menjëhershëm të frekuencave dhe transmetuesve që janë ende në duart e NERIT, në vendosjen e tyre natyrore: në Radiotelevizionin Grek. Restaurimi i padrejtësisë duhet të përfshijë njohjen e plotë të të drejtave të punës dhe të sigurimeve shoqërore të punonjësve si dhe rihapjen e të gjitha strukturave të ERT-it.

---Një rezolutë me të cilën kërkohet rihapja e menjëhershme e ERT-it dhe të cilën do të  adresojë në Qeveri krijoi në faqen e njohur të Avaaz "Komisioni i Koordinimit kundër mbylljeve dhe disponueshmërisë" dhe i bën thirrje qytetarëve që nuk pajtohen me faktin se 23 ditë pas zgjedhjeve, vazhdohet pushtimi i frekuencave publike e ERT-it nga NERIT-i shtetëror për të nënshkruar rezolutën. 

---Të martën, në datën 24 shkurt në orën 10:00 në mëngjes do të zhvillohet takimi i parë i POSPERT-it me ministrin e Shtetit, Níko Papá që të fillojë dialogu mbi projektligjin në lidhje me hapjen e ERT-it. 

Shqipëria
---Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bruksel. Takimin e tij të parë kryeministri Rama e e zhvilloi me Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

“Takim tejet inkurajues me Presidentin e KE-së, z.Juncker ku dëgjuam fjalët më të mira për reformat tona shtetndërtuese”, shkroi Kryeministri Rama në një postim në “Facebook” menjëherë pas takimit.

Ndërsa, zëdhënësi i KE-së, Margaritis Schinas, në një konferencë për shtyp pas takimit bëri të ditur disa çështje që u diskutuan.

“Presidenti Juncker u takua sot me kryeministrin Rama. Ata diskutuan për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe rolin kontruktiv të këtij vendi në rajon. Presidenti i KE-së, Juncker rikonfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën europiane. Kjo është hera e parë që Juncker takohet me Ramën si president i Komisionit Europian”, tha Schinas.

Kryeministri Rama shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha.

---“Zgjerimi i BE-së me Ballkanin garanton siguri dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi sot në Bruksel, Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Komisionit Europian, Donald Tusk.

“Do të kthehem në Shqipëri me energji për shkak të kurajos që kam marrë. Diskutuam rreth axhendës së zgjerimit të BE-së dhe shkëmbyem pikëpamje për fqinjësinë. Ballkani Perëndimor ka potencial. Zgjerimi i BE-së me Ballkanin garanton siguri dhe zhvillim ekonomik. Perspektiva europiane është e rëndësishme për të vazhduar me politikën e paqes. Europa ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për Europën”, tha në fjalën e tij, shefi i qeverisë shqiptare.

Ndërsa Donald Tusk vuri në dukje se “Shqipëria duhet të përqendrohet te prioritetet për anëtarësimin në BE”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti i KE-së e përgëzoi Kryeministrin Rama për punën e bërë në luftën klundër krimit dhe korrupsionit  në Shqipëri.”

---Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, zhvilloi një takim të shkurtër në mjediset ku po mbahet Samiti kundër terrorizmit në SHBA, me Sekretarin e Shtetit, John Kerry.

Sipas njoftimit të Ministrisë se Brendshme, ministri Tahiri i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vyer si dhe i kërkoi Sekretarit të Shtetit Kerry, mbështetje për të luftuar terrorizmin dhe shkaqet e tij.

“Varfëria dhe injoranca po nxisin krimin dhe terrorizmin, ndaj duhet qasje e qëndrueshme dhe rajonale, për të luftuar shkaqet që sjellin terrorizmin”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, shprehu gadishmërinë e SHBA-se për të vazhduar mbështetjen ndaj Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. /a.ke/

---Në vijim të zhvillimeve më të fundit në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, Ministria e Punëve të Jashtme udhëzon shtetasit shqiptarë që, për arsye sigurie, të evitojnë udhëtimet në zonat e prekura nga konfliktet.

MPJ informon shtetasit shqiptarë se shërbimi konsullor i kësaj ministrie ka vënë në dispozicion adresën elektronike Αυτή η διεύθυνση ηλεκτρονικού ταχυδρομείου προστατεύεται από τους αυτοματισμούς αποστολέων ανεπιθύμητων μηνυμάτων. Χρειάζεται να ενεργοποιήσετε τη JavaScript για να μπορέσετε να τη δείτε. dhe numrat e telefonit pa pagesë +355699826678 dhe 08000022 për të asistuar të gjithë ata shtetas, të afërmit e të cilëve ndodhen në zona konflikti në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Ministria e Punëve të Jashtme fton të interesuarit të kontaktojnë sa më parë të jetë e mundur në adresën elektronike dhe numrat e telefonit të sipërpërmendura për të informuar mbi vendndodhjen dhe për të ofruar numrat e telefonit të të afërmve të tyre që jetojnë në këto zona dhe që kanë nevojë për asistencë konsullore./a.g/

Bota
---Ministrja austriake e Punëve të Brendshme, Johanna Mikl-Leitner deklaroi se nga mesi i muajit mars në Vjenë do të organizohet një konferencë e ministrave të Brendshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Italia për shkëmbimin e informacioneve në luftën kundër terrorizmit.

Iniciativa për konferencën është e mbështetur edhe nga shefi i diplomacisë austriake Sebastian Kurz. Qëllimi i konferencës është bashkimi i përpjekjeve të vendeve nga rajoni për mbylljen e rrugëve tranzite për xhihadistët e huaj si dhe për marrjen e masave kundër bashkimit të tyre me anëtarë të rinj.

Mikl-Leitner filloi dje vizitën treditore në Kroaci, Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë./ a.jor.

---Konstandinupoli dhe një pjesë e madhe e Turqisë janë paralizuar nga reshjet e pazakonshme të dëborës. Trashësia e dëborës ka arritur në 50 centimetra në 48 orë.

Reshjet shumë të dendura të dëborës kanë paralizuar seriozisht qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin ku trafiku ajror vazhdon të jetë i ndërprerë dhe qarkullimi i automjeteve, si zakonisht i vështirë, është kthyer në makth. Kompania kombëtare ”Turkish Airlines” njoftoi në faqen e saj në internet anulimin e të gjitha fluturimeve të brendshme me nisje dhe mbërritje në aeroportin Ataturk dhe ato të më shumë se 200 linjave ndërkombëtare. Shkollat e qytetit vazhdojnë të jenë të mbyllura për ditën e dytë radhazi.

---Libia i kërkon Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara të lejojë importin e armëve, për të luftuar ndaj militantëve të Shtetit Islamik.

Kërkesa vjen një ditë pasi Egjipti i kërkoj këtij organi, të lejojë ndërhyrjen ushtarake nga toka të ushtrisë së Kajros, kundër terroristëve në Libi.

---Më shumë se 400 mijë njerëz kanë marshuar në heshtje nëpër rrugët e Buenos Aires, duke kërkuar drejtësi me rastin e njëmujorit të vdekjes së dyshimtë të prokurorit, i cili ishte duke zhvilluar hetime ndaj presidentit të Argjentinës.

Prokurori Alberto Nisman, i cili ishte në përfundim të hetimeve ndaj presidentit Cristina Fernandez në lidhje me bombardimin e një qendre hebreje në Argjentinë, më 1994, ku kanë mbetur të vrarë 85 persona, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij një muaj më parë.

Nisman po e hetonte presidentin dhe zyrtarët e tjerë për hapjen e një kanali të fshehtë. Ai është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij, më 19 janar, disa orë para se ai të dëshmonte kundër zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten, 20 shkurt mot me diell, por dhe vransira të pakta sidomos në Kretën veriore dhe në Thrakë si dhe ngricë në rajonet qendrore e veriore në mëngjes.

Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 0 dhe 12 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë -3 dhe 10 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencën 58 në Attikën Lindore, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54