Lajmet në gjuhën shqipe 27/01/2015

---Përbërjen e qeverisë së bashkëpunimit SYRIZA - Grekët e Pavarur
njoftoi ministri i ri i Shtetit, Níkos Pappás.

Më poshtë vijon përbërja e qeverisë së re greke:
Kryeministër Aleksis Tsipras
Zëvendëskryeministër i ngarkuar për negociatat me BE-në – Giánnis Dragasákis

Ministër i Riorganizimit të Prodhimit, Mjedisit dhe Energjisë,
Panagiotis Lafazanis
Ministër i Brendshëm dhe Riorganizimit Administrativ, Nikos Voutsis
Ministër i Ekonomisë, Infrastrukturës, Detare dhe Turizmit, Giórgos Stathákis
Ministër i Financave, Giánnis Varoufákis
Ministër i Kulturës, Arsimit dhe Çështjeve Fetare, Aristidis Baltas
Ministër i Punës, Panos Skourletis
Ministër i Shëndetësisë dhe Sigurisë Sociale, Panagiotis Kouroumplis
Ministër i Mbrojtjes, Panos Kammenos

Ministër i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias
Zëvendës Ministri për çështje evropiane: Nikos Hountis
Zëvendës Ministri i Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare: Euklidi Tsakalotos

Departamenti i Drejtësisë
Ministri: Nikos Paraskevopoulos
Ministri i Shtetit për luftën kundër korrupsionit Panagiotis Nikoloudis

Ministri i Shtetit për Koordinimin e Projektit të Qeverisë Alekos Flabourari
Zëvendësministër: Térens Kouík
Ministri i Shtetit Nikos Pappas
Zëdhënësi i qeverisë Gavriíl Sakellarídis

Për kryetare të Parlamentit, qeveria propozon Zoí Konstantopoúlou, e
cila pritet të jetë kryetarja e dytë grua, pas Ánna Psaroúda-Benáki.

Grekët e Pavarur përfaqësohen në qeveri nga kryetari Pano Kammeno, i
cili është ministër i Mbrojtjes dhe nga katër anëtarë të tjerë: Térens
Kouík, Élena Kountourá, María Kóllia Tsarouchá dhe Panagióti Sgourídi.
Të mërkurën në mëngjes mblidhet këshilli i parë i ministrave.

---Kryeministri italian Mateo Renzi ka përgëzuar Aleksis Cipras për
fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare, duke vënë në dukje se e
gjithë Evropa po ndjek me interesim të madh zhvillimet në vendin
ballkanik.

---Kancelarja gjermane Angela Merkel përgëzoi sot Aleksis Cipras,
kryeministri i ri grek që ka dalë nga e majta radikale, duke i uruar
“shumë forcë dhe suksese”, sipas një teksti të publikuar nga
kancelaria e Berlinit.

“Ju përgëzoj për marrjen e detyrës si kryeministër i Greqisë. Ju
merrni funksionet tuaja në një periudhë të vështirë, gjatë së cilës do
të përballeni me një përgjegjësi të madhe”, shkruan kancelarja.
“Shpresoj se bashkëpunimi me ju mund të përforcojë dhe të thellojë
miqësinë mes popujve tanë, që tradicionalishtë janë të mira dhe të
thella”, shtoi ajo.
“Për punën që ju pret si kryeministër ju uroj shumë forcë dhe
suksese”, përfundoi Merkel.

---Të enjten vjen në Athinë presidenti i Parlamentit Evropian, Martin
Schulz, siç konfirmoi në twitter. Do të jetë funksionari i parë i huaj
që do të vizitojë Athinën dhe do të ketë takim në orën 15:00 me
kryeministrin Aleksi Tsipra, në Pallatin Maksimou.

---Përfaqësuesja e kryetarit të Eurogroup konfirmoi të martën se
Jeroen Dijsselbloem do të vijë të premten 30 Janar në Athinë, që të
takohet me kryeministrin Aleksi Tsipra dhe me ministrin e Financave të
Greqisë.

---Pozitivisht ka vlerësuar ndërhyrjet deri tani të trojkës në vendet
e eurozonës, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble dhe
karakterizoi "humbje kohe" çdo përpjekje për të rinegociuar
marrëveshjet që janë rënë dakord mes palëve.

---Të dhënat e dy kapitenëve fatkeq grek, të cilët humbën jetën gjatë
aksidentit të djeshëm me avionin grek F16 në bazën ajrore të Los
Llanos de Albacete të Spanjës ka publikuar Shtabi i Përgjithshëm i
Forcave Ajrore. Siç thuhet në njoftim, të dy kapitenët që humbën jetën
e tyre në krye të detyrës janë: Panagiótis Láskaris, 35 vjeç, i
martuar me një djalë dhe Athanásios Zánkas, 31 vjeç, i martuar me një
djalë dhe një vajzë. Tre ditë zie ka shpallur ministri i larguar i
Mbrojtjes, Níkos Déndias.

---Në fazën e parë të shpërthimit të gripit është Greqia, në të cilën
sipas të dhënave të fundit, 18 njerëz kanë vdekur nga komplikacionet.
Pacientët të cilët kanë qenë të hospitalizuar në njësitë e kujdesit
intensiv janë 60, nga të cilët 30 vazhdojnë të jenë në kujdesin e
Njësive të Kurimit Intensiv.

---Në Athinë, frekuenca e programit të parë të ERT-it të lirë në valët
91,8 MHz ndryshon, bëhet më e qartë dhe më e fortë.
Frekuenca e re nga e shtuna, 31 janar 2015 do të jetë në valët fm 106,7 MHz.

Shqipëri
---Me rastin e ceremonisë së 70-të përkujtimore të Holokaustit
zhvilluar këtë javë në Pragë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori
pjesë në tryezën e rrumbullakët të kryeparlamentarëve drejtuar prej
Presidentit të Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij u shpreh se “në
Evropë, sot më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë çfarë ka ndodhur në
të shkuarën, por ç’është më e rëndësishmja ne duhet t’u mësojmë
brezave të rinj si të parandalojnë goditjen e të ardhmes tonë nga
mentalitetet raciste që ushqejnë kushtet e nevojshme sociale për akte
dhune kriminale ose anti-Semitike. Pasiguria sociale, papunësia,
emigracioni në rritje dhe pasiguria për të ardhmen, kanë shkaktuar një
intolerancë të rrezikshme, si dhe lëvizje politike ekstreme, të cilat
duhet t’i shohim me shumë shqetësim”.
Gjithashtu, Meta tha se “ndihet krenar që përfaqëson Shqipërinë,
vendin ku në fund të luftës kishte më shumë hebrenj se para saj, pasi
pothuajse të gjithë hebrenjtë që gjatë pushtimit nazist jetonin brenda
kufijve të Shqipërisë, ata me origjinë shqiptare, si dhe refugjatët
nga vende të tjera, u shpëtuan. Shqipëria inkurajon krijimin e një
entiteti të përbashkët ku parlamentet mblidhen për të shtuar
komunikimin e tyre dhe ku të gjithë të mund të shkëmbejmë eksperiencat
tona, duke ofruar propozime legjislative, për të garantuar që ajo
çfarë ka ndodhur në të shkuarën të jetë e paimagjinueshme për të
ardhmen tonë”./i.v//a.ke/

---Banka e Shqipërisë në ankandet e së martës, siguroi 13.3 miliardë
lekë bono thesari me maturim 12 e 3 mujore, nga 15.9 miliardë lekë që
u shpallën për financim.

Kjo tregon se sistemi financiar dhe sidomos bankat nuk kanë më të
njëjtën predispozitë për të rritur investimet në titujt e qeverisë.
Ndryshimi i raporteve mes kërkesës dhe ofertës gjatë muajve të fundit
ende nuk ka sjellë rritje të interesave.
Sipas BSH-së, në ankandet e së martës, bonot me maturim 12-mujor u
emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3.54%, në rritje të
lehtë nga niveli 3.51% i ankandit paraardhës. E papërfillshme ishte
edhe rritja e interesave në ankandin e bonove 3-mujore, në 3.23%, nga
3.22% në ankandin e mëparshëm.e.xh//m.m/

---Agrobiznesi shqiptar pritet të marrë pjesë në Panairin “Fruit
Logistica” i cili mbahet në Berlin nga data 04-06 Shkurt 2015.

Gjatë këtij panairi kompanitë  shqiptare do të promovojnë produktet e
tyre si dhe  do  të kenë mundësi të krijojn bashkëpunim me kompanitë
pjesëmarrëse.
Në këtë panair marrin pjesë mbi 2600 ekspozues (kompani të mëdha
globale dhe kompani të mesme të sektorit të Agrobiznesit) dhe mbi 60
000 vizitorë tregtarë.
Panairi “Fruit Logistica” paraqet një pasqyrë të plotë të inovacionit
në sektorin e prodhimit të frutave dhe perimeve dhe është një  mundësi
e mirë për krijimin e kontakteve te reja te bashkepunimit me kompani
të mëdha të këtij sektori. e,xh/ /a.g/

Bota
---Liderë botërorë bënë thirrje sot kundër antisemitizmit në ditën e
përkujtimit të 70-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të
përqëndrimit të Aushvic-Birkenaut si edhe Ditën e Përkujtimit të
Holokaustit.

Duke folur në parlamentin gjerman, presidenti Joachim Gauck tha se
“kujtimi i Holokaustit mbetet një çështje për të gjithë gjermanët”.
“Nuk ka identitet gjerman pa Aushvicin. Ai i përket historisë së këtij
vendi”, deklaroi Gauck në Bundestag.
Ndërkohë, kancelarja Angela Merkel u kërkoi gjermanëve të mos harronin
dhe përshëndeti faktin se rreth 100.000 hebrenj jetonin aktualisht në
Gjermani.
Presidenti francez, François Hollande theksoi faktin se rritja
frekuente e akteve antisemite ishte një realitet i patolerueshëm.
”Për t’u përballur me këtë realitet, qeveria do të bëjë publik një
plan të gjerë për të luftuar kundër antisemitizmit dhe racizmit. Plani
përfshin edhe rritjen e sigurisë dhe marrjen e masave ndaj
dezinformimit dixhital dhe propagandës”, theksoi ai.
Kryeministri britanik, David Cameron theksoi rëndësinë e kujtimit të
Holokaustit si mënyrë për të luftuar diskriminimin.
Në përbërje të ceremonive përkujtimore që po zhvillohen në Poloni janë
edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon dhe presidenti
izraelit, Reuven Rivlin.

---Kryeministri italian, Matteo Renzi fitoi sot një betejë shumë të
rëndësishme politike, pasi Senati miratoi projekligjin për reformën
elektorale, kundrejt të cilit rezistuan kundërshtarët brenda partisë
së tij në pushtet, Partisë Demokratike (PD).

Ligji i ashtuquajtur ”Italicum” është ideuar t’i japë fund
destabilitetit politik në Itali, një vend që 69 vitet e fundit ka
patur 63 qeveri.
Sipas rregullave të reja të votimeve, çdo parti që fiton të paktën 40
për qind të votave do të ketë një maxhorancë automatike prej 55 për
qind në Dhomën e Ulët të parlamentit, thënë ndryshe në Dhomën e
Deputetëve.
Nëse asnjë parti nuk fiton deri në 40 për qind, një balotazh do të
zhvillohet mes dy partive të renditura të parat. Fituesi do të marrë
55 për qind maxhorancë./ a.jor.

---Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë goditur nga një stuhi masive
bore në bregun lindor. Nju Jorku dhe pjesë të tjera të këtij rajoni
janë mbyllur, pasi stuhia Juno pritet të sjellë deri në 90 centimetra
borë.

Të gjitha automjetet joemergjente janë ndaluar, ashtu si edhe
shërbimet e metrosë. Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Nju
Jork, Nju Xhërsi, Konektikat, Rod Ajllënd, Masaçusets dhe Nju
Hempshir. Bizneset dhe shkollat janë mbyllur, ndërsa mbi 6,500
fluturime në aeroportet e bregdetit lindor janë anuluar.

Moti
---Shira dhe stuhi sporadike në zona të pjesës Perëndimore dhe
Qendrore të vendit dhe të Egjeut, por dhe përkeqësim të motit, duke
filluar nga zonat jugore me shira të fuqishme lokale dhe stuhi
parashikon për të mërkurën 28 Janar, Shërbimi Kombëtar Meteorologjik.
Dëborë do të ketë në zonat malore, por dhe në zonat e Maqedonisë
Perëndimore, Thesalisë Veriore dhe Epirit me lartësi të ulët.
Në Attikë, temperatura në qendër do të arrijë në 14 gradë Celsius dhe
në Selanik në 9 gradë Celsius.

---Rikujtojmë se në Attikë, në lagjet e pjesës jugore të saj dhe në
pjesën tjetër të Athinës transmetohet programi i vetë-menaxhuar i
ERT-3, që tashmë mund të shikohet dhe me sinjal dixhital në frekuencat
34 dhe 58 në Attikë. ERT-3 aktualisht mbulon 68% të vendit. Sinjali i
saj transmetohet dhe në Réthymno, Haniá, Pátra, Thessalía dhe Lamía.
Transmetimi satelitor transmetohet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 91,8 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54