Lajmet në gjuhën shqipe 02/02/2015

---Kryeministri i ri grek, Aleksis Tsipras mbërriti sot në Qipro për të takuar drejtuesit e ishullit, gjithashtu përfitues i një plani shpëtimi evropian në këmbim të masave të ashpra shtrënguese.
Tsipras, drejtues i partisë kundër masave shtrënguese SYRIZA (e majta radikale) është takuar me presidentin konservator, Nikos Anastasiadis.
Greqia dhe Qipro, që ndajnë të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën kulturë, janë shumë të afërta dhe është traditë që drejtuesit e tyre respektivë të bëjnë udhëtimin e tyre të parë zyrtar tek njëri tjetri.
Rolin që luajnë Greqia dhe Qipro në lidhje me sigurinë e stabilitetit në rajonin e ndjeshëm të Mesdheut Juglindor, por dhe normalizimin e marrëdhënieve të BE-së dhe Rusisë, ka theksuar kryeministri Aleksi Tsipra gjatë konferencës për shtyp që ka dhënë së bashku me presidentin e Qipros, Niko Anastasiadis.
“Bashkimi Evropian dhe Eurozona nuk mund të mbeten të shkëputura nga pjesa Juglindore, në kohën që në rajon mbizotërojnë trazira”, vuri në dukje z.Tsipras. 
Kryeministri theksoi rëndësinë e veçantë që ka udhëtimi i tij në Qipro, i pari pas marrjes së mandatit dhe bëri të qartë se qeveria greke do të jetë mbështetëse në përpjekjet e Republikës së Qipros për zgjidhjen e problemit të Qipros, sipas të Drejtës Ndërkombëtare dhe duke pasur si busull interesat e popujve.
Kryeministri grek foli dhe për negociatat me huadhënësit, duke thënë se bëhet me kushte të barabarta brenda kuadrit evropian dhe ka si objektiv një marrëveshje në dobi të popujve të Evropës.

---Arritja e një marrëveshje politike me partnerët brenda dy muajve të ardhshëm është objektivi kryesor i qeverisë, siç deklaruan dje zëvendëskryeministri Giannis Dragasakis dhe ministri i Financave, Giannis Varoufakis. Sipas z.Varoufakis qeveria do të ketë gati propozime të detajuara deri në fund të muajit, ndërsa nga ana e tij z.Dragasakis tha se në bazë të planifikimit, arritja e një marrëveshjeje politike do të përforcojë kërkesën për zgjatje teknike të programit dhe do të mbulojë Bankën Qendrore Evropiane në drejtim të likuiditetit për bankat.

---Qëndrimet e qeverisë greke për masat shtrënguese, borxhin dhe reformat janë  diskutuar në një takim që kishin sot dhe zgjati 50 minuta në Londër, ministri i Financave Ganis Varoufakis me homologun e tij britanik, George Osborne. Ministri britanik karakterizoi konstruktiv takimin që kishte me zotin Varoufakis dhe tha se mosmarrëveshjet midis Greqisë dhe eurozonës janë në këtë moment kërcënimi më i madh për ekonominë globale. Ministri grek nuk ka bërë ndonjë koment. Në pasdite, zoti Varoufakis kishte takime me bankierë dhe institucione financiare, ndërsa nesër do të udhëtojë për në Romë, ku ai do të takohet me homologun e tij italian, Pier Carlo Padoan.

---Kryeministri i ri grek, Aleksis Tsipras është një mik i mirëpritur në Berlin, theksoi zëdhënësja e kancelares gjermane, Angela Merkel, ndërkohë që drejtuesi i ri grek, dalë nga partia kundër masave shtrënguese SYRIZA, nuk ka parashikuar një vizitë në Gjermani në kuadër të turneut të parë në Evropë.

“Po, ai është një mik i mirëpritur në Berlin”, theksoi Christine Wirtz gjatë një konference shtypi në përgjigje të një pyetjeje lidhur me këtë çështje. “Nuk ka plan konkret takimi në këtë moment”, nënvizoi ajo duke shtuar se nuk ka pasur deri tani ndonjë kërkesë nga ana e kryeministrit grek për të zhvilluar një vizitë në kryeqytetin gjerman.

“Berlini ka interes për të pasur një kontakt të mirë dhe miqësor me qeverinë greke”, sipas zëdhënëses, e cila nuk përjashtoi diskutime delikate përsa i përket problemit të borxhit grek. Ajo theksoi gjithashtu se samiti i ardhshëm evropian që do të zhvillohet më 12 shkurt në Bruksel do të krijojë mundësinë për një takim mes dy krerëve të qeverive.
“Qëndrimi i qeverisë gjermane është të presë për të parë se cilat janë idetë e qeverisë së re greke”, shtoi Wirtz.

Një javë pas emërimit si kryeministër, Aleksis Tsipras zhvilloi sot vizitën e parë jashtë vendit, në Qipro dhe do të vijojë turneun në Romë, Bruksel dhe Paris, në kërkim të mbështetjes, ndërkohë që Athina i ka kërkuar Evropës kohë për të propozuar një pakt të ri mbi borxhin.

---Kur ke një ekonomi në rënie të lirë duhet të ekzistojë një strategji zhvillimi dhe jo thjesht të bëhen përpjekje për të vënë nën presion një popullsi që po vuan gjithnjë e më shumë, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama, në përgjigje të pyetjeve për Greqinë gjatë një interviste në stacionin televiziv informativ amerikan, CNN.

I pyetur nëse pajtohej me deklaratën e kryeministrit të ri të Greqisë, Aleksis Cipras, sipas të cilit “masat shtrënguese ekonomike nuk sjellin rezultate”, presidenti Obama tha se “është e vërtetë që nuk mund të vazhdosh të trysnosh vende që gjenden në recesion”.
“Nuk ka dyshim se ekonomia greke gjendej në një nevojë emergjente reformash. Vjelja e taksave në Greqi ishte tragjike. Besoj se Greqia, që të mund të bëhet kompetitive në tregun botëror, duhet të avancojë në një sërë ndryshimesh. Është shumë e vështirë që të realizohen këto ndryshime, nëse niveli i jetesës së qytetarëve ka rënë me 25 për qind”, vazhdoi Obama.

”Këtë nuk mund ta durojë as shoqëria greke, as sistemi politik. Rrjedhimisht, shpresa ime është se Greqia do të mbetet në eurozonë. Besoj se kjo kërkon kompromise nga të gjitha anët. Kur kriza ekonomike shpërtheu në Greqi para disa vitesh, ne kishim rol aktiv në përpjekjet për përballimin e saj. Besoj se Gjermania dhe të tjerët e pranojnë se është më mirë që Greqia të mbetet në eurozonë, se sa të largohet prej saj pasi është një situatë që tregjeve nuk u pëlqen”, shtoi presidenti amerikan.

---Ministri grek i Financave, Ganis Varufakis deklaroi dje në Paris se dëshironte që një marrëveshje globale mbi situatën financiare të Greqisë të arrihej deri në fund të muajit maj.

“Deri në atë kohë, ne nuk do të kërkojmë kredi të reja nga kreditorët e Greqisë”, konfirmoi ai në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun francez, Michel Sapin. Parisi ishte faza e parë e turneut evropian të ministrit grek të Financave, i cili synon për të gjetur mbështetje për lehtësimin e barrës së borxhit grek.

“Ne kemi nevojë për pak kohë për të shpjeguar qëndrimin e qeverisë për partnerët e Athinës”, deklaroi ministri i Financave duke shpresuar që deri në fund të këtij muaji të kenë mbi tryezë propozimet e tyre të detajuara.
Përsa  i përket dëshirës së Varoufakis për të shkuar në Berlin, një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Financave deklaroi se nuk kishte marrë kërkesë zyrtare nga pala greke në kuadër të një vizite të tillë./

---Në zhvillim janë proceset e regjistrimit të dëmeve që janë shkaktuar nga moti i keq në Epir, dy ditët e fundit. 
Probleme të mëdha janë shkaktuar në Epir nga moti i keq, ndërsa janë evakuuar për arsye paraprake fshatrat që janë të vendosura në grykëderdhjen e lumit Árachthos. Mbledhje e gjerë nën drejtimin e Kryeministrit Aleksis Tsipras u zhvillua të dielën në Qendrën e Operacioneve të Trupës së Zjarrfiksave.

«Qeveria greke gjendet në ndihmë të qytetarëve tanë, që janë prekur nga moti shumë i keq», tha z.Tsipras pas përfundimit të mbledhjes dhe theksoi se «detyra e parë sot është të mbrojmë qytetarët dhe nesër të rindërtojmë dëmet». Për këtë arsye shkojnë në këtë zonë grupe të ministrisë së Infrastrukturës nga Selaniku dhe të ministrisë së Kulturës nga Athina, ndërsa z.Tsipra komunikoi dhe me Universitetin Politeknik Metsóvio, i cili u tregua i gatshëm për të projektuar falas studimin e rindërtimit të urës historike. 

---Zëdhënësi i qeverisë, Gavriíl Sakellarídis informoi se grupet e ministrisë së Infrastrukturave dhe Kulturës si dhe grupe me teknikë kanë shkuar në Epir, nën drejtimin e zv/ministrit të Infrastrukturave, zoti Spírtzi. Gjithashtu në Arta ka shkuar dhe një grup i Emergjencës Civile, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë dhe shefin e Trupës së Zjarrfiksave.
Zoti Sakellarídis raportoi gjithashtu se janë shpallur në gjendje të jashtëzakonshme Epiri dhe Evritania. 

---Edhe dy njerëz të tjerë vdiqën nga komplikimet e gripit, gjatë fundjavës. Sipas të dhënave të fundit, 27 njerëz kishin vdekur në një total deri më sot. Pacientët të cilët kanë qenë të hospitalizuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv, nga fillimi i gripit sezonal janë gjithsej 86.

Shqipëri
---Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në Jug të vendit për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut. Avokati i Popullit është pranë familjeve të dëmtuara nga kjo situatë dhe për çdo nevojë emergjente mund të telefononi në numrin 0689034648.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbështet punën e institucioneve shtetërore dhe fton të gjithë qytetarët që të ndjekin këshillat e dhëna nga autoritetet. “Ne nxisim gjithashtu të gjithë qytetarët të jenë solidarë me njëri- tjetrin. Bashkëpunimi dhe solidariteti ndihmojnë menaxhimin me sa më pak dëme të situatës së rëndë të krijuar”, theksohet ne nje njoftim te Avokatit te Popullit. /a.ke/

---Shqipëria është duke përjetuar një intensitet të lartë të infeksioneve respiratore si një pjesë e mirë e rajonit Evropian.

Aktualisht, Shqipëria gjendet në periudhën e epidemisë së gripit. Viruset që qarkullojnë këtë vit janë AH1N1pdm09 dhe AH3N2, të cilët janë të përfshirë në vaksinën e gripit. Keshtu është shprehur sot Arjan Bregu, Drejtorii Përgjithshëm i Institutit të Shëndetit Publik.

“Gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të shfaqjes së tij konsultohuni me mjekun e familjes dhe mjekun pediatër”, ka vijuar Bregu në nje deklarate per situaten gripale ne vend.
“Mjeku i familjes dhe pediatri duhet të vlerësojë me seriozitet të gjitha shenjat me të cilat çdo i sëmurë dyshohet i infektuar me virusin e gripit. Popullata duhet të mbrohet nga virusi i gripit dhe sidomos format e rënda të tij, të cilat shkaktojnë insuficience akute respiratore të rënde dhe komplikacione te tjera”, theksoi ai.

Gripi sezonal është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu. Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë. Virusi i gripit transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjate teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit me një person të infektuar. Më rrallë një individ mund infektohet me virusin e gripit, duke prekur objekte të kontaminuara nga virusi dhe pastaj individi të prekë gojën apo hundën me duart e infektuara.
Periudha e inkubacionit zgjat nga 1-4 ditë. Një individ i prekur nga virusi i gripit, mund të infektojë të tjerët 1 ditë para shfaqjes se simptomave, gjatë periudhës së sëmundjes. Pra, një person i prekur nga virusi i gripit mund të transmetoje virusin një personi tjetër përpara se ai ta kuptoj që është i sëmurë.

---Ministria e Kulturës ka njoftuar së fundmi se Komiteti Organizativ i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar të Gjirokastrës ka vendosur që Festivali Folklorik të zhvillohet në datat 10-16 maj 2015.

Një nga ngjarjet më madhore të pasurisë shpirtërore, e cila realizon përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare ishte planifikuar të zhvillohej më 04 deri 09 prill 2015, në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.

Ministria e Kulturës bën me dije se kjo shtyrje erdhi pas kërkesës nga Qarqe që kryesisht përfaqësojnë zona të thella malore, të cilët kërkojnë të shtyhet java e zhvillimit të Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik të Gjirokastrës, për shkak të kushteve të vështira të motit gjatë fazës aktuale përgatitore dhe me shqetësimin për një paraqitje sa më të mirë dhe të organizuar në këtë takim mbarëkombëtar të folklorit shqiptar.

Në skemën e kësaj veprimtarie u përfshinë 260 artistë dhe gjashtë grupe folklorike, bashkitë e Gjirokastrës dhe Libohovës bashkë me disa komuna, mes të cilave edhe minoriteti grek.

Bota
---Vala e motit të keq që ka përfshirë Turqinë Veriperëndimore gjatë tri ditëve të fundit ka shkaktuar deri tani pesë të vdekur, sipas medias vendase.

Shirat e rrëmbyer dhe erërat me shpejtësi deri në 107 kilometra në orë kanë përfshirë rajonin përgjatë brigjeve të detit të Marmarasë dhe brigjet e Egjeut dhe të Detit të Zi. Në Bursa shoferi i një taksie vdiq pas rënies mbi makinën e tij të një peme.

Ndërkohë, katër persona të tjerë kanë humbur jetën sërish në Bursa, në Balikesir, në Çanakale dhe në Samsun nga rënia e tjegullave apo pjesë çatish shtëpish. Moti i keq ka provokuar edhe ndërprerje në trafikun ajror, ku kompania ”Turkish Airlines” ka anuluar më shumë se 200 fluturime, ndërkohë që në Stamboll, Bursa dhe në Egje janë anuluar edhe udhëtimet me tragete./ a.jor.

---Pesë ushtarë ukrainas dhe tre civilë janë vrarë në 24 orë në lindjen separatiste proruse të Ukrainës, sipas informacioneve të para të njoftuara nga Kievi dhe autoritetet lokale.

“Pesë ushtarë u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën”, njoftoi një zëdhënës ushtarak ukrainas, Vladislav Seleznev në një konferencë shtypi duke shtuar se pozicionet ushtarake ishin sulmuar 104 herë.
Në radhët e civilëve, dy persona janë vrarë nga të shtënat e rebelëve në fshatin Krimske, rreth 40 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit rebel në Lugansk, njoftoi guvernatori rajonal pro-Kievit, Guennadi Moskal.

Në Donetsk, një tjetër kryeqytet rajonal dhe bastion i separatistëve, një person u vra si pasojë e bombardimeve gjatë natës, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit. Lindja rebele në prag të një konflikti të armatosur që prej më shumë se 10 muajsh ka regjistruar këtë fundjavë 50 ushtarë dhe civilë të vrarë, ndërkohë që negociatat për paqe për arritjen e një armëpushimi kanë dështuar./ec/

---Duke filluar nga dita e hëhë, mijëra kroatë të varfër do të përfitojnë nga një dhuratë të pazakonshme të qeverisë kroate. Atyre do t'u fshihen të gjitha borxhet publike që kanë pasur deri më tani duke përfshirë, energjinë, ujin, taksën e pastrimit, tatimet e shtëpisë etj.

E quajtur si "Fillim i Ri", qeveria dëshiron që të ndihmojë mbi 317 mijë kroatë, të cilëve llogaritë bankare u janë bllokuar si pasojë e borxheve të tyre, transmeton Zëri.info.
"Atyre do t'u jepet një rast i ri për një fillim të ri pa borxhe", ka thënë zëvendës kryeministrja e këtij vendi, Milanka Opacic.
Kroatët të cilët do të përfitojnë nga kjo dhuratë duhet që borxhi i tyre të mos jetë më i lartë se 5 mijë euro dhe pagat e tyre të mos jenë më të larta se 140 euro.
Ata po ashtu nuk duhet të kenë llogari bankare me para. Ky projekt pritet t'i kushtoj qeverisë kroate mbi 300 milion dollarë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën 3 shkurt shira lokale ose stuhi sporadike në rajonet perëndimore dhe në ishujt e Egjeut jugor dhe lindor. Ngricë pritet në Epir dhe në Maqedoninë perëndimore.
Në Attikë, parashikohet që moti të jetë në përgjithësi i mirë. Era do të fryjë mesatare në drejtimin perëndimor nga 3 deri në 5 ballë, ndërsa temperatura minimale dhe maksimale do të jetë 6 dhe 14 gradë Celsius.
Në përgjithësi mot të mirë do të ketë të martën dhe Selaniku. Era do të fryjë mesatare në drejtimin veriperëndim nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 5 dhe 11 gradë Celsius.

---Rikujtojmë se në Attikë, në lagjet e pjesës jugore të saj dhe në pjesën tjetër të Athinës transmetohet programi i vetë-menaxhuar i ERT-3, që tashmë mund të shikohet dhe me sinjal dixhital në frekuencat 34 dhe 58 në Attikë. Transmetimi satelitor transmetohet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54