Lajmet në gjuhën shqipe 02/04/2015

---"Respektoj mendimin tuaj por nuk e ndaj" ishte përgjigja e
kryeministrit Aleksi Cipra në propozimin e deputetes së Demokracisë së
Re, Dora Bakojani për shtyrjen e krijimit të një komisioni hetimor për
memorandumin.

Aleksi Cipra u përgjigj me një letër të tij në letrën që Dora
Bakojanis i ka dërguar Kryetares së Parlamentit dhe në të cilën ajo
kërkonte të zëvendësohet Komisioni Hetimor me një Komision të përbërë
nga ekonomistë të njohur ndërkombëtarisht dhe si objekt do të kishte
studimin e dobësive të politikave ekonomike, që janë ndjekur gjatë
pesë viteve të fundit.
Kryeministri në përgjigjen e tij e gjen këtë propozim interesant dhe
angazhohet për ta mbështetur atë, por paralelisht me Komisionin
Hetimor.

---Masa që parashikohet të sjellin të ardhura buxhetore në vitin 2015
nga 4,7 deri në 6,1 miliardë euro, përmban lista e re prej 26 faqesh
që u ka dorëzuar qeveria greke kreditorëve, sipas gazetës ”Financial
Times”.

Paralelisht parashikohen shpenzime të reja me vlerë 1,1 miliardë euro
– kryesisht për shkak të dhënies së pensionit të 13-të.

Sipas burimeve qeveritare, rezultati përfundimtar do të jetë rritja e
suficitit primar. Përsa i përket PPB-së, parashikohet që sivjet të
rritet me 1,4 për qind dhe 2,9 për qind në 2016.

Lista e masave për të ardhurat shtesë përfshin:
– Intensifikimin e kontrollit për transaksionet jashtë Greqisë dhe
kompanitë offshore (synohen të ardhura nga 725 deri 875 milionë euro)
– Luftim i kontrabandës së karburanteve, duhanit dhe pijeve alkoolike
(250 deri 400 milionë euro)
– Forcimin e legjislacionit për transaksionet brenda kompanive (40-60
milionë euro)
– Vendosjen e lotarisë për të stimuluar grumbullimin e faturave
fiskale (270-600 milionë euro)
– Luftimi i mashtrimit tatimor në pagesën e TVSH-së (350-420 milionë euro)
– Përmirësim i aparatit të vjeljes së taksave (225-235 milionë euro)
– Rregullim i i ri për 100 këstet në shlyerjen e detyrimeve ndaj
shtetit (300-400 milionë euro)
– Masa të ndryshme për rritjen e të ardhurave tatimore (414-450 milionë euro)
– Vendosje e taksës për reklamat televizive (50-70 milionë euro)
– Forcim i taksës së luksit për automjetet e mëdha, skafet dhe
pishinat (20 milionë euro)
– Rishikim i Kodit të Tatimit të të ardhurave me heqjen e lehtësimeve
tatimore (300-400 milionë euro)
– Luftë evazionit fiskal nga profesionistët e lirë dhe bizneset
personale (20-30 milionë euro)
– Stimuj për shlyerjen e detyrimeve që kanë rezultuar pas kontrolleve
tatimore me të ardhura 100-200 milionë euro. Gjobat dhe kamatat do të
ulen me 35-50 për qind për gjithë sa do të pranojnë pagesën e gjithë
shumës pa iu drejtuar proceseve gjyqësore
– Të ardhura nga veprimtari kulturore (5-10 milionë euro)
– Licensim i batit në internet (125-175 milionë euro)
– Tendere publike për dhënien e licensave mediave radio televizive
(350-380 milionë euro).

---Qasje të lirë në sistemin shëndetësor publik për të gjithë
qytetarët, 4.500 emërime me staf të kualifikuar për njësitë
shëndetësore dhe një sërë masash për forcimin e shërbimeve ka njoftuar
kryeministri Aleksis Cipras, pas mbledhjes në Ministrinë e
Shëndetësisë.

Gjithashtu, vuri në dukje objektivin e qeverisë për të kthyer sërish
sistemin e shëndetsisë nga viktimë e kursimit dhe memorandumeve në një
të drejtë themelore për çdo qytetar të vendit.

---Ndërkaq, hiqet në një kohë të afërt "bileta" prej 5 euro për
analizat e pacientëve në urgjencat e spitaleve publike. Këtë shfuqizim
e parashikon vendimi ministror i përbashkët që është botuar në Gazetën
e Qeverisë.

---Është paraqitur në Parlament projekt-ligji «Reforma të dispozitave
penale, heqja e burgjeve e tipit G dhe dispozita të tjera».

Konkretisht, në nenin 1 të projekt-ligjit thuhet se hiqen "objektet e
paraburgimit të tipit G", pasi konsiderohet absolutisht e mjaftueshme,
korniza e mëparshme institucionale për trajtimin e të gjithë të
burgosurve, ndërsa krijimi i këtij lloji të burgut ka krijuar probleme
në vend që ti zgjidhë ato. Projekt-ligji gjithashtu përfshin një numër
rregullimesh për të miturit, në mënyrë që të minimizohen dënime dhe
forcimin e masave arsimore dhe disiplinore.

---Katër punonjës të burgut që ishin përgjegjës për ruajtjen e Vicky
Stamatis, u arrestuan nga Drejtoria e Sigurimit të Attikës që kryen
hetimin paraprak për ikjen e saj nga Dromokaḯteio.

Hetimet për gjetjen e saj si dhe shpjegime për rrethanat në të cilat
ajo ka ikur janë në vazhdim. Paralelisht, një amendament - "përgjigje"
në trajtimin penal të gruas së Akis Cohaxopulos, Vicky Stamati
shqyrton Ministria e Drejtësisë.

Vicky Stamati, bashkëshortja e ish-ministrit grek socialist të
Mbrojtjes, Akis Cohaxopulos, e dënuar me burg në të njëjtën kohë me të
për korrupsion, është larguar nga spitali psikiatrik ku ajo po vuante
dënimin, bëri me dije sot një burim policor.

Vicky Stamati ishte transferuar në spitalin psikiatrik, ku vëzhgohej
24 orë në 24. Rrethanat e sakta që çuan në arratisjen e saj nga
spitali nuk dihen ende. Por, sipas medias, brava e derës së dhomës që
kishte dalje në ballkon, u gjet e thyer.

Kohët e fundit, drejtësisë greke i ishte dërguar një kërkesë për
lirimin e Stamatit, e dënuar dy vite më parë me 12 vjet burg, ndërsa
bashkëshorti i saj, ish-ministri socialist Akis Cohaxopulos u dënua me
20 vjet heqje lirie, për pastrim parash me anë të kontratave të
armëve.

Cohaxopulos, 75 vjeç, që vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në
Koridhallo, pranë Athinës, u bë për mbarë opinionin grek simboli i
politikanëve të korruptuar, duke mbajtur dhe përgjegjësi për krizën në
të cilën vëndi u zhyt që prej vitit 2010.

---Fillon kontrolli i të gjitha kontratave të kredive që janë dhënë në
kompanitë me shumë borxhe, të cilat aktivizohen në fushën e mediave,
sipas një dokumenti të Ministrisë së Financave që është dërguar dhe në
Parlament.

Siç thuhet «qeveria është e vendosur për të luftuar korrupsionin si
dhe të ndalojë përballimin privilegj -nga ana e bankave- të bizneseve
në fushën e informacionit».

---Menjëherë, ndoshta dhe gjatë ditës pritet të botohet vendimi i
qeverisë që fton kanalet  e transmetimit kombëtare për të paguar
shumat që i detyrohen shtetit për përdorimin e frekuencave nga ata për
vitet që nuk kanë paguar nga viti 2011 e deri në vitin 2014.

Siç raporton me një artikull të saj Gazeta e Redaktorëve, «qeveria
greke duket e vendosur për të sjellë rregullin në peisazhin
radioteleviziv dhe më në fund për të rivendosur ligjshmërinë në këtë
fushë. Siç duket, nga fjalët kalon tani në vepra, që ka shumë të
ngjarë të çojë në konflikt të dhunshëm të ashtuquajturin "trekëndëshi
i marrëdhënieve të korrupsionit".

---Nuk do të tatohen qiratë e pambledhura ka sqaruar zëvendësministrja
e Financave pas takimit të saj me kryetarin e Federatës së Pasuri të
patundshme, Stratos Paradias.

Duke bërë fjalë për "një padrejtësi flagrante", Nadia Valavani sqaroi
se Ministria e Financave do të sjellë një modifikim në Parlament, i
cili do të parashikojë heqjen e dispozitës për taksimin e qirave të
pambledhura dhe rivendosjen e regjimit të mëparshëm, kur qiratë e
pambledhura mund t'i caktoheshin sektorit publik.

---Një pazar me rastin e festës së Pashkëve me krijime të punuara me
dorë organizojnë punonjëset e ERT-it nga data 3 deri më 6 prill, nga
ora 10:00 - 22:00, në ertopen, Mesogeíon 463, në katin e parë,
përballë ndërtesës së madhe të Radio-Televizionit Publik Grek në Agia
Paraskevi.

Shqipëria
---Shqipëria dhe Kina do të rrisin bashkëpunimin në marrëdhëniet dypalëshe.

Zv/Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Selim Belortaja
zhvilloi një takim me ambasadoren kineze në Shqipëri, Jiang Yu.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë takimit të dyja palët
shkëmbyen pikëpamjet lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve
dypalëshe, bashkëpunimin Kinë-vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe
mbi nismën “Një brez, një rrugë”.

Shqipëria dhe Kina festuan në dhjetorin e shkuar 65-vjetorin e
vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndërsa në Samitin Ekonomik
dyditor Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, mbajtur dhjetorin e shkuar
në Beograd, i njohur si Samiti 16+1, Kina miratoi në Beograd disa
projekte të përbashkëta në infrastrukturë, industri dhe bujqësi si
edhe mbështetjen për fiancimin e Rrugës së Arbrit. /gj.m/f.n/

---Në kuadrin e aktiviteteve ndërgjegjësuese që po zhvillohen për 2
Prillin – Ditën Botërore të Autizmit, Ministri i Shëndetësisë, Ilir
Beqaj, mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me temë “Autizmi Flet”, të
organizuar në qytetin e Lushnjës nga Shoqata “Prindër Së Bashku për
Zhvillimin e Fëmijëve” në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të
Shëndetit Mendor.

Në takimi morën pjesë edhe Klodian Rjepaj, Zv.Ministër i Shëndetësisë
dhe njëkohësisht Drejtues i Komitetit Kombëtar për Shëndetin Mendor,
Petrit Vasili, Deputet i LSI dhe ish-Ministër i Shëndetësisë, Klodiana
Spahiu, Nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet
Sociale, si dhe drejtues të qeverisjes vendore të rrethit të Lushnjes,
prindër, aktivistë e qytetarë të rrethit të Lushnjes.

Ministri Beqaj theksoi se përtej asaj çka këta prindër bëjnë, që është
e mrekullueshme, ka ardhur momenti që edhe vetë shteti apo qeveria
duhet të bëjnë më shumë. Kreu i shëndetësisë siguroi pjesëmarrësit në
takim se MSH ka gati tashmë një plan pune, i cili parashikon që, duke
filluar nga viti tjetër, të marrë përsipër financimin e një pjese të
shërbimit të specializuar shëndetësor që kërkohet në këtë rast.

Në fjalën e tyre, Vasili dhe Spahiu e vunë theksin tek rëndësia që ka
përherë e më tepër decentralizimi i shërbimeve shëndetësore dhe
sjellja e kujdesit shëndetësor sa më pranë njerëzve për trajtimin e
këtyre rasteve./f.n/

---Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të enjten se qarkullimi i
mjeteve paraqet vështirësi në aksin Krumë-Qafë Prush dhe Kukës –
Peshkopi si pasojë e rrëshqitjeve masive.

Burime zyrtare të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për
problematikën e raportuar në aksin Krumë-Qafë Prush, bëjnë të ditur se
në këtë aks, në vendin e quajtur Bregu i Vlanës, vazhdojnë rrëshqitjet
e masivit poshtë rrugës dhe si rrjedhojë edhe shkarje dhe shkëputje të
trupit të rrugës.

Aktualisht prej disa ditësh kalimi në këtë segment kryhet në një
korsi, por ARRSH vlerëson se kjo situatë mund të çojë drejt bllokimit
të rrugës për qarkullim. Hedhja e materialeve inerte për të mbushur
trupin e rrugës që ka rreshqitur, rrezikon të shkaktojë rrëshqitjen
totale të masivit, si rrjedhojë e rritjes së ngarkesës.

Në aksin Kukës – Peshkopi, segmenti Domaj – Bushtricë, ARRSH informon
se pati çedim të trupit të rrugës, si pasojë e rrëshqitjes masive të
skarpatës së rrugës. Në këtë aks ndodhet aktualisht grupi i punës së
ARRSH-së për të verifikuar dhe vlerësuar nga afër situatën. Ndërsa
bëhet e ditur se aksi i Rrugës së Kombit është i hapur me të katër
korsitë e tij. /a.gjonaj/ /a.ke/

---Tre gazetat më të mëdha në Suedi. “Dagens Nyheter”, me një tirazh
prej 900.000 kopjesh, “Sydsvenska Dagbladet” me 300.000 dhe
“Helsingborgs Dagblad” me 200.000 kopje, kanë botuar artikullin e
gazetares Lind mbi turizmin shqiptar dhe potencialin në të ardhmen,
duke i treguar publikut suedez se Shqipëria ka bërë përpjekje serioze
për të krijuar një klimë te re për turizmin dhe impaktin e tij në
ekonomine shqiptare.

Po kështu, artikujt kanë vlerësuar përpjekjen e Agjencisë Kombëtare të
Bregdetit për të realizuar në një kohë të shkurtër disa programe dhe
iniciativa të rëndësishme për publikun, siç është ajo e hapjes së
ishullit të Sazanit për publikun në modelin e një Parku Kombëtar.

Tashmë që po afron dhe sezoni turistik, shkrime të këtij lloji janë
një investim i fuqishëm për promocionin e turizmit në Shqipëri.
Skandinavët, ku futen dhe suedezët, i kanë me zell pushimet në Mesdhe.
Por, vitet e fundit, Shqipëria po bëhet shumë e preferuar për ta.
Tregues për këtë është Saranda, ku shumë shtetas norvegjezë dhe
suedezë kanë blerë apartamente dhe zgjedhin bregdetin e jugut për të
pushuar gjatë verës./a.ke/

Bota
---Më shumë se 25 mijë luftëtarë të huaj nga 100 kombe kanë udhëtuar
për t'u bashkuar me grupet militante si Shteti Islamik dhe Al Kaeda,
sugjeron një raport i Kombeve të Bashkuara.

Në raport, thuhet se numri i luftëtarëve të huaj në të gjithë botën
është rritur me 71 për qind në një periudhë kohore nga mesi i vitit
2014 deri në mars të vitit 2015. Siria dhe Iraku janë destinacionet më
të shpeshta dhe janë shndërruar në një shkollë për ekstremistët. Në
raport, thuhet në rast të mposhtjes së Shtetit Islamik në Siri dhe në
Irak, luftëtarët e huaj do të shpërndaheshin nëpër botë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u ka kërkuar eskpertëve gjashtë muaj më
parë të hetonin kërcënimin që vjen nga luftëtarët e huaj që i
bashkohen shtetit islamik dhe grupeve të tjera militante. Raporti i
prodhuar, e që është dorëzuar këtë muaj në Këshill, thekson mendimin e
ekspertëve se fluksi i luftëtarëve të huaj është rritur nga disa një
dekadë më parë dhe tashmë është më i lartë se çka qenë ndonjëherë
historikisht. Në këtë pikë, edhe mposhtja e Shtetit Islamik në Siri
dhe në Irak mund të ketë efekte anësore atë të shpërndarjes së
luftëtarëve në vatra të tjera.

Në Siri dhe në Irak thuhet se strehohen 22 mijë luftëtarë të huaj,
ndërsa 6.500 të tjerë janë në Afganistan, qindra në Jemen, Libi,
Pakistan dhe në Somali. Numër i lartë luftëtarësh vjen nga Tunizia,
Maroku, Frannca dhe Rusia, por ka rritje të tyre nga Maldivet,
Finlanda dhe Trinidad Tabago. Raporti bën thirrje për më shumë
bashkëpunim mes shërbimeve sekrete për të identifikuar të huajt që
luftojnë në zonat e konfliktit.

---Moska dhe Kievi nënshkruan të enjten marrëveshjen që mundëson
zgjatjen me tre muaj të livrimeve të gazit rus në Ukrainë, me një çmim
të reduktuar, njoftuan operatorët e gjigantit rus Gazprom dhe ukrainas
Naftogaz.

Kontrata u nënshkrua me kushtet e ngjashme me ato të marrëveshjes së
muajit tetor që përfundoi dje në mbrëmje, theksoi zyrtari i grupit
publik rus, Alexei Miller, në një komunikatë.

Pas disa muajsh ndërprerjesh të furnizimeve, një marrëveshje e
përkohshme u nënshkrua në muajin tetor, duke parashikuar një reduktim
prej 100 dollarësh nga mijëra metra kub, që i korrespondon anulimit të
të drejtave doganore.

Kievi dhe Bashkimi Evropian kishin kërkuar që marrëveshja të zgjatet
për një vit, por Gazprom kishte pranuar të hënën ta bënte këtë vetëm
për tre muaj, ashtu si konfirmoi dje në mbrëmje presidenti rus,
Vladimir Putin./ec/

---Të paktën 54 marinarë vdiqën dhe 15 u zhdukën pas mbytjes së një
anijeje peshkimi të mërkurën në mbrëmje në detin Okhotsk, në brigjet e
Lindjes së Largme ruse.

“Aktualisht kemi gjetur trupat e 54 viktimave. Gjashtëdhjetë e tre
anëtarët e tjerë të ekuipazhit u shpëtuan”, tha shefi i administratës
lokale për agjencinë ruse të lajmeve Interfax. ”Të paktën 15 marinarë
nuk janë gjetur ende”, shtoi ai.

Anija “Dalni Vostok” u mbyt në brigjet e Kamçatkas dhe 250 kilometra
në jug të qytetit të Magadan, vendbanimi kryesor i këtij rajoni me
popullsi të paktë në Lindjen e Largme ruse. Në këtë anije gjendeshin
marinarë edhe nga Birmania, Lituania, Ukraina dhe Vanuatu./ /a.s/
a.jor.

---9 ditë pas tragjedisë së avionit të kompanisë Germanwings me 150
persona në bord në Alpet jug-lindore franceze, është gjetur edhe kutia
e dytë e zezë.

Grupi hetimor shpreson shumë, që të dhënat e regjistruara në të për
funksionimin e instrumentave të japin përgjigjen shteruese për shkaqet
e tragjedisë. Kutia e parë e zezë, që regjistron komunikimet audio, u
gjet ditën e aksidentit, të martën e kaluar më 24 mars. Nga deshifrimi
i saj u arrit në përfundimin se piloti i dytë, Andreas Lubitz, e
kishte përplasur qëllimisht avionin në shpatin e malit.

Nga hetimet e mëtejshme u zbuluan problemet e tij të rënda
shëndetësore të 6-7 viteve të fundit. Këtë të enjte, prokurorët në
Dyseldorf deklaruan se nga kqyrja e njërit prej kompjuterave të
sekuestruar në banesat e Lubitz, e kanë përforcuar akoma edhe më shumë
këtë përfundim.

Gjatë periudhës nga 16 deri në 23 mars, 27-vjeçari kishte kërkuar në
internet metoda të ndryshme vetëvrasjeje, por edhe të dhëna sigurie
për derën e kabinës së pilotimit.

Prestigjozja gjermane “Bild”, duke cituar burime të besueshme pranë
grupit hetimor, shkruan se Lubitz i kishte fshur mjekëve faktin që ai
ende vijonte të fluturonte, në vend që të kurohej si për depresionin
ashtu edhe për problemet me shikimin.

---Të paktën 70 persona, kryesisht studentë, u vranë dhe 79 të tjerë u
plagosën pas një sulmi kundër Universitetit kenian të Garissas të
kryer sot nga islamikët somalezë të shebabit, njoftoi ministri kenian
i Brendshëm duke njoftuar një operacion final spastrimi.

Rreth 500 studentë janë regjistruar të gjellë, por ne kemi humbur
shumë jetë (…) rreth 70”, deklaroi Joseph Nkaissery në Garissa,
lokalitet në lindje të Kenias rreth 150 kilometra nga kufiri somalez
duke theksuar se bilanci ishte paraprak.

Katër terroristë janë vrarë dhe 90 për qind e kërcënimit është
eliminuar”, shtoi ai.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 3 prill,
re të pakta, të cilat do të rriten dhe do të ketë shira lokale në
rajonet veriore, stuhi të përkohshme në rajonet veriperëndimore dhe ka
mundësi që të ketë shira lokale pas mesditës në rajonet qendrore.
Njëkohësisht, reshje dëbore do të ketë në zonat malore veriore.

Mot me diell, re të pakta dhe ka mundësi shira lokale në zonat veriore
do të ketë të premten Attika. Temperatura minimale dhe maksimale do të
jenë 6 dhe 21 gradë Celsius.
Vransira të përkohshme me dukshmëri të kufizuar lokalen në orët e para
të mëngjesit do të ketë Selaniku dhe temperatura do të variojë nga 4
deri në 11 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti
i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme
- nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët
e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00
pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet
televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54