Lajmet në gjuhën shqipe 14/04/2015

---Një mbledhje ministrore për flukset e refugjatëve është zhvilluar të martën pasdite në kryeministri dhe për të njëjtën çështje do të mblidhet urgjentisht Këshilli i Bashkimit Qendror i Bashkive të Greqisë të enjten në mëngjes.

---Diskutimet mes Greqisë dhe zonës euro po përshpejtohen, por mbetet ende shumë punë për të bërë deri më 20 prill, datë në të cilën Athina duhet të paraqesë një listë reformash në kuadër të marrjes së parave për të cilat ka nevojë, konfirmoi dje Komisioni Evropian.

“Në këtë moment, diskutimet po përshpejtohen, por na mungon koha. Ka shumë punë për të bërë deri më 20 prill, që është data paraprake në të cilën Greqia duhet të paraqesë një listë reformash”, deklaroi zëvendëspresidentit i Komisionit i ngarkuar me euron, Valdis Dombrovskis, për stacionin televiziv, ”Bloomberg TV”. Ndërkohë, negociatat vazhdojnë në Brussels Group.

Partnerët evropianë të Greqisë i kanë dhënë kohë deri më 20 prill për të paraqitur një listë reformash të pranueshme, në këmbim të këstit të fundit nga programi i ndihmës ndërkombëtare, një shumë prej 7,2 miliardë euro.

Kjo çështje do të jetë në qendër të diskutimeve në takimin e ministrave të Financave të zonës euro në Riga më 24 prill.

---Qeveria greke përgënjeshtron kategorikisht botimet që flasin për një falementim të Greqisë, duke theksuar se data 24 prill do të jetë një datë tjetër që nuk do të ndodhë  «fundi i botës».

---Varfërimi masiv i grekëve i dedikohet politikës neoliberale të shtrëngesës radikale që u zbatua nga Trojka (BE-FMN-BQE), thekson në një intervistë për radion publike austriake, juristi Lukas Oberndorfer, studiues në Dhomën ausrtiake të Punës.

Studiuesi austriak konsideron si rrugë të drejtë një ndryshim të konventave europiane me përfshirjen e Parlamentit Evropian dhe të drejtën e ushtrimit të vetos.

”Nga viti 2010 programet e shpëtimit të Greqisë diktohen nga politika neoliberale që imponon shtrëngesë radikale dhe forcim të kompetivitetit, gjë që çoi në një varfërim masiv të popullsisë”, deklaroi Oberndofer.

”Kjo çoi edhe në uljen e PBB-së në masën 25 për qind, në rritjen e papunësisë në 28 për qind, në rritjen e mortalitetit infantil dhe të vetëvrasjeve, në borxhin publik në stratosferë nga 120 në 175 për qind të PPB-së e tjerë”, thekson ai.

---Një vizitë zyrtare dy ditore në Moskë do të bëj të mërkurën e të enjten ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, i ftuar nga kolegu i tij rus.

---Vendosmërinë e tyre për të qëndruar në dekanat shprehin me një tekst anarkistët, pavarësisht thirrjeve të rektorëve për t'i dhënë fund mbylljes së universiteteve. 

Ndërkohë, ata kanë qarkulluar një video për të treguar se ambientet e Senatit nuk kanë pësuar absolutisht asnjë dëm. Në 21 kanë arritur arrestimet të hënën në mbrëmje rreth Propylaea. Ndërkohë projektligji për heqjen e burgjeve të tipit G dhe të humanizmit të sistemit të burgjeve kalon sot në shqyrtimin e dytë në Komisionin kompetent dhe do të futet në Parlament brenda javës.

---Vdiq të martën në mëngjes në moshën 75 vjeç Mágda Koxiá, e cila ka themeluar në vitin 1974 shtëpinë botuese «Exántas» dhe ka zgjeruar horizontet e lexuesve grekë. Mágda Koxiá ishte një nga figurat më të larta në hapësirën botuese në vitet e regjimit të ri.

---Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare shkrimtari gjerman, fitues i çmimit Nobel Gunter Grass. 

Ai njihet si shkrimtari që theu heshtjen e së kaluarës për një brez gjermanësh, ndërroi jetë në një spital në Lubek në Gjermani. 

Ai pati sukses në çdo formë artistike, nga poezia në dramë, skulpturë dhe art grafik. Por ai u bë i njohur pas publikimit të novelës së tij të parë, The Tin Drum në vitin 1959, roman i cili 40 vjet më vonë i dha dhe çmimin Nobel. Ai shkruante fjalimet e kancelarit, Willy Brandt dhe nuk kishte frikë të përdorte platformën e tij të famës, të bënte fushatë për paqen dhe mjedisin dhe të fliste kundër ribashkimit të Gjermanisë, të cilën e krahasonte me 'aneksimin' e Austrisë nga Hitleri.

Shqipëria
---Kryeministri Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, mori pjesë të martën në Forumin e Investimeve në Abu Dabi, ku parashtroi të gjitha mundësitë e mira që Shqipëria ofron për investitorët e huaj.

Në këtë aktivitet, ku ishin pjesëmarrës investitorë nga fusha të ndryshme, si tregëtia, turizmi, transporti, manifaktura, bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet financiare, Kryeministri Rama foli për Shqipërinë, vendin e mundësive për investitorët e huaj.

Sipas tij, ndërsa Shqipëria është në rrugën drejt Bashkimit Europian, qeveria po fokusohet në ngritjen e një modeli të ri ekonomik, bazuar mbi rigjallërimin e sektorëve strategjikë dhe mbi hapjen e plotë ndaj investimeve të huaja. Kryeministri ftoi të gjithë sipërmarrësit prezentë që të organizonin një vizitë, për të parë nga afër zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si edhe për të marrë në konsideratë mundësitë që ofron vendi.

Gjatë vizitës zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, kreu i qeverisë shqiptare u prit nga personalitetet më të larta të vendit. Takimin e parë, Kryeministri Rama e zhvilloi me Shkëlqesinë e tij, Mohamed Al Murr, Kryetar i Këshillit Kombëtar Federal (Parlamentit) të Emirateve. Rama vlerësoi rolin rajonal të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe gjithashtu modelin që ata kanë vendosur për zhvillim të diversifikuar.

Kreu i qeverisë shqiptare u prit edhe nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Princi i Kurorës shprehu interesin e vendit të tij për të parë mundësi të mëtejshme për bashkëpunim me Shqipërinë, me fokus të veçantë zhvillimin e infrastrukturës dhe investimet në fusha si turizmi apo agrobiznesi. Gjatë vizitës, Kryeministri Rama u prit në një takim të veçantë edhe nga Mansour bin Zayed Al Nahyan, zv.kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe President i Fondit të Investimeve të Emirateve.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej nga bashkëshortja Linda Rama, ministrat Bushati, Ahmetaj e Tahiri, si dhe disa deputetë të grupit të miqësisë mes dy vendeve. /m.m/

---USAID dhe Creative Business Solutions po mbështesin 18 aplikime të fermerëve dhe agrobizneseve për grante të Skemës Kombëtare, me një total 3 milionë dollarë për financim grantesh.

Me anë të një postimi në faqen e “Facebook”, USAID-i thekson se kjo përbën gati 50% të vlerës totale prej 6.5 milionë dollarë të investimit.

Sipas USAID-it, fermerët do të kryejnë investime në ndërtimin e serave të reja, agropërpunuesit – në përmirësimin e linjave teknologjike, dhe konsoliduesit – në ndërtimin e depove e të pikave të shpërndarjes së produkteve bujqësore. /gj.m//m.m/

---Përgjatë 72 orëve të fundit Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në zonën Shengen.

Policia e Shtetit, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve

Në Rinas  janë kthyer nga Franca në Shqipëri 49 shtetas shqiptarë, të cilët kanë shkelur rregullat e qëndrimit në Zonën Shengen. 

Ministria e Punëve të Brendshme fton edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, duke udhëtuar me dokumentacionin e rregullt dhe duke respektuar ditët e qëndrimit. Ministria e Punëve të Brendshme rikujton se është absolutisht e pamundur që shtetasit shqiptar, të fitojnë azil politik në vendet e BE-së. /a.g/

---Autoritetet gjermane vazhdimisht u kanë bërë thirrje shtetasve shqiptare të mos shpresojnë në marrjen e azilit.

Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka publikuar një raport në lidhje me numrin e azilkërkuesve në këtë shtet. Sipas këtij raporti numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani ka ardhur duke u rritur gjatë muajve të parë të këtij viti. 

Në janar, numri i azilkërkuesve shqiptarë ka qenë 1.648, në muajin shkurt 1.794 dhe në muajin mars 3.020. Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë në muajin mars, gjithësej ka pasur 32.054 aplikime në Zyrën Federale për Migracion dhe Refugjatë. Nga këta 6.277 njerëz, afro një e pesta e aplikantëve morën statusin e refugjatit sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatë. Por bëhet fjalë për azilantë që vijnë nga vende që janë në konflikt. Autoritetet shqiptare, por edhe ato gjermane, vazhdimisht u kanë bërë thirrje shtetasve shqiptare të mos shpresojnë në marrjen e azilit. Vazhdimisht nga ky vend po kthehen persona që kanë kërkuar azil në Gjermani. 
" Është e papërgjeshme të gënjesh njerëz që mund ta përfitojnë këtë azil dhe t’i çosh deri aty sa të shesin pronën dhe bagëtitë. E përsëris edhe njëherë të gjithë ata që kanë shkuar në Gjermani për të marrë azil ekonomik, do të kthehen prapa” deklaroi pak kohë më parë ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffman.

---Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit në këtë park të mbrojtur më së miri.

Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm ai, janë edhe shpendë të tjerë të shumtë deri tek mjelmat ose flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla dhe buajtë e zinj, si një specie që preku çastin e zhdukjes para disa viteve, por që falë kujdesit dhe përkushtimit  të blegtorëve vendas mundi të shpëtonte si një specie e rrallë e zonës. Zbatimi i moratoriumit 2 vjeçar në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së egër. Por një vlerësim optimal duhet bërë edhe për Drejtorinë Pyjore të Lushnjes dhe drejtorin e saj, Ardian Koçi, që kanë punuar me përkushtim për ta kthyer Parkun edhe në një atraksion turistik.

Flamingot dhe pelikanët kaçurrelë që popullojnë lagunën e Karavastasë po tërheqin më në fund  edhe vëmendjen e mediave botërore dhe të turistëve të natyrës së egër.

Çdo fundjavë vizitorë të shumtë popullojnë parkun e Divjakës, ku objekt bëhet vëzhgimi i shpendëve të shumtë e të veçantë që popullojnë këtë lagunë. Mbase ka ardhur koha që Ministria e Turizmit të shikoj edhe nga “turizmi i vëzhgimit”, si një aset tjetër në turizmin shqiptarë.

Një vend me hapësira të mëdha natyrore dhe me një vrojtim të veçantë, Shqipëria mund të bëhet mjaft tërheqëse edhe për turizmin e vëzhgimit./m.m/

Bota
---Turqia do të nisë të mërkurën në jug të vendit ndërtimin e centralit të parë bërthamor, një projekt që arrin vlerën e 19 miliardë eurove dhe marrë përsipër nga Rusia.

Ai do të vihet në punë në vitin 2020 pavarësisht kundërshtimit të ekologjistëve.

Ministri turk i Energjisë, Taner Yildiz dhe kreu i agjencisë ruse të Energjisë Bërthamore  (Rosatom), Serguei Kirienko morën pjesë, në qendrën Akkuyu, në provincën e Mersinit në bregdetin e Mesdheut, në një ceremoni  për vendosjen e gurit të themelit për reaktorin e parë nga katër reaktorët e parashikuar me një fuqi prej 1.200 megavatësh secila.

“Nuk ka zhvillim në një vend pa energji bërthamore. Një Turqi që po zhvillohet nuk mund të bëjë pa këtë energji”, deklaroi Yildiz.

Me qëllim për të shtuar furnizimin me energji dhe për të reduktuar varësinë energjitike përballë Rusisë apo Iranit, Turqia ndërmori një program ambicioz bërthamor, që parashikon ndërtimin e tre centraleve deri në 2030./ec/

---Shefi i OKB-së Ban Ki Moon gjithashtu i konsideron vrasjet masive të armenëve si krime mizore, duke mbështetur dhe deklaratën e Papa Franceskut. 

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se Ban është "plotësisht i vetëdijshëm për ndjeshmërinë lidhur me karakterizimin e asaj që ka ndodhur në vitin 1915".

Këto komente u bënë pasi Papa Françesk këto vrasje i ka vlerësuar si "gjenocidi i parë në shekullin e 20-të", gjatë një meshe speciale përkujtuese më 12 prill. Disa orë pas komenteve të Papës, Turqia ka njoftuar se e kishte tërhequr ambasadorin e vet nga Vatikani për konsultime.

---Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, kërkoi sot një hetim mbi humbjet e civilëve në Jemen, ku janë numëruar 736 të vdekur që prej fillimit të përshkallëzimit të konfliktit.

”Çdo përpjekje e hamendësuar kundër të drejtës ndërkombëtare duhet të bëhet pjesë e hetimit urgjentisht për të garantuar të drejtën e viktimave për drejtësi dhe kompensim si edhe të sigurohet që të tilla veprime të mos përsëriten”, nënvizoi Zeid në një komunikatë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rishikoi sot bilancin e personave të vrarë në Jemen që prej fillimit të përshkallëzimit të konfliktit me 736 të vdekur dhe 2.719 të plagosur (bilanc i bërë deri më 12 prill).

”Por, shifrat e vërteta janë më të larta pasi shumë trupa nuk janë dërguar në qëndrat spitalore”, tha zëdhënësi i OBSH-së. “Përveç qindra luftëtarëve, të paktën 364 civilë kanë humbur jetën që prej 26 marsit, mes të cilëve 84 fëmijë dhe 25 gra”, sipas Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.

“Ditët e fundit, shumë sulme ajrore të kryera nga forcat e koalicionit kanë goditur zona të banuara dhe shtëpi të banuara në Amran, Taiz, Ibb, Aljawf dhe Sa’da””, akuzoi Komisioneri i Lartë.

Gjatë tre javëve të fundit, të paktën 52 ndërtesa publike janë shkatërruar pjesërisht ose totalisht nga bombardimet, sidomos ato ajrore, dhe nga sulme të tjera, sipas OKB-së./ /m.l/ a.jor.

---Shefat e diplomacisë gjermane, franceze, ruse dhe ukrainase u mblodhën të hënën në mbrëmje në Berlin, për të mbështetur marrëveshjet për paqe të Minskut kërcënuar nga tensionet në lindje të Ukrainës.

Shefat e diplomacisë gjermane, franceze, ruse dhe ukrainase shprehën shqetësimin e madh mbi shkeljet e armëpushimit në Ukrainë, duke kërkuar fundin e luftimeve dhe dialog politik, në një komunikatë të përbashkët.

“Ne shprehim shqetësimin tonë përsa i përket luftimeve të ndodhura këtë fundjavë, veçanërisht me përdorimin e armëve të rënda pranë Chirokine dhe aeroportit të Donetskut. Ju kërkojmë të gjitha palëve të ndërpresin luftimet”, deklaruan katër ministrat, pas një takimi të gjatë në Berlin.

Ata kërkuan tërheqjen e armëve të rënda, por gjithashtu tërheqjen e mortajave, armëve të rënda të një kalibri të ulët me 100mm si dhe të gjithë llojet e tankeve. 
”Kjo kërkesë shkon përtej marrëveshjes së Minskut të miratuar në muajin shkurt”, konfirmoi kreu i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier duke komentuar rezultatin e takimit para gazetarëve.

Katër ministrat njoftuan vullnetin e tyre për të ngritur katër grupe pune sa më shpejt të jetë e mundur pranë grupit tripalësh të kontaktit që përfshin Ukrainën, Rusinë dhe OSBE-në.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Mërkurën 15 prill, vransira lokale në zonat më të shumta të vendit, shira të pakta në zonat malore jugore dhe rënie e vogël e temperaturës.

Re të përkohëshme dhe rënie të vogël të temperaturës do të kemi të mërkurën në Attikë dhe temperatura maksimale në Athinë do të arrijë në 20 gradë Celsius.
Kushte të njëjta të motit do të ketë edhe në Selanik, ku temperatura maksimale do të jetë 20 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54