Lajmet në gjuhën shqipe 07/06/2015

---Javë e punimeve kritike aktuale për arritjen e marrëveshjes me institucionet. 

Në «atmosferë shumë të mirë» është bërë telekonferenca e djeshme e kryeministrit grek, Aleksis Cipras me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Francois Hollande raportuan qarqet qeveritare. Të tre udhëheqësit dhanë një takim të ri të mërkurën e ardhshme në margjinat e Samitit të Lartë.

---Dërgimin e propozimeve alternative nga Athina sa më shpejt të jetë e mundur kërkoi presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, para fillimit të samitit të G7 në Gjermani. I pyetur konkretisht, Junker ka përjashtuar daljen e Greqisë nga zona euro.

---Greqia është e vendosur për të hedhur poshtë propozimet e fundit të Bashkimit Evropian për t’i shmangur një dështim me pagesat, theksuan sot dy ministra, prej të cilëve dhe ai i Financave, Ganis Varufakis.

“Ky është një gjest agresiv destinuar për të terrorizuar qeverinë (…) pa kuptuar se kjo qeveri greke nuk mund të terrorizohet”, theksoi Ganis Varufakis për të përditshmen ”Proto Thema”.

Komisioni Evropian i paraqiti javën e kaluar Athinës një dokument prej pesë faqesh me masa të kursimit që përfshinin veçanërisht një rritje të TVSH-së, uljen e pagave dhe pensioneve të funksionarëve.

Kryeministri, Aleksis Cipras, i cilësoi të premten propozimet evropiane si absurde dhe theksoi se Athina nuk do të pranonte një marrëveshje që nuk do të përfshinte një ristrkturim të borxhit të vendit.

“Dokumenti paraqitur kryeministrit është në limitin e fyerjes”, shtoi Varufaqis. “Ne kemi nevojë për reforma, ristrukturim të borxhit dhe investime (…) nëse ne nuk kemi këto të treja së bashku, nuk do të nënshkruajmë marrëveshje”, theksoi minsitri i Financave.

--- «Shpëtimi i ekonomisë dhe ruajtja e perspektivës evropiane e vendit me tejkalimin e linjave partiake dhe me tregimin e patriotizmit të vërtetë nga të gjithë, është detyrë parësore e të gjithëve», thekson në një intervistë të tij për gazetën «Gazeta e Redaktorëve», deputeti i Demokracisë së Re, Nikos Dendias.

---Ministri i Mbrojtjes dhe Kryetar i Grekëve të Pavarur, Panos Kammenos duke folur në kuadrin e aktiviteteve për Javën Detare në qytetin e Volos deklaroi se është optimist, se qeveria nuk është larg nga arritja e një marrëveshje me huadhënësit.

Siç tha, z.Kammenos, vendi nuk do të shkojë në zgjedhje dhe kur u pyet në lidhje me një deklaratë të mëparshme të tij se «në qoftë se bëhet Kougi do ta kenë shkaktuar vetë huadhënësit, duke mos pranuar propozimin e qeverisë greke».

«Greqia ka një propozim konkret. Populli grek i ka dhënë votën e tij, që të arrijmë në  marrëveshjes, deri atje që mund të përballojë populli grek dhe duke pasur dhe sovranitetin tonë».

---Me zgjedhjen e kryetarit të ri përfundoi të dielën, kongresi i së Majtës Demokratike.

Thanásis Theoharópulos është kryetari i ri i së Majtës Demokratike, duke pasuar z.Fotis Kuvelis. 36 vjeçari, ish -sekretari i partisë është zgjedhur të dielën pasdite me 312 vota, kundrejt 246 që ka grumbulluar kandidatja tjetër, María Giannákáki, në një total prej 590 që votuan, pra 53%, duke përfshirë dhe votat e pavlefshme dhe të bardha.

---Në PASOK, zgjedhjet për kryetarin e Lëvizjes do të bëhen të dielën e ardhshme më 14 qershor, me votimin e përgjithshëm të anëtarëve të partisë. Kandidatë për kryetarë të Lëvizjes janë Fófi Gennimatá, Andréas Lovérdos dhe Odysséas Konstantinópulos.

---Punonjësit e ERT-it dhe ertopen, POSPERT dhe Koordinimi Kundër Mbylljes dhe Disponueshmërisë bëjnë thirrje për një tubim të enjten, 11 qershor në orën 19:00 pasdite në ndërtesën e ERT-it në Agia Paraskevi. 

Më 11 qershor mbushen dy vjet nga mbyllja e ERT-it dhe përpjekja për të pretenduar ERT-in e ëndrrave tona dhe të shoqërisë, një ERT i hapur, publik, i lirë dhe me të gjitha strukturat e tij vazhdon.

Shqipëria
---Ndërsa na ndajnë vetëm pak muaj kur do të zhvillohet ndeshja eliminatore mes Shqipërisë dhe Serbisë, në stadiumin e Shkodrës vazhdon puna me intensitet të lartë për të përfunduar punimet brenda afatit.

Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në “Facebook” shprehet se stadiumi “Loro Boriçi do të jetë më i bukuri në rajon.

Kapaciteti i stadiumit të ri do të shkojë në rreth 17 mijë vende dhe rikonstruksioni do të kushtojë 15 milionë Euro, pasi do të shtohen 5112 vende për tifozët. Në stadiumin e ri “Loro Boriçi”, përveç pistës së atletikës, do të ketë dhe ambiente stërvitjeje edhe për sportet e tjera./a.g/

---Pas 8 vitesh ndërprerjeje në Shëngjin rikthet linja e tragetit Shëngjin-Brindizi.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta si dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto përuruan të dielën linjën e e tragetit, ndërsa e konsideruan atë si një portë mjaft të rëndësishme për veriun.

Në këtë port, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka investuar për ndërtimin e hyrjes së re të Portit dhe zyrave të sigurisë rreth 26 milionë lekë, investim ky prej të adhurave të buxhetit të shtetit.

Meta vlerësoi investimin e qeverisë shqiptare, që sipas tij, do ta bëjë portin e Shëngjinit një objekt strategjik, që do të mund të sjellë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenie për komunitetin e Shëngjinit.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto u shpreh se në portin e Shëngjinit është bërë një investim që e ka transformuar plotësisht dhe që do t’i japë një perspektivë të shkëlqyer dhe do të rrisë edhe më tej shërbimet.

Brenda këtij sezoni turistik synohet të vihet në funksion dhe linja e pasagjerëve Bari-Shëngjin, çka do ta kthejë Shëngjinin në një port të rëndësishëm, jo vetëm për mallrat por edhe për pasagjerët e gjithçka tjetër .a.gjonaj/ /a.g/

---Qindra tifozë të dy ekipeve kanë ndjekur mbrëmjen e djeshme nga ambientet e kryeministrisë, finalen e Champions League.

Kreu i Qeverisë, Edi Rama e kishte kthyer lulishten pas kryeministrisë në një “stadium” për tifozeritë dy ekipeve finaliste të Champions League.

Në çdo shesh dhe hapësirë, ekranet e mëdhenj kanë përcjell pamjet emocionuese, të asaj që ndodhi në Berlin në këtë ndeshje të madhe mes Barcelonës dhe Juventusit. Kjo përballje është ndjekur në çdo lokal e shesh me vëmendje të veçantë.

Në pushimin e kësaj ndeshjeje, Kryeministri Edi Rama i uroi Ekipit Shqiptar suksese në pjesëmarjen e tyre në Lojërat Europiane “Baku 2015″./a.g/

Bota
---Qendrat e votimit u mbyllën në orën lokale 17:00, ku zgjedhësit ishin thirrur për të zgjedhur 550 deputetët, zgjedhje vendimtare për ambiciet e presidentit konservator, Recep Tayyip Erdogan.

Në qendrat e votimit, që u hapën në orën 08:00, numërimi i votave ka filluar menjëherë pas përfundimit të votimit. Rezultatet pritet të publikohen në mbrëmje. Asnjë incident nuk është njoftuar gjatë ditës, pas një fushate të tendosur dhe të njollosur nga një sulm me bombë që i kushtoi jetën dy personave dhe plagosi 100 të tjerë gjatë një mitingu të partisë prokurde në Diyarbakir.

Presidenti shpreson për një fitore të gjerë të AKP-së, me të paktën 330 nga 550 vende, për të reformuar Kushtetutën dhe për të riforcuar pushtetet.

Rreth 54 milionë zgjedhës u thirrën sot për të votuar, në një vend ku pjesëmarrja në zgjedhjet legjislative është tradicionalisht e lartë, rreth 80 për qind./ec/

---Marina britanike shpëtoi sot rreth 500 persona në bordin e katë anijeve në brigjet e Italisë, mbërritja e të ciëve e çon në 50.000 numrin e imigrantëve që kanë zbarkuar në Itali këtë vit.

Një helikopter në bordin e anijes Bulwark të marinës mbretërore, që bën pjesë në flotën shumëkombëshe në Mesdhe, zbuloi katër anije sot në mëngjes në ujërat territorialë mes Libisë dhe Italisë”, theksoi një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes.

Rojat bregdetare italiane theksuan se marina italiane, gjermane dhe irlandeze kishin marrë pjesë në operacion, koordinuar nga OJQ-ja MOAS (Migrant Offshore Aid Station), me seli në Maltë dhe nga Mjekët pa Kufi./ec/

---Të paktën 45 persona u vranë nga sulmet e koalicionint nën drejtimin saudit kundër një selie të ushtrisë jemenite në kryeqytetin Sana, theksoi një burim mjekësor, një javë para bisedimeve nën drejtimin e OKB-së.

“Të paktën 20 civilë dhe 25 ushtarë dhe oficerë u vranë nga sulmet e koalicionit kundër autoritetit të përgjithshëm të ushtrisë, që ndodhet në Tahrir, lagje residenciale në qendër të Sanas, deklaroi ky burim.

Të paktën katër sulme ajrore kanë pasur si shënjestër QG e autoritetit të përgjithshëm të ushtrisë, kontrolluar nga relebët shiitë Huthis dhe aleatët e tyre duke shkaktuar shpërthime që kanë shkatërruar shtëpitë fqinje dhe kanë detyruar familjet të largohen nga kjo lagje, njoftoi një fotograf./ec/

---Për kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin amerikan Obama, sanksionet ndaj Rusisë duhet të jenë në fuqi, deri kur Moska t’i japë fund konfliktit në Ukrainë.

Deklaratën e bënë para nisjes së samitit të G7 në Bavari, ku në fokus do të jenë edhe tema të tjera si terrorizmi, kriza greke e ngrogja globale.

Moti
---Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik nuk pritet të ndryshojë skena e motit të Hënën, 8 qershor dhe priten vransira të shumta me shira lokale apo stuhi, kryesisht në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior nga 6 deri në 7 ballë. 

Në Attikë parashikohen vransira me shira lokale dhe ka mundësi, stuhi të përkohshme në mesditë dhe pasdite, kryesisht në pjesët perëndimore dhe veriore të rajonit. Era do të fryjë mesatare në drejtimin veri - verilindje nga 3 deri në 4 ballë dhe në pjesët lindore deri në 5 ballë. Temperatura do të variojë nga 20 deri në 25 gradë Celsius, ndërsa në zonat veriore dhe lindore të saj do të jetë dy me tre gradë më e ulët.

Në Selanik, parashikohen vransira të cilat do të dendësohen me shira lokale dhe stuhi sporadike, kryesisht në pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtime të ndryshme nga 3 deri në 4 ballë dhe në pjesët lindore të qytetit në drejtimin verilindje nga 4 deri në 5 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 18 deri në 27 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54