Lajmet në gjuhën shqipe 22/04/2015

---Nuk kishte asnjë vendim mbi Greqinë në telekonferencën e Euro Working Group. 

Në një takim të vazhdueshëm Brussels Group në Paris. Afërsisht 2,5 orë zgjati takimi i Euro Working Group që u mbajt sot nëpërmjet një telekonference, në një relacion të parë të negociatave të deritanishme me institucionet në nivelin e Brussels Group.

Nga ky takim nuk ka dalë ndonjë vendim dhe janë informuar të gjitha palët për ecurinë e diskutimeve. Menjëherë pas Telekonferencës së EuroWorking Group, drejtuesit e institucioneve janë kthyer në zyrat e delegacionit grek të OECD-së në Paris, për të vazhduar bisedimet e Brussels Group që filluan në të njëjtin vend të shtunën e kaluar dhe janë deri sot në një mbledhje të vazhdueshme.

Duhet shënuar se në Telekonferencën e Euro Working Group merrnin pjesë Kryetari i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë Giórgos Huliarákis dhe Sekretari i Përgjithshëm i Politikave Fiskale Nikos Theoharakis. 

Ministri i Financave, Giánis Varoufákis tashmë është nisur për në Riga të Letonisë, ku të premten do të mbahet Eurogroupi joformal, por pa pritur që në të të ketë një marrëveshje përfundimtare mes Greqisë dhe institucioneve.

---Zv/ministri grek i Mbrojtjes, Kostas Isihos tha se “fuqitë e mëdha” të Europës duhet të marrin më shumë përgjegjësi për krizën e emigrantëve në Detin Mesdhe.

Në një intervistë për BBC, ai tha se Europa Veriore duhet të bëjë më shumë për të shpëtuar dhe strehuar emigrantët. Sipas tij, Greqia, Italia dhe Spanja po punojnë për të dalë me një qëndrim të përbashkët në prag të samitit të udhëheqësve të Bashkimit Europian, që do të zhvillohet të enjten, ku do të diskutohet për krizën në Detin Mesdhe.

---Pjesa më e madhe e kryetarëve të komunave dhe prefekturave në të gjitha qarqet e Greqisë kanë kundërshtuar ashpër vendimin e qeverisë, që i detyron të gjitha pushtetet lokale që t’i kalojnë fondet e tyre Bankës Qendore për të kapërcyer vështirësitë ekonomike të vendit.

”Kjo masë e marrë nga qeveria ka për synim t’i sigurojë vendit likuiditetet në rast nevoje”, u bë e ditur dje nga dekreti i publikuar, që pret të miratohet në parlament në një seancë plenare që do të mbahet për këtë çështje.

”Transferimi i fondit të pushtetit vendor në Bankën Qendrore të Greqisë përbën një panik financiar që rrezikon të ndalojë punët në vazhdim e sipër për rindërtimin e rrugëve, spitaleve dhe shkollave”, deklaroi për shtypin Kostas Agorastos, president i Bashkimit të Rajoneve Greke, njëkohësisht dhe ish-anëtar i partisë konservatore në opozitë”, Demokracia e Re”.

”Menaxhimi i fondeve të pushtetit vendor nga shteti është një vendim i padrejtë dhe i papranueshëm”, deklaroi Giorgos Patulis, president i Bashkimit të Kryetarëve të Komunave Greke gjatë një takimi me zëvendësministrin e Financave, Dhimitris Mardas. Ky i fundit ka siguruar që kjo masë e marrë nga qeveria s’është gjë tjetër veçse një kredi afatshkurtër e marrë nga shteti dhe se paratë e marra do t’i rimbursohen pushtetit vendor brenda 15-20 ditëve.

Qeveria greke ka deklaruar se përdorimi i fondeve të autoriteteve lokale nga shteti është një praktikë e ndjekur dhe nga vende të tjera si Britania e Madhe dhe Holanda. Përveç pushtetit lokal, transferimi i fondeve është i detyrueshëm edhe për të gjitha njësitë ekonomike publike siç janë spitalet, universitetet dhe të gjitha organizatat e sigurimeve shoqërore.

Qeveria greke me anë të kësaj mase synon mbulimin e të gjitha nevojave financiare afatshkurtra të shtetit, që në 15 ditët e ardhshme parashikohet se do të arrijë vlerën e tre miliardë eurove.

---Takim të menjëhershëm me kryeministrin Aleksi Cipra kërkoi Bashkimi i Kryetarëve të Bashkive të Greqisë, në mënyrë që të informohet «me një mënyrë më përgjegjëse dhe të sinqertë për gjendjen e vërtetë të ekonomisë», që Pushteti Lokal i shkallës së parë të kontribuojë në përpjekjen kombëtare.

---Takim me Ministrin e Shtetit, Níko Pappá kishte në mëngjes ambasadori amerikan David Pearce në Pallatin Maksimou për shkak të njoftimit të Departamentit amerikan të Shtetit me të cilën shpallen terroristë ndërkombëtarë Hristódoulos Ksirós dhe Níkos Maziótis.

Në takim, në të cilin mori pjesë këshilltari diplomatik i Kryeministrit, Vangelis Kalpadakis është diskutuar, megjithatë, çështja që ka dalë me projekt-ligjin për sistemin e burgjeve dhe për ndryshimin e kushteve të burgosjes për Sávva Ksiro, një fakt që shqetëson veçanërisht amerikanët, siç theksoi në informimin e sotëm të  përditshëm të Departamentit të Shtetit dhe zëvendës zëdhënësja e Shtypit, Marie Harf. 

Ndërkohë, të dyja palët kanë theksuar angazhimin e tyre për bashkëpunimin në shumë nivele Greqi-SHBA.

---Në total 54.205 huamarrës kanë rregulluar borxhe që arrijnë në shumën 1.682.855.665,85 euro, sipas Ministrisë së Punës.

Në 37.979.889,57 euro arritën të ardhurat deri të mërkurën 22/04/2015, dita e 18-të e zbatimit të rregullimit të ri të borxheve në fondet e sigurimeve sociale. 

---Roma, Náfplio dhe Selaniku janë në zgjedhjet e preferuara të grekëve për festën e 1 Majit, sipas të dhënave të paraqitura nga aparati i kërkimeve të çmimeve të hoteleve trivago, të cilat regjistrojnë tendencën për më shumë udhëtime në destinacione brenda vendit, në krahasim me tendencën mbizotëruese të 1 Majit të vitit 2014.

Në mënyrë të veçantë, këtë vit, në vendin e dytë është Náfplio, duke zënë vendin e Londrës, që kishte vitin e kaluar, e cila këtë vit shkon në vendin e gjashtë. Ndjekin Selaniku, Athina dhe Konstandinopoja, në vendin e tretë, të katërt dhe të pestë respektivisht, duke mbajtur që të tre vendet e tyre të vitit të kaluar. Ýdra piktoreske duket në vendin e shtatë, e ndjekur nga Monemvasiá në vendin e tetë. Spéces dhe Réthymno plotësojnë dhjetëshen e preferencës së grekëve.

Në vitin 2014 nga 10 destinacionet më të preferuara, shtatë destinacione ishin jashtë vendit dhe këtë vit vetëm tre janë jashtë Greqisë, ndërsa Roma mbetet në krye të preferencave të tyre dhe për këtë vit. 
Analiza e të dhënave është bazuar në hulumtimin e kryer nga trivago për kërkime që u bënë në periudhën nga data 1 shkurt e deri në datën 20 prill të vitit 2015, për udhëtime që do të bëhen nga data 30 prill e deri në datën 4 maj 2015.

---Mbyllur do të mbetet të mërkurën dhe të enjten Tembi nga ora 07:00 në mëngjes e deri në orën 20:00 në mbrëmje, për shkak të punimeve, inspektimit dhe mirëmbajtjes së masave për mbrojtjen nga rënia e gurëve shkëmborë, siç njoftoi kompania e ndërtimit të rrugëve Aftokinitódromos Aigaíou A.E.
---Sot është Dita Ndërkombëtare e Tokës, një ditë e veçantë e dedikuar për të gjithë ata që u intereson të kujdesen për Tokën. 

Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e mundësive për të përmirësuar efikasitetin e energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Dita e Tokës festohet çdo 22 prill në më shumë se 175 vende të botës, dhe festohet nga më shumë se 500 miliona njerëz. Kjo shifër renditet në ditën e tretë në botë në lidhje me festat që festohen. Dita e Tokës filloi të përkujtohet që nga viti 1970.

Zyrtarisht, Kombet e Bashkuara e themeluan 22 prillin si Dita e Tokës dhe muajin Prill si muaji i Tokës. Kjo ditë festohet në mbarë botën me një shumëllojshmëri aktivitetesh të tilla si pyllëzime, fushata të ndryshme, shfaqje, panaire, etj.

Dita e Tokës ka flamurin e vet, i cili është quajtur Flamuri Ekologjik. Flamuri është dizenjuar nga karikaturat e artistit RON Cobb në vitin 1969 në dy ngjyra, i gjelbër dhe i bardhë.

E bardha nënkupton ajrin e pastër dhe e gjelbra tokën e gjelbër. Flamuri përmban edhe shkronjat, ‘E dhe O “, që do të thotë Mjedisi (Environment) dhe Organizmi (Organism).

Dita e Tokës është dita jonë, një ditë kur ne mendojmë për të gjitha mënyrat që ne mund të kontribuojmë në ruajtjen e mjedisit; në parandalimin e shkatërrimit të tokës si dhe për të na kujtuar ndotjen planetit. Sigurisht, kjo ditë duhet të shënohet në mënyrë adekuate për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë se sa i rëndësishëm është mjedisi, dhe për të menduar “ekologjikisht”. Për t’u kujdesur për planetin tonë, ne kemi nevojë për çdo orë e çdo ditë! 

Shqipëria
---Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Romë, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e konferencës së kryeparlamentarëve të vendeve të BE-së, ka vijuar takimet me homologët europianë.

Zyra e shtypit e Kuvendit njofton për takimin e kryetarit të Kuvendit, Meta me kryetarin e Kongresit të Deputetëve të Spanjës, Jesus Posada. Dy zyrtarët e lartë vlerësuan se të dy Parlamentet duhet të intensifikojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin e tyre në interes të forcimit të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Spanjës.

Më herët kryetari i Kuvendit u takua me Presidenten e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Austrisë, Sonia Zwazl, me të cilën vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta e tradicionale mes dy vendeve, ndërsa ndanë bindjen se shkëmbimet ndërparlamentare duhen intensifikuar më tej në shërbim të bashkëpunimit dypalësh.

Gjatë vizitës dyditore në Itali, z.Meta dhe delegacioni që e shoqëron, u pritën ngrohtësisht në 5 komunat arbëreshe të Unionit të Arbërisë në Kalabri, në kuadër të ditëve kulturore të kolonisë së piktorëve figurativë.

---Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, duke njoftuar se javën e ardhshme do t’i paraqesë kryeministrit dorëheqjen nga posti ministror, për t’u angazhuar me fushatën elektorale për bashkinë e Tiranës, bëri të ditur vendimin e sotëm të qeverisë për zyrtarizimin e marrëveshjes me Kanadanë për pensionet.

Në deklaratën e tij, ministri Veliaj theksoi se ndërsa gjatë qeverisjes së mëparshme nuk pati asnjë marrëveshje me shtetet e tjera për pensionet, vetëm në 2 vite qeverisja e majtë realizoi 8 marrëveshje të tilla. Nga kjo do të përfitojnë 20 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë e punojnë në Kanada.

“Përveç Turqisë ne kemi bërë negociata dhe kemi përfunduar marrëveshjen me Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, Çekinë, Rumaninë, Maqedoninë dhe tani me Kanadanë. Ndërkohë, më vjen mirë që ministri i ardhshëm do të ketë mundësi të nënshkruajë marrëveshjen me Gjermaninë, ndërsa më pas do të jetë Austria vendi i radhës me të cilin do të përmbyllim marrëveshje të ngjashme”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se aktualisht qeveria shqiptare ka çelur negociatat me Italinë për këtë çështje, ku është zhvilluar dhe raundi i parë i bisedimeve. Ndërsa sa i takon Greqisë, ku ndodhet dhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, Veliaj tha se marrëveshja me këtë vend do të jetë sfida e radhës për qeverinë, pasi deri tani pala greke nuk ka pasur vullnetin për çeljen e negociatave për realizimin e një marrëveshje të tillë. “Kjo ndoshta lidhet dhe me kushtet e vështira ekonomike që po kalon Greqia”, shtoi ministri.

---Portalet britanike vazhdojnë të propozojnë Shqipërinë si një nga destinacionet më tërheqëse turistike për 2015-ën duke ua rekomanduar pushuesve si një prej vendeve që duhet të zgjedhin.

Portali prestigjoz britanik i udhëtimeve dhe modës, “Stylist.co.uk” e ka renditur Shqipërinë në 5 destinacionet më të mira, si mundësi për të kaluar pushimet verore.

Shqipëria renditet e treta pas Marsejës së Francës dhe Portos të Portugalisë. ”Nga bukuria jashtë radarit e rivierës shqiptare tek qytet­-porti i lulëzuar i Marsejës, tani i arritshëm nga Eurostar”, shkruan portali britanik. Shqipëria cilësohet si vendi më i mirë për plazhet me bollëk, që ka të gjitha bukuritë e bregdetit të Mesdheut, por me çmime më të arsyeshme. Sipas artikullit, Shqipëria është shpallur si “sekreti i fundit i Evropës”, ku turistë nga Italia dhe Ballkani vizitojnë shtrirjen e lavdishme prej 120 km të bregdetit në jugperëndim të vendit, prej vitesh.

---Miq, të afër dhe bashkëpunëtorë zhvilluan të mërkurën homazhe para trupit të pajetë të një prej aktorëve më të mëdhenj të humorit shqiptar, Met Bega, që u nda nga jeta mbrëmë në moshën 69-vjeçare.

Humoristi i njohur shqiptarë, i estradës së Tiranës, ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit. Ai e përjetoi këtë betejë me optimizëm, ashtu si të gjithë jetën e tij. Simptomat e para të kësaj sëmundje aktori i mirënjohur i ndjehu në vitin 2010, por me kalimin e viteve gjendja e tij shëndetësore nisi të përkeqësohej.

Në homazhe mori pjesë dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh “Arti Shqiptarë ka humbur një figurë që solli buzëqeshjen në një kohë kur buzëqeshje nuk kishte”.

Met Bega lindi më 7 gusht 1946 në Tiranë. Ai iu kushtua për 40 vite artit dhe skenës shqiptare. Ai bëri debutimin e tij të parë në skenën amatore të shkollës dhe artit në Teatrin e Tiranës. Filmi i parë ku ka debutuar ishte në vitin 1986 me një rol të vogël në filmin “Dy herë mat”. Gjithashtu ka luajtur pesë role në filma me metrazh shqiptare. Ndër filmat që ka luajtur aktori Bega kujtohet, “Edhe ashtu edhe kështu” në vitin 1989, “Stolat në park” në vitin 1988 dhe “Tela për violinë”, në vitin 1987. Aktori i mirënjohur Bega ka marrë disa çmime, mes tyre urdhrin “Naim Frashëri i Artë” në vitin 2010./a.g/

Bota
---Thirrjet për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar dhe për më shumë solidaritet për t’i bërë ballë krizës së imigracionit në Mesdhe janë bërë të shumta, para një samiti të jashtëzakonshëm që do të mbahet të enjten pas mbytjes së një peshkarexhe të ngarkuar me qindra imigrantë në brigjet e Libisë.

Kapiteni i peshkarexhës që u mbyt këtë fundjavë në Mesdhe u cilësua nga drejtësia italiane si i vetmi përgjegjës i kësaj drame, një prej më tragjikeve që kanë ndodhur në Mesdhe. Bilanci i të mbyturve është zyrtarisht 24 të vdekur dhe 28 të mbijetuar, por numri i të zhdukurve është vlerësuar në rreth 800, nga organizatat ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së kërkoi të martën një bashkëpunim më të madh për t’i bërë ballë krizës së imigracionit në Mesdhe dhe konfirmoi se kontrabandistët duhet të sanksionohen. Të 15 vendet anëtare shprehën gjithashtu mbështetjen për vendet pritëse dhe rekomanduan intensifikimin e koordinimit të përpjekjeve për riforcimin e përgjigjes për këtë krizë dhe për të mbrojtur imigrantët nga trafikantët.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker u kërkoi më shumë solidaritet financiar kundrejt vendeve evropiane të prekura nga imigracioni masiv në Mesdhe.

Imazhet e personave që mbyten përballë brigjeve të Evropës nuk janë të pajtueshme me vlerat e Bashkimit Evropian, deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë një takimi të qeverisë, njoftoi zëdhënësja e saj, Christiane Wirtz.

”Shpëtimi jetëve njerëzore duhet të jetë në vend të parë në krizën humanitare që po ndodh në Mesdhe”, shtoi Merkel.

”Efikasiteti i shpëtimit të njerëzve në det është një nga 10 pikat e planit të Komisionit Evropian”, shtoi ajo.

Presidenti francez, François Hollande u kërkoi evropianëve të marrin masa përballë numrit të madh të imigrantëve të vdekur në Mesdhe, çështje që janë bërë të padurueshme për planet humanitare dhe politike.

Kryeministri britanik, David Cameron theksoi se dëshiron ndalimin e imigrantëve për të marrë detin, me qëllim për t’i dhënë fund këtyre ngarkesave të vdekjes. Ai mbështeti vendimin për t’i dhënë fund operacionit italian të shpëtimit të imigrantëve ”Mare Nostrum”, braktisur në muajin tetor, pasi anëtarët e Bashkimit Evropian duke përfshirë dhe Britaninë e Madhe, refuzuan të merrnin pjesë në koston e saj operacionale.

”Që prej fillimi të vitit, janë rreth 1 750 imigrantë, burra, gra dhe fëmijë që kanë humbur jetën në det, 450 prej të cilëve javën e kaluar”, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Imigracionit.

Komisioni Evropian u kërkoi dje shteteve të BE-së të gjejnë një përgjigje shumë të shpejtë për sfidën sanitare shfaqur nga ky fluks imigrantësh duke përfshirë dhe ndarjen e burimeve spitalore./ec/

---Parlamenti austriak mbajti të mërkurën një minutë heshtje në kujtim të gjenocidit armen, për herë të parë në këtë vend dikur aleat i perandorisë osmane.

“Më 24 prill 1915 u shënua fillimi i persekutimeve që përfunduan në gjenocid”, deklaroi presidentja social-demokrate e Parlamentit, Doris Bures para se të ftonte të gjithë deputetët të mbanin një minutë heshtje.

Kjo ceremoni u zhvillua pas hartimit, nga gjashtë grupe përfaqësuese të Parlamentit, të një deklarate të përbashkët për njohjen si gjenocid të masakrës armene.

“Në emër të përgjegjësisë historike, monarkisë austro-hungareze që ka qenë aleate e perandprisë osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, është në detyrën tonë tonë të cilësojmë këtë ngjarje të tmerrshme si gjenocid dhe t’i dënojmë si të tilla”, nënvizon teksti, publikuar sot në shtyp.

“Është gjithashtu detyrë e Turqisë për t’u përballur në mënyrë të ndershme me kapitujt e dhimshëm të historisë së saj dhe të njohë si gjenocid krimet e kryera kundër armenëve nën perandorinë osmane”, shtoi ai./ec/

---Irani e ka mirëpritur ndalimin e sulmeve ajrore katër javore në Jemen nga një koalicion që udhëhiqej nga Arabia Saudite.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Iranit, Marzieh Afkham është cituar duke thënë se ndalimi i vrasjës së njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur është një hap para.

Arabia Saudite ka njoftuar të martën në mbrëmje se e ka ndaluar fushatën kundër rebelëve shiit, Huthi në Jemen duke thënë se tashmë janë arritur qëllimet. Mirëpo, koalicioni i shteteve sunite do të vazhdojë të parandalojë lëvizjen e luftetarëve të Huthive brenda Jemenit.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Enjten, 23 prill në përgjithësi mot të mirë. Në pjesën kontinentale lindore të vendit do të ketë re lokale në mëngjes. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior deri në 6 ballë në Egje dhe 7 ballë në rajonet verilindore, ndërsa temperatura do të shënojë një rënie të vogël në rajonet lindore.  

Në Attikë priten re të pakta, të cilat do të jenë më të dendura në mëngjes dhe gradualisht pritet mot i mirë. Era do të fryjë mesatare në drejtimin lindje - verilindje nga 3 deri në 5 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 8 deri në 19 gradë Celsius.

Në Selanik priten vransira në mëngjes dhe më pas në përgjithësi mot i mirë. Era do të fryjë mesatare në drejtimin lindje - juglindje nga 3 deri në 5 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 8 deri në 17 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54