Lajmet në gjuhën shqipe 19/01/2015

---Kryetari i SYRIZA nga auditori i mbushur i Universitetit të Thessalisë në Vólo theksoi se në datën 25 Janar, SYRIZA kërkon vetëfuqinë "që sërish të mbështetet populli ynë në forcat e tij", për të arritur Greqia një negociim të fortë. Intervistë në edicionin qendror të lajmeve të kanalit televiziv privat ANT1 do të japë kryetari i SYRIZA, Aleksi Tsipra sonte në mbrëmje.

---Deklarata në një klimë të luftës civile nga ana e kandidatit të Demokracisë së Re për deputet Máki Vorídi, i cili në një takim politik me miq të tij në Asprópyrgo tha në mënyrë karakteristike se "brezi ynë nuk do të dorëzojë vendin tek e Majta dhe nuk do të lejojmë që ata të bëjnë çfarë të duan", duke shtuar se nuk janë vetëm ndryshimet në programin ekonomik, por është fjala për një "konflikt të madh ideologjik, për një konflikt në mes të botës së lirisë dhe atdheut, në mes vlerave të Atdheut, Fesë dhe Familjes që përfaqësojmë ne dhe ideologjisë që përfaqëson e Majta»!

---Zoti Samaras duhet të jape shpjegime për deklaratat intolerante të z.Voridhi, që nxitin luftën civile, që nuk janë dëgjuar ndonjëherë në periudhën pas diktatorisë, komenton SYRIZA.

---Valë ndërhyrjesh në zgjedhjet e së dielës kishim si jashtë she brenda vendit.

"Çdo qeveri e sapozgjedhur greke duhet të respektojë angazhimet që janë marrë dhe të qëndrojë në rrugën e reformave dhe të përgjegjësisë fiskale", deklaroi Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker në agjencinë Reuters, në një paralajmërim të qartë për SYRIZA, para sondazheve.

---Nga ana e saj, fillimisht "pozitive" në idenë e një konference Europiane, që do të shqyrtojë mundësitë e lehtësimit të vendeve me borxhe të Bashkimit Evropian u shfaq drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, duke folur për gazetën «Irish Times». Megjithatë, ajo paralajmëroi se ristrukturimi i borxhit përfshin dhe pasoja.

---Së fundi, ish-kryeministri, Kostas Simitis, në ndërhyrjen e tij në të cilën nuk bën asnjë absolutisht referim për PASOK-un, insiston se "Qeveria dhe partitë pas zgjedhjeve duhet të formojnë politikën e tyre të bashkëpunimit evropian dhe të fillojnë një dialog serioz me partnerët» dhe vazhdon duke kritikuar të gjitha partitë «sepse edhe pse bien dakord për perspektivën evropiane të vendit, nuk kanë pikëpamje të konkrete për qëllimet tona të nevojshme», siç thotë ai.

---Para hetueses së Korrupsionit japin deponimin e tyre gjashtë të akuzuarit e parë nga të 15 të arrestuarit për çështjen e organizatës së madhe kriminale që duket se orkestronte veprimtarinë e saj brenda nga burgu i Koridallos. Ndërkohë, në një deklaratë të tij, Ákis Tsochatzópoulos që duket se është i përfshirë në këtë çështje, mbështet se "nuk i përkasin atij të gjitha ato që dëgjohen" dhe atribuon  përfshirjen e tij në të ashtuquajturin grup të mbrojtësve të dyqaneve të natës në qëllimet politike.

---Pozitiv në negociata me qeverinë greke që do të dalë nga zgjedhjet e datës 25 janar deklaron ministri francez i Financave, Michel Sapin dhe shfaqet më pajtues në krahasim me zyrtarë të tjerë të Eurozonës, kundrejt një ristrukturimi të borxhit të Greqisë. Bashkimi Evropian duhet të jetë gati për të negociuar me qeverinë e re për ristrukturimin e borxhit shumë të madh të saj dhe zgjatjen e programit të sotëm të ndihmës, deklaroi zoti Sapin në një intervistë në Financial Times.

---Sipas deklaratës zyrtare të Ministrisë së Kulturës ka përfunduar studimi i plotë makroskopik i materialit të eshtrave nga monumenti i varrit në Amfípoli. Numri minimal i personave të identifikuara nga mbetjeve skeletore korrespondon me pesë persona, katër prej të cilëve ishin të varrosur dhe një i djegur.

---Në Attikë, në lagjet e pjesës jugore të saj nga dita e premte dhe
në pjesën tjetër të Athinës nga dita e shtunë transmetohet programi i
vetë-menaxhuar i ERT3, që tashmë mund të shikohet dhe me sinjal
dixhital në frekuencat 34 dhe 58 në Attikë.
ERT 3 aktualisht mbulon 68% të vendit. Sinjali i saj transmetohet dhe në Réthymno, Haniá, Pátra, Thessalía dhe Lamía. Transmetimi satelitor
transmetohet nëpërmjet Intelsat 19.

Shqipëri
---Kuvendi i Shqipërisë çeli sot sesionin e IV të legjistraturës së VIII me miratimin e kalendarit trejavor të punimeve të Kuvendit dhe miratimin e një sëre projektvendimesh.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka çelur sot sesionin e ri parlamentar, ku në fokusin kryesor janë disa pririoritete si, reforma në drejtësi etj. “Komisioni i posacëm në reformën në drejtësi, përveç se një instrument parlamentar, duhet të jetë edhe shprehje për ndryshim ndaj opinjonit publik dhe institucioneve ndërkombetare. Gjatë këtij sesioni do të përsosim më tej funksionimin demokratik të Kuvendit përmes konsolidimit të dialogut konstruktiv politikë midis mazhorancës dhe opozitës. Do të synojmë rolin mbikqyrës të Kuvendit përmes parimit intensiv dhe efikas të kontrollit”, tha Meta.

---Në kuadër të Projektit “Dialogjet Ndërkulturore Artistike Turqi-Shqipëri”, me bashkëpunimin e Muzeut të Peras Suna dhe İnan Kıraç, Institutit Yunus Emre dhe İKASD, Shoqata e Dialogjeve Ndërkulturore Artistike Stamboll, Galeria FAB në Tiranë, mirëpret në datat 20 janar – 03 shkurt 2015 eskpozitat “Nga Kostandinopoli në Stamboll: Fotografi të Bosforit nga mesi i shekullit XIX deri në shekullin XX” dhe “Historia ime” Art Rinor nga Turqia”.

Lidhjet qindravjeçare mes Turqisë dhe Shqipërisë, forcohen përditë e më shumë në sajë të kulturës së përbashkët të ngjizur thellë dhe të bashkëpunimeve të vazhdueshme. Edhe këto dy ekspozita të rëndësishme, të përgatitura në kuadër të Projektit “Ditët e Dialogjeve Ndërkulturore Turqi-Shqipëri”, synojnë që brezat e rinj të sjellin edhe njëherë në mendje dhe të përcjellin këtë pasuri kulturore që vjen nga e shkuara në ditët tona.
Ekspozitat janë përgatitur në kuadër të Projektit “Dialogjet Ndërkulturore Artistike Turqi-Shqipëri”, të konceptuar nga İKASD (Shoqata e Dialogjeve Ndërkulturore Artistike Stamboll), dhe zhvillohen më mbështetjen Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Institutit Yunus Emre dhe Art and Life Project.

---280 nxënës nga 25 shkolla 9-vjeçare të qytetit të Durrësit zhvilluan këto ditë kampionatin e 6-të të shahut, organizuar nga Qendra kulturore e fëmijëve.

Në ceremoninë e hapjes morri pjesë edhe Mjeshtri ndërkombëtar i shahut Fatos Muja, i cili kreu lëvizjen e parë të turneut.
Përgjegjësi i sektorit të sporteve në QKF, Arjan Plaku, tha se vajzat dhe djemtë pjesmarrës u ndanë në tre kategori sipas klasave.
Kampionati që u zhvillua në sallat e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar u monitorua nga Mjeshtri i madh ndërkombëtar, Harallamb Boshku.

Bota
---Autoritetet ukrainase njoftuan sot se dy grupe me ushtarë rusë, rreth 700 të tillë në total, kanë hyrë në territorin ukrainas për të ndihmuar rebelët prorusë në lindje të vendit.

“Sot në mëngjes, dy grupe të forcave të armatosura të Federatës Ruse kaluan kufirin ukrainas”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Andri Lisenko. ”Ata iu drejtuan zonave të kontrolluara nga rebelët”, shtoi ai.

”Grupet kishin në përbërje të tyre 300 deri në 350 ushtarë”, tha Lisenko.

Ditët e fundit janë shtuar edhe incidentet e dhunshme mes trupave ukrainase dhe rebelëve që kanë çuar në vdekjen e dhjetëra personave./ a.jor.

---Pasuria që grumbullon 1% e popullsisë botërore është tani më e madhe se pasuria që zotëron 99% e popullsisë sipas një studimi të organizatës britanike joqeveritare Oxfam. Dhe madje, përshpejtohet rritmi i rritjes së pasurisë që zotëron 1%, pasi në vitin 2015 pritet të arrijë në 50%, ndërsa nga 44% që ishte në vitin 2009, në vitin 2014 arriti në 48%.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën 20 janar vransira të dobta në të gjithë vendin, që në disa zona do të jenë më të dendura dhe do të ketë shira lokale në Epir, në Greqinë Qendrore, Perëndimore dhe Veriore.
Era në Egje do të fryjë mesatare në drejtimin jugor dhe në Jon mesatare në drejtimin juglindje.
Në Attikë temperatura do të arrijë në 16 gradë Celsius, ndërsa në Selanik deri në 14 gradë celsius.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 91,8 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54