Lajmet në gjuhën shqipe 27/04/2015

---Athina vendosi sot t’u japë një shtysë të re diskutimeve me kreditorët, BE dhe FMN duke riorganizuar ekipet e negociatave, bënë të ditur burime qeveritare.

“Një ekip politik për negociatat do të krijohet nën drejtimin e Giánis Varufákis, ministër i Financave me koordinator Efkleídis Cakalótos, zëvendësminitër i Punëve të Jashtme i ngarkuar me marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare”, theksoi i njëjti burim.

Ky riorganizim ndodhi tre ditë pas një takimi jozyrtar të ministrave të Financave të zonës euro (Eurogrup) në Riga, gjatë të cilit duket se një klimë negative është krijuar kundër Giáni Varufáki, i cilësuar si përgjegjës nga partnerët ndërkombëtarë për bllokimin e negociatave, përsa i përket vazhdimit të dhënies së kredive për Greqinë.

---Nën drejtimin e ministrit të Financave, Giánis Varufákis është mbledhur të hënën pasdite "ekipi negociator politik" me institucionet. 

Në takim kanë marrë pjesë zëvendësministri i Punëve të Jashtme i ngarkuar me Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare, Efkleídis Cakalótos dhe sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Spýros Sagiás. 

Në orën 19:00 është zhvilluar përmes një telekonference dhe takimi i Brussels Group, siç tha një faktor i lartë i Ministrisë së Financave.

Vendimi që të ngrihet grupi politik negociator është marrë në mbledhjen që është mbajtur të dielën në Pallatin Maksimou, gjatë të cilës u konfirmua mbështetja për ministrin e Financave, «që është bërë një objektiv i publimit metodik i shtypit ndërkombëtar». 

Siç u theksua nga qarqet e kryeministrisë, z.Varufákis gjithmonë vepron në kuadrin e vendimeve kolektive dhe organeve ekzekutive të qeverisë dhe me të njëjtën mënyrë do të vazhdojë të punojë për një zgjidhje të qëndrueshme.

---"Nuk është e mundur që të mos ketë një marrëveshje në qershor", theksoi Pierre Moskovisi, duke shprehur vlerësimin e tij për progresin e negociatave me Greqinë. 

Komisioneri Evropian vuri në dukje në të njëjtën kohë, se mesazhi i Eurogrupit në Riga "ishte i rreptë dhe në çdo rast vendimtar" dhe shprehu bindjen për "pakthyeshmërinë" e monedhës së përbashkët.

"Në ditën që një vend vendos të lërë euron nuk ka asnjë mekanizëm ligjor ekzistues Nëse një vend largohet, atëherë euro nuk është më një monedhë e vetme dhe pyetja që do të vihet është: kush është pasuesi" vuri në dukje ai.

---«Për disa çështje, Evropa duhet të marrë vendime politike dhe të anashkalojë teknokratët», theksoi presidenti i Republikës, Prokópis Pavlópoulos në një intervistë me revistën gjermane Spiegel dhe duket se është optimist në lidhje me përparimin e negociatave.

Presidenti u shfaq optimist për ecurinë e negociatave dhe siguroi se vendi i tij ka ndërmend të paguajë «borxhin deri në euron e fundit» dhe theksoi se Greqia kërkon vetëm që të ketë të njëjtin trajtim me Shtetet e tjera Anëtare, duke plotësuar se «disa nga masat që na kanë imponuar nuk mbulohen nga e Drejta e Bashkimit Europian».

---Ka nisur të hënën në seancën plenare të Parlamentit debati për parimin, nenet dhe për të gjithë projekt-ligjin për Radiotelevizionin e ri publik.

«Me projekt-ligjin që po debatojmë, ERT-i rihapet pa mëkatet e së kaluarës», theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, deputetja e SYRIZA dhe raportuesja e projekt-ligjit, Aglaïa Kyrítsi.

Ajo vuri në dukje se projektligji është rezultat i konsultimit të madh social dhe dialogut që doli nga përvoja e vetë-organizimit dhe vet-menaxhimit të punonjësve të ERT-it si dhe nga kërkesa për një radiotelevizion publik dhe pluralist.

---Gati 10 milionë janë «punonjësit që punësohen pjesërisht» në Bashkimin Evropian, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2014. 

2/3 e këtyre punonjësve janë gra. Përqindja më e lartë e punonjësve me punë part-time është në Greqi (72,1%). Ndjekin Qipro (65,9%) dhe Spanja (57,3%).

---Një kushtim prej 14 faqe për Peloponezin dhe në mënyrë të veçantë për qytetin dhe rajonin e gjerë të Kalamátas bëhet në revistën mujore in-flight të kompanisë së linjës ajrore Air France, në numrin e muajit prill.

Përveç plazhit të pafund të Kalamátas, historisë së pasur dhe atraksioneve të shumta, kushtimi i referohet edhe prodhimit të vajit të mrekullueshëm, të virgjër të ullirit dhe pemës së ullirit.

Shkruar në dy gjuhë (frëngjisht dhe anglisht) dhe nëpërmjet një materiali të pasur fotografik, artikulli përshkruan në detaje procesin e prodhimit, paketimit dhe tregtimin e vajit të ullirit, duke ftuar lexuesin që të vizitojë qytetin, të admirojë fshatrat tradicionale të Messinías dhe të shijojë kuzhinën lokale me recetat e shijshme tradicionale.

Shqipëria
---Lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikimeve të ndryshme ishte në thelb të seminarit të zhvilluar të hënën në Tiranë me temë “Shqipëria në Europol, rrjeti i shkëmbimit të informacionit”, ku merrte pjesë dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, Ambasadori i OSBE-së Florian Rauning, si dhe përfaqësues të Europol.

Gjatë seminarit, ndër të tjera u theksua se bashkëpunimi mes Europol dhe Policisë shqiptare është shumë i rëndësishëm në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar dhe trafikimeve të ndryshme.

Haki Çako në përshëndetjen e tij theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në luftën ndaj trafikimeve, si dhe krimit të organizuar. “Bashkëpunimi me Europol është thelbësor në rritjen e forcës sonë goditëse në luftën ndaj shkelësve të ligjit. Në një kohë kur krimi është pa kufij, bashkëpunimi me Europol është një udhërrëfyes i rëndësishëm për të neutralizuar rrjetet e ndryshme kriminale”, vijoi ai.

Përfaqësuesi i Europol, Soren Pedersen u shpreh se bashkëpunimi është jetik për rezultate efikase, ndërsa Florian Rauning, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë tha se përgjigjet ndaj krimit duhet të jenë novatore dhe se terrorizmi përbën një kërcënim global./m.m/

---Banka e Shqipërisë publikoi të hënën rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues në tremujorin e parë të vitit 2015, që tregon për shtrëngim të standardeve të kredidhënies të aplikuara nga bankat si për bizneset, ashtu edhe për individët.

Sipas BSH-së, standardet e kredisë për bizneset u shtrënguan për të dytin tremujor rresht, kryesisht si pasojë e shtrëngimit të standardeve të kredisë dhënë për ndërmarrjet e mëdha. Për sa i përket kredisë dhënë individëve, bankat shprehen për shtrëngim të lehtë të standardeve si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.

Ekspertët bankar shpjegojnë se, ecuria e standardeve u ndikua negativisht nga faktorë që lidhen me gjendjen financiare të individëve dhe të bizneseve, kreditë me probleme, si dhe me problemet specifike të sektorit ku operon biznesi. Sipas BSH-së, kushtet kryesore me të cilat bankat zbatuan një politikë shtrënguese për bizneset ishin zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik dhe ulja e madhësisë së kredisë.

Ndërsa kërkesa për kredi, gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, është vlerësuar në rënie për bizneset dhe në rritje më të ulët krahasuar me tremujorin e kaluar për individët. Për bizneset, rënia e kërkesës ka ardhur kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ngadalësimi i kërkesës për kredi nga individët pasqyron ngadalësimin e kërkesës për kredi konsumatore./m.m/

---Rreth 55 biznesmenë që punojnë në sektorin e serrave, bimëve medicinale, teknologjisë bujqësore, administrimin e ujrave do të jenë të pranishëm në Panairin e 19-të Ndërkombëtar të Bujqësisë, “Agritech 2015″ që do të zhvillohet nga data 28-30 Prill në Tel Aviv, Izrael.

Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadë së Izraelit, ky panair pasqyron e demonstron zhvillimet intensive e moderne të bujqësisë izraelite. Në fokus të këtij Panairi do të jenë arritjet e teknologjisë dhe shkencës agrobujqesore, ekologjisë, plastikulturës, sistemet e vaditjes, bujqësisë organike apo administrimit të ujit, si dhe akuakultura e florikultura.

Pjesë të delegacionit do të jenë përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Unioni i Kreditimit të Biznesit Bujqësor dhe Këshillit të Agrobiznesit. Gjithashtu, pritet që në këtë aktivitet të marrë pjesë edhe Ministri i Bujqësisë Edmond Panari, ku është parashikuar të zhvillohen bisedime me kompani, investitorë e autoritetet homologe izraelite për ngritjen e Qëndrës së Laboratorit të Analizës e Çertifikimit të prodhimeve bujqësore, të produkteve të mishit e qumështit, të analizave të ujit për nevoja bujqësore e të tokës, si dhe bashkepunimin në sektorin e farërave. e,xh/ /a.g/

---Ministria e Arsimit dhe Sportit ftoi ditën e hënë të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë në vend, që t’i bashkohen nismës solidare për të mbajtur një minutë heshtje, për studentët e vrarë më 2 prill të këtij viti në Kenia.

Shoqata e Universiteteve Evropiane u është drejtuar të gjithë universiteteve evropiane për t’u solidarizuar në ndihmë të viktimave të sulmit makabër në Universitetin Garissa në Kenia, ku humbën jetën 147 studentë të pafajshëm. Kjo thirrje solidarizimi vijon apelin njerëzor për të ndaluar të gjitha aktet e dhunshme në ambientet universitare, kundër studentëve dhe vlerave akademike.

Duke dënuar ashpër sulme të tilla në arsim si në rastin e vrasjes së studentëve në Kenia, të cilat dhunojnë lirinë e mendimit, MAS mbështet nismën e ndërmarrë nga Shoqata e Universiteteve Evropiane dhe i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe grupeve të interesit të solidarizohen dhe të kontribuojnë në të ardhmen për mbrojtjen e këtyre të drejtave universale./m.m/

---Superliga ka mbërritur në fundin e saj. 4 javë kanë mbetur për të përcaktuar, ekipin kampion, pjesëmarrësit në kupat e Europës dhe skuadrën që do të ndjekë Elbasanin në Kategorinë e Parë. 

Humbja e Kukësit me Skënderbeun ka zbehur mundësinë që ekipi verilindor të shpresojë për titullin megjithëse matematika akoma ia lejon. Dorëzimi në një farë mënyre ka qenë shkarkimi i Artim Shaqirit për mos arritje të objektivit kryesor fitimin e titullit. Ai është zëvendësuar nga drejtori aktual sportiv, Miodrag Radanovic. 

Skënderbeu është ekipi kryesor që ka mundësi më të mëdha për të fituar kampionatin i ndjekur nga Tirana, me të cilën ka edhe një ndeshje direkte. Rëndësi ka edhe derbi i kryeqytetit që do të luhet të hënën e ardhshme. Bardheblutë kanë kalendarin më të vështirë. Garë e hapur edhe për kupat e Europës, ku llogaritë lejojnë edhe Laçin që të mendojë këtë mundësi edhe nga kampionati. 

Në fund mbetet ekipi që do të bie nga kategoria. Humbja me Partizanin ka vështirësuar punët për Teutën, pasi Apolonia është 4 pikë larg. Gara pritet e fortë deri në fund ku edhe një 90 minutësh mund të kushtojë mundin e të gjithë sezonit.

Bota
---Rreth një milionë fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare pas tërmetit të përgjakshëm që ka shkaktuar më shumë se 3.200 të vdekur në Nepal, theksoi të hënën UNICEF.

”Mijëra fëmijë e kalojnë natën jashtë që prej tërmetit që ka goditur Nepalin, ashtu si dhe prindërit e tyre dhe rreziqet e përhapjes së sëmundjeve janë të larta”, shtoi organizata e specializuar e OKB-së.

“Të paktën 940.000 fëmijë që jetojnë në zonat shumë të prekura nga tërmeti në Nepal kanë një nevojë urgjente për ndihmë humanitare”, sipas një komunikate.

UNICEF-i theksoi se ka mobilizuar ekipe dhe do të dërgojë në Katmandu dy avionë të ngarkuar me 120 tonë ndihma humanitare, tenda dhe batanije.

Tërmeti me magnitudë 7,8 ballë Rihter goditi të shtunën Nepalin, duke shkatërruar ndërtesa dhe monumente historike, ndërkohë që rrugët janë të bllokuara./ec/

---Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta kanë shkaktuar të paktën 44 të vdekur dhe 200 të plagosur që prej dje në mbrëmje në veri të Pakistanit, njoftuan të hënën autoritetet.

Stuhitë, të cilësuara si mini ciklone, nga një zyrtar i shërbimeve meteorologjike pakistaneze, goditi të dielën në mbrëmje rajonin e Peshauarit, qytet i madh në veriperëndim të vendit pranë kufirit afgan, ku çatitë janë shembur dhe rrugët janë bllokuar nga pemët e rrëzuara.

“Të paktën 44 persona kanë humbur jetën dhe 202 të tjerë janë plagosur. Erërat e forta dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë dëmtuar rëndë plantacionet dhe fushat me grurë”, deklaroi Mushtaq Ghani, ministër i Informacionit.

”Rrjetet elektrike janë dëmtuar gjithashtu”, theksuan autoritetet, që po përpiqen sot të rikthejnë energjinë në Peshauar dhe në rajonet fqinje të Nowsheras dhe Charsaddas./ec/

---Presidenti në ikje i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaiev u rizggjodh dje me 97,7 për qind të votave për presidencën e këtij vendi të Azisë Qendrore gjatë zgjedhjeve të parakohshme me një pjesëmarrje rekord prej më shumë se 95 për qind, njoftoi të hënën Komisioni Zgjedhor Qendror (CEC).

Sipas një zyrtari të CEC, Nursultan Nazarbaiev mori 97,7 për qind të votave, duke lënë më pak se tre për qind për dy kandidatët e tjerë, Abelgazy Koussainov dhe Tourgoun Syzdykov. Përqindja e pjesëmarrjes ishte 95,22 për qind.

“Kjo përqindje rekord e pjesëmarrjes tregon unitetin e popullit kazak, dëshirën për një jetë të qendrueshme dhe mbështetjen për programin që ju kam paraqitur”, theksoi Nazarbaiev, disa minuta pas publikimit të sondazheve të para që e nxirrnin fitues. “Pa këtë besim, do të ishte e vështirë të arrinim të bënim Kazakistanin një prej 30 vendeve më të zhvilluara në botë, objektivi që ka vendosur Nursoultan Nazarbaev për vendin e tij”, shtoi ai.

Presidenti kazak u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij, të merrnin pjesë masivisht në këto zgjedhje të mbikëqyrura nga më shumë se 1.000 vëzhgues ndërkombëtar, për të provuar në mënyrë bindëse unitetin e tyre para mbarë botës./ec/

---Presidenti sudanez, Omar el-Bechir u rizgjodh sot për pesë vjet me 94,5 për qind të votave, njoftoi të hënën komisioni zgjedhor, një fitore gjerësisht e pritur pas këtyre zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

“Numri i votave të marra nga kandidati, Omar Hassan Ahmed el-Bechir, i Partisë së dytë të Kongresit Kombëtar, është 5.252.478, rreth 94,5 për qind”, deklaroi shefi i Komisionit Zgjedhor, Mokhtar al-Assam, për shtypin, 10 ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve./ec/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Martën, 28 prill në Epir, Maqedoninë perëndimore dhe qëndrore shira dhe gradualisht stuhi të forta. Favorizohet transferimi i pluhurit në rajonet lindore dhe jugore të vendit. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jug - juglindje nga 4 deri në 6 ballë, që gradualisht do të kthehet në drejtimin perëndimor. Temperatura do të shënojë rritje të vogël në rajonet lindore dhe jugore.

Në Attikë parashikohen re të pakta, ndërsa era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 4 deri në 5 ballë në zonat jugore dhe në zonat lindore deri në 6 ballë. Temperatura do të variojë nga 10 deri në 25 gradë Celsius.

Në Selanik priten vransira të përkohshme me shira lokale dhe stuhi në disa zona të qytetit në mesditë dha pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 3 deri në 4 ballë, e cila gradualisht do të kthehet në drejtimin perëndim - veriperëndim me të njëjtin intensitet. Temperatura do të variojë nga 10 deri në 21 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54