Lajmet në gjuhën shqipe 21/03/2015

---Negocimi politik ishte çelësi për të rivendosur në binarë marrëveshjen me partnerët, theksoi kryeministri grek, Aleksis Cipras në deklaratën pas përfundimit të samitit të BE-së në Bruksel.

”Përpjeket e qeverisë u kurorëzuan me sukses. Masat shtrënguese ekonomike morën fund”, deklaroi Cipras.

Kryeministri vuri në dukje se nuk ekziston më i quajturi vlerësimi i pestë dhe se autoritetet greke do të kenë përgjegjësinë për hartimin dhe materializimin e listës së reformave.

Kryeministri tha më tej se në samit u konfirmua në nivelin më të lartë të mundshëm, se në Greqi ekziston një krizë humanitare. Cipras theksoi se nuk ekziston asnjë problem afatshkurtër likuiditeti për ekonominë greke dhe se detyrimet ndaj qytetarëve të vendit, por edhe institucioneve europiane janë të garantuara.

---Komisioni Evropian vendosi në dispozicion të Greqisë dy miliard euro për vitin 2015, siguruar nga fondet evropiane rezervë, njoftoi të premten presidenti, Jean-Claude Juncker.

”Këto fonde nuk do shkojnë për të mbushur arkat e shtetit grek”, theksoi Juncker, ndërkohë që Athina ka një nevojë urgjente për likuiditete.

”Por, ato mund të përdoren për riforcimin e përpjekjeve në mbështetje të rritjes ekonomike dhe kohezionit social, veçanërisht në përgjigje të problemit të madh të papunësisë tek të rinjtë”, theksoi ai në një konference shtypi në samitin e Brukselit.

Duke pranuar se Greqia po vuante nga një krizë humanitare, ai theksoi se i kishte paraqitur javën e kaluar kryeministrit grek Aleksis Cipras, një dokument mbi mundësitë se si vendi të përdorë më me efektivitet fondet strukturore evropiane.

Ai kujtoi se Greqia po përfiton tashmë një trajtim të privilegjuar, sepse ajo mund të përfitojë nga përqindja e bashkëfinancimit prej pesë për qind të projekteve të mbështetura nga fondet evropiane, veçanërisht sociale, kundër mesataresprej 15 për qind në BE.

---Me tubime, marshime dhe aktivitete në shumë pjesë të Athinës, pothuajse në të gjitha  qytetet e vendit, por dhe në qytete të Evropës është zhvilluar Dita Botërore e Veprimit kundër Racizmit dhe Diskriminimit. 

Në Sýntagma ka përfunduar marshimi me koncertin e këngëtarit Vasíli Papakonstantínou. Shumë shoqata kanë zhvilluar aktivitetet e tyre në Propýlaia dhe marshim drejt zyrave të Agimit të Artë.

---U liruan udhëheqësi i Agimit të Artë, Nikos Mihaloliákos dhe deputeti i Partisë, Giánnis Lagós, pas dekretit të Këshillit të Apelit, për shkak të përfundimit të 18 muajve të burgimit të tyre të përkohshëm.

---Ish-ministrat Pétro Molyviáti dhe Giánni Valináki thërret për të depozituar hetuesi Dimitris Foúkas, si dëshmitarë në hetimin e çështjes "Plani Pythia", i cili është regjistruar si një tentativë vrasjeje ndaj ish-kryeministrit Kostas Karamanlis.

---Para Presidentit të Republikës,  Prokópi Pavlópoulo dhe në praninë e Kryeministrit Aleksis Cipras u betuan zëvendës Ministrat, të cilët deri tani nuk ishin betuar për shkak të mungesës së dispozitës legjislative për vendet e tyre, Dimitris Stratoúlis, zëvendës Ministër i Punës, Sigurimeve Sociale, Solidaritetit Social,  Anastasía Hristodoulopoúlou, zëvendësministre e Punëve të Brendshme dhe Riorganizimit Administrativ dhe Konstantínos Fotákis, zëvendësministër i Kulturës, Arsimit dhe Fesë dhe Hrístos Spírtzis, zëvendësministër i Ekonomisë, Infrastrukturës, Marinës Detare dhe Turizmit.

---Përdorimin e programeve të ESPA për trajnimin e 16.500 arsimtarëve në çështjet që kanë lidhje me Bullying në shkollë vendosi ministria e Arsimit.

---Rezervimet dhe shqetësimet e tyre për "paqartësitë" që konstatohen në projekt-ligjin për rihapjen e ERT-it ka shprehur stafi i shoqatave të ERT-it, por dhe punonjësit e NERIT në mbledhjen që është mbajtur në sallën e Këshillit Rajonal në Holargo, të premten pasdite, pas thirrjes së POSPERT-it, që do të japë një deklaratë të hënën.

Shqipëria
---Komisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn do të vizitojë Tiranën më 23 dhe 24 mars 2015, për t’u takuar me autoritetet më të larta shqiptare dhe për të marrë pjesë në raundin e pestë të Dialogut të Nivelit tëLartë midis BE-së dhe Shqipërisë.

Dialogu i Nivelit të Lartë për pesë Prioritetet Kyçe, të cilin Komisioneri Hahn do ta bashkë-kryesojë me Kryeministrin Edi Rama, synon të intensifikojë punën e Shqipërisë lidhur me reformat kyçe të nevojshme për fazën e ardhshme tëprocesit të integrimit të vendit në BE.

Sipas njoftimit për shtyp, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Komisioneri Hahn do të takohet me Presidentin Nishani, Kryetarin e Parlamentit Meta, Kryeministrin Rama, kryetarin e opozitës Basha dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqerisë civile. Ai do të vizitojë disa qendra kulturore në Tiranë, një projekt të finacuar nga BE si dhe do të ketë një diskutim mbi çështjet e ndërlidhjes e transportit me Qeverinë.

Në fund të vizitës, Komisioneri Hahn dhe Kryeministi Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp./a.g/

---Në qytetin e Durrësit u çel të shtunën pas rikonstruksionit mbi bazën e një projekti të ri, Muzeu Arkeologjik, muzeu më i madh i këtij lloji në vend, brenda të cilit ruhen vlera te medha historike, kulturore dhe arkeologjike te nëntokës tonë.

Përurimi i tij është bërë nga kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Linda Basha. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Mjedisit Lefter Koka, Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani si dhe personalitete të tjera shtetërore.

Muzeu Arkeologji i Durrësit ka një fond prej 3.204 objektesh, nga të cilat 2.400 janë të ekspozuara sot, ndërsa faza e dytë, me muzealizimin e objekteve të tjera, do të vijojë vitin tjetër.

Kryeminstri Edi Rama, theksoi gjatë fjalës së tij se, “ky është një event i rëndësishëm për këtë qytet, por edhe për rrugëtimin tonë për Rilindjen shqiptare, sepse pas shumë e shumë vitesh Muzeu Arkeologjik i Durrësit çel sot dyert dhe jam i bindur se për të githë ata që do ta vizitojnë, rrezaton në të gjithë shkëlqimin e vet një trashëgimi të pasur dhe shumë të dëmtuar dhe të harruar e të braktisur të Shqipërisë”.

Muzeu arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. Ai u përurua në vitin 1951 me nismën e arkeologut të njohur Vangjel Toçi në një godinë dykatëshe të shëtitores që mban sot emrin “Taulantia”.

Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër u zhvendosën në vitin 2002 në Muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njejtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës do të riekspozohen rreth 2.100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Muzeu arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.

---Muzikë, teatër kukullash, recitime dhe kërcime, të gjitha këto do të mund ti shijonte çdokush, në aktivitetet e organizuara të shtunën në kuadër të Ditës Botërore të sindromës Down, nga fondacioni “Down Syndrome Albania”.

Nën sloganin “Unë dhe ti, ne jemi njësoj”, kjo ditë u kushtohet të gjithë njerëzve që vuajnë nga kjo sindromë dhe që duan të konsiderohen të barabartë edhe pse janë me aftësi ndryshe. Ky vit, shënon vitin e 10-të të adaptimit me konsensus nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 21 marsin si Dita Botërore e Sindromës Down.

Të dhënat tregojnë se në nivel global 1 në 700 lindje të gjalla rezulton me sindromën Down dhe se, zëri i tyre dhe familjarëve kudo në botë, sa vjen dhe dëgjohet më shumë.

Në Shqipëri, ndërgjegjësimi për këtë sindromë, që bën pjesë në grupin e aftësisë së kufizuar intelektuale, ka filluar prej pak vitesh të shtohet tek shtresat e popullsise. 

Sipas të dhënave nga fondacioni “Down syndrome Albania” marrin shërbime në formën e terapive individuale 30 fëmijë, prej të cilëve 10 prej tyre vijnë nga rrethet. Ndërkaq, rreth 10 fëmijë të tjerë nga rrethet suportohen nga stafi i DSA, nëpërmjet vizitave mujore, pasi e kanë të pamundur të frekuentojnë qëndrën si rrjedhojë e distancave të largëta. Nga ana tjetër, mesazhi i kësaj ditë, lidhet më gjithpërfshirjen,arsimimin, trajtimin njësoj për të gjithë fëmijët. 

Bota
---Lideri i burgosur i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Oçalan u bëri thirrje sot të gjithë mbështetësve të partisë së tij që të kërkonin paqe me Turqinë.

Me rastin e Novruzit, Vitit të Ri kurd, Oçalan deklaroi me anë të një mesazhi se kishte ardhur koha t’i jepej fund urrejtjes dhe historisë destruktive mes dy palëve dhe të kërkohej paqja, demokracia dhe vëllazëria. Mesazhi i tij u lexua me zë të lartë në qytetin juglindor të Dijarbakirit, pasi Oçalan ndodhet në burgim të përjetshëm për betejën e dhunshme që ka bërë partia e tij përballë Turqisë.

PKK-ka është shkaktare e 40.000 të vrarëve në konfliktin me Turqinë.

Megjithatë, Oçalan ka bërë thirrje për paqe dhe për t’i dhënë fund rezistencës së armatosur. Ai ka kërkuar madje edhe zhvillimin e një kongresi për të zyrtarizuar fundin e konfliktit të armatosur si edhe fillimin e një epoke të re./a.jor/.

---Siria, rrënuar nga lufta që ka shkaktuar më shumë se 215.000 të vdekur në katër vjet, ka qenë skenë e dhunës që ka shkaktuar të paktën 90 të vdekur në 24 orët e fundit, theksoi dje një OJQ.

Në qendër të vendit, më shumë se 70 anëtarë të forcave të regjimit janë vrarë nga sulmet e xhihadistëve të grupit të Shtetit Islamik, bëi të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).

Drejtori i OSDH-së, Rami Abdel Rahmane theksoi se sulmet kishin si shënjestër pikat e kontrollit dhe pozicionet e regjimit në provincat Hamas, ku 50 anëtarë të forcave qeveritare janë vrarë. Pjesa më e madhe e këtyre provincave janë nën kontrollin qeveritar. Ndërkohë që gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë edhe disa militantë të ISIS, por nuk dihet numri i viktimave në radhët e terroristëve.

“Këto muajt e fundit, ISIS ka hasur pengesa në krahinat e Aleppos, Raqas dhe Hasakes me forcat e regjimit dhe luftëtarët kurdë dhe kërkojnë tashmë të rivendosin reputacionin me fitoret ushtarake në terren”, theksoi Abdel Rahmane./ec/

---Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini do të zhvillojë të hënën një vizitë zyrtare në Kubë, në një kohë që afrimi mes 28 vendeve dhe ishullit ka hyrë në fazën më delikate.

Shërbimet e Mogherinit nënvizojnë se kjo vizitë po zhvillohet në një moment vendimtar të bisedimeve që parashikojnë rivendosjen e marrëdhënieve zyrtare të ndërprera që prej vitit 2003. Zyrtarja e parë evropiane e një niveli të tillë që viziton ishullin që prej fillimit të negociatave mes Brukselit dhe Havanës në prill të vitit 2014, Mogherini shkon në Kubë pak pas bisedimeve për çështjen e diskutueshme të të Drejtave të Njeriut.

“Nuk është një rastësi nëse shkoj në Kubë për të shprehur qëndrimin tim mbi një dialog që e konsideroj si të rëndësishëm dhe premtues”, njoftoi Mongerini duke këmbëngulur në vullnetin për të promovuar bazat e pjesëmarrjes demokratike dhe të të drejtave të njeriut, qytetare dhe politike në Amerikën latine.

Zyrtarja evropiane do të takohet në mënyrë të veçantë me ministrin kubanez të Punëve të Jashtme, Bruno Rodriguez dhe anëtarë të shoqërisë civile./ec/

---Grupi i Shtetit Islamik goditi për herë të parë Jemenin, një vend i zhytur në kaos, duke marrë përsipër përgjegjësinë e atentateve që shkaktuan të paktën 142 të vdekur.

---Dhjetëra mijëra irlandezë janë pritur në rrugët e Dublinit për të manifestuar edhe një herë kundër qeverisë për mbifaturimin e ujit.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të dielën 22 mars vransira të pakta, të cilat dalngadalë nga rajonet perëndimore do të dendësohen me shira të përkohshëm në rajonet më të shumta të vendit dhe dëborë në zonat malore të Epirit. Në mëngjes dukshmëria do të jetë e kufizuar.

Në Attikë do të ketë vransira të pakta, që do të dendësohen dhe do të kemi shira të përkohshëm, ndërsa temperatura maksimale do të jetë 14 gradë Celsius. Edhe në Selanik do të ketë shira të përkoshëm, ndërsa temperatura maksimale do të jetë 14 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54