Lajmet në gjuhën shqipe 10/04/2015

---Franca pret nga Greqia e kryeministrit Aleksis Cipras një listë reformash më të thella, nëse ajo dëshiron të marrë ndihmë të re nga Bashkimi Europian, deklaroi të premten kryeministri francez, Manuel Valls për të përditshmen portugeze ”Diario Economico”, duke e gjykuar të pamjaftueshëm progresin e Athinës.

Lideri i qeverisë franceze në një vizitë zyrtare sot në Portugali, u kërkoi autoriteteve greke në këtë intervistë që të vazhdojnë me përpjekjet e tyre edhe pse pasiguria mbetet mbi aftësinë e qeverisë greke të së majtës radikale SYRIZA për të rimbursuar borxhet që prej majit të kaluar.

“Pozicioni i Francës nuk ka ndryshuar, ata duhet të marrin në konsideratë votën e popullit grek, por ka gjithashtu një kuadër institucional si edhe angazhimet e marra që duhet të respektohen”, deklaron Manuel Valls për të përditshmen ekonomike portugeze.

“Siç e dini, koha është e shkurtër. Shteti grek duhet të përballet së shpejti me afatet e pagesave të rëndësishme. Dhe gjërat janë të thjeshta, kështu që ndihma financiare evropiane mund të luajë rol, ndërsa qeveria greke duhet të përfundojë menjëherë një listë reformash më të thella”, theksoi kryeministri francez.

“Ka progres, por është ende i pamjaftueshëm. Pra, ne duhet t’u kërkojmë autoriteteve greke të vazhdojnë me përpjekjet e tyre”, vazhdon Manuel Valls duke mbrojtur një zgjidhje të pranueshme për të gjithë si edhe duke theksuar se për Francën dalja e Greqisë nga eurozona nuk është një opsion.

---Ndërkohë, Ministri grek i Financave, Ganis Varufakis kishte theksuar se qeveria e tij nuk do të bënte premtime të rreme, për të marrë këstin e ardhshëm të ndihmës evropiane.

Ministri u shpreh në kuadër të një konference të organizuar në mjediset e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OCDE), që ndodhet në kryeqytetin francez.

I pyetur mbi eksperiencën dhe reflektimet pas disa muajve në qeveri, ministri përsëriti disa herë vullnetin e qeverisë së tij për të diskutuar me partnerët evropianë.

“Ne dëshirojmë të punojmë, ne dëshirojmë të ndryshojmë tonin e bisedës dhe të themi: djema, nuk do të nëshkruajmë asgjë për të marrë këstin e ardhshëm të ndihmës”, deklaroi Varoufakis. “Ne nuk ju premtojmë asgjë për të marrë këstin e ardhshëm të ndihmës”, nënvizoi ai.

Ai pranoi gjithashtu nevojën e Greqisë për të diskutuar për një listë reformash, duke ironizuar gjithashtu mbi rezonancën e kësaj fjale në Greqi: ”është si të përdorësh fjalën ‘demokraci’ në Irak”, theksoi ai.

---I vendosur duket se është Ministri i Shtetit për luftën kundër korrupsionit, Panagiótis Nikoloúdis, i cili intensifikon përpjekjet e tij me një seri veprimesh në drejtime të ndryshme, në mënyrë që të mbledhë 2,5-3 miliard euro gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

---Presidenti i Republikës Greke, Prokopis Pavlopulos ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Recep Tayipp Erdogan, gjatë vizitës që zhvilloi në postën kufitare në Kipus të Evros.

Presidenti Pavlopulos, pasi u takua me ushtarët dhe oficerët grekë që shërbejnë aty, kaloi urën dhe shkëmbeu përshëndetje me ushtarët dhe oficerët turq si dhe me prefektin dhe zyrtarë të tjerë të shtetit fqinj.

Në vazhdim, presidenti Pavlopulos zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Recep Taiypp Erdogan.

Sipas burimeve të mirë informuara, Pavlopulos dërgoi një mesazh miqësie dhe bashkëekzistence paqësore të të dy popujve.

Sipas të njëjtave burime, Pavlopulos i deklaroi Erdoganit se priste progres në problemet midis të dy vendeve, sipas të drejtës ndërkombëtare, me qëllim që të bëhej i mundur pranimi i ftesës që i ka bërë presidenti turk për të vizituar Ankaranë.

---Në 25,7% ka arritur niveli i papunësisë në vend në janar të vitit 2015, në ulje nga 27,2% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe nga 25,9% që ishte në dhjetor të vitit 2014. 

Numri i të papunëve arriti në 1.220.828 njerëz dhe një në dy në grup moshën 15- 24 vjeç të jenë të papunë.

---Kryeson SYRIZA, me më shumë se 20 pikë përqindje kundrejt Demokracisë së Re në synimin për të votuar, sipas një sondazhi të kryer nga kompania Metron Analysis për gazetën «Parapolitiká».

---Në zhvillim është operacioni i madh i Shërbimit të Ndjekjes së Narkotikëve i Attikës, në Patra dhe Athinë, për zbulimin e një grupi ndërkombëtar që transportonte heroinë në Greqi dhe vende të tjera evropiane.

Sipas informacioneve, deri tani është sekuestruar një total prej më shumë se 300 kilogramë heroinë, e cila ishte fshehur në dy kamionë, në portin e Patras. Të dy automjetet do të niseshin me traget për në Itali dhe në të njëjtën kohë u arrestuan dy shoferët sllovakë.

Sipas të njëjtave informacione, në kuadrin e hetimeve që janë në vazhdim e sipër, janë gjetur dhe sasi të tjera të drogës. Detaje mbi këtë çështje pritet të njoftohen të shtunën, pas përfundimit të hetimit policor.

---Në vazhdim është dalja e ekskursionistëve të festës së Pashkëve nga qendrat e mëdha urbane. 

Në lidhje me daljen e athinasve, trafiku në rrjetin kombëtar rrugor tashmë është normalizuar. Deri në orën 13:00 në mesditë, nga pika e kalimit në Afidnón kishin kaluar 23.164 makina, një numër i ulur rreth 1,21% në krahasim me vitin e kaluar.

Është ulur rreth 4% dhe numri i makinave që kaloi në pikat e pagimit të taksave të rrugës në Elefsina. Në mënyrë të veçantë, deri në orën 13:00 pas mesditës kishin kaluar 30.000 makina. Dje, nga Rruga Kombëtare Athinë-Korinth kaluan 77.640 automjete, dhe nga rruga Athinë - Lamia 52.872.

---Ndërkohë, vazhdojnë problemet në transportin e anijeve bregdetare si dhe lodhja e qindra pasagjerëve, për shkak të erërave të forta që arrijnë në disa zona në Egje nga 8 deri në 9 ballë. Dobësimi i erërave në shumicën e rasteve pritet pas orës 22:00 në mbrëmje.

Gradualisht do të hiqet dhe ndalimi i lundrimit të anijeve. Në orën 21:00  në mbrëmje do të nisen tragetet e para nga porti i Pireut për në Kretë, Hïo, Mytilíni, Ródo, Ko, Thíra,Cykládes. Për në Gjirin Saronik, itinerarët kryen rregullisht. Nga porti i Rafinës, itinerarët e trageteve për në Marmari kryen rregullisht, ndërsa për Cyklades, anijet do të nisen pas orës 16:30 pasdite. 

Vihet në dukje se shumë kompani janë duke planifikuar për të vënë të Shtunën e Madhe më shumë itinerarë. 

---Deri në orën 19:00 do të jenë të hapuar të Premten e Madhe dyqanet, ndërsa të Shtunën e Madhe do të jenë të hapura nga ora 10:00 në mëngjes e deri në orën 16:00 pasdite. Super marketet do të mbyllen të Premten e Madhe në orën 20:00 dhe të Shtunën e Madhe në orën 19:00 pasdite. Të Dielën e Pashkëve dhe të Hënën, dyqanet do të jenë të mbyllura. 

---Kontrolle të zgjeruara në njësitë e ushqimit, dyqanet tregtare dhe tregjet turistike, ku vihet re një lëvizje më e madhe për shkak të festës së Pashkëve, bën Drejtoria e Policisë Financiare.

Objektivi është që të mbrohen konsumatorët me zbatimin e legjislacionit përkatës, veçanërisht për përballimin e evazionit fiskal si dhe punës së pasiguruar dhe padeklaruar.

Shqipëria
---Me ngadalësim të dukshëm 6 vitet e fundit, sektori i ndërtimit ka reflektuar rënie të qarkullimit vjetor, ulje të të punësuarve dhe reduktim të normave të fitimit.

Në fund të vitit 2013, ushtronin gjithsej aktivitetin në fushën e ndërtimit 3497 ndërmarrje, me rritje të lehtë 1% në raport me vitin e mëparshëm, si efekt i rritjes së numrit të ndërmarrjeve të vogla me deri katër persona të punësuar dhe me rënie të numrit të të punësuarve.

Sipas Anketës Strukturore 2013 të INSTAT, të ardhurat gjithsej të sektorit arritën në 181 miliardë lekë, me ulje 1.6% në raport me vitin e mëparshëm. I konsideruar për më se një dhjetëvjeçar si sektor me ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërtimi sot rezulton me tkurrje, ku më e dukshme mbetet situata në qarqet e mëdha, si Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, ku fluksi i ndërtimeve në sektorin imobiliar nuk u justifikua nga fuqia bleërëse.

Edhe për vitin 2014 sipas planit buxhetor afatmesëm të qeverisë, ndërtimi vijoi me rënie, ndërsa parashikohet të kthehet në norma pozitive rritjeje për vitet 2015, 2016 dhe 2017. Mesatarisht ndërtimi parashikohet të rritet në terma reale me 1.5% gjatë vitit 2014-2017./n.m/f.n/

---Komuniteti i biznesit që operon në Shqipëri ka paraqitur propozimet e para për paketën fiskale, që do të vihet në zbatim në vitin 2016 pranë Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave përmes një shkrese zyrtare i ka kërkuar komunitetit të biznesit që nga data 26 janar të paraqesin propozimet për paketën fiskale që do të zbatohet gjatë vitit që vjen. Por, burime nga ministria e Financave bëjnë të ditur se kanë mbërritur pak propozime nga biznesi. 

Pak ditë më parë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i bëri thirrje dhomave te tregtisë, shoqatave të biznesit, por dhe gjithë grupeve të interesuara, që të paraqesin propozimet për ndryshimet ligjore apo kërkesat e tyre për lehtësitë fiskale.

Prej vitesh komuniteti i biznesit vendas, por edhe ai i huaj që ushtron aktivitetin ekonomik në vendin tonë, kanë kërkuar më shumë kohë për diskutimin e ndryshimeve në legjislacionin fiskal./a.gjonaj/ /a.ke/

---Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili po kryen punime në segmentin rrugor “Rrethrrotullimi i Doganës – Mbikalimi i Kasharit” njofton drejtuesit e automjeteve, se duke filluar nga data 10 prill e deri më 20 prill është parashikuar të kryhen punime për riveshjen me asfalt në drejtimin “Tiranë-Vorë”. Devijimi i trafikut fillon para mbikalimit të Kamzës për në rrugën dytësore, drejtimi Tiranë - Vorë deri tek mbikalimi i Kasharit.

Gjatë kësaj periudhe rruga dytësore do të ketë vetëm një kah lëvizje drejtimi “Tiranë-Vorë”.  “Me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale rrugore dhe të garantimit të rrjedhshmërisë së sigurtë për veten dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës ju lutemi të gjithë drejtuesve të mjeteve që për arsye nga më të ndryshmet lëvizin në këtë segment, të tregojnë kujdesin maksimal”, bën të ditur FSHZH, përmes një njoftimi për shtyp.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Rrugore ka marrë të gjitha masat për lehtësimin e lëvizjes së trafikut gjatë këtyre punimeve. Nga ana e firmës zbatuese janë marrë të gjitha masat në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për paralajmërimin e vendit të kantierit ku kryhen këto punime, duke vendosur sinjalizimet e duhura për njoftimin dhe marrjen e masave nga ana e drejtuesve të mjeteve./f.n/

---Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi, vendosën të premten masën e sekuestros preventive ndaj një godine shumëkatëshe të destinuar si hotel, në bregdetin e Ujit të Ftohtë, e cila dyshohet se ishte ndërtuar me mjete monetare të siguruara nga trafiku i lëndëve narkotike.

Mësohet se, ky hotel ka qenë në pronësi të shtetasit I.B, i cili humbi jetën vitin e kaluar, pas një shpërthimi të një sasie lënde eksplozive në automjetin e tij./a.g/

---Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, e klasifikon Parkun Kombëtar të Butrintit në dhjetë parqet kombëtare më të bukur të Europës që duhet vizituar.  

Kanë qenë lexuesit e huaj të kësaj gazete, ata që pas përvojave të tyre në Butrint e kanë vendosur atë në vendin e 9-të. Butrinti renditet mes parqeve të tjera të Malit të Zi, Kroacisë, Spanjës, Finlandës, Bjellorusisë, Bullgarisë, Italisë dhe Islandës. Ja se si përshkruhet ai nga "The Guardian": "Shumë pak vizitorë, e një teatër mahnitës Grek, Romak, Francez edhe me mbetje otomane” kanë bërë që të sugjerohet Parku Kombëtar i Butrintit në Shqipëri. I ndodhur në jug-perëndim të vendit, ky park duhet parë nga fansat e historisë së lashtë. Krenohet me një numër domethënës të siteve arkeologjike e mund të konsiderohet si një "mikrokozmos i historisë shqiptare". 

Ky klasifikim nga “The Guardian” bëhet edhe për të tërhequr vëmendjen e lexuesve të tjerë, për t'u dhënë atyre këshilla për më shumë destinacione për të eksploruar.

Bota
---Bashkimi Evropian, që ushtron presion që prej disa muajsh ndaj grupeve libiane, theksoi të premten se ata që vazhdojnë të pengojnë negociatat mes parlamenteve rivalë për një qeveri të unitetit kombëtar do të duhet të japin llogari.

“Të gjitha grupimet në Libi duhet të hedhin poshtë çdo akt që rrit tensionet, ndërkohë që partitë libiane janë angazhuar në një fazë vendimtare të dialogut politik”, deklaroi shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, në një komunikatë.

“Ata që vazhdojnë të pengojnë negociatat do të identifikohen nga komuniteti ndërkombëtar dhe do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre”, shtoi ajo, ndërkohë që Bashkimi Evropian miratoi një tekst duke i hapur rrugën vendosjes në një listë të zezë të personave të akuzuar për prishje të procesit, të ardhurat e të cilëve do të bllokohen në Evropë.

Objektivi është arritja e ndërprerjes së dhunës dhe vendosjes së një qeverie të unitetit kombëtar në një vend nën drejtimin e milicëve që prej rrëzimit të regjimit të Muammar Kadhafit në vitin 2011./ec/

---Presidentët amerikan, Barack Obama dhe kubanez, Raul Castro ndodhen sot në Panama për një samit kontinental historik i destinuar për të konfirmuar afrimin mes SHBA-së dhe Kubës .

Para hapjes së samitit, Shtëpia e Bardhë theksoi se dy krerët kishin zhvilluar një bisedë telefonike të mërkurën. Bëhet fjalë për bisedën e dytë telefonike pas shkëmbimit më 17 dhjetor, duke i paraprirë njoftimit të papritur të afrimit.

Ky samit i Amerikave, që do të mbledhë për dy ditë 30 presidentë, regjistron praninë për herë të parë të Kubës, përjashtuar për një kohë të gjatë nga takimet e rëndësishme kontinentale nga SHBA-ja dhe Organizata e Shteteve amerikane (OEA), prej të cilës Havana u përjashtua në vitin 1962.

Pas hapjes zyrtare të Samitit të Amerikave në mbrëmje, Castro dhe Obama do të marrin pjesë në një darkë të shtruar për presidentët e 34 vendeve.

Ky samit i Amerikave, ku do të marrin pjesë presidenti amerikan, Obama dhe Castro, mes 34 drejtuesve, merr një karakter të veçantë sepse ndodh pas njoftimit historik, më 17 dhjetor 2014, të afrimit diplomatik mes Uashingtonit dhe Havanës, pas një gjysmë shekulli tensionesh të trashëguara nga Lufta e Ftohtë./ec/

---Një avion i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (CICR), i ngarkuar me 16 tonë ndihma mjekësore, u ul të premten në Sanaa, Jemen, në vendin e rrënuar nga sulmet e koalicionit arabo-sunit, njoftoi zëdhënësja e kësaj organizate për Jemenin.

“Bëhet fjalë për avionin e parë të Kryqit të Kuq i cili u ul në Sanna. Ai është i ngarkuar me 16 tonë ndihma mjekësore”, deklaroi Marie-Claire Feghali. ”Kjo ngarkesë është e përbërë nga ilaçe dhe instrumente kirurgjikale”, shtoi zëdhënësja, e cila ishte e pranishme në aeroportin e kryeqytetit jemenit në momentin e uljes së avionit.

“Nesër, një avion i dytë me 32 tonë ndihma mjekësore, gjeneratorë dhe pajisje për të pastruar ujin në spitalet e Sanaas do të mbërrijë”, shtoi ajo./ /a.s/ a.jor.

---Përplasja e një autobusi me një kamion çisternë nafte në Marok, u mori jetën 31 atletëve.

Ata ishin nisur nga kryeqyteti Rabat drejt një qyteze në Saharanë Perëndimore. Përplasja shkaktoi një shpërthim të fuqishëm të sasisë së karburantit që kamioni transportonte.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Shtunën e Madhe, 11 prill, në përgjithësi mot të mirë në të gjithë vendin. 

Era do të fryjë mesatare në drejtimin nga 4 deri në 6 ballë pothuajse në të gjithë vendin dhe në Egjeun jugor do të fryjë e fortë nga 7 deri në 8 ballë.
Temperatura do të shënojë rritje, kryesisht në Jon dhe rajonet qendrore. 

Nga 6 deri në 19 gradë Celsius do të variojë temperatura në Attikë dje nga 8 deri në 18 gradë Celsius në Selanik.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54