Το Δελτίο Ειδήσεων στα αλβανικα 10/06/2014
U betua skema e re e qeverisë
Në orën tre e gjysmë pas mesditës u bë betimi i ministrave të rinj dhe menjëherë do të mblidhet këshilli i ministrave. Skema e re e kabinetit, pas reformimit gjithëpërfshirës të kryeministrit Samara, duhet të mbikëqyrur çdo gjë që është nënshkruar apo do të nënshkruhet në memorandumet për Greqinë.
Ish këshilltar i Kosta Simitis, Cari i ri i Ekonomisë. Me shkollë të lartë dhe teknokrat, Gikas Harduvelis na kthen në veprat dhe në ditët e qeverisë së Luka Papadimos, kur është finalizuar kthimi i vendit në memorandume.
Ndryshim të turnit kemi në ministrinë e Shëndetsisë me të njëjtën shenjë të djathtë. Largohet Adonis Georgiadis dhe Makis Voridis merr këtë post.
Argiris Dinopulos është ministri i ri i brendshëm, i cili duhet të menaxhojë disponueshmërinë dhe shkarkimin nga puna e 4933 punonjësve të bashkive, që u karakterizuan nga ish ministri si të tepërt.
Pas persekutimit kundër romëve dhe emigrantëve, por edhe të krijimit të kampeve të përqendrimit, zoti Nikos Dendias u transferua në Ministrinë e Zhvillimit, për të mbikëqyrur shitjen e Koorporatës së Vogël Elektroenergjitike të vendit (DEH) dhe për të zbatuar ligjin shkatërrues për bregdetin, në emër të vlerësimit dhe shfrytëzimit të tyre.
Në ministrinë e Arsimit është vendosur Andreas Loverdos, i njohur për politikën e tij në ministrinë e Shëndetësisë, për të mbikëqyrur vazhdimin e mungesës së fondeve dhe të stafit të pamjaftueshëm në universitete, mbylljet dhe bashkimet në shkollat e Arsimit Fillor dhe të Mesëm, por dhe shkurtimet e mëtejshme të arsimtarëve.
Pas suksesit të tij për të dhënë disa individëve të caktuar ndërtimin e autostradave me paratë e shtetit, por gjithashtu të lejojë rritjen e taksave për rrugët, pa ndonjë vepër konkrete të kompanive të mëdha të ndërtimit Mihalis Hrisohoidis mbeti në ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.
Haralambos Athanasiu gjithashtu mbetet në ministrinë e tij si telefon i hapur për zyrtarët e drejtësisë, sipas deklaratave të z.Baltako, por dhe si përgjegjës për kushtet e këqija të burgjeve. Vasilis Kikilias është ministri i ri i Mbrojtjes së Qytetarit dhe Sofia Vultepsi është zëdhënëse e qeverisë.
SYRIZA: «Vazhdohen angazhimet e memorandumeve»
"Askush nuk beson se reformimi aktual i qeverisë do të ndikojë qoftl edhe në minimum, politikën e aplikuar dhe angazhimet e memorandumeve të qeverisë së z.Samara", komentoi SYRIZA.
KKE: "Implementimi i masave jopopullore"
"Qëllimi dhe skema e re e qeverisë do të jetë zbatimi i masave të vjetra dhe të reja jo popullore dhe janë opsione me karakter strategjik, për të forcuar konkurrencën e kapitalit", thotë Partia Komuniste Greke në deklaratën e saj.
Grekët e Pavarur: «E njëjta politikë me politikanë të tjerë»
"Reformimi rikthen persona të betuara të Trojkës, të cilët kanë votuar masat e mjerimit të popullit grek, deklaroi zëdhënësi i Grekëve të Pavarur, Terens Kuik.
Është gjykuar sot në Gjykatën e Lartë çështja e pastrueseve
Në Gjykatën e Lartë është gjykuar rasti i pastrueseve të ministrisë së Financave. Shoqata, sindikata, grupe të ndryshme dhe qytetarë ishin aty për të shprehur solidaritetin e tyre.
Nesër, të mërkurën në orën 19:00 pasdite organizohet një tubim jashtë ndërtesës së ERT-it, në Agia Paraskevi.
Një vit mbushet në datën 11 qershor nga mbyllja fashiste e Radiotelevizionit publik grek nga qeveria, duke lënë në rrugë brenda një nate 2.656 punonjës.
Të mërkurën, në orën 12:30 në drekë organizohet një tubim në sheshin Klafthmonos, me pjesmarrjen e sindikatave dhe marshim drejt ministrisë së Financave.
Gjithashtu, në orën 19:00 pasdite organizohet një tubim jashtë ndërtesës së ERT-it, në Agia Paraskevi.
Gjithashtu, në kuadrin e aktiviteteve për përvjetorin e mbylljes së ERT-it, në të gjitha radiot lokale ERA organizohen aktivitete tre dhe katër ditore nga punonjësit dhe të solidarizuarit e ERT-it të lirë e të vetë menaxhuar, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve, për të festuar përpjekjen e përbashkët një vjeçare dhe për të deklaruar: Të hapet përsëri ERT-i, të ruhet dhe në të ardhmen karakteri i tij i lirë dhe i vetë menaxhuar dhe të vazhdojmë deri në fitoren përfundimtare.
Paralelisht, jashtë ambasadave greke në vendet evropiane do të zhvillohen protesta.
Punonjësit në metronë e São Paulo kanë pezulluar grevën e tyre
Udhëheqësit e punëtorëve grevistë të sistemit të metrosë në São Paulo të Brazilit kanë thënë se kanë pezulluar grevën për dy ditë. Sindikatat kanë paralajmëruar se mund ta rinisin atë më 12 qershor, në ditën kur ky qytet organizon hapjen e Kampionatit Botëror të Futbollit.
Autoritetet janë tejet të shqetësuara me grevën sepse metroja është mjeti kryesor i transportit për tifozët që do të ndjekin lojën e parë midis Brazilit dhe Kroacisë.
Grevistët kërkojnë rritje 12 për qind të pagave, por qeveria thotë se nuk do të ofrojë asgjë mbi 8,7 për qind.
Ekipet e shpëtimit në Pakistan kanë gjetur trupat e shtatë personave të bllokuar në aerportin e Karaçit.
Zbulimi vjen dy ditë pasi militantët talibanë kanë sulmuar këtë aeroport dhe kanë luftuar me forcat e sigurisë për orë të tëra. Disa nga sulmuesit kanë pasur uniforma të ushtrisë veshur dhe xhaketa me eksplozivë.
Gjetjet e sotme kanë çuar në së paku 35 numrin e të vrarëve në sulm.
Në një bisedë telefonike për Radion Evropa e Lirë, grupi taliban Tehrik-e Taliban Pakistan ka thënë se sulmi ka qenë hakmarrje për vrasjen e liderit të këtij grupi, Hakimullah Masud, nga një sulm i telekomanduar i SHBA-së, vitin e kaluar.
Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon shira lokale dhe stuhi sporadike, kryesisht në rajonet kontinentale qendrore dhe jugore, por dhe në Kretë, në drekë e pasdite.
Era do të fryjë në drejtimin verior dhe në disa rajone deri në 6 ballë. Temperatura maksimale në Athinë do të jetë 29ºC, ndërsa në Selanik deri në 28ºC.