Lajme në gjuhën shqipe - 30/06/2013

Fillojnë grevat 48-orëshe të punonjësve të DEH-së

Greva të përsëritura 48-orëshe, nga data 2 korrik, dita e paraqitjes
së projekt-ligjit në Parlament, ka shpallur sindikata kryesore e
punonjësve GENOP, me vendimin e të gjithë sindikatave të shkallës së
parë. Gjithashtu, nga data 2 korrik do të mbyllen njësitë e DEH-së në
Maqedoninë Perëndimore, siç vendosi sindikata lokale, Spartakos.
Kundërshtimi i tyre në shitjen e DEH-së së vogël kanë shprehur
qytetarët e Maqedonisë Perëndimore në tubimin e tyre të premten në
sheshin qendror të Ptolemaidës. Punonjësit e ERT-it dhe POSPERT
mbështesin kolegët e tyre në Koorporatën Elektroenergjitike të Greqisë
(DEH) në luftën e tyre kundër shitjes së ndërmarrjes.
Nën moton "Poshtë duart nga DEH", të martën në orën 20:30 në mbrëmje,
në sheshin kryesor të Megalopolis organizojnë një mbledhje të madhe
Bashkia, sindikatat e punonjësve në qendrën e linjitit të DEH-së,
Shoqata e punonjësve me Kontratë tetë mujore e uzinës, shoqata të
ndryshme profesionale, Qendra e Punës e Arkadias dhe grupe të tjera
sociale. Në solidaritet me përpjekjen e punonjësve të Koorporatës
Elektroenergjitike (DEH) vazhdojnë të jenë edhe punonjësit e ERT-it
dhe POSPERT.
Nga ana e tij koalicioni qeveritar i Demokracisë së Re dhe PASOK-ut
përgatit një përgjigje të ashpër ndaj demonstratave dhe lëvizja e parë
do të jetë apelimi në gjykatë që ato të shpallen si shpërdoruese, duke
mos përjashtuar edhe mobilizimin politik të grevistëve.


Gjashtë të burgosur në grevë urie janë transferuar në spitalin e
burgut Koridallo dhe njëri prej tyre është i mitur nga burgu Avlona.

Katër mijë e gjysëm të burgosur vazhdojnë për të gjashtën ditë grevën
e tyre të urisë, për të protestuar ndaj vendimit të qeverisë, që të
krijojë burgje të sigurisë maksimale, në të cilat të burgosurit nuk do
të kenë asnjë të drejtë. Në heshtje për këtë çështje është si
ministria e Drejtësisë dhe mediat. Shqetësim për rrezikun që kanë të
burgosurit që janë në grevë urie, shkaktojnë informacionet që
raportojnë se ata nuk janë nën kontrollin e mjekut.
Një grup mjekësh vullnetarë dhe infermierë ndodhen në burgun e
Koridallos, për të parë nga afër gjendjen e grevistëve të burgosur të
urisë. Gjithashtu, të burgosurit që janë në mjekim, thonë se
mbështesin grevistët dhe se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, dhe
ata do të marrin pjesë në grevë urie, pavarësisht problemeve të tyre
shëndetësore. Në heshtje për këtë çështje është si ministria e
Drejtësisë dhe mediat, duke injoruar këtë çështje, edhe pse bëhen
veprime të ndryshme në mbështetje të grevistëve të urisë në Athinë dhe
qytete të tjera.


"Jo kimikate në Mesdhe"

Sot është organizuar bllokimi simbolik i Shtabit të Kallamatës deri në
orën 13:30 në mesditë, nga grupe sociale dhe qytetarë të përfshirë në
nismën "Jo kimikate në Mesdhe". Anëtarët e Iniciativës kanë shpërndarë
materiale dhe kanë informuar publikun për rreziqet serioze nga
operacioni i fshehtë i shkatërrimit të armëve kimike siriane në një
anije të flotës amerikane në zonën detare në jug të Peloponezit dhe në
perëndim të Kretës. Ftohen, gjithashtu qytetarët për të marrë pjesë në
një tubim mbarëkombëtar të Athinës, e premte 11 korrik, në Sintagma.


Përfundon sot afati për dividencën sociale

Me dy të ardhura referencë dhe në bazë të të ardhurave më të favorshme
për qytetarin, pritet të vendoset mbi kërkesat që janë paraqitur për
dividendën sociale dhe askush nuk do të kërkohet që të kthejë ndihmën
prapa. Këtë shpjegojnë faktorë të ministrisë së Financave, pasi u
rikonfirmua se të gjitha aplikimet që janë refuzuar, por dhe ato që do
të dorëzohen deri më 30 qershor, do të shqyrtohen në bazë të kufijve
të reja të të ardhurave (të ardhura reference 7.050 euro në vend të
6.000 euro) dhe të deklaratave tatimore të këtij viti, me qëllim që të
zgjerohet baza e përfituesve.
Ndërkohë, taksat e rritura dhe reduktimet e vazhdueshme në thelb
marrin mbrapsht ndihmën e supozuar sociale që jep koalicioni
qeveritar.


Të martën do të jepen pensionet e OGA

Të martën, do të jepet pensioni i muajit korrik për 703.269
pensionistët e OGA-së. Pagesa e tyre do të bëhet në llogaritë bankare
apo në llogaritë e ELTA, që kanë zgjedhur vetë pensionistët.


Filluan të hënën grevat e punonjësve të ADEDH kundër shkurtimeve dhe
disponueshmërisë

Demonstrata kanë filluar të hënën punonjësit e sindikatës ADEDH kundër
shkurtimeve dhe disponueshmërisë me mitingje proteste, që do të mbahen
në orën 15:00 në të gjithë vendin. Në tubimin e Athinës ka marrë pjesë
dhe POE-OTA me kërkesë tërheqjen e vlerësimit të nënpunësve,
shfuqizimin e masave të disponueshmërisë dhe të shkurtimeve në
sektorin publik.
Në Athinë, tubim do të zhvillohet jashtë Ministrisë së Financave,
ndërkohë që demonstratat e ADEDH-së do të përshkallëzohen më 9 korrik,
në mbarë vendin me një grevë 24-orëshe në të gjithë sektorin publik me
mitingje dhe marshime në të gjithë vendin.


Lajme nga Bota

Vazhdon drama e emigrantëve në brigjet evropiane

Të paktën 30 trupa u gjendën dje në një anije me refugjatë në detin
Mesdhe. Kjo dramë e radhës ka shkaktuar shumë polemika në Itali
ndonëse marina ushtarake arriti të shpëtojë pesë mijë persona gjatë
fund javës.
“Dje gjatë një operacioni shpëtimi dhe inspektimi të një anijeje,
rreth 30 trupa u gjendën në pjesën e përparme”, theksoi sot në një
komunikatë marina ushtarake, duke konfirmuar edhe informacionet e
ardhura nga media.
“Personeli i ndihmës së shpejtë që u dërgua në vendngjarje deklaroi se
shkaqet e vdekjeve janë asfiksimi dhe mbytja, si dhe këshilloi që
trupat të mos nxirren deri sa anija të mbërijë në port për shkak të
hapsirave të ngushta”, thuhet në komunikatë.
Disa qindra persona gjenden në këtë anije bashkë me kufomat që pritet
të mbërrijnë në portin e “Pozzallo”-s, në Siçili, ndërkohë që zbarkimi
i trupave të viktimave parashikohet të kryehet të martën në mëngjes.


Rreth 80 për qind e evropianëve dëshirojnë që vendi i tyre të jetë më pak ndotës

Sipas një anketimi të ri, shumica e qytetarëve evropianë mendojnë se
vendi i tyre gjeneron shumë mbeturina. Kjo anketë mbi sjelljet e
evropianëve kundrejt menaxhimit të ndotjes dhe të burimeve në mënyrë
efiçente tregon se 96 për qind e të pyeturve thonë se është e
rëndësishme për ta, që Evropa të përdorë burimet e saj në mënyrë më
efiçente.
Rreth 68 për qind e tyre shprehet se është shumë e rëndësishme të
gjendet një zgjidhje, ndërsa tre për qind e tyre thotë se këto masa
nuk kanë rëndësi. Në të gjithë BE-në, nëntë nga 10 të pyetur listojnë
se letrat, kartonat, kartonat e pijeve, plastiket dhe qelqet të
përdoren më pak, ndërsa tre të katërtat e të pyeturve mendojnë se më
pak duhet të përdoren detergjentet e ndryshme, kanaçet metalike,
shpërdorimi elektrik dhe shpërdorimi i ushqimeve.
Por megjithatë ka diferenca të konsiderueshme mes anëtarëve të BE-së,
ku 99 për qind që kërkojnë reduktimin e letrave në Austri deri tek 28
për qind që kërkojnë reduktimin e detergjenteve në Rumani.
Komisioneri për Mjedisin, Janez Potoçnik tha se “ndotja tashmë është
bërë një problem, evropianët kërkojnë të ndosin më pak dhe ata po
përpiqen të praktikojnë atë që predikojnë. Ky është një hap drejt një
ekonomie më ricikluese. Dëshira për të ricikluar më shumë ekziston,
tashmë ne duhet të vendosim mekanizmat që të ndihmojnë në këtë
aspekt”.


Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të hënën mot të mirë,
ndërsa nga mesdita në rajonet perëndimore dhe veriore do të zhvillohen
vransira dhe do të ketë stuhi, sidomos në zonat malore veriore.
Në Attikë moti do të jetë i mirë, ndërsa temperatura do të luhatet nga
19ºC deri në 33ºC dhe në zonat bregdetare dy ose tre gradë më pak.
Në Selanik, në fillim moti do të jetë i mirë, por nga dreka do të ketë
vransira lokale dhe ka shumë mundësi stuhi, sidomos në zonat malore.
Temperatura do të luhatet nga 20ºC deri në 31ºC.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54