Lajmet në gjuhën shqipe 01/04/2015

---Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë mund të përmirësohen më tej dhe Greqia të bëhet një urë mes Perëndimit dhe Rusisë, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras, në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, në prag të vizitës së tij në Moskë dhe takimit më 8 prill me presidentin Vladimir Putin.

”Mund të kemi një bashkëpunim thelbësor, që do t’i mundësojë Greqisë të eksportojë në Federatën e Rusisë prodhime bujqësore”, konfirmoi Cipras, duke shtuar se këto vitet e fundit këto marrëdhënie kanë pësuar një goditje nga fakti se qeveritë e mëparshme të vendit tim nuk kanë bërë asgjë për të penguar këtë politikë për mendimin tim pa kuptim, të sanksioneve për shkak të tensionit në Ukrainë.

”Ndodhemi në një situatë gjeopolitike tensioni të veçantë. Ekzistojnë sfida të përbashkëta dhe duhet të shohim se si popujt tanë dhe vendet tona mund vërtet të bashkëpunojnë në disa fusha, në ekonomi, në energji,  tregti, prodhimin bujqësor, të qartësojmë se ku njëri mund të ndihmojë tjetrin dhe kryesisht të studiojmë se deri në çfarë mase bashkëpunimi ynë mund të jetë konstruktiv, për faktin se mendoj vërtet që Greqia si vend anëtar i Bashkimit Evropian mund bëhet ndërlidhësi, urë mes Perëndimit dhe Rusisë.

Cipras nënvizoi se vizita e tij në Moskë mund të mundësojë fillimin e vërtetë të marrëdhënieve dy palëshe, me një impuls të ri të marrëdhënieve që kanë perspektiva të forta rritjeje kryesisht në sektorët e energjisë dhe turizmit.

---Qeveria greke synon të marrë të ardhura me vlerë 3,7 miliardë euro nga zbatimi i reformave, që u ka paraqitur kreditorëve të vendit dhe që përbën objekt diskutimesh në të ashtuquajturin Grupi i Brukselit (Brussels Group), njoftuan burime të kabinetit grek.

Ndërmjet reformave përfshihet tatimi i depozitave jashtë shtetit prej nga parashikohen 750 milionë euro të ardhura, rregullimi i detyrimeve të pashlyera, lufta kundër kontrabandës dhe licensimi i kanaleve televizive.

Gjithashtu, të ardhura me vlerë 1,5 miliardë euro vlerësohet se do të vijnë nga zbatimi i politikave për portin e Pireut, aeroportet rajonale dhe licencën e bastit të hipodromit. Deri tani, bisedimet ndërmjet autoriteteve greke dhe përfaqësuesve të kreditorëve janë produktive.

Një regjistrim i parë i situatës aktuale është bërë në grupin e punës të eurozonës (Euro Working Group), që u mblodh me telekonferencë.

Bisedimet mes Greqisë dhe përfaqësuesve të kreditorëve vazhdojnë që nga e premtja në klimë konstruktive. Deri tani nuk ka marrëveshje për listën e reformave.

---Përmbajtjen e projekt-ligjit për modernizimin dhe racionalizimin e Administratës Publike, i cili do të paraqitet të enjten në Parlament, i ka paraqitur Presidentit të Republikës, Prokopis Pavlopulos, zëvendës Ministri i Reformës Administrative, Giórgos Katroúngalos, që u prit në Pallatin Presidencial.

---Është paraqitur të martën në mbrëmje projekt-ligji për rihapjen e ERT-it, në bazë të konfirmimit që ka dhënë zyra e Ministrit të Shtetit, Niko Pappá.

Siç përcakton rregullorja e Parlamentit, në vazhdim do të hyjë për diskutim në Komitetin kompetent të Administratës Publike dhe më pas në seancën e parlamentit. Pastaj do të publikohet si ligj, tashmë në Gazetën e Qeverisë.

---Vazhdohet greva e urisë e të burgosurve dhe shumica e tyre ka arritur në një gjëndje shumë kritike.

Një grup prej të paktën 15 anarkistësh u arrestua të mërkurën në oborrin e Parlamentit grek, në qendër të Athinës, ku ata u futën për të manifestuar kundër ”burgjeve të sigurisë të lartë” dhe për të drejtat e të burgosurve.

”Policët arrestuan menjëherë manifestuesit të cilët pas disa minutash arritën të vendosnin një banderolë para hyrjes të Parlamentit, mbi të cilën shkruhej ‘Solidaritet për grevistët, përmbushje të kërkesave të tyre”, tha një burim policor.

Pothuajse 20 të dënuar, të cilët ishin pjesëmarrës në grupet terroriste ”17 nëntori” dhe ”Komploti i celulave të zjarrit”, prej ditësh po zhvillojnë një grevë urie në disa burgje të vendit duke kërkuar lirimin e disa prej shokëve të tyre ”për arsye shëndetësore” si dhe mbylljen e burgjeve të sigurisë të lartë.

---Zëdhënësi i së majtës radikale SYRIZA, Gabriil Sakellaridis, i cilësoi veprimet e anarkistëve si ”provokuese dhe të pakuptueshme”, ndërsa qeveria e Aleksis Cipras në pushtet që prej 25 janarit, vendosi « të përmirësojë kushtet nëpër burgje dhe të mbyllë burgjet e sigurisë të lartë”.

Ministria e Drejtësisë ka komunikuar se po harton një projektligj për këtë çështje.

---Në emër të Grekëve të Pavarur, zëdhënësja Marína Hrysovelóni karakterizoi jodemokratik dhe të dënueshëm hyrjen në Parlament. 

«Të gjithë duhet të dinë - dhe anti-autoritarët - se qeveria nëpërmjet ministrave kompetentë është përgjegjëse për sigurimin e rendit dhe ligjit dhe për funksionimin e drejtë të sistemit të burgjeve», tha ajo

---«Ka shtet apo dhe ai është shfuqizuar;» ka pyetur qeverinë, zëdhënësi i shtypit i partisë Demokracia e Re. Qeveria duhet të mbrojë sistemin ligjor, ka deklaruar dhe Nikos Dendias. 

«Një javë më parë kisha deklaruar se kam frikë se hapi tjetër i anti-autoritarëve do të jetë të hyjnë në Katehaki. Kam gabuar, u futën në Parlament. Flasim për një vresht të parrethuar. Është e qartë se qeveria ka humbur kontrollin», tha Vasílis Kikílias.

---Sekretari i Grupit Parlamentar i POTAMIT, Panagiotis Karkatsoulis kërkoi nga Kryeministri që «më në fund të marrë iniciativën për funksionimin e drejtë të qeverisë së tij, në mënyrë që të mos vazhdojë mosrespektimi i ligjshmërisë dhe pushtimet në ndërtesat publike».

---Për «lojra shumë të rrezikshme», që luajnë ata që «duartrokasin» veprime të tilla, siç është dhe ngjarja në Parlament, por dhe pushtimin e Rektoratit të Universitetit të Athinës dhe në vende të tjera në «protestë» bën fjalë Partia Komuniste Greke (KKE).

---Në emër të PASOK-ut, znj.Gennimatá kërkoi nga ministri kompetent të japë dorëheqjen «në qoftë se nuk mund të sigurojë edhe më elementaret», pasi siç vuri në dukje «nuk mund të shkatërrohet pasuria Publike, të bëhen vandalizma, të pengohet funksionimi i Universiteteve dhe Administratës, të kërcënohen qytetarët dhe Ministri dhe Policia të mos ndërhyjë».

---Ndalimin e punës kanë bërë të mërkurën punonjësit në Spitalin e Lefkadas dhe vazhdojnë grevën mjekët e spitalit të Níkaias, pasi ende nuk u janë paguar ditët e punuara të natës.

Të enjten, në një grevë paralajmëruese shkojnë mjekët e Qendrave Shëndetësore të Korfuzit nga ora 09:00 deri në orën 11:00 të mëngjesit, duke pretenduar mes tjerash, më tepër personel në spital dhe shlyerjen e pagave që nuk janë paguar.

---I mbyllur do të jetë tuneli i Agíou Konstantínou (Shën Kostandini) dhe Kaména Voúrla në korsinë për në Athinë, të mërkurën e të enjten nga ora 08:00 - 18:30 pasdite, për shkak të punimeve të inspektimit, të vendosjes së ndriçimit të ditës dhe natës dhe kontrolli i sistemit të shuarjes së zjarrit. Qarkullimi i automjeteve bëhet përmes rrugës së vjetër.

---Një tubim proteste që të mos zhvillohet gjyqi i Agimit të Artë në burgun e Koridallos, organizojnë për të enjten në mesditë banorët e bashkisë.

Me vendim të kryetarit të Bashkisë dhe të zëvendësprefekti i Pireut, të enjten nga ora 11:30 do të mbyllen të gjitha shkollat e qytetit si dhe nuk do të funksionojnë të gjitha shërbimet e Bashkisë.

---Një pazar me rastin e festës së Pashkëve me krijime të punuara me dorë organizojnë punonjëset e ERT-it nga data 3 deri më 6 prill, nga ora 10:00 - 22:00, në ertopen, Mesogeíon 463, në katin e parë, përballë ndërtesës së madhe të Radio-Televizionit Publik Grek në Agia Paraskevi. 

Shqipëria
---Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, publikoi të mërkurën vendimin e qeverisë që nëse një festë do të qëllojë të shtunën ose të dielën, e hëna do të jetë ditë pushimi.

Kthimi i ditës së hënë pushim me vendim qeverie, do të gjejë praktikë për festën e Pashkëve katolike, të cilat janë këtë të dielë. Ky vendim bëhet edhe për të respektuar Kodin e Punës theksoi zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Gjithashtu një tjetër projekt i qeverisë shqiptare është ai i bonuesve për punonjësit e administratës shqiptare.

“Ne do të pajisim me bonuse ata punonjës të administratës që japin rezultate të mira. Iniciativa do të jetë financiare. Gjithashtu përfitime do të ketë edhe për profesionet e vështira, siç janë mjekët e specializuar apo mësuesit e lëndëve ekzakte. Po përmbyllim kështu një paketë iniciativash dhe t’i shpërblejmë ata në mënyrën më dinjitoze”, tha Peleshi. /a.g/

---Transporti detar kryeson në shkëmbimet tregtare të mallrave, ndërsa rezulton “zero’ transporti hekurudhor.

Gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2014 sipas INSTAT, mënyrat e transportimit të mallrave të importuara dhe eksportuara ishin me det, rrugë, ajër, posta, korriera, email, etj, ku kryeson si lloji më i përdorur transporti detar që zuri 66,4% të vlerës së mallrave të eksportuara dhe 51,7% të atyre të importuara.

Grupet kryesore të mallrave që përdorën transportin detar duke kontribuar më shumë janë edhe grup-mallrat “Tekstile dhe këpucë” me 40,6 %, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 27,8 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 13,7 %.

Grupet kryesore të mallrave që kontribuan më shumë në importet përmes transportit detar janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 18,6 %, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me 17,2 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 16,4 %./n.m/ /a.g/

---Një prej artistëve më të dashur të ekranit shqiptar, mbush sot 72 vjeç. 

Bëhet fjalë për Rikard Ljarjen, artisti që na përcjell edhe sot kaq shumë jetë dhe emocion përmes celuloidit dhe skenës. Ai që nuk rresht së krijuari në prozë ngjarje, personazhe, skenarë, pa harruar kurrë rrëfimet e dashurisë për Shkodrën, vendlindjen e tij, për të cilën shkruan: “Prej pak vitesh i janë afruar kaq shumë pëllumbat dhe ky është një sinjal i fortë, qetësije dhe paqeje’.

Me lojën, portretin, zërin dhe talentin, figura e aktorit Rikard Ljarja u popullarizua kaq shumë në vitet ‘70-‘80, sa konsiderohej si një ndër aktorët më të dashur dhe më të rëndësishëm. Nga viti 1965 deri më 1973, Ljarja ka interpretuar në rreth 30 role në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku pjesa më e madhe ishin role kryesore. Në atë kohë televizioni ishte në hapat e parë dhe brezat e rinj nuk e mbajnë mend si aktor teatri, ku ai vërtet ka shkëlqyer në interpretimet e tij.

Shumëkush e kujton si Deda mbi shtyllë në “Rrugët të bardha”, por rolet e tij, me të cilët identifikohet janë edhe shumë e shumë të tjerë. Komisari te “Kur zbardhi një ditë”, mësuesi Dritan Shkaba te “Komisari i dritës”, Rrema në “Shtigje lufte”, Skënder Guri te “Duel i heshtur”, Perlat Pëllumbi në “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Gaqo tipografi në “Rrugicat që kërkonin diell”, inxhinier Tosi në “Ilegalët” e filma te tjere, “Radiostacioni”, “Pranverë e hidhur”, “Rrethi i kujtesës”, “Fletë të bardha”. Si regjisor ka realizuar filmat “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Skëterrë 43”, “Radiostacioni” etj. Si regjisor, filmi më i arrirë i tij është “Kur hapen dyert e jetës”, i cili u realizua në vitin 1986, ku ishte edhe autor i skenarit. Ky film u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Pas viteve ’90 është tërhequr tek shkrimi si dramaturg dhe shkrimtar. Kujtojme rolin e Gjonit ne shfaqjen “Shën Gjon Kryepremi”, me tekst dhe regji nga Stefan Çapaliku.

Bota
---Policia turke arrestoi të mërkurën 22 militantë të grupit klandestin të ekstremit të majtë në kuadër të pengmarrjes që përfundoi dje me vdekjen e një prokurori dhe dy militantëve që e kishin marrë peng, njoftoi media.

Kjo valë arrestimesh ndodhi në qytetin e Antalias dhe kishte si shënjestër 22 studentë të dyshuar për lidhjet me partinë Fronti Revolucionar për Çlirimin e Popullit, që mori përsipër përgjegjësinë e pengmarrjes.

”Prokurori turk, Mehmet Selim Kiraz, i cili hetonte çështjen në lidhje me vdekjen e protestuesit Berkin Elvan u mor peng dje në zyrën e tij në Pallatin e Drejtësisë në Stamboll”, njoftoi Anadolu Agency (AA).

Prokurori turk dhe dy personat e armatosur që i përkisnin grupit të ekstremit të majtë dhe të cilët e mbajtën peng prokurorin për disa orë në një Gjykatë në Stamboll, humbën jetën në përfundim të operacionit të ndërmarrë nga policia për lirimin e prokurorit./ec/

---Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën në Evropën Qendrore pas kalimit të stuhisë “Niklas”, që ka marrë karakterin e një uragani, duke shkaktuar dëme dhe bllokim të qarkullimt, sipas një bilanci të njoftur të mërkurën nga autoritetet.

Shtatë persona kanë humbur jetën në Gjermani. Tre shoferë u bënë viktima të rrëzimit të pemëve në Bavari dhe në Rhenanie-Palatinat dhe një tjetër persona u vra si pasojë e rrëzimit të një muri nga erërat e forta në Saxe-Anhalt. Tre shoferë të tjerë kanë humbur jetën për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe ngricave në jug të vendit.

Në Austri, një 63-vjeçar gjeti vdekjen pas rrëzimit në përpjekje për të riparuar çatinë e tij në Austrinë e Poshtme (Veri). Në zvicër një tjetër person, 75 vjeç, u vra nga rrëzimi i një peme në Zyrih.

Erërat e forta, që kanë prekur një pjesë të veriut të Evropës nga Skocia në Poloni duke kaluar nga veriu dhe lindja e Francës arritën kulmin në Gjermani, duke u kthyer në uragan me erëra që arrinin një shpejtësi prej 190 kliometra në orë. Trafiku hekurudhor dhe rrugor ishte drejt normalizimit sot në Evropën Qendrore pas bllokimit si pasojë e stuhive./ec/

---Autoriteti palestinez u bë të mërkurën zyrtarisht anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (CPI), me qëllimin për të nxjerrë para drejtësisë drejtuesit izraelitë për krime lufte lidhur me pushtimin.

Një ceremoni me dyer të mbyllura u zhvillua në selinë e gjykatës së Hagës, për të shënuar këtë anëtarësim, që përbën një hap më shumë në përballjen diplomatike dhe gjyqësore të ndërmarrë në vitin 2014 nga Autoriteti palestinez.

Në muajin janar përfaqësuesi palestinez në OKB paraqiti në Kombet e Bashkuara kërkesën për anëtarësimin e palestinezëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare./ec/

---Të paktën 37 persona u vranë dhe 80 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë qumështi në Hodeida, në perëndim të Jemenit, deklaroi sot guvernatori i këtij vendi.

”Bëhet fjalë për 37 të vdekur dhe 80 të plagosur  me punonjësve”, deklaroi guvernatori Hassan Ahmed al-Haii, pa saktësuar nëse kjo fabrikë u prek nga një sulm i koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite apo të shtënat e rebelëve shiitë Houthis.

Drejtori i shërbimeve shëndetsore të zonës, Abdel Rahman Jarallah theksoi më herët se 35 persona kanë vdekur dhe dhjetera të tjerë janë plagosur.

”Një pjesë e ndërtesës shkatërrua plotësisht nga shpërthimi, megjithatë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e viktimave të tjera të mundshme”, theksoi ai në një komunikatë./ec/

---Të vuash nga stresi, ankthi apo depresioni, nuk është justifikim për të marrë disa ditë pushim. Kështu mendojë 69% e shefave.

Në këtë përfundim është arritur nga një studim i kryer nga një prej kompanive më të mëdha në Britaninë e Madhe për sigurimet shëndetësore. U anketuan mijëra menaxherë, drejtues ekzekutivë e pronarë kompanishë, ashtu si dhe mijëra të punësuar.

Realiteti është se në Britaninë e Madhe, çdo vit 25% e punonjësve vuajnë nga gjendja jo e mirë mendore, si pasojë e stresit, ankthit e depresionit. Shumica e tyre thonë se e kanë mjaft të vështirë t’ua shprehin gjendjen emocionale eprorëve të tyre. 50% e punonjësve thonë se shefat nuk i marrin në konsideratë këto raste, ndërsa 7% u druhen reagimeve të tyre. Vetëm 40% e vartësve thonë se komunikojnë pa problem për këto shqetësime.

E përditshmja britanike Daily Telegraph citon ekspertët për sëmundjet mendore, që i konsiderojnë “shqetësuese” këto përfundime. Sipas tyre, të kuptuarit e këtyre rasteve, i ndihmon menaxherët në përmirësimin e situatës së krijuar në ambientet e punës si pasojë e shqetësimeve të të punësuarve.

Studimi merr shkas pas rastit, kur një pilot që vuante nga probleme të tilla, rrëzoi avionin e kompanisë “Germanwings” në Alpet franceze, duke vrarë 150 persona.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të enjten 2 prill mot të mirë në pjesën më të madhe të vendit. 

Shira lokale do të ketë në mëngjes në rajonet veri-perëndimore. Temperatura do të shënojë një rënie të vogël, kryesisht në rajonet qendrore dhe veriore.

Në Attikë, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 19 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 16 gradë Celsius. 

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54