Ειδήσεις στα Αλβανικά - 22/06/2014

Sapo u largua kryeministri kinez filluan konfliktet me gojë mes qeverisë dhe opozitës
Nuk arriti të largohet Li Keqiang nga Greqia dhe rezultatet e vizitës së tij shkaktojnë një tjetër konflikt mes qeverisë dhe opozitës në kanalet televizive të dielën. Në të njëjtat kanale çështja më e dashur për diskutim mbetet ekzistenca e pikpamjeve të ndryshme në SYRIZA.

KKE: «Nuk do të votojmë asnjë për president të Republikës»
Në lëvizjet e tjera të fushës politike, Partia Komuniste deklaron nëpërmjet sekretarit të saj, Dimitri Kutsuba se nuk do të votojnë asnjë kandidat për Presidentin e Republikës, ndërsa e Majta Demokratike me vendim të komitetit qendror do të marri pjesë në mënyrë aktive në debatin mbi të majtën e qendrës, duke pretenduar një propozim të ri të qeverisjes me një plan programi të veçantë.

Në gjykata detarët për pjesmarrjen e tyre në grevë
Në gjykata zvarriten nesër 28 detarë (20 punonjës aktivë dhe 8 në pension), sepse kanë marrë pjesë në grevën mbarëkombëtare të përgjithshme më 11 mars të vitit 2010 dhe më 14 qershor të vitit 2012, me akuzën për "pengim të transportit publik". Në mbështetje të të akuzuarve është sindikata komuniste PAME, që organizon një miting të hënën në orën 09:00 në mëngjes në gjykatat e Kavallës.

Tubim në solidaritet me punonjësit e BIOME
Të hënën në orën 11:30 jashtë ministrisë së Punës do të mbahet një tubim solidariteti për punonjësit e BIOME. Punonjësit e industrisë BIOME kanë planifikuar një takim me zv/ministrin në orën 12:00 në mesditë.

Bob Dylan sonte në Selanik 
Koncert i Bob Dylan sonte në Selanik. 
Të hënën në të njëjtin vend do të japë koncert Manu Chao, ndërsa Bob Dylan do të këndojë në Athinë.

Përfundojnë sot aktivitetet e festivalit "Vendi i Panjohur i Aftësisë së Kufizuar» 
Përfundon sot në teatrin e vetë-menaxhuar EBROS, festivali tre ditor "Vendi i Panjohur i Aftësisë së Kufizuar". Gjithashtu sonte përfundon edhe festival antifashist dy-ditor në Park Fix në lagjen Patisia.
Jo në shitjen e plazhit të Issos në Korfuz
Një fundjavë Kampingu në plazhin e Issos në Korfuz organizohet nga dje me qëllim parandalimin e shitjes së plazhit.

Lajmet nga Bota

Sekretari amerikan i shtetit në Egjipt
Sekretari amerikan i shtetit John Kerry i kërkoi sot nga Kajro krerëve irakianë të lenë mënjan përçarjet fetare, duke garantuar se vendi i tij nuk ishte përgjegjës i krizës së provokuar nga ofensiva e papritur e kryengritësve sunitë dhe se nuk kërkon të zgjedhë liderët për Irakun.
Ndonëse ata nuk kanë kërkuar formalisht dorëheqjen e Nouri al Maliki, SHBA-ja, që në vitin 2003 pushtoi Irakun, duke rrëzuar diktatorin Saddam Husseinin, nuk i kursen kritikat e veta kundrejt kryeministrit shiit, i akuzuar se ka rritur ndarjet mes komuniteteve fetare ne vend.
“SHBA-ja nuk përpiqet të zgjedhë kë të dëshirojë ajo. I takon popullit irakian të zgjedhë drejtuesit e vet”, vazhdoi ai duke vlerësuar se “vendi i tij nuk është përgjegjës për faktin se Iraku është buzë kaosit”.
Kerry u shpreh gjatë një konference për shtyp të përbashkët me homologun e tij egjiptian në Kajro, në përfundim të një vizite surprizë të shkurtër në Egjipt, ku ai kërkoi reforma demokratike nga presidenti Abdel Fattah al Sissi, ish-shefi i ushtrisë që rrëzoi islamikun Mohamed Morsi një vit më parë.

Moti 
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon vransira, më të dendura në rajonet lindore dhe veriore. 
Në Athinë do të ketë vransira, ka mundësi dhe shi, ndërsa temperatura minimale do të jetë 18ºC dhe ajo max 31ºC.
Në Selanik do të ketë shira apo stuhi, kryesisht në rajonet lindore, ndërsa temperatura minimale do të jetë 18ºC dhe ajo max 29ºC.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54