Lajmet në gjuhën shqipe 18/02/2015

---Shumicën e tre të pestave të të gjithë numrit të deputetëve, domethënë 180 vota kërkon kushtetuta greke për votimin nominativ për zgjedhjen e presidentit të ri të republikës, që do të fillojë sot pasdite, në orën lokale 19:30.

SYRIZA propozoi për postin e presidentit Prokopis Pavlopulos, ish-ministër dhe ish-deputet i ”Demokracisë së re”, kandidaturë që do të mbështetet edhe nga ”Demokracia e re” dhe ”Grekët e pavarur” (ANEL).

Kështu që Pavlopulos pritet të marrë të paktën 238 vota, domethënë 149 deputetë të SYRIZA-s, 76 të ”Demokracisë së re” dhe 13 të ANEL-it.

Nga tjetër ”POTAMI” dhe PASOK-u kanë propozuar si kandidaturë të përbashkët pedagogun e universitetit, Nikos Alivizatos.Partia Komuniste do të abstenojë nga votimi.

---Athina do të kërkojë një zgjatje të afatit të financimit për disa muaj, deklaroi ministri grek i Financave, Giánis Varoufákis në një intervistë për televizionin publik gjerman, ZDF.

“Duhet të zgjasim afatin e marrëveshjes së kredisë edhe për disa muaj për të patur stabilitetin e mjaftueshëm, me qëllim që të mundim të negociojmë një marrëveshje të re mes Greqisë dhe Evropës”, tha Varufakis.

”Për marrjen e kësaj shtese do të nevojiten tre apo katër kushte”, shtoi Varufaqis, pa dhënë detaje të tjera. Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë greke, Gavriil Sakelaridis konfirmoi se Athina do të paraqesë në të njëjtën ditë kërkesën për shtyrjen e marrëveshjes së kredisë.

Duke iu përgjigjur deklaratave të ministrit gjerman të Financave, Schauble, ai theksoi se “negociatat nuk bëhen përmes deklaratave publike, po në salla të mbyllura dhe me konsultime”.

---Të enjten do të dorëzohet përfundimisht nga qeveria kërkesa për zgjatjen e marrëveshjes së kredisë. «Nëse nuk marrim atë që duam nga negociatat, do ta bëjmë Kougi», deklaroi kryetari i Grekëve të Pavarur, Pános Kamménos.

---Nevojën për të përfunduar qeveria «sa më shpejt me procedurat tipike» në mënyrë që të futet «në diskutimin thelbësor» me Evropën, vuri në dukje kryetari i PASOK-ut Evangelos Venizelos, duke folur me gazetarët pas takimit të tij me kryeministrin Aleksi Cipra.

---Në Këshillin Joformal Politik të Demokracisë së Re, Antonis Samaras thuhet se theksoi «se këmbëngulja në gabim, është gabimi më i keq që mund të bëj qeveria» dhe se «shpresa e Demokracisë së Re është që të vazhdojnë pozitivisht negociatat dhe të gjendet një zgjidhje».

---Në një gjëndje shumë të ftohtë është Greqia, me erë të fortë në Egje dhe dëborë, madje dhe në zonat fushore lindore të vendit. Me zinxhirë bëhet qarkullimi i automjeteve në rrugët krahinore të Greqisë së Veriut. Në Athinë, për mbrojtjen e të pastrehëve funksionon Palestra e Mbyllur në Rouf dhe Qendra e Ditës e Praksis në rrugën Deligiórgi 26-28 deri në orën 20:30 në mbrëmje.

---Dy persona humbën jetën në 24 orët e fundit nga gripi sezonal që është në kulmin e tij në Greqi. 54 njerëz kanë humbur jetën në total që nga muaji shtator i vitit 2014.

---Nuk fitojnë të gjithë qasje në kujdesin shëndetësor sipas qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë që është lëshuar sot në Diávgeia. Sipas kësaj qarkore, jepet mbulimi i sigurimit për të siguruarit me IKA-ETAM dhe zgjatje e mbulimit të sigurimit të të papunëve të OAE, E.T.A.A. T.S.M.E.D.E. dhe OGA me 50 pulla (énsima) në vend të 100 pullave që parashikon ligji përkatës. Parashikohet gjithashtu kujdesi shëndetësor për të moshuarit, të pasiguruarit dhe emigrantët, të cilëve qeveria e mëparshme i kishte prerë pensionet e OGA, me vlerë 360 euro në muaj.

---Në një deklaratë të saj, Zyra e Shtypit e Partisë Komuniste për deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të Departamentit të Shëndetësisë në lidhje me sistemin e sigurimit thotë: «Punonjësit nuk duhet të bëjnë asnjë hap prapa nga kërkesat e tyre, për mbulimin e plotë të humbjeve që kanë ndodhur gjatë krizës, por edhe nga kërkesa e drejtë e tyre për të paguar shteti dhe kapitali për deficitet e Fondeve, që janë kryesisht përgjegjësit për fundosjen e tyre".

---Në një rezolutë unanime të mbledhjes së kolegëve të ERT-3 vihet në dukje se çdo ditë që kalon me ERT-in e mbyllur, plaga në Demokraci jo vetëm nuk shërohet, por rritet. Rrjedhjet në shtyp për ditën e nesërme në ERT krijojnë shqetësim për punonjësit e tij. Asnjë hapje e ERT-it nuk mund të bëhet nga e para dhe duhet që përvoja e jetuar e vetëdrejtimit me marrëdhënie horizontale të punës të jenë modeli i funksionimit të tij. Ata janë kundër vlerësimit dhe kërkojnë kthimin e menjëhershëm të frekuencave dhe transmetuesve që janë ende në duart e NERIT, në vendosjen e tyre natyrore: në Radiotelevizionin Grek. Restaurimi i padrejtësisë duhet të përfshijë njohjen e plotë të të drejtave të punës dhe të sigurimeve shoqërore të punonjësve si dhe rihapjen e të gjitha strukturave të ERT-it.

---Një rezolutë me të cilën kërkohet rihapja e menjëhershme e ERT-it dhe të cilën do të  adresojë në Qeveri krijoi në faqen e njohur të Avaaz "Komisioni i Koordinimit kundër mbylljeve dhe disponueshmërisë" dhe i bën thirrje qytetarëve që nuk pajtohen me faktin se 23 ditë pas zgjedhjeve, vazhdohet pushtimi i frekuencave publike e ERT-it nga NERIT-i shtetëror për të nënshkruar rezolutën. Thekson se është e rëndësishme mbledhja e nënshkrimeve: Që të kthehen në vendet e tyre të punës të gjithë punonjësit e ERT-it që luftojnë për 20 muaj. Për të siguruar informacionin, që i është mohuar popullit grek nga DT-ja dhe NERIT. Një ERT me të gjitha strukturat dhe shërbimet e tij. Me punë të përhershme dhe të qëndrueshme për të gjithë, pa konsulentë që paguheshin me mijra euro. Pa ata që kontribuan në krimin DT-NERIT, kundër punonjësve të ERT-it, informacionit dhe të gjithë shoqërisë".

Shqipëria
---Banorët e zonave që u prekën nga përmbytjet e ditëve të fundit, kryesisht në jug dhe juglindje të vendit pritet të kenë prioritet në programet subvencionuese të ministrisë së Bujqësisë.

Burime nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bëjnë të ditur se qeveria pritet të miratojë një vendim të posaçëm që i jep prioritet mbështetjes me skema subvencionuese fermerëve të prekur nga përmbytjet, për shkak edhe të humbjeve masive që pësuan në kultura bujqësore dhe bagëti. Kjo masë pritet t’u vijë në ndihmë fermerëve, për të rindërtuar edhe një herë serat e tyre apo mbjelljen e hektarëve, pasi dihet që zonat jugore kanë edhe peshën më të madhe në eksporte apo për furnizimin e tregut të brendshëm vendas me produkte.

Nga ana tjetër, po përgatitet edhe udhëzimi i detajuar për skemat kombëtare për vitin 2015 dhe pritet që nga muaji mars të fillojnë aplikimet e para të fermerëve për të përfituar këto fonde. Fondi në total është 1.7 miliardë lekë, një shifër kjo e rritur në krahasim me atë që është lëvruar në vitin 2014./m.m/

---Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian  për politikën e Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini do të jetë të hënën më 23 shkurt në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e SEECP-së (Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore).

Mogherini ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në këtë samit, ndërsa në një letër dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati  thekson se BE mbështet plotësisht nismat për të forcuar bashkëpunimin rajonal, të cilin e vlerëson si një mjet të rëndësishëm për të kapërcyer ndarjet e të kaluarës dhe për të bërë reformat e kërkuara./a.g/

---Nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, bëjnë të ditur se më datë 19 Shkurt një përfaqësi e ATA-s do të marrë pjesë në festimet e 10-vjetorit të ”Balkan Alliance of Hospitality Associations- BAHA-s“, të cilat mikëpriten nga –BAHA- dhe –HORES-, kjo e fundit Shoqata homologe e Hotelerisë dhe Restoranteve te Serbisë.

Sektori i Hoteleve të- ATA-s është një prej 7 shoqatave themeluese të BAHA-s.

---Elhaida Dani do të ngjitet në skenën e Eurosong-ut në gjysmën e dytë të natës së parë. 

Këngëtarja shqiptare do të jetë e 14-ta në radhë në Eurovizion 2015 që do të mbahet në Austri, pas fitores vitin e kaluar të këngëtares austriake Concchita. 
Këngëtarja shkodrane ka dalë fituese në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar ku ka marrë 82 pikë me këngën "Diell" nga juria profesionale. 21-vjeçarja Elhaida Dani do të jetë fytyra e Shqipërisë në "Eurovision Song Contest".

Bota
---Lufta kundër terrorizmit nuk mund të fitohet vetëm me anë të forcës, por do të kërkojë dhe sfidimin e ideologjisë ekstremiste, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama.

“Ne e dimë se vetëm forca ustarake nuk mund ta zgjidhë këtë problem. As fakti se ne mund t’i eliminojmë terroristët që vrasin civilët e pafajshëm”, shkruan Obama në një editorial në gazetën ”Los Angeles Times”.
“Ne duhet të përballemi me ekstremistët e dhunshëm, propagandistët dhe rekrutët, të cilët mbase nuk përfshihen drejtpërdrejt në sulme, por radikalizojnë, rekrutojnë dhe nxisin të tjerët për të vepruar në këtë mënyrë”, thekson presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë po zhvillon një samit triditor kushtuar ekstremizmit të dhunshëm me fokus në fuqizimin e komunitetit për të mbajtur larg të rinjtë nga bashkimi me grupet terroriste si Shteti Islamik.

---Forcat e sigurisë afgane kanë nisur një ofensivë të madhe kundër militantëve talibanë, përpara se grupi të nisë ofensivën e pranverës.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se operacioni, i koduar si Zolfiqar, ka nisur në provincën Helmand, që është vatër e kryengritjes talibane. Sipas burimit të njëjtë, operacioni do të godasë militantët edhe në provincat Kandahar, Farah dhe Oruzgan.

"Ky është operacion plotësisht afgan dhe i udhëhequr nga afganët. Do të vazhdojë derisa të arrihet sukses", ka thënë gjenerali Abdul Khaliq, i cili komandon operacionin. Kjo është ofensiva e parë e madhe e forcave afgane të sigurisë prejse forcat e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s kanë përfunduar formalisht misionin luftarak në Afganistan, në fund të vitit 2014.

---Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri i civilëve të vrarë ose të plagosur nga luftimet në Afganistan është rritur për 22 për qind vitin e kaluar, duke arritur nivelin më të lartë në pesë vjet.

Në raportin vjetor, të publikuar sot, Misioni Ndihmës i OKB-së në Afganistan ka thënë se ka dokumentuar 10.548 viktima civile në vitin 2014, krahasuar me 8.637 në vitin paraprak. Po sipas këtij misioni, talibanët dhe militantët e tjerë kanë qenë përgjegjës për 72 për qind të viktimave civile, ndërsa forcat qeveritare dhe trupat e huaja për 14 për qind.

Forcat e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s kanë përfunduar formalisht misionin luftarak në Afganistan, në fund të vitit 2014. Trupat afgane kanë marrë përgjegjësinë për sigurinë e vendit të tyre.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të enjten 18 shkurt reshje të dobta dëbore në rajonet lindore dhe ishullore, të cilat në pasdite do të kufizohen në Kretë.
Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior në Egje nga 7 deri në 8 ballë. Ngricë do të ketë në rajonet qendrore dhe veriore në mëngjes dhe në mbrëmje.
Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 1 dhe 7 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë -2 dhe 6 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencën 58 në Attikën Lindore, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Πέμπτη, 19/02/2015 - 18:17