Lajmet në gjuhën shqipe 03/02/2015

---Ministri i Financave, Giáni Varoufáki kishte sot një drekë pune me
homologun e tij italian Carlo Pierre Padoan, pak para takimit të
kryeministrave të Greqisë dhe Italisë, Aleksis Tsipras dhe Matteo
Renzi. Pak para takimit z.Varoufakis tha ndër të tjera, duke folur për
gazetarët italianë se «është e mundur të shohim fundin e krizës greke
nga qershori».
---Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka pranuar sot ftesën për të
vizituar Moskën, nga ambasadori i Rusisë në Greqi, Andrei Maslov,
gjatë takimit që kishin më parë në këtë ministri.
Diskutimi "është zgjeruar në marrveshjet midis Ministrive të Mbrojtjes
së Greqisë dhe Rusisë, në mundësitë e bashkëpunimit strategjik dhe në
organizimin në vitin 2016, të vitit të miqësisë greko-ruse që do të
zhvillohet në Greqi dhe në Rusi".
Më parë, ministri i Mbrojtjes është takuar me ambasadorin e SHBA-së në
Greqi, David Pierce.
---Një pyetje në Komisionin Evropian për potencialin e aktivizimit të
Fondit të Solidaritetit për fatkeqësitë natyrore në Epir dhe të
mbështetjes financiare të përpjekjeve të restaurimit të urës së
Plákas, ka paraqitur të martën zëvendës Presidenti i Komisionit
Evropian dhe eurodeputet i SYRIZA-s, Dimitris Papadimoulis.
---«Qeveria ka për qëllim menjëherë që të nxjerrë ligje për zgjatjen e
afatit kohor të ligjit lidhur me mbrojtjen e vendbanimit të parë», tha
ministri i Ekonomisë, Infrastrukturës, Tregtisë Detare dhe Turizmit,
Giórgos Stathákis.
---Policia e Krimit Ekonomik dhe Sekretariati i Përgjithshëm i të
Ardhura Publike, me urdhër të lidershipit të Ministrisë së Financave
do të fillojnë sipas prioritetit kontrollet për personat fizik dhe
juridik, që transportojnë jashtë vendit sasi të mëdha të depozitave.
---Me një lëvizje imagjinative grupi Bobola i propozoi gazetarëve të
lajmeve sportive, rreth 20 persona, të pranojnë shkurtimin e tyre nga
puna dhe rivendosjen menjëherë pas, me gjysmën e pagës që ata merrnin
deri tani dhe duke u propozuar gjithashtu që të marrin menjëherë 30%
të dëmshpërblimit të tyre si dhe pjesën tjetër në 12 këste mujore.
---Unanimisht Këshilli i Unionit të Redaktorëve të Gazetave të
Përditshme të Athinës vendosi të shpalli menjëherë së bashku me të
gjitha shoqatat e tjera të shtypit një grevë paralajmëruese 24 orë në
Mediat e Grupit Pigasos, nëse administrata Bobola nuk revokon masat e
rënda (pushime nga puna dhe prerjet e pagave dhe të të drejtave)
kundër punonjësve, që tashmë vuajnë shkurtimet dhe qindra pushime nga
puna në 5 vitet e fundit.
---Protestë ka zhvilluar Shoqata e Punëtorëve dhe Teknikëve si dhe
shumë solidarë në dyqanin Migato të rrugës Ermoú, të martën pasdite,
për "incidentin ekstrem arbitrar të punëdhënësit të kompanisë", që ka
shkurtuar menjëherë nga puna një teknike, menjëherë sapo ajo ka
njoftuar shtatzëninë e saj. Protestë e njëjtë do të zhvillohet dhe në
inspektoratin e punës në Ilioúpoli (sheshi Fléming 2), ku do të mbahet
një takim trepalësh, të mërkurën në orën 11:00.
---Një kërkim për një çështje që ka lidhje me falsifikimin e faturave
të Ujit kryen Policia e Krimit Kompjuterik. Ka paraprirë paraqitja e
një akuze, sipas të cilës janë manipuluar faturat e Ujit që ishin
lëshuar nga një Bashki e Attikës Perëndimore dhe kanë përparuar në
fshirjen e borxheve të mëparshme.
---POSPERT-i dhe Komiteti i Koordinimit kundër mbylljeve dhe
disponueshmërisë organizojnë një tubim jashtë ndërtesës së ERT-it në
Agia Paraskevi, të mërkurën, 11 shkurt në orën 17:30, "për të kërkuar
së bashku që të hapet përsëri dhe menjëherë Radio-Televizioni Publik
Grek - ERT, si një hap i parë në luftën kundër masave shtrënguese që
sollën memorandumet, që të kthehen të gjithë punonjësit e shkurtuar në
vendet e tyre të punës.

Shqipëri
---Kryeministri Edi Rama ishte të martën në zonat e përmbytura në
qarkun e Beratit dhe Urën Vajgurore, i shoqëruar nga ministri i
Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ai u njoh në terren me situatën dhe takua me drejtues lokalë dhe
drejtues të operacioneve të emergjencës civile dhe banorë, të cileve u
jane përmbytur shtëpite. Prefekti i Beratit, Selfo Kapllani, informoi
se aktualisht situata paraqitet e normalizuar, por të gjitha
strukturat e emergjencës civile vazhdojnë të jenë në gadishmëri jo
vetëm në pikat e rrezikuara si, Ura Vajgurore, por edhe në komuna,
veçanërisht në Poshnje dhe Perondi. Ai nënvizoi se prioritet ishte
shpëtimi i njerëzve dhe u bë evakuimi i menjëhershëm i 65 familjeve të
rrezikuara. Po ashtu, u mbajtën nën kontroll hidrovoret dhe akset
rrugore.
Kryeministri Rama kërkoi ruajtjen e nivelit të lartë të gatishmërisë,
pasi pavarësisht qetësimit të situatës, parashikohet një përkeqësim
tjetër i kushteve meteorologjike. Kreu i qeverise, ripërsëriti apelin
për banorët, që t’i përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim,
në rast se strukturat e emergjencës civile do ta vlerësojnë të
nevojshme.
---Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi me Dekoratën “Gjergj
Kastrioti Skënderbeu”, ilirologun e njohur me përmasa botërore,
arbëreshin nga Arbanasi-Zare (Kroaci), Akademikun Aleksandar
Stipćević.
Ceremonia e dekorimit u zhvillua të martën në Ambasadën e Republikës
së Shqipërisë në Zagreb, ku ishin të pranishëm personalitete të
shquara të komunitetit shqiptar si dhe Ambasadorja e Kosovës,
Shkëndije Geci-Sherifi dhe mikpritësi, Ambasadori i Shqipërisë, Ilir
Melo, Prof.Zef Mirdita, etj.
Dekorata iu dorëzua nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të
Presidentit, Florjan Nuri dhe Këshilltari i Presidentit për Rajonin,
Flamur Gashi.
Në ceremoninë zyrtare të dekorimit morën pjesë dhe tre djemtë e
Profesorit si dhe zonja Stipćević e cila në fjalën e saj,  shprehu
konsideratën më të lartë për Kreun e Shtetit shqiptar, Presidentin
Nishani si dhe për popullin shqiptar për vlerësimin që iu bë
Profofesorit Stipćević.
---Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të martën Ambasadorin e ri të
Arabisë Saudite në Shqipëri, Talat Salem Radwan të cilit i uroi
mirëseardhjen në vendin tonë dhe suksese në detyrën e re.
Fillimisht, Meta i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen
nga jeta të Madhërisë së Tij Mbretit Abdullah bin Abdulaziz Al Saud të
Arabisë Saudite, kujtimi i të cilit përfaqëson një gur solid
stabiliteti, sigurie e paqeje në Lindjen e Mesme e më gjerë. Duke
vlerësuar marrëdhëniet e ngrohta që ekzistojnë mes dy popujve dhe mes
dy vendeve, Kryeparlamentari Meta shprehu vullnetin për intensifikimin
e bashkëpunimit parlamentar përmes grupeve të miqësisë dhe shkëmbimeve
të nivelit të lartë politik, duke nënvizuar se marrëdhëniet dypalëshe
duhet të ngrihen në nivelin e miqësisë së shkëlqyer që ekziston mes dy
popujve tanë.
Ambasadori i Arabisë Saudite në Shqipëri, Talat Salem Radwan shprehu
kënaqësinë e fillimit të detyrës së tij në Shqipëri dhe përcolli
përshëndetjet më të ngrohta të Kryetarit të Parlamentit të Arabisë
Saudite Dr. Al-Sheikh. Ambasadori Talat Salem Radwan e siguroi
Kryetarin e Kuvendit  se me mbështetjen e autoriteteve të të dy
vendeve, Ambasada do të punojë për forcimin konkret të marrëdhënieve
mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë./a.gegvataj/

Bota
--- Arritje të një ekuilibri midis Greqisë dhe huadhënësve shikon në
raportin e saj Agjencia e vlerësimit ndërkombëtar, Goldman Sachs, që
beson se zhvillimet në politikë dhe jo në ekonomi, janë ato që
ndikojnë në perspektivat afatshkurtra të vendit.
---Shumë janë ata që besojnë se borxhet që mori Greqia, nga shpërthimi
i krizës dhe më pas, u përdorën për të subvencionuar shpenzimet.
E vërteta është se pjesa më e madhe e parave shkuan për pagesën e
kamatave dhe kapitalin e borxhit, vë në dukje në një artikull për
Greqinë që do të botohet në të përditshmen ”New York Times” ekonomisti
amerikan Paul Krugman, fitues i çmimit Nobel. Më tej Krugman nënvizon
nevojën që Evropa të qëndrojë në lartësinë e duhur dhe të trajtojë me
realizëm situatën ekonomike në rastin e Greqisë.
”Gjermanët duhet të bëjnë atë që duhet dhe të lenë mitet dhe
moralizmin, duke vënë në dukje se me situatën aktuale e vetmja që
arrin Greqia përmes kreditimit ndërkombëtar është të ruajë pagesën e
kamatave dhe të kapitalit fillestar”, thekson Krugman ndër të tjera.
Ai propozon si zgjidhjen më të mirë reduktimin e borxhit grek dhe
sanksionimin e suficiteve më të vogla dhe më realiste në buxhetin e
vendit, zgjidhje që do të ndihmojë edhe qeverinë e porsazgjedhur që të
përmbushë obligimin për luftën ndaj shtrëngesave, gjë që sigurisht bie
ndesh me moralizimin dominues në Evropë rreth kërkesës së kreditorëve
që Greqia të zbatojë pikë për pikë angazhimet e veta.
---Presidenti i ri italian, Sergio Mattarella bëri sot zyrtarisht
betimin para Parlamentit të mbledhur në seancë plenare, duke mbajtur
fjalimin tradicional për respektimin e Kushtetutës.
Siçiliani ,73 vjeç, deputet që prej 25 vitesh, pesë herë ministër dhe
gjyqtar kushtetues që prej vitit 2011, Sergio Mattarella nisi mandatin
e tij duke përshëndetur paraardhësin, Giorgio Napolitano, 89 vjeç, i
cili dha dorëheqjen më 14 janar. Në një fjalim shumë të duartrokitur,
Mattarella përmendi të gjitha prioritetet e mandatit të tij. I
zgjedhur për shtatë vjet, presidenti i Republikës italiane ka pak
pushtet politik, përveç rasteve të një krize politike./ec/
---Organizata Amnesty International, thotë se ka grumbulluar "prova të
tmerrshme të vrasjes së civilëve dhe viktimave" gjatë ditëve të
fundit, sikurse nga ana e seperatistëve pro-rusë e po ashtu edhe nga
forcat qeveritare të Ukrainës në lindje të këtij vendi.
Ajo i ka akuzuar të dyja palët për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, për
shkak të sulmeve të tyre në qytetin e kontrolluar nga rebelët dhe
bombardimet pa dallim të shtëpive dhe rrugëve. John Dalhuisen, drejtor
i AI-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, tha se provat e mbledhura
dëshmojnë për tmerrin që kanë përjetuar civilët nga hedhja e raketave
dhe mortajave nga ana e të dyja palëve.
Kievi, NATO, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, thotë se Rusia
po dërgon trupa dhe armatim të rëndë në lindje të Ukrainës. Kombet e
Bashkuara thonë se më shumë se 5.100 njerëz janë vrarë që nga fillimi
i konfliktit, në prill të vitit të kaluar.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të mërkurën 4 shkurt
vransira me shira lokale në Greqinë Perëndimore dhe Veriore, por dhe
në Egjeun Lindor.
Reshje dëbore do të ketë në zonat malore dhe këto fenomene do të
ndryshojnë, duke filluar nga rajonet perëndimore. Kushtet
meteorologjike ndihmojnë për ardhjen e pluhurit nga brigjet e Afrikës
Veriore.
Në Attikë, temperatura maksimale do të jetë 15 gradë Celsius dhe në
Selanik, temperatura maksimale do të jetë 14 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital
në frekuencat 34 në qendrën e Athinës dhe 58 në Attikën Lindore,
ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54