Lajmet në gjuhën shqipe 12/03/2015

---Marrëveshje me të cilën OECD merr përsipër të japë eksperiencën e tij palës greke në lidhje me hartimin dhe zbatimin e reformave, kanë nënshkruar në një takim të tyre, Kryeministri Aleksis Cipras dhe kreu i Organizatës, Ángel Gurría në selinë e Organizatës. Sipas burimeve qeveritare, reformat synojnë në qëndrueshmërinë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, por edhe në adresimin e krizës humanitare që përballet Greqia.

---Ministri grek i Financave, Ganis Varufakis theksoi në një intervistë të publikuar sot nga France 24 se besonte në një marrëveshje me kreditorët e vendit, për t’u bërë ballë afateve financiare në pranverë.

“Kalendari i rimbursimeve të Greqisë ka një perspektivë më të lartë në muajt mars-prill, muaj gjatë të cilëve vendi përballet me afate më të rënda”, theksoi ai. “Të gjithë e kemi ditur gjithmonë këtë. Megjithatë (…) jam i sigurt se ne do të arrijmë një marrëveshje duke garantuar se një likuiditet i dobët nuk do të mund të pengonte një proces, për të cilin ne kemi punuar shumë për ta vënë në zbatim”, shtoi ai.

Një marrëveshje u arrit me 20 shkurt mes Athinës dhe kreditorëve, duke i dhënë katër muaj kohë, deri në fund të qershorit, qeverisë greke për të paraqitur reformat në këmbim të një ndihme financiare. Këto reforma duhet të jenë të vlefshme për kreditorët deri në fund të muajit prill për të zhbllokuar këstin e fundit të kredisë ndërkombëtare prej shtatë miliardë eurosh, ndërprerë që prej verës dhe jetësore për mbijetesën financiare të vendit.

---Për objektivat e negociatave në Bruksel dhe ardhjen e ekspertëve në Athinë për reformat e qeverisë greke, për planet e kësaj qeverie për TVSH-në dhe politikën tatimore, por edhe për sulmin nga ana e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble, ka folur ndër të tjera ministri grek i Financave, Ganis Varufakis, në një intervistë dhënë stacionit televiziv grek, Mega Channel.

Sipas Varufakis, prania e tij në takimin e Eurogrupit ka bërë nervozë shumë vetë, brenda dhe jashtë këshillit.

“Në përgjithësi, shumë prej partnerëve tanë ndërkombëtarë janë mësuar keq. Janë mësuar me një sërë ministrash që qëndronin në radhë jashtë zyrave të trojkës. E kuptoj pakënaqësinë e tyre, por do të mësohen”, theksoi Varufakis.

---Qarkore, me të cilën fton ministritë për të dërguar deri më 19 mars, kërkesat për plotësimin e nevojave të tyre funksionuese të menjëhershme në personel, në kontekstin e paraqitjes së hartimit të projekt-ligjit për të emëruar përsëri punonjësit publikë të shkarkuar dhe në disponueshmëri, dërgoi zëvendësministri i Reformës Administrative Giórgos Katroúngalos.

---Një notë të fortë proteste ka dërguar ministria e Jashtme greke në ministrinë gjermane, me të cilën shpreh mosmiratimin e Athinës për deklaratat e Wolfgang Schäuble kundër Giáni Varoufáki. Protesta u konsiderua e domosdoshme, pasi u vlerësua se karakterizimet e z.Schäuble për z.Varoufáki se është «pa kuptim naiv» përbëjnë një sjellje jo etike dhe Athina duhej të reagonte.

---Në Seancën plenare të Parlamentit të Grekëve do të bëjë betimin të premten, 13 Mars, në orën 18:00, Presidenti i ri i Republikës, Prokópis Pavlópoulos.

---Në gjendje të jashtëzakonshme është shpallur me vendim të zëvendësministrit të Brendshëm dhe Reformës Administrative, Giánni Panoúsi, komunitetet e Dramës, Kavallës, Ksanthit, Rodopit dhe Samothrakit, me qëllim që të përballohen dëmet e mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturë për shkak të motit të keq që goditi këto rajone.

---Një grup i Korpusit të Tretë të Ushtrisë shkon në zonën Strymóna të Serres, për të forcuar menjëherë argjinaturën që «është çarë» dhe si rezultat janë përmbytur rreth 40.000 hektarë tokë e kultivueshme.

---Një tragjedi ka ndodhur të enjten në mesditë në lagjen Výrona, kur një burrë i ri ra nga ballkoni i një pallati me katër kate, duke pasur në krahë dhe një vajzë-foshnje katër muaj. Fëmija ka vdekur, ndërsa burri, vëllai i nënës së fëmijës i nënshtrohet një operacioni në spital dhe gjendja e tij është shumë e rëndë. Thuhet se i riu kishte probleme psikologjike.

---Një plan operacional policor i zonës metropolitane të qendrës historike të Athinës do të realizohet në të ardhmen e afërt, për trajtimin e problemeve të kriminalitetit dhe rregullit, stimulimit të ndjenjës së sigurisë për banorët e Athinës dhe përmirësimin e cilësisë së nivelit të jetës së tyre të përditshme. Aplikimi i përket zonave të Degëve të Policisë në Omonia, Akropoli, Eksarchia, Shën Pandelejmoni (Agíos Panteleímonas) dhe Kypséli.

---Kushtet nën të cilat një nxënëse 17 vjeçare e shkollës së mesme të dytë të Aleksándreias - Imathías ra më 4 mars nga kati i dytë i një hoteli në Romë, gjatë turneut pesë-ditor të kësaj shkolle dhe të mërkurën në mbrëmje vdiq, shqyrton Drejtoria e Arsimit të Mesëm e Imathias.

Shqipëria
---Ambasadori i Shqipërisë në Bernë (Zvicër), Ilir Gjoni, ka pritur në ambasadë një grup studentësh të organizatës IPA (International Project AID}.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ambasada shqiptare në Zvicër thekson se, kjo organizatë realizon projekte me vendet në zhvillim dhe ato në tranzicion.

IPA ka filluar aktivitetin e saj në Shqipëri në vitin 1994. Në projektet e realizuara në Shqipëri janë përfshirë 250 të rinj zviceranë. Aktualisht, kjo organizatë po realizon një projekt në jug të Shqipërisë për ristrukturimin e një shkolle dhe të një qendre shëndetësore në fshatin Senican të Përmetit. /a.ke/

---Sot është Dita Botërore e Veshkave, që organizohet çdo vit të enjten e dytë të muajit mars.

Kjo ditë ka për mision të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e veshkave dhe shëndetin në përgjithësi, si dhe të reduktojë shpeshtësinë dhe ndikimin e sëmundjeve të veshkave dhe problemeve shëndetësore të lidhura me to në mbarë botën.

Në këtë ditë, nën moton “Unë po marr një gotë ujë, merre dhe ti”, Instituti i Shëndetit Publik ka theksuar faktin sesi uji luan një rol të rëndësihëm në organizmin tonë. Veshkat, këto “lojtare” të sistemit urinar, janë filtra inteligjente që eliminojnë mbetjet nga gjaku, të cilat bëhen toksike nëse do të grumbullohen në trup. Uji dhe veshkat veprojnë në simbiozë: uji lejon veshkat të hollojnë mbetjet për t`i eliminuar në formën e urinës. Veshkat rregullojnë sasinë e ujit të nevojshëm në trup, balancën e hyrjeve dhe daljeve të ujit. Veshkat janë atje për të filtruar ujin dhe rithithur (riabsorbuar).

Çdo minutë, 600 ml ujë arrijnë në veshka dhe 20% filtrohet. 99% e këtij filtrati riabsorbohet dhe 1% që mbetet korrespondon me sasinë e urinës në 24 orë, ose 1.5 deri 2 litra urinë. Pra, roli i veshkave është hollimi i urinës dhe gjendjes së hidratimit.

Është e këshillueshme të pihet çdo ditë një litër e gjysmë deri në dy litra ujë për një të rritur të shëndetshëm. Ndaj ISHP u ka bërë thirrje qytetarëve, që të mund të pijnë ujë mjaftueshëm për të mbrojtur veshkat, të paktën 1-1,5 litra ujë në ditë. /a.ke/

---Fshati Gllavë i Tepelenës ndodhet në trekëndëshin Tepelenë, Skrapar, Përmet, është një fshat malor me bukuri të rralla natyrore. 

Banoret jetojnë kryesishtë me blegtori e bujqësi, por shfrytëzojnë edhe resurset turistike. Për të shtuar këtë potencial, banorët e Gllavës kanë përshtatur me punime karakteristike në gur, shtëpitë e tyre në  bujtina tipike rajonale për vizitorët dhe turistët që eksplorojnë këtë zonë. Ata dinë të përshtasin e të shfrytëzojnë mirë edhe burimet e shumta ujore në vend. Sipas banorëve, kjo nismë synon t’u shërbejë turistëve e kryesisht të huajve, të cilët gjatë periudhës së verës janë të shumtë në zonën e Gllavës.

Për këtë arsye, komuniteti me investimet e veta po përpiqet për krijimin e mjediseve në shërbim të turizmit. Një problem i mbetur pa zgjidhje është infrastruktura rrugore drejt këtyre zonave të thella të Jugut të vendit./a.ke/

---Përballë Akademisë së Shkencave në kryeqytet u organizua ceremonia e perurimit te bustit të Akademikut Aleks Buda. Vepra u realizua nga skulptori Ilmi Kasemi, aprovuar nga  Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Aleks Buda lindi në vitin 1910 në qytetin e Elbasanit dhe është personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX.  Njihet si kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka titullin e larte “Mësues i Popullit”.

Aleks Buda udhëhoqi një aksion të madh shkencor të studimeve ndërdisiplinore, të cilat mundësuan disa procese në  historinë e Shqipërisë  si atë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të formimit të etnosit shqiptar, të gjuhës e kulturës së tij, të lindjes dhe formimit të shtetit të Arbrit dhe të rolit të shqiptarëve në historinë ballkanike.

Për kryetarin e Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, vendosja e bustit të akademikut Aleks Buda e bën atë “qytetar të përjetshëm” të Tiranës. /a.ke/

Bota
---Dy policë kanë mbetur të plagosur nga armët e zjarrit gjatë protestave në qytezën amerikane Ferguson. 

Ngjarja ndodhi në mesnatë me orën lokale. Rreth 200 persona morën pjesë në një protestë para departamentit të policisë pas dorëheqjes së kreut të tij. Kur njerëzit po shpërndaheshin u dëgjuan edhe të shtënat, që shkaktuan kaos dhe dhunë. Disa persona u arrestuan. Njëri prej policëve të plagosur është qëlluar në fytyrë, ndërsa tjetri në shpatull.

Dorëheqja e kreut të policisë erdhi pas publikimit të raportit të Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilit në institucionin e drejtuar prej tij paragjykimi racial ishte i përhapur.

Qyteza Ferguson u bë e njohur në gusht të vitit të kaluar, pasi një adoleshent me ngjyrë u ekzekutua nga forcat e rendit.

---Trupat irakene kanë avancuar ndjeshëm për rimarrjen nën kontroll të Tikritit më shumë se një javë pas nisjes së ofensivës.

Sipas raporteve nga terreni, rreth 75% e qytetit është në duart e njësive qeveritare, përfshi këtu komisariatin e policisë dhe spitalin lokal. Luftimet e ashpra i kanë detyruar xhihadistët të grumbullohen në qendër të tij.

---Raportet e punës të dy organeve kineze të drejtësisë, të paraqitura sot para Asamblesë Kombëtare Popullore, tregojnë se vitin e kaluar, autoritetet kanë forcuar luftën kundër korrupsionit, njoftoi China Radio International.

Sipas Prokurorisë së Lartë Popullore të Kinës, vitin e kaluar prokurorët hetuan 3.664 çështje të përvetësimit të parave, të mitmarrjes dhe të shpërdorimit të fondeve publike, me një shumë të përgjithshme prej një milion juanësh (164 mijë dollarë amerikanë).

Raporti shton se gjykatat kineze në vitin 2014 dënuan 44 mijë veta në 31 mijë çështje gjyqësore të shpërdorimit të detyrës dhe të mitmarrjes. Autoritetet kineze kanë premtuar gjithashtu se do të tregojnë tolerancë zero ndaj korrupsionit në drejtësi për të cilin ka pasur ankesa nga publiku në këto vite. Sipas dy raporteve, prokuroria ka hetuar dhe ka ndëshkuar 404 punonjës brenda radhëve të saj vitin e kaluar, ndërsa 2.108 zyrtarë të gjykatave janë dënuar për shkelje të disiplinës dhe të ligjit.

Në dy raportet premtohet se do të çrrënjosohet korrupsioni në organet e drejtësisë./ a.jor.

---I konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Gjermanisë, panairi i librit në Lajpcig filloi sot me paraqitjen e librave nga 2.200 shtëpi botuese, ku në përfundim të katër ditëve, risia do të jetë dhënia e tre çmimeve speciale për shkrimtarët.

Organizatorët do të japin çmime në tre kategori, krijimtari artistike, joartistike dhe përkthim. Fituesit do të marrin 45.000 euro.

Organizatorët presin gjithashtu praninë e personave të njohur publikë gjermanë si politikanin socialdemokrat, Peer Steinbrueck dhe veteranin e muzikës pop, Heino. Panairi do të ketë një pavion të veçantë për shkrimtarët izraelitë, në një përpjekje për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve gjermano-izraelite.

Pritet prania e 12 shkrimtarëve izraelitë, përfshirë Amos Oz, Meir Shalev dhe Chaim Noll./ a.jor.

---Ka përfunduar me sukses kthimi në tokë i anijes hapësinore ruse Soyuz.

Në bordin e saj ndodheshin 3 astronautë, dy rusë dhe një amerikan. Ata qëndruan në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar 167 ditë me rradhë. Gjatë kësaj periudhe astronautët zhvilluan një sërë eksperimentesh dhe daljesh në hapësirë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 13 Mars mot të paqëndrueshëm në pjesën më të madhe të vendit, me shira dhe stuhi lokale. Pak dëborë do të ketë në zonat malore, ndërsa fenomenet në Egje priten të jenë lokalisht të fuqishme.
Në Attikë, temperatura maksimale do të jetë 14 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura maksimale do të jetë 12 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54