Lajmet në gjuhën shqipe 20/02/2015

---Me vonesë rreth tri orë filluan punimet e Eurogrupit, në të cilin
do të merren vendime në bazë të kërkesës së qeverisë greke për një
zgjatje gjashtë-mujore të marrëveshjes së kredisë. Siç bëhet e ditur
nga Uashingtoni, në takimin e ministrave të Financave të eurozonës do
të marrë pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Christine
Lagarde.

Dëshira e Qeverisë së Greqisë është që të shkojë në një marrëveshje të
përkohshme prej gjashtë muajsh, me emrin zyrtar «Marrëveshja Kryesore
për Lehtësimin Financiar», gjatë të cilës angazhohet për një ekuilibër
fiskal. Por, njëkohësisht shkon direkt në reformat kundër evazionit
fiskal dhe korrupsionit, ndërsa do të ketë masa të menjëhershme për
përballimin e krizës humanitare si dhe për rifillimin e ekonomisë.

Zyrtarët grekë kanë thënë se kredia nuk do të jetë rinovim i
marrëveshjes së tanishme të shpëtimit, e cila parasheh kushte të rënda
të kursimit. Gjermania, e cila është kontribuesja kryesore në këtë
paketë, ka refuzuar të enjten kërkesën e Greqisë. Por, Komisioni
Evropian ka thënë më herët se ajo është "pozitive".

---«Unë shpresoj se në fund do të kemi tym të bardhë», tha ministri
grek i Financave duke ardhur në këtë takim me Lagarde, Daiselbloom dhe
Schäuble përpara takimit vendimtar të Eurogrupit.
Giánis Varoufákis tha se u bënë diskutime shumë konstruktive dhe vuri
në dukje se kemi kaluar katër të pestat e rrugës. Partnerët duhet të
na takojnë jo në gjysmë të rrugës, por në një të pestat e saj,
përfundoi ai.

---Thirrje e re në internet nga Mediat Sociale për tubime popullore të
premten pasdite në të gjitha sheshet kryesore të vendit nën sloganin
nuk bëjmë asnjë hap prapa, të njëjtën gjë kërkojmë edhe nga qeveria
greke, siç thuhet në thirrje.

---Ndërkohë, presidenti francez, François Hollande konfirmoi sot se
Greqia është në zonën euro dhe duhet të qëndrojë në zonën euro,
ndërkohë që ky vend është në negociata me instancat evropiane për
financimin e borxhit të saj.

“Qëndrimi i Francës është se duhet bërë gjithçka me qëllim që nga pala
greke ashtu dhe nga pala evropiane të mund të ketë një kohezion më të
fortë në zonën euro. Nuk njoh skenare që sot të jenë për një dalje të
Greqisë nga eurozona”, shtoi Hollande në një konferencë shtypi i
shoqëruar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, të cilën e priti në
pallatin Elyse./ec/

---”Gjithësesi, me shenja pozitive kanë përfunduar dje në mbrëmje vonë
punimet e Euro Working Group, ku u shqyrtua kërkesa e qeverisë greke”,
thanë burime diplomatike që kërkuan të mos identifikoheshin.

Burimet gjithashtu thanë se nuk duket se do të ketë ngërç dhe se
ministrat e Financave të eurozonës do të orientoheshin drejt një
zgjidhjeje që mund të jetë e pranueshme nga tërësia e vendeve anëtare
të zonës së euros.

Ndërkohë, Ministria gjermane e Financave vlerësoi dje se kërkesa e
depozituar nga ana e Greqisë për zgjatjen e ndihmës nga partnerët e
saj evropianë nuk përfaqëson një zgjidhje të qenësishme dhe nuk u
përgjigjet kushteve të fiksuara nga zona euro.
“Kjo kërkesë nuk u përgjigjet kushteve të përcaktuara të hënën e
kaluar nga Eurogrupi”, theksoi zëdhënësi i ministrisë së Financave,
Martin Jager në një komunikim të shkurtër me median.

---Po dje, kryeministri grek, Aleksis Cipras zhvilloi biseda
telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin
francez, François Hollande për këtë çështje.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras zhvilloi një bisedë telefonike me
kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një atmosferë të mirë, për
gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët dhe të dobishme për Athinën dhe
Evropën, njoftoi një burim qeveritar grek.

---Greqia ka bërë çdo gjë të mundshme për të gjetur një zgjidhje
reciprokisht të dobishme, të bazuar në parimin e respektimit të
dyfishtë, në rregullat e BE-së dhe në verdiktin popullor në Shtetet
Anëtare, theksoi në Agjencinë Reuters, kryeministri Aleksis Cipras. Ai
vuri në dukje më tej se «momenti i vendimeve politike historike mbi të
ardhmen e Evropës ka ardhur».

---Lëvizje të shpejta që synojnë Marrëveshjen Greqi - BE kërkon
Washingtoni, duke u bërë thirrje udhëheqësve evropianë "për të lëvizur
në mënyrë më të shpejtë, që të parandalohet kolapsi i ekonomisë
greke".
Frikën për përhapjen e krizës përtej Atlantikut ka shprehur dhe
Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew.

---Komisioneri Evropian gjerman për Çështjet e Energjisë, Günther
Oettinger ka lënë të hapur sot mundësinë, që çështja greke të mbyllet
në një Samit të Lartë të udhëheqësve të zonës euro, javën e ardhshme.

---Pyetje në drejtim të Komisionit Evropian dhe të Këshillit të
Ministrave të Financave (ECOFIN) të BE-së ka paraqitur zëvendës
Presidenti i Parlamentit Evropian dhe eurodeputeti i SYRIZA, Dimitris
Papadimoúlis për çështjen e shpërthimit të borxhit publik në Eurozonë
dhe të dështimit të plotë të politikave të kursimit.

---Një tepricë prej 1,7 miliard euro ka paraqitur bilanci i
shkëmbimeve rrjedhëse në vitin 2014, kundrejt një suficiti prej 1,1
miliardë euro vitin e kaluar, sipas të dhënave që ka publikuar të
premten Banka e Greqisë.

---Prioritetet e tij për ndërhyrjet që përparon në Sistemin e
Sigurimeve Sociale ka paraqitur zëvendës ministri i Sigurimeve
Sociale, Dimitris Stratoulis, në  Komitetin Ekzekutiv të Konfederatës
së Përgjithshme të Punëtorëve të Greqisë (GSEE).
Duke theksuar problemet serioze me të cilat përballen Fondet e
Sigurimeve Sociale, z.Stratoulis përsëriti se nuk do të ketë shkurtime
të mëtejshme në pensionet kryesore dhe suplementare. Qëllimi i
z.Stratouli është që brenda 15-ditëve të ardhshme të jetë gati dhe
dispozita që do të rivendosi pensionin e 13-të (dhuratë e
Krishtlindjeve) për pensionistët, të cilët marrin deri në 700 euro në
muaj.

---Do të rriten masat e Policisë Rrugore në fundjavë në të gjithë
rrjetin rrugor të vendit, në kuadër të festimit të karnavalit dhe të
Hënës së Pastër, me qëllim lëvizjen e sigurt të qytetarëve dhe
parandalimin e aksidenteve rrugore.

---Iniciativa e Hapur kundër Qendrave të mbajtjes së Emigrantëve bën
thirrje për një tubim dhe marshim të shtunën në mesditë, jashtë kampit
të përqëndrimit të Amygdalézas.

---Një rezolutë me të cilën kërkohet rihapja e menjëhershme e ERT-it
dhe të cilën do të  adresojë në Qeveri krijoi në faqen e njohur të
Avaaz "Komisioni i Koordinimit kundër mbylljeve dhe disponueshmërisë"
dhe i bën thirrje qytetarëve që nuk pajtohen me faktin se 23 ditë pas
zgjedhjeve, vazhdohet pushtimi i frekuencave publike e ERT-it nga
NERIT-i shtetëror për të nënshkruar rezolutën.

---Të martën, në datën 24 shkurt në orën 10:00 në mëngjes do të
zhvillohet takimi i parë i POSPERT-it me ministrin e Shtetit, Níko
Papá që të fillojë dialogu mbi projektligjin në lidhje me hapjen e
ERT-it dhe pastaj me subjektet e tjera - gazetarë etj.
Vlen të shënohet se do të ketë një takim të veçantë dhe të rëndësishëm
në orën 14:00 të njëjtën ditë, me një grup punonjësisht të ERT3, që do
të përfaqësohet nga dega lokale e POSPERT-it dhe Gazetarëve të ERT3..

Shqipëria
---Presidenti Bujar Nishani uroi homologun e ri grek, Prokopis
Pavlopulos për detyrën e rëndësishme që i është ngarkuar.

“Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell
urimet më të mira e të sinqerta për përmbushjen me sukses të kësaj
detyre të rëndësishme. Përfitoj nga rasti të nënvizoj me kënaqësi se
për Shqipërinë, Greqia është një partner strategjik shumë i
rëndësishëm politik dhe ekonomik, si edhe të shpreh bindjen se gjatë
presidencës Suaj, lidhjet e miqësisë e të bashkëpunimit që
karakterizojnë marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të njohin
zhvillime të mëtejshme shumëdimensionale, në interes të zhvillimit dhe
forcimit të miqësisë mes dy popujve tanë”, thuhet në mesazhin e
Nishanit.

Më tej, Kreu i Shtetit shqiptar shpreh bindjen se Greqia, me
përpjekjet dhe reformat që po ndërmerr, do të përballojë me sukses
sfidat me të cilat po përballet aktualisht, si  dhe do të vijojë të
jetë një mbështetëse e vazhdueshme dhe inkurajuese e agjendës
evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Duke ju shprehur edhe një herë urimet më të përzemërta për zgjedhjen
tuaj si President i Republikës Greke, si dhe me dëshirën për t`u
takuar së afërmi, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e
konsideratës sime më të lartë”, përfundon mesazhi i Presidentit
Nishani për homologun e tij grek, Prokopis Pavlopoulos./a.g/

---Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi rolin e rëndësishëm që
Avokati i Popullit luan vazhdimisht në përmirësimin e infrastrukturës
demokratike dhe për presionin pozitiv që vijon të ushtrojë ndaj
institucioneve publike, duke rritur kështu ndjeshmërinë dhe
përgjegjshmërinë e administratës ndaj qytetarit për respektimin e të
drejtave dhe lirive të të gjithë individëve, grupeve vulnerabël të
shoqërisë shqiptare.

I pranishëm në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin
e 15-vjetorit të Avokatit të Popullit, Meta theksoi se krijimi dhe
funksionimi i institucionit të Avokatit të Popullit është një garanci
mjaft e rëndësishme për funksionimin e demokracisë. Meta rikonfirmoi
se Kuvendi i Shqipërisë e ka rritur ndjeshëm dhe dukshëm nivelin dhe
cilësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes me institucionin e Avokatit
të Popullit, sa i përket shqyrtimit të raporteve të posaçme të
përcjella prej tij, përfshirjes në seanca dëgjimore për nisma të
ndryshme ligjore për të cilat ky institucion ka dhënë rekomandimet e
tij, por edhe në shërbim të forcimit të misionit të këtij institucioni
kushtetues që mbron liritë dhe të drejtat e njeriut në vendin tonë.

Ndërsa Avokati i Popullit Igli Totozani falënderoi Kryeparlamentarin
Meta, për bashkëpunimin ndërinstitucional.

I pranishëm në këtë event, Zv. Kryeministri Niko Peleshi e cilësoi
krijimin e institucionit të Avokatit të Popullit 15 vjet më parë, si
një moment të një rëndësie të posaçme në projektin për ndërtimin e një
demokracie funksionale në vendin tonë. Z. Peleshi tha se duke
themeluar Avokaturën e Popullit, Kushtetuta e vitit 1998 e pajisi për
herë të parë publikun shqiptar me një nga mekanizmat kyç të kontrollit
dhe të ekuilibrit të pushteteve.

---Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Melsi Labi ka pritur
në një takim ambasadorin e Republikës së Polonisë në Tiranë, Merek
Jeziorski.

Labi dhe Jeziorski biseduan lidhur me projektin më të afërt,
ekspozitën e pikturave, që do të çelet në ambientet e muzeut në fillim
të muajit maj, piktura këto të cilat do të nxjerrin në pah vlerat e
historisë së popullit polak.

Marrëdhëniet e mira bilaterale mes Ambasadës së Republikës së Polonisë
dhe Muzeut Historik Kombëtar janë nënvizuar edhe gjatë takimit të
sotëm mes ambasadorit Merek Jeziorski dhe drejtorit të MHK-së Melsi
Labi.

Sakaq, ambasadori polak gjatë takimit përveç të tjerash theksoi se
“kam kënaqësinë të ndodhem në vendin, ku shpaloset e gjithë historia e
kombit shqiptar, komb i cili meriton mirënjohjen tonë më të thellë jo
vetëm pse i erdhi në ndihmë hebrenjve polakë gjatë Luftë së Dytë
Botërore, por edhe për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy
vendeve tona sot”.
Nga ana e tij, Labi shprehu gatishmërinë për të intensifikuar më tej
marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë në fushën e artit dhe
kulturës.

Bota
---Në të gjithë botën sot është përkujtuar Dita Botërore e Drejtësisë
Sociale. Edhe këtë vit kjo ditë sjell fakte të trishta të shfrytëzimit
të fëmijëve në punë.

Kështu, rreth 168 milion fëmijë në mbarë botën janë në punë, nga të
cilët më shumë se gjysma – 85 milionë – të punësuar në punë të
rrezikshme.

Këto shifra tronditëse vijnë kryesisht nga Azia, Afrika dhe Amerika e
Jugut, por problemi është tashmë shumë më afër shtëpisë – pasi mijëra
të mitur po detyrohen të punojnë në kushte të rrezikshme në Europë.

EMA thekson se, fëmijët që punojnë në kushte të rrezikshme raportohen
në gjithë Europën rurale jug-lindore: në Shqipëri, Bullgari, Moldavi,
Mal të Zi, Rumani dhe Serbi. Pas krizës financiare të vitit 2008,
nivelet e larta të varfërisë kanë kontribuar në problemin e punës së
fëmijëve, ku ndër më të prekshmit janë fëmijët romë.

---Krimet e luftës të kryera në Siri janë rritur në mënyrë të
jashtëzakonshme, theksojnë anëtarët e komisionit të hetimit mbi
Sirinë, dërguar në vend nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të
OKB-së.

Në raportin e nëntë të publikuar sot, disa ditë para zhvillimit të
seancës në muajin mars nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, hetuesit
shkruajnë se kanë konstatuar një rritje të jashtëzakonshme të krimeve
të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe shkelje të të drejtave të
njeriut në Siri.

Hetuesit e OKB-së në Siri, dërguar në vend nga Këshilli i të Drejtave
të Njeriut, u shprehën të gatshëm për publikimin e listës së
kriminelëve të luftës në vend me qëllim për të mbrojtur civilët kundër
çdo rreziku të shkeljes të të drejtave të tyre në vendet e
shkatërruara nga lufta civile.

Siria është përfshirë që prej katër vitesh nga një luftë civile që ka
shkaktuar më shumë se 210 000 të vdekur dhe mërgimin e miliona
sirianëve./ec/

---2 trena pasagjerësh janë përplasur në një stacion hekurudhor në
periferi të Zyrihut sot në mëngjes herët.

Në këtë aksident, sipas mediave lokale kanë mbetur të lënduar rreth 50
persona. Nga dëshmitë e para mësohet se njëri prej trenave ka qënë i
ndaluar, ndërsa tjetri e ka goditur atë në pjesën fundore.

5 vagonë kanë dalë nga shinat për shkak të përplasjes, ndërsa
aksidenti po hetohet. Zona e aksidentit dhe rrugët përreth janë
rrethuar nga forcat e policisë, ndërsa shërbimet e emergjencës vijojnë
të trajtojnë të plagosurit.

---Rezistenca ndaj barnave e malarias është zbuluar në kufirin
Birmani-Indi dhe tani përbën "kërcënim të madh" për shëndetin global,
kanë thënë shkencëtarët.

Aftësia e parazitit të malarias për të zvogëluar efektet e
artemisininës është përhapur prejse është shfaqur në Azinë Juglindore.
Por, testet e botuara tani në revistën Lancet Infectious Diseases
tregojnë për rezistencën ndaj këtij ilaçi

Sipas ekspertëve, ky zhvillim është alarmues.Vdekjet nga malaria
pothuajse janë përgjysmuar në vitin 2000 dhe infektimi tani vret rreth
584.000 persona çdo vit. Por, rezistenca ndaj artemisininës kërcënon
të zhbëjë të gjithë punën e bërë dhe ajo është zbuluar në Kamboxhia,
Laos, Tajlandë, Vjetnam dhe Biramani.

---Zona të tëra në veriun e Australisë janë përfshirë nga 2 ciklone të
fuqishme, të cilët janë shoqëruar me shira të dendur dhe me erëra deri
në 200 kilometra në orë.

Nuk ka njoftime për viktima. Autoritetet kanë njoftuar banorët
përgjatë vijës bregdetare që të evakuohen në rast të përkeqësimit të
situatës.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të shtunën 21 shkurt në
përgjithësi mot të mirë, pothuajse në të gjithë vendin, me vransira
lokale në rajonet perëndimore dhe rritje e vogël e temperaturës.

Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 3 dhe 14 gradë
Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të
jenë 1 dhe 12 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital
në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet
Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Κυριακή, 22/02/2015 - 22:48