Lajmet në gjuhën shqipe 13/01/2015

---Të mërkurën, Gjykata e Lartë do të vendosë për shpalljen e
formacioneve, që do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë në 25
Janar.
Ndërkohë, 29 parti, katër koalicione partish dhe një i pavarur kanë
deklaruar deri të martën pjesmarrjen e tyre në zgjedhjet për deputetë.

---Dy javë përpara zgjedhjeve intensifikohet veprimtaria në skenën politike.
Të martën janë komunikuar fletëvotimet e Shtetit të partive. Në
partinë Demokracia e Re në krye të fletëvotimit të shtetit është
rektori i forcave policore dhe njeriu i qeverisë për të gjitha punët,
Thodorís Fortsákis.

---Kundërshtime ka pasur nga profesorë të universiteteve për
kandidaturën e z.Fortsákis, pasi në njoftimin e tyre të pesë zëvendës
rektorët shprehin hapur mospajtimin e tyre me veprimet e Thodorís
Fortsákis.

---"Mjaft me kaq shumë sakrifica. Po në euro me drejtësisë,
solidaritet dhe demokraci" tha Aleksis Tsipras dje në një intervistë
në kanalin televiziv Star.
Sot, kryetari i SYRIZA bën një turne në Kavála, Dhráma dhe Komotiní.

---Ekstremistët e djathtë dhe jo komunistët po marrin shtëpitë e
botës, deklaroi dje kryetari i Grekëve të Pavarur, Pános Kaménos,
gjatë turneut të tij në Tripoli.

---Kryeson me 4,5 përqind SYRIZA kundrejt Demokracisë së Re, sipas një
sondazhi të zhvilluar nga Universiteti i Maqedonisë për kanalin
televiziv SKAI. Pasojnë Potami me 6,5%, Partia Komuniste dhe Agimi i
Artë me 6%, Grekët e Pavarur dhe PASOK-u me 3%.

---Grevë disa orë, nga ora 09:00 - 13:00 e punonjësve të Pushtetit
Lokal në rajonin e Attikës ka vendosur për të mërkurën Komiteti
Ekzekutiv i Federatës së tyre.
Të mërkurën, mbahet dhe gjyqi kundër të gjithë anëtarëve të Komitetit
Ekzekutiv të Federatës së vitit 2010. Në të njëjtën kohë, nesër në
orën 10:00 në mëngjes do të mblidhen në shenjë solidariteti jashtë
ndërtesës 8-të të Gjykatave të ish shkollës Evelpídon.

---"Lëvizje" e mbylljes së shkollave të mesme nga nxënësit e Patras,
për shkak të përjashtimit të 100.000 të rinjve të moshës 18 vjeç nga
procesit zgjedhor i datës 25 janar.

---Deri në tre ditë do të mund të justifikojnë për të munguar nga
puna, votuesit të cilët dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të
votës larg nga vendbanimet e tyre, sipas një vendimi të nënshkruar nga
zëvendësministri i Punës.

---Rrëzohet padia e deputetit të Agimit të Artë, Kasidiári kundër
Gazetës së Redaktorëve. Të pafajshëm gazetarët, ka vendosur gjykata.

Shqipëri
---Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH ) dhe Drejtoria e Përgjithshme e
Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) janë duke ndjekur me kujdes
të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës që kanë
rënë gjatë ditëve te fundit.

Situata paraqitet e përmirësuar gjatë ditës dhe temperaturat janë
ngritur në akset dhe segmentet që kanë paraqitur probleme.
Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në orët e mbrëmjes dhe orët e para
te mengjesit në segmente të caktuara, për shkak se gjatë natës ka
temperatura të uleta te cilat shkaktojne ngrica. Segmentet që
paraqisin problematike spërkaten me kripë, skorje dhe granil.
ARRSH dhe DPSHTRR kërkojnë mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të
mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njoftojnë sot për
gjendjen e akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to.

---Ministri italian i Punëve të Brendshme, Angellino Alfano do të
vizitojë të mërkurën Shqipërinë, me ftesë të homologut shqiptar,
Saimir Tahiri.
Burime pranë Ministrisë së Brendshme Shqiptare bëjnë të ditur se
takimi pritet të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe
Italisë në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe
trafiqeve./m.m/

---Në tregun e këmbimit valutor vendas, leku të martën ka ruajtuar
pozita të qëndrueshme kundrejt valutave kryesore, dollarë dhe euro,
duke u kuotuar pothuajse me të njëjtat vlera këmbimi sa një ditë më
parë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet me 140.15
lekë, ose 0.02 pikë më pak se një ditë më parë. Ndërsa monedha e
gjelbërt amerikane shitet 118.73 lekë ndaj 118.65 lekë që ishte këtë
fillim jave.
Kambistët shprehen se këmbimi valutor vendas reflekton ecurinë në
bursat ndërkombëtare, ku dominon këtë periudhë forcimi i dollarit ndaj
euros. Ndërsa kërkesë-oferta sipas tyre, bashkë me faktorin
“sezonalitet” që lidhet me fluksin e lëvizjeve të emigrantëve,
ndikojnë padyshim në lëvizjet e tregut valutor vendas.

Bota
---Siç shkruan gazeta spanjolle El Pais, kryeministri spanjoll i
qendrës së djathtë, Mariano Rajoy do të zhvillojë të mërkurën një
vizitë në Athinë në mbështetje të kryeministrit Antoni Samara.

Ndërsa mbështetjen e tij për SYRIZA dhe Aleksi Tsipra ka shprehur të
hënën kreu i partisë së majtë spanjolle Podemos. Pablo Iglesias në një
mesazh për popullin grek vë në dukje:
«Unë mendoj se ka dy opsione në zgjedhjet e ardhshme në Greqi, dy
kandidatë: Kandidati me emrin Angela Merkel dhe përfaqësohet nga parti
të tilla si PASOK-u dhe Demokracia e Re dhe kandidati grek - emri i
tij: Aleksis Tsipras. Unë jam i sigurt se grekët do të zgjedhin një
Kryeministër të ri grek për vendin e tyre. Mendoj se në Jug të Evropës
duhet të kemi kryeministra që do të mbrojnë sovranitetin kombëtar».

---Të paktën 10 persona vdiqën dhe 13 të tjerë u plagosën kur një
predhë artilerie goditi një autobus në lindje të Ukrainës, thanë
burime të autoriteteve lokale.

Autobusi po qëndronte në një pikë ushtarake kontrolli, pranë qytetit
Volnovaha, kur u godit nga një predhë e lëshuar nga separatistët
prorusë, thanë burime nga rajoni i Donetskut. Separatistët mohuan çdo
përfshirje në këtë incident.
“Në Volnovaha ka vetëm një pikë ushtarake kontrolli dhe ajo gjendet
jashtë rrezes së veprimit të armëve tona”, tha një burim i
paidentifikuar zyrtar.
Volnovaha gjendet mes rajonit rebel të Donetskut dhe qytetit port të
Mariupolit, nën kontrollin e qeverisë ukrainase.
Më shumë se 4.800 persona kanë humbur jetën në Ukrainë nga luftimet që
nga prilli i vitit 2014.

---Një person humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën për shkak
të tymit të dendur që u përhap në metronë e Uashingtonit si pasojë e
një zjarri.

Autoriteti i transporteve në Uashington (WMATA) konfirmoi vdekjen e një personi.
Shërbimet mjekësore të urgjencës në Uashington theksuan se 84 persona
ishin shtruar në spital për plagë të ndryshme. Rreth 200 persona iu
nënshtruan kontrolleve mjekësore.
Sipas ”Washington Post”, dy persona vuanin nga plagë të rënda. Tymi u
përhap në stacionin ”Enfant Plaza”, në qendër të qytetit, ku të paktën
pesë linja metrosh kryqëzohen dhe qindra udhëtarëve u është dashur të
evakuohen.
Këshilli Kombëtar për sigurinë e transporteve theksoi se kishte
ndodhur një rrymë elektrike rreth 330 metra para një treni dhe kjo ka
gjeneruar tym, sipas ”Washington Post”.

---Rreth 27 mijë shoferë autobusësh në Londër kanë zhvilluar një grevë
24-orëshe ditën e martë, e cila ka shkaktuar kaos në udhëtim për
miliona qytetarë në kryeqytetin anglez.

“TfL”, organ i pushtetit lokal, përgjegjës për sistemin e transportit
në Londër, lëshoi një email të hënën pasdite, duke konfirmuar grevën
dhe duke vënë në dukje problemet e mëdha me të cilat do të hasen
udhëtarët gjatë ditës së martë.
Shoferët e autobusëve e zhvillojnë këtë greve në lidhje me pagat e
tyre, pasi nuk kanë një normë kolektive, por në varësi të operatorëve
që veprojnë.

Moti
---Mot të përmirësuar në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim
të Kretës dhe Dodekanezit, ku do të ketë shira dhe stuhi lokale presim
për të mërkurën 14 janar sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik.
Në Attikë temperatura minimale do të jetë 4 gradë Celsius dhe
temperatura maksimale 14 gradë Celsius, ndërsa në Selanik temperatura
minimale do të jetë -2 gradë Celsius dhe ajo maksimale 9 gradë
celsius.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 91,8 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54