Lajmet në gjuhën shqipe 13/03/2015

---Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka shpallur reformat e qeverisë së tij gjatë një fjalimi në selinë e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik e Zhvillim (OECD).

”Prioritete të menjëhershme të përpjekjes reformuese janë përballimi i krizës humanitare dhe nevoja emergjente për t’u përballuar problemi kronik në Greqi në lidhje me evazionin fiskal dhe korrupsionin”, deklaroi Cipras.

”Qeveria do të synojë luftën kundër kontrabandës me karburante dhe duhan, do të ashpërsojë legjislacionin për financimin e partive politike dhe do të forcojë pavarësinë e sekretariatit të përgjithshëm të të ardhurave publike”, shtoi ai. ”Reformimi i sektorit publik është ndërmarrja më e vështirë. Kemi filluar faktikisht, me racionalizimin e vetë qeverisë. Për shembull, kemi reduktuar numrin e ministrive”, tha Cipras.

”Nëse ditët e ardhshme nuk do të ketë disbursim të këstit të kredisë, Greqia është e sigurt se do t’u përgjigjet detyrimeve të veta”, deklaroi kryeministri Cipras, në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të OECD-së, Angel Gurria.

Gjatë takimit të zyrtarëve të lartë u nënshkrua një marrëveshje dypalëshe, me anë të së cilës OECD-ja merr përsipër ofrimin e asistencës teknike ndaj palës greke, lidhur me planizimin dhe zbatimin e reformave, që përbëjnë prioritetet e qeverisë greke.

---Për kijimin e një ekipi të përbashkët të Greqisë - Komisionit Evropian për adresimin e  krizës humanitare ranë dakord kryeministri Aleksis Cipras dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker në takimin e tyre në Bruksel.

Siç u bë e njohur në takim "u ra dakord që paralelisht me negociatat, duhet të hulumtohen mundësite e përdorimit më të mirë të fondeve tashmë në dispozicion, në mënyrë që të nxitet rritja ekonomike dhe të ndërmerren nisma të menjëhershme për përballimin e krizës humanitare dhe luftimin e papunësisë, sidomos e të rinjve".

Në këtë kuadër është vendosur që të ngrihet menjëherë një grup i posaçëm, i përbërë nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe anëtarë të Kryesisë së Komisionit Evropian për të koordinuar iniciativat e duhura. Takimi i parë i grupit do të zhvillohet javën e ardhshme.

---Në takimin mes Cipras e Martin Schulz theski është vënë te niveli i lartë i papunësisë te rinia, si dhe te inkurajimi për më shumë investime për uljen e këtij fenomeni. Kreu i parlamentit tha se programi prej 6 miliardë euro i Komisionit për nxitjen e punësimit është një nxitje shumë e mirë edhe për Greqinë.

Kryeministri Aleksi Cipra nga ana e tij tha se mesazhi që duhet të japë tashmë Evropa dhe institucionet është «ndihmë dhe solidaritet» që të kalohen vështirësitë që përballon vendi në nivel social.

«Jam optimist se do të gjendet zgjidhje, sepse ky është interesimi ynë i përbashkët. Besoj se nuk ka problem grek, por evropian», vuri në dukje z.Cipras.

---Për mbështetjen e tij në qeverinë konfirmoi evrodeputeti i SYRIZA-s, Manolis Glezos, pas takimit të tij në Bruksel me Kryeministrin, Aleksi Cipra, duke thënë madje "të gëlltitin gjuhën e tyre" ata që thonë se është e kundërta. Megjithse ka pranuar se në disa pika ka diferencë mendimesh, por vlerësoi se çdo mosmarrëveshje do të zgjidhet.

Z.Glezos shprehu besimin për «qeverinë e popullit» dhe në personalitetin e kryeministrit, duke thënë se Aleksis Cipras «identifikohet me historinë».

---Në seancën plenare të Parlamentit është betuar të premten presidenti i ri, Prokópis Pavlópoulos.

Pas betimit z.Pavlópoulos ka vendosur një kurorë në Monumentin e Ushtarit të Panjohur dhe në vazhdim shkoi në Pallatin Presidencial për ndërmarrjen e detyrave të tij të reja.

---Sqarime lidhur me deklaratat mbi kërkesën e huadhënësve që të mos paguhen 1-2 rroga, ka dhënë këshilltarja e ministrit të Financave, Elena Panariti. 

Siç tha, këto referime «kishin lidhje me qëndrimin e huadhënësve në periudhat para vitit 2015». Prandaj, botimet përkatëse që referohen në këtë fazë të negociatave nuk korrespondohen me realitetin.

---Më shumë se gjysma e gjermanëve mendojnë se Greqia duhet të largohet nga zona euro, sipas një sondazhi të botuar të premten.

Një sondazh i ”Politbarometer”, i kryer për llogari të televizionit publik gjerman, ZDF, tregoi se 52% e gjemanëve mendonin se vendi ballkanik duhej të largohej nga eurozona, në ndërkohë që 40% e tyre mendonin të kundërtën.

Vetëm për dy javë, opinioni publik gjerman ndryshoi në favor të një “Grexit”. Vlen të përmendet fakti se 80% e gjermanëve mendonin se qeveria e kryeministrit grek, Aleksis Cipras nuk ishte e sinqertë me partnerët e saj evropianë.

Edhe ministri gjeman i Financave, Wolfgang Schäuble, nuk përjashton një dalje të Greqisë nga zona euro.

“Që nga momenti që përgjegjësia për të vendosur është vetëm e Greqisë, dhe ne nuk e dimë se çfarë ajo mendon të bëjë, nuk mund të përjashtojmë një dalje të Athinës nga zona euro”, deklaroi dje në mbrëmje Schäuble në një intervistë për televizionin austriak ORF.

---Një miliardë e gjysmë euro do të rrjedhin në fondet e sigurimeve sociale këtë vit me vendosjen e 100 kësteve për borxhet, thekson në një intervistë të tij zëvendës ministri për Sigurimet Sociale, Dimitris Stratoulis.

Është rregullimi më i përmirësuar që është bërë në vend në lidhje me borxhet e bizneseve të vogla e të mesme, të vetëpunësuarve, etj në drejtim të fondeve të Sigurimeve Sociale. Qëllimi ynë është që me këtë rregullim të ketë lehtësim për financat e sigurisë sociale.

---Dhe 14 dosje të tjera të armatimeve përgatiten për të marrë rrugën e Drejtësisë, siç tha ministri i Mbrojtjes dhe Kryetar i Grekëve të Pavarur, Panos Kammenos.

---Agjencia e Menaxhimit të Borxhit Publik ka paguar të premten këstin e dytë të muajit mars prej 348 milion euro në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

---Sekretari i Përgjithshëm për Sigurimet Sociale, Giorgos Romanias zbuloi se fondet e sigurimeve sociale janë shkatërruar me PSI-në, fillimisht me një prerje rreth 40% deri 55% dhe pjesa e tjetër e mbetur në këto fonde janë prerë përsëri dhe si rezultat prerja totale në fondet e sigurimeve sociale arrin në 75%.

---Ministri i Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtave të Njeriut, Nikos Paraskevopulos njoftoi se gjatë javës tjetër do të paraqitet projekt-ligji që do të rregullojë çështje urgjente të sistemit penal dhe ndëshkues. 

---Si skllevër jetonin nëntë punëtorë migrantë nga Rumania në një fabrikë të pulave në Halandritsa Achaïas. 

Pronari dhe kujdestari i kërcënonin ata me armë dhe i burgosnin. Të dy u arrestuan dhe të hënën do të dërgohen në hetuesi. Në fushën e impiantit janë gjetur 1,6 milionë euro.

---Lëkundje sizmike me madhësi 4,7 gradë e shkallës Rihter ka ndodhur në orën 15:33 në zonën detare të Lakonias.

Sipas Institutit Gjeodinamik, lëkundja kishte një thellësi qendrore 5 km. dhe epiqendra e saktë e tij vendoset në zonën detare 16 km. në juglindje të Neapolit.

---Ndërprerje të itinerarëve të trenit elektrin në pjesën Faliro-Pire do të ketë të shtunën nga ora 19:00 e deri në përfundim të turnit, për shkak të punimeve. 

Shqipëria
---Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë një takimi të premten me një delegacion parlamentar të Republikës së Koresë, shprehu gatishmërinë për t’i thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht në planin ndërparlamentar.

Kryeparlamentari Meta nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Koresë së Jugut ndaj Kosovës, si një prej vendeve të para që njohën pavarësinë e shtetit të ri dhe që kontribuon në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.

Parlamentarët koreanë shprehën kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite mbresëlënëse, e cila kontribuon në rritjen e kontakteve dypalëshe. Ish-kryeministrja e Republikës së Koresë, Han Myeong Sook dhe nënkryetarja e Grupit të Miqësisë, Chung Mi Kyung vunë në dukje se vizita e delegacionit koreano-jugor në Shqipëri konfirmon vëmendjen ndaj marrëdhënieve me Shqipërinë, si një vend me peshë të veçantë në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe me potenciale të shumta për investitorët e huaj. 

Në këtë drejtim, znj. Han Myeong Sook theksoi se anëtarët e Grupit të Miqësisë do t’a inkurajojnë Qeverinë e Republikës së Koresë për t’a rritur vëmendjen dhe dinamikën e bashkëpunimit me Shqipërinë. /a.s/f.n/

---Kryetarët e komisioneve parlamentare të Politikës së Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor (SEECP) janë mbledhur të premten në Tiranë në kuadër të Presidencës shqiptare të kësaj organizate.

Në qendër të punimeve të konferencës është shkëmbimi i përvojave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për procesin e integrimit dhe kontributi në koordinimin e veprimtarive të përbashkëta që do të ndërmerren nga vendet e rajonit për çështjen e integrimit evropian, në kuadër dhe të Konferencës së Berlinit, që u mbajt në gusht të vitit të kaluar.

Punimet e konferencës u çelën nga kryetarja e komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, Arta Dade, e cila e vuri theksin tek bashkëpunimi mes vendeve të SEECP-t në luftën kundër terrorizmit./a.s/f.n/

---Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto firmosi të premten me kompaninë konsulente Egnatia Odos kontratën e konsulencës bazuar në marrëveshjen e firmosur mes Qeverisë Shqiptare dhe BERZH-it për projektin “Strategjia e Taksimit Rrugor në Shqipëri“.

Objektivi kryesor i këtij projekti është përgatitja e strategjisë së taksimit rrugor, duke ofruar një dokument strategjik për Qeverinë Shqiptare mbi përdorimin e taksës rrugore në Shqipëri. Struktura e tarifave do të identifikohet në kontekstin e praktikave më të mira evropiane dhe legjislacionin përkatës të BE-së. Hartimi i kësaj strategjie do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qeveritare, për të qenë në të njëjtën linjë me politikat dhe programin e qeverisë, duke përfshirë edhe Planin Kombëtar Shqiptar të Transportit.

Granti prej rreth 150.000 Euro është financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për të mbështetur reformën në sektorin rrugor dhe afati i përfundimit të projektit dhe hartimit të strategjisë është 8 muaj. Zbatimi i projektit do të bëhet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.e,xh/f.n/

---Gjatë vizitës në Rijeka, Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo zhvilloi një takim me Presidenten e agjensisë turistike Fantasia Travel, e cila po organizon udhëtime turistike në Shqipëri.

Gordana Kramaric informoi se fillimisht do të bëhen udhëtime më grupe të vogla, të cilat do të shërbejnë për testimin e potencialit turistik nga Kroacia, si dhe krijimin e një klime mirëbesimi për të zhdukur paragjykimet që ekzisojnë. Në vazhdim do të operohet me grupe të rregullta drejt destiancioneve turistike shqiptare.

Ambasadori Melo përshëndeti këtë iniciativë të Fantasia Travel dhe siguroi znj.Kramaric për bashkëpunim dhe mbështetje në këtë ndërmarrje./f.n/

---Bashkia e Tiranës nëpërmjet një njoftimi për mediat ka bërë te ditur axhenden e aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës.

Bashkia e Tiranës me rastin e Ditës së Verës do të organizojë të shtunën aktivitete të ndryshme, që startojnë në sheshin “Nënë Tereza” dhe te diga e Liqenit Artificial, duke nisur nga ora 10:00 me Tapetin e luleve, ku do  të pikturohen me shkumës lule gjigande nga studentë të Universitetit të Arteve.

Aktivitetet pasohen me “Panairin Eko”, ku  kompani lulesh do të bëhen pjesë e këtij panairi, duke krijuar një kopësht të madh në sheshin  “Nënë Tereza”, ndërsa kompanitë e riciklimit do të promovojnë punimet e tyre të realizuara nga mbetjet urbane.

Po ashtu, Bashkia e Tiranës do te vijoje me një sërë aktivitetesh te tjera si, performacat artistike, kulinaria e produkteve, agrokultura si dhe aktiviteti “Show Akrobatik me Rastin e Ditës së Verës”, qe do të realizohet në bashkëpunim me Aeroclub – Albania dhe do të zhvillohet në digën e Liqenit Artificial të Tiranës, ku shtatë pilotë të nivelit më të mirë botëror do të performojnë akrobacira dhe lojra në prani të shumë spektatorëve për rreth dy orë. /a.ke/

Bota
---Parlamenti Europian ka kërkuar hetim të pavarur ndërkombëtar lidhur me vrasjen e politikanit rus, Boris Nemtsov. 

Në një rezolutë të miratuar mbrëmjen e të enjtes eurodeputetët kanë vlerësuar se vrasja e Nemtsov është vrasja më indikative politike në historinë aktuale të Rusisë. Ata kanë tërhequr vëmendjen se propaganda e Kremlinit, po e shndërron Rusinë në shtet të represionit, shprehjes së urrejtjes dhe frikës.

Kjo rezolutë u miratua, derisa anëtari i Këshillit për të drejtat e njeriut i Kremlinit, Andrei Babushkin, është marrë në pyetje nga hetuesit rusë, pasi e kishte vizituar personin, Zaur Dadayev dhe dy të akuzuar të tjerë, për vrasjen e Boris Nemtsovit, në burgun Lefortovo në Moskë. Babushkin, pas vizitës së tij më 11 mars, tha se kishte shenja se Dadayev ishte torturuar për ta pranuar fajësinë.

---Tetë persona të dyshuar se bënin pjesë në një rrjet xhihadist, u arrestuan të premten paradite në Spanjë, gjatë një operacioni të organizuar nga policia në shumë rajone të vendit, deklaroi Ministria e Brendshme spanjolle.

Sipas ministrisë, të dyshuarit u akuzuan për ideim të akteve terroriste në Spanjë dhe për rekrutim të kandidatëve për xhihadistë në Siri dhe Irak.

Operacionet u zhvilluan veçanërisht në Barcelonë, Gironë, Ciudad Real dhe në Avila. Ministria bëri me dije në janar se forcat e rendit kishin arrestuar 50 persona për shkak të dyshimeve për lidhje me terrorizmin xhihadist./a.jor/.

---Partia e majtë opozitare “Bashkimi Sionist” në Izrael udhëheq bindshëm në sondazhet për zgjedhjet e parlamentare të javës së ardhshme.

Sipas tyre, kjo forcë politike do të sigurojë deri në 26 vende në parlament, kundrejt 22 që mund të fitojë partia kryesore në koalicionin të djathtë qeverisës, “Likud” e Benjamin Netanjahut.

---Rreth 13.000 sirianë kanë humbur jetën si pasojë e torturave në burgjet e regjimit të Bashar al-Assad që prej fillimit të konfliktit katër vjet më parë, njoftoi sot Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH)

”OSDH-ja ka mundur të dokumentojë 12.751 të burgosur të vdekur si pasojë e torturave që prej fillimit të revoltës siriane (…), 108 prej të cilëve minorenë”, theksoi OJQ-ja që disponon një rrjet të gjerë të burimeve civile, mjekësore dhe ushtarake në të gjithë vendin.

Sipas OSHD-së, kjo shifër nuk përfshin 20.000 persona të zhdukur në burgjet e regjimit. “Disa të afërm të martirëve janë detyruar te firmosin deklarata ku konfirmonin se viktimat ishin vrarë nga rebelët që kërkonin të rrëzonin regjimin”, konfirmoi Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut./egu/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të shtunën 14 Mars vransira në të gjithë vendin me shira lokale dhe stuhi, ka mundësi të forta, kryesisht në ishujt e Egjeut Lindor dhe në Dodekanez. Gradualisht fenomenet do të ndryshojnë dhe moti do të përmirësohet.

Në Attikë, temperatura minimale dhe maksimale do të jetë 7 dhe 15 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jetë 6 dhe 13 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54