Lajmet në gjuhën shqipe 15/04/2015

---Ministri grek i Financave, Ganis Varufakis do të gjendet të enjten dhe të premten në Uashington për një takim me FMN-në dhe do të përfitojë nga rasti për të takuar presidentin e BQE-së, Mario Draghi dhe presidentin amerikan, Obama, theksoi ministria e Financave.

Në fazën e negociatave të vështira mes Greqisë dhe kreditorëve të saj BE dhe FMN, Ganis Varufakis dhe Barack Obama do të kenë një takim privat nesër pasdite, në kuadër të një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë me rastin e pavarësisë greke në vitin 1830.

Në orët e para të mëngjesit, ministri grek do të ketë rastin të përballet me homologun gjerman, Wolfgang Schaüble, i ftuar ashtu si ai gjatë një konference nga Instituti i Kërkimeve Brookings.

Të premten, dita e parë e takimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku merr pjesë dhe Ganis Varufaqis ashtu si dhe një numër i madh ministrash evropianë të Financave, ai do të takohet veçanërisht me presidentin e BQE-së, Mario Draghi, homologun italian, Pier Carlo Padoan dhe sekretarin amerikan të Thesarit, Jacob Lew, theksoi kabineti i tij.

---Qeveria greke vendosi ta shtrojë në nivel evropian problemin e rritjes së fluksit të emigrantëve dhe të kërkojë, ndërmjet të tjerash, shpërndarjen e përpjestueshme të refugjatëve në gjithë vendet e Bashkimit Europian.

Ajo gjithashtu vendosi që refugjatëve sirianë, që përfitojnë azil, t’u jepen menjëherë dokumentet e nevojshme.

“Problemi i refugjatëve është një problem ndërkombëtar dhe jo një problem grek. Kërkon seriozitet, gjakftohtësi dhe mbi të gjitha, humanizëm”, theksohet në një komunikatë të zëdhënësit të qeverisë.

Qeveria greke vendosi gjithashtu transportimin e refugjatëve të sapoardhur nga ishujt në qendra pritjeje në Greqinë Kontinentale. Ajo miratoi një plan për krijimin e hapësirave të posaçme të akomodimit, ku do të kryhen edhe gjithë ekzaminimet e domosdoshme mjekësore.

Në prag të samitit të BE-së dhe takimeve të ministrave përkatës, qeveria do të bëjë gjithë veprimet e nevojshme, me qëllim që të trajtohen në kuadër të solidaritetit evropian flukset e refugjatëve dhe emigrantëve drejt Evropës.

---Ministri gjerman i Financave ,Wolfgang Schauble deklaroi të mërkurën se dalja e Greqisë nga zona e euros kishte pak gjasa të ndodhte dhe se tregjet financiare vetëm sa e kishin përmendur një mundësi të tillë.

“Kam shumë besim se kjo gjë nuk do të ndodhë”, deklaroi Schauble gjatë një mbledhje të organizuar nga Këshilli i Marrëdhënieve të Jashtme në Nju Jork.

---Rivendosjen e menjëhershme të pagës minimale në 751 euro me ligj kërkojnë sindikatat dhe federatat e punonjësve, në një memorandum që kanë dorëzuar në Ministrinë e Punës, me rastin e nisjes së dialogut social për marrëveshjet kolektive. 

Siç mbështesin «çdo metodë tjetër nga ana e qeverisë i shërben punëdhënësve që shfrytëzojnë arsenalin e anti-punës për të mbajtur sa më të ulta pagat dhe të drejtat e punonjësve».

---Ka përfunduar të mërkurën përpunimi i projekt-ligjit të Ministrisë së Drejtësisë në komitetin kompetent të Parlamentit, që parashikon një grup të dispozitave për modernizimin e sistemit të burgjeve dhe heqjen e burgjeve të tipit G. 

Projekt-ligji pritet të vijë për votim në Seancën e Parlamentit të enjten.

---Për një vizitë zyrtare dy ditore në Moskë ndodhet nga sot e deri të enjten ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, i ftuar nga kolegu i tij rus.

Shqipëria
---Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të mërkurën projektligjin për ndërtimin me koncension të rrugës së Arbrit me një shoqëri kineze. 

Për këtë projekt sipas ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës do të ndiqen procedura të veçanta ndërsa kostot e projektit ende nuk dihen saktësisht.

“Kostoja e rrugës ende nuk dihet, pasi për këtë projekt nuk janë të njëjta vështirësitë për pjesë të ndryshme të rrugës. Në varësi të trafikut do të vendosim nëse do të bëhet me pagesë apo jo”, deklaroi ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto një ditë më parë në komision.

Për këtë segment, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përllogaritur ndërtimin me një kosto prej 28.8 miliardë lekësh, ndërkohë që kompania kineze ka paraqitur një vlerë rreth 25 për qind më të ulët për realizimin e këtij segmenti. Rruga e Arbrit është një nga projektet e parashikuara nga qeveria aktuale. Fillimi i punimeve në Rrugën e Arbrit, pritet të bëhet në 2016-ën dhe parashikohet të përfundojë brenda 3 viteve./a.gjonaj//m.m/

---Strategjia e Peshkimit në Shqipëri, e përgatitur nga delegacioni i  BE-së dhe ekspertë të bujqësisë, u prezantua të mërkurën në Tiranë.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se do të hidhen bazat për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, pasi është sfidë e qeverisë të zhvillojë këtë sektor në bazë të një strategjie të mirëkonsultuar me grupet e interesit përpara se të vihet në zbatim.

“Një sektor nuk mund të zhvillohet pa u mbrojtur nga paligjshmëria, dhe ky është hapi i parë që kemi filluar ta hedhim, pasi jemi të vendosur të ndalojmë veprimtarinë kriminale, peshkimin me dinamit dhe eksploziv”, theksoi ministri Panariti. e.xh//m.m/

---Haki Çako është emëruar zyrtarisht në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Dy javë pas largimit të Artan Didit nga pozicioni i kryepolicit, Haki Çako ka marrë sot edhe dakordësinë e Kryeministrit për këtë pozicion, pas kërkesës së bërë nga Ministria e Brendshme.

Siç bëjnë me dije burime nga Policia e Shtetit, Çako i cili gjatë këtyre dy javëve ishte në krye të Policisë së Shtetit si i komanduar, tani ka marrë dhe miratimin e kreut të ekzekutivit dhe do të jetë ai personi që do të drejtojë këtë institucion kaq të rëndësishëm.

Çako njohu rritje të shpejtë në karrierë pas aksionit të Lazaratit, ku ai mbante drejtorin e Policisë Gjirokastër. Pas operacionit në Lazarat, Çako u emërua zv/Drejtor në Policinë e Shtetit për Krimet e Rënda.

Çako ka nisur karrierën e tij në janar të vitit 1998, si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Kuçovë, e në shtator të të njëjtit vit si shef i Policisë Kriminale të Komisariatit nr. 1 në Tiranë. Më pas, është emëruar si inspektor kundër Akteve Terroriste. Në vitin 2003, ka mbajtur detyrën e specialistit në Zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta, dhe më pas shef i Komisariatit të Policisë Vlorë.

Në vitin 2006 është emëruar specialist i Antiterrorit në Elbasan, për t’u larguar më pas me dëshirën e tij. Çako është rikthyer në vitin 2010 në Policinë e Shtetit dhe në vitin 2013 ishte emëruar zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, detyrë që e ka mbajtur deri në 31 mars të 2014./m.m/

---Shqipëria është një vend i sigurtë, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe prandaj shqiptarët duhet ta kenë të qartë se nuk mund të marrin azil në Austri apo dhe Gjermani.

Këtë tha të mërkurën nëndrejtori i policisë austriake, Franz Lang, gjatë një prononcimi për ATSH-në.

Sipas tij, Shqipëria sot gëzon liri të plotë dhe është një shtet ku qytetarët kanë sigurinë e jetës, prandaj dhe kushtet për të kërkuar azil nuk janë të pranueshme. Lang gjithashtu bëri të ditur se policia austriake ka arrestuar mbi 100 persona që përmes mashtrimit transportonin persona nga Shqipëria, Kosova dhe vendet lindore drejt Austrisë dhe Gjermanisë, duke i premtuar azil, në këmbim të parave, por realiteti ishte i ndryshëm dhe paratë e paguara pasuronin këta persona, që në raste të veçanta kishin krijuar dhe organizata kriminale të konsoliduara.

“Mos bini pre e mashtrimeve. Në këndvështrimin e Austrisë, Shqipëria është një vend ku ofrohet siguri maksimale dhe për këtë arsye nuk jepet azil. Po të vini në Austri do ta shikoni se mundësia për azil është 0 dhe do të ktheheni sërish këtu, prandaj me paratë që keni investoni në të ardhmen tuaj në Shqipëri”, bëri thirrje Lang, i cili rrëfeu se Austria ka qenë një nga vendet më të varfra në Europë gjatë viteve pas Luftës së Parë Botërore, por që falë vullnetit dhe punës së palodhshme të qytetarëve të saj, sot është një nga vendet më të pasura.

Bota
---Tjetër tragjedi në ujërat e Mesdheut. Mbi 400 emigrantë klandestinë afrikanë dyshohen të mbytur pas fundosjes së anijes, me të cilën ishin nisur nga brigjet libiane drejt Italisë.

Tragjedia ka ndodhur natën e të hënës 80 milje larg brigjeve libiane. Autoritetet italiane u informuan nga dëshmitë e të mbijetuarve.

Nga deti dhe ajri nisën menjëherë operacione shpëtimi, që u erdhën në ndihmë tani 144 të mbijetuarve, ndërsa u nxorrën nga deti trupat e 9 viktimave. Dëshmitarët thanë se mes të mbyturve ka një numër të konsiderueshëm fëmijë dhe gra. Prej të premtes në brigjet siçiliane janë dyndur me anije rreth 8 mijë emigrantë afrikanë.

Të hënën u regjistrua edhe një incident i armatosur. Gjatë operacioneve të shpëtimit, rojet brengdetare italiane u qëlluan me armë nga disa trafikantë të qenieve njerëzore.

Shifrat e OKB tregojnë se prej fillimit të vitit, në Mesdhe kanë humbur jetën 500 emigrantë, 30 herë më shumë se njejta periudhë e një viti më parë. Origjina e tyre është nga vendet në konflikt të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Mesdheu është një prej portave hyrëse drejt Europës për emigrantët klandestinë nga këto vende, krahas rrugëve tokësore ndër të cilat Ballkani. Mbi 280 mijë refugjatë hynë në Europë vitin e kaluar, shumica sirianë. Italia është përballur me një valë në rritje të emigrantëve të dëshpëruar nga Afrika dhe Lindja e Mesme, të nxitur nga situata e rëndë që po kalojnë disa shtete në këtë rajon.

---Një vajzë e re iu turr të mërkurën Mario Draghit, presidentit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) gjatë një konference shtypi në selinë e këtij institucioni në Frankfurt, duke shkaktuar për pak çaste ndërprerjen e diskutimit të tij.

”Vajza e re rreth të 20-ave, e cila ishte futur mes gazetarëve, kërceu mbi tavolinën ku ishte ulur Draghi, duke bërtitur në anglisht ‘ndal diktaturës së BQE-së’, një sllogan që ishte shkruar edhe mbi bluzën e veshur prej saj”, tha një gazetar.

Konferenca e shtypit u ndërpre për disa minuta në ndërkohë që vajza u ndalua nga ekipet e sigurisë. Më pas, konferenca vazhdoi normalisht./a.jor.

---Të paktën 24 persona u vranë nga bombardimet ajrore të ushtrisë siriane në rajonin e Idleb, një qytet veriperëndimor i kontrolluar nga dega lokale e Al-Kaedës, deklaroi sot një OJQ.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH) konfirmoi se të paktën 12 persona, dy prej të cilëve fëmijë u vranë nga një fuçi eksplozivësh që goditi ndërtesën ku ata ishin strehuar në Saraqeb në juglindje të Idlebit. Këto fuçi të mbushura me eksploziv u hodhën nga helikopterët dhe nuk kishin asnjë vend të përcaktuar, por ato shkaktuan dëme të konsiderueshme, veçanërisht në mjedisin urban.

Njëmbëdhjetë persona të tjerë u vranë nga sulmet në lagje të ndryshme të Idlebit, pushtuar nga Front Al-Nosra dega siriane e Al-Kaedës dhe organizatave islamiste që prej fillimit të prillit. Një burim ushtarak i cituar nga agjencia e lajmeve “SANA” konfirmoi se ushtria kishte si shënjestër “pozicionet terroriste” në Idleb dhe rrethinat e saj.

Më shumë se 215.000 persona janë vrarë që prej fillimit të luftës civile në Siri, e cila ka me shumë se katër vjet./a.s /ec/

---Më shumë se 12 milionë fëmijë nuk janë të arsimuar në Lindjen e Mesme, theksoi të mërkurën Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët (Unicef), duke përmendur progresin e ulët në përpjekjet për të zgjeruar shkollimin.

”Kjo shifër nuk përfshin fëmijët që detyrohen të lënë shkollën për shkak të konflikteve në Siri dhe në Irak. Së bashku me këto, numri i fëmijëve të paarsimuar arrin në 15 milionë”, theksoi Unicef në një raport.

Ky studim i përgatitur me bashkëpunimin e Unicef dhe Unesco-s përshëndet burimet e konsiderueshme dhe kapitalin politik kushtuar arsimit në Lindjen e Mesme gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Ai zbulon se numri i fëmijë të paarsimuar në shkollën fillore ka rënë.

“Por gjatë viteve të fundit, asnjë progres nuk është regjistruar”, nënvizon raporti.

Janë 4,3 milionë fëmijë që nuk ndjekin shkollën fillore dhe 2,9 milionë kolegjin. Përveç të tjerash, 5,1 milionë fëmijë shkojnë në kopshte duke e çuar në 12,3 milionë numrin e fëmijëve të paarsimuar”, konfirmon raporti. Kjo shifër përbën rreth 15 për qind të fëmijëve në Lindjen e Mesme në moshën për të ndjekur shkollën dhe parashkollorin./ec/

---Ashtu dhe siç është lajmëruar më parë, SHBA ka hequr Kubën nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin. 

Sipas Shtëpisë së Bardhë, në një mesazh dërguar kongresit, presidenti Obama ka thënë se "qeveria komuniste e Kubës nuk ka siguruar ndonjë mbështetje për terrorizmin ndërkombëtar gjatë gjashtë muajve të fundit".

Ai po ashtu ka thënë se Havana ka ofruar siguri se nuk do të mbështesë aktet e terrorizmit në të ardhmen. Ministria e Jashtme e Kubës ka thënë se vendimi i Shteteve të Bashkuara është i drejtë. Njoftimi vjen pak ditë pasi Obama dhe presidenti i Kubës, Raul Castro, janë takuar në Panama. Ka qenë ky takimi i nivelit më të lartë midis dy vendeve në më shumë se 50 vjet.

---Presidenti rus Vladimir Putin konsiderohet njeriu më me ndikim në planet për vitin 2015, nga e përjavshmja prestigjoze amerikane “TIME”.

Putin ka zënë vendin e parë në renditjen e përvitshme të 100 personave me ndikimin më të madh në botë. Renditja përcaktohet nga anketimet e lexuesve, që u mbyllën më 10 prill. Putin le pas presidentin amerikan Barak Obama dhe të tjera figura me influencë botërore si Papa Françesku apo Dalai Lama.

Putin mori 6,95 % të votave nga lexuesit në mbarë globin, ku pjesa dërrmuese janë nga vendet Perëndimore si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania e Madhe.

Në listën e dominuar nga figura të botës së artit dhe showbizit, Putin ndiqet nga emra të njohur si reperi CL, Lady Gaga, Rihanna dhe Taylor Swift.

Në dhjetëshe bëjnë pjesë edhe Dalai Lama me 1.7 % të votave, Papa Françesku me 1.5%. Ndërsa çifti presidencial amerikan Barack e Mishelle Obama ndodhen jashtë top-listës, respektivisht me 1.4 % dhe 1.2 %.

Në vitin 2007, Putin u përzgjodh “Njeriu i Vitit” nga e njejta revistë dhe “Personaliteti Ndërkombëtar për vitin 2013” nga revista The Times. Vitin e kaluar, për të dytë herë rradhazi, prestigjozja Forbes e përzgjodhi si “njeriun më të pushtetshëm.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Enjten 16 prill, në përgjithësi mot të mirë dhe temperatura në rritje. Dukshmëria do të jetë lokalisht e kufizuar në mëngjes, kryesisht në rajonet perëndimore. 

Në Attikë, moti do të jetë në përgjithësi i mirë. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 3 deri në 5 ballë. Temperatura do të variojë nga 10 deri në 23 gradë Celsius.
Në Selanik pritet mot i mirë, ndërsa dukshmëria do të jetë e kufizuar lokalisht në mëngjes. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor deri në 4 ballë. Temperatura do të variojë nga 8 deri në 21 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54