Lajmet në gjuhën shqipe 09/04/2015

---Kënaqshmëria mbizotëron në qeveri për bisedimet e kryeministrit Aleksi Cipra në Rusi, në të cilat kanë dominuar marrëdhëniet tregtare, planet e investimeve dhe embargo ruse. 

Një referim i veçantë bëhet në qëllimin e Moskës, për parapaguar fitime të ardhshme për tubacionin, por edhe që të krijohen kompani greke-ruse me bazë në Rusi, që të kapërcehet pengesa në eksportet e produkteve bujqësore greke.

---Si «shumë pozitive» karakterizoi Dmitry Peshkov, zëdhënës i kreut të Rusisë, bisedimet tre-orëshe që kishte presidenti rus, Vladimir Putin me Kryeministrin Aleksis Cipras, në deklaratat për gazetarët rusë. 

«Bisedimet ishin shumë pozitive. Me të vërtetë u formuan shumë nivele të bashkëpunimit, çdo gjë ra dakord dhe ka projekte të përbashkëta në drejtim të zbatimit të tyre», tha z.Peshkov.

---Greqia i ka rimbursuar FMN-së shumën që i detyrohet për muajin prill në kuadër të planit të saj mbështetës, konfirmoi të enjten drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.

“Kemi marrë paratë tona”, deklaroi Lagarde, pas një fjalimi të mbajtur në Uashington. 

Është paguar kësti prej 448 milionë euro për Fondin Monetar Ndërkombëtar, siç thanë burime të Ministrisë së Financave dhe të enjten ka vazhduar takimi i Euro Working Group për listën greke të reformave. 

Dita e parë e punimeve në Bruksel, të mërkurën përfundoi pa ndonjë arritje të konsiderueshme dhe u bë vlerësimi i ecurisë së negociatave. Për takimin e Eurogrupit të datës 24 prill priten sipas takimit të djeshëm të Grupit të Punës, vendimet kritike për Greqinë.

---Diagramën e kohës për riorganizimin e Sistemit Kombëtar të Shëndetsisë përmes përshpejtimit të emërimit të 6.000 mjekëve, infermierëve dhe administratorëve njoftoi sot zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Andréas Ksanthós. 

Brenda tre muajve do të emërohen 4.500 mjekë dhe infermierë si staf i përhershëm dhe në një muaj 1.500 si staf ndihmës me kontrata dy-vjeçare, në mënyrë që të mbulohen vendet boshe në spitalet e rajoneve kufitare si dhe për forcimin e pavioneve veçanërisht kritike, të tilla si Pavionet e Terapisë Intensive.

---Presidenti i Republikës, Prokópis Pavlópoulos në kuadrin e vizitës së tij në Evro ka shkuar në venbanimin e Ormenios dhe pastaj ka shkuar në postën kufitare të Kípos. 

Qëllimi i pranisë së tij të shkurtër në Evro ishte informacioni në detaje lidhur me përmbytjet që kanë prekur dhe vazhdojnë të dëmtojnë zonën, por dhe takimi si dhe shkëmbimi i urimeve me ushtarët që shërbejnë në këtë zonë.

---U largua grupi parlamentar i PASOK-ut nga mbledhja e Komitetit të Përhershëm të Administratës Publike, Rendit Publik dhe Drejtësisë që shqyrton projekt-ligjin e ministrit zotit Katrougalos për punonjësit e shkurtuar nga puna dhe për ata që janë në disponueshmëri. 

Sipas një deklarate të lëshuar nga zyrat e Lëvizjes, largimi u vendos «sepse prania e zëvendës Ministrit kompetent Giorgos Katrougalos krijon një çështje me rëndësi të madhe morale dhe politike».

---Mundësinë për të paraqitur aplikimet e tyre për hyrjen në rregullimin e borxheve ndaj fondeve të sigurimeve sociale në mënyrë elektronike kanë nga sot huamarrësit, siç njoftoi Ministria e Punës. 

Shërbimet janë në dispozicion në faqen e internetit të IKA-TEAM në pjesën që thotë «Shërbimet elektronike - Shërbimet elektronike për debitorët».

---Më shumë se 3.200 kg mish dhe produkte të tij, të cilat u konsideruan të pasigurta dhe të papërshtatshëm për konsum, janë gjetur në një fabrikë të përpunimit të mishit në bashkinë e Mesolongit të Patras. 

Këto produkte nuk plotësonin kushtet e higjienës që parashikohen me ligj, njoftoi Rajoni i Aitoloakarnanías, në vijim të opinionit të komitetit trepalësh të departamentit të veterinarisë.

Shqipëria
---Kalaja e Krujës si një prej fortesave më të spikatura gjate qëndresës kundër pushtimeve osmane, vazhdon të surprizojë edhe në ditët e sotme. 

Së fundmi, janë nxjerrë nga themelet e saja tre gjyle të topave osmane të periudhës së Skënderbeut. Ato u zbuluan rastësisht gjatë disa punimeve restauruese të hamameve në këtë kala. Ky eshtë rasti i parë që gjenden gjyle të topave, pasi deri më sot kanë ekzistuar vetëm topat.

Këto gjyle bënin pjesë në arsenalin luftarak turk me të cilat janë goditur pa pushim muret e kalasë gjate tre rrethimeve të Krujës nga ushtria turke. Siç dihet nga historia, në rrethimin e parë morën pjesë 100 mijë ushtarë, në rrethimin e dytë 160 mijë dhe në të tretin 200 mijë ushtarë.

Tre gjylet janë ekspozuar menjëherë në muzeun e Krujës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa pritet që gjylet të tërheqin edhe më tepër vëmëndjen e vizitorëve, turistëve dhe kuriozëve të kësaj periudhe. /a.ke/

---Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka firmosur një memorandum mirëkuptimi me Institutin Italian të Fizikës Bërthamore, i cili do të ofrojë asistencë teknike në monitorimin e ndotjes radioaktive në territorin shqiptar. 

Përfaqësuesit e palës shqiptare e kanë vlerësuar këtë mundësi mjaft të mirë për identifikimin e zonave të prekura nga radiokativiteti dhe për marrjen e masave konkrete.

Përfaqësuesi i Institutit Italian të Fizikës Bërthamore, Fernando Ferrono, tha se kjo është një mundësi e mirë bashkëpunimi mes vendeve tona, në shërbim të mjedisit dhe shëndetit qytetar. /a.ke/

---Bienalja e Torinos është celur të mërkurën për hërë të parë në Muzeun Historik Kombëtar, duke prezantuar punimet në letër të artistëve ndërkombëtarë dhe vendas. 

Kjo ekspozitë është menduar të këtë 3 seksione të tilla si seksioni historik, ai i autorëve ndërkomëtarë dhe atyre shqiptarë. Bienalja është kuruar nga artisti italian Anselmo Villata me artistin shqiptar Alfred Mirashi (Miloti). 

Ndërsa për përzgjedhjen e artistëve shqiptarë z.Mirashi  shprehet që ka qënë e vështirë për të bërë diferencime mes të talentuarëve.

"Për të zgjedhur artistët nuk ishte e lehtë, se për fatin e madh në Shqipëri kemi shumë artistë nga Shqipëria sidomos në Tiranë, po zgjedhja e artistëve të dy dekadave që kanë studiuar në Itali dhe në Shqipëri. Kjo bienale u bë me vërtetë e bukur. Në këtë bienale sheh artistë shqiptarë që jetojnë në Itali, Nju Jork, Dubai. Të gjithë me veprat e tyre kanë një stil personal dhe na prezantojnë në mënyrë të denjë në këtë bienale", thotë artisti Alfred Mirashi (Miloti).

Bienalja "Stemperando" e pati fillesën në 6 shkurt 2015 në Torino, për të mbërritur në Tiranë dhe për të mbyllur ciklin e saj në Romë në këtë edicion të VI të saj.

---Fitorja me Armeninë, 2-1 në 29 mars në “Elbasan Arena”, ka ngjitur Kombëtaren shqiptare të futbollit me 4 pozicione në klasifikimin e FIFA-s për muajin prill. 

Kombëtarja tani është e 57-ta në botë në kuotën e 575 pikëve. Me triumfin e arritur në ‘Elbasan Arena’ ekipi i drejtuar nga Gianni De Biasi ka marrë 18 pikë.

Nga kundërshtarët në Grupin I kualifikues të Euro 2016 më poshtë se Shqipëria është vetëm Armenia që ndodhet në vendin e 77-të. Pavarësisht disfatës ekipi armen është 2 shkallë më lart në renditje nga muaji mars.

Serbia është e 44-ta, duke 4 humbur vende. Portugalia dhe Danimarka kanë mbrojtur pozicionet e tyre. Ekipi portugez qëndon në 10 më të mirët duke u renditur i shtati, ndërsa ai danez është i 28-ti. Shqipëria rekordin e saj e ka në korrik të 2013 nën drejtimin e trajnerit aktual Gianni De Biasi, kur u klasifikua e 37-ta. /gj.m/f.n/

Bota
---Terror në Pallatin e Drejtësisë në Milano.

57-vjeçari Claudio Giardiello, pronar i disa bizneseve, nën akuzë për falimentim të një kompanie përmes mashtrimit, qëlloi për vdekje 4 persona dhe plagosi dy të tjerë.

Qëlloi fillimisht në sallën e gjyqit që ndodhet në katin e tretë të ndërtesës, ndaj avokatit Lorenzo Alberto Claris Appiani, pasi ky i fundit hoqi dorë nga mbrojtja e tij. Viktima e dytë në sallën e gjyqit ishte një tjetër i pandehur. Ndërsa një person i tretë që u plagos dhe më pas ndërroi jetë në spital, kishte lidhje me çështjen.

Dëshmitarët rrëfejnë se 57-vjeçari zbriti më pas në katin e dytë të ndërtesës dhe qëlloi për vdekje gjykatësin Fernando Ciampi, i cili kohë më parë kishte shpallur falimentin e një firme ndërtimi të Giardellos.

Të shtënat përhapën panik mes punonjësve të gjykatës. Policia bëri evakuimin e menjëhershëm të pjesës më të madhe të tyre. Ndërsa pjesa tjetër u izolua në zyrat dhe sallat e ndërtesës. Giardiello u largua me një motoçikletë.

Ministri i brendshëm Angelino Alfano, i pranishëm në një konferencë në Milano njoftoi për arrestimin e tij rreth 27 kilometra larg vendngjarjes. Ende është e paqartë se si Giardiello arriti të hyjë i armatosur në gjykatë. Dëshmitarët thanë se ai kishte kaluar përmes një detektori metalesh që për momentin ishte jo-funksional. Nga të dhënat e publikuara në mediat italiane, Claudio Giardiello konsiderohej sipërmarrës i dështuar.

---Njëzet rebelë shiitë u vranë të enjten në jug të Jemenit, duke përfshirë 14 prej tyre të cilët u vranë në Aden, pas sulmeve të koalicionit arab, të udhëhequr nga Riadi, sipas burimeve ushtarake.

“Katërmbëdhjetë rebelë huthi u vranë në një seri prej tetë sulmesh të koalicionit të drejtuar herët në mëngjes kundër pozicioneve të tyre afër Dar Saadit”, i një burim brenda forcave besnike të presidentit Abd Rabbo Mansour Hadi.

“Disa nga rebelët u larguan në veri pas sulmeve në drejtimin e Lahjit”, shtoi ky burim.

Në qytetin Dhaleh në veri të Adenit, luftëtarët të cilët mbështesin presidentin Hadi, u bënë pritë dje rebelëve, duke vrarë gjashtë prej tyre.

Më 26 mars Arabia Saudite ka marrë drejtimin e një koalicioni prej nëntë vendesh arabe, të cilët kryejnë sulme ajrore për t’i ardhur në ndihmë përkrahësve të presidentit Hadi./a.jor.

---Qeveria siriane dhe delegacioni palestinez në Damask kanë arritur marrëveshje për të luftuar Shtetin Islamik, ISIS. 

Marrëveshja përfshin bashkëpunimin ushtarak për të sulmuar xhihadistët e Shtetit Islamik të pozicionuar në kampe në qytetet siriane.

---Irani kërkon heqjen e të gjithave sanksioneve ekonomike që prej ditës së parë të zbatimit të marrëveshjes me Fuqitë e Mëdha mbi programin bërthamor, deklaroi të enjten, presidenti iranian, Hasan Rohani, në ndërkohë që ka ende shumë paqartësi në lidhje me këtë çështje.

“Ne nuk do të nënshkruajmë asnjë marrëveshje, nëse sanksionet ekonomike nuk do të jenë hequr tërësisht ditën e nënshkrimit të saj”, deklaroi presidenti iranian në një komunikatë për shtyp me rastin e Ditës Kombëtare të Teknologjisë Bërthamore.

Teherani dhe grupi 5+1 arritën një marrëveshje për çështjen bërthamore iraniane në Lozanë, Zvicër, ndërkohë që kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet deri në fund të qershorit, pasi të jenë shqyrtuar të gjitha detajet teknike dhe juridike. Marrëveshja është kundërshtuar ashpër nga Izraeli./a.jor.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Premten e Madhe, 10 prill, mot me diell, por dhe re të pakta në pjesën më të madhe të vendit, të cilat do të jenë më të shumta në ishullin e Kretës dhe në mëngjes do të ketë shira lokale, të cilat në vazhdim do të ndërpriten.

Në Attikë temperatura maksimale do të arrijë në 15 gradë Celsius, ndërsa në në Selanik, temperatura maksimale do të jetë 16 gradë Celsius. 

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54