Lajmet në gjuhën shqipe 24/04/2015

---Zona euro dhe Greqia nuk kanë të drejtë të mos arrijnë një marrëveshje, konfirmoi sot ministri grek i Financave, Janis Varufakis, pas një takimi të zonës euro që nuk ka regjistruar avancime në negociata.

“Ashtu si evropianët, ne nuk kemi të drejtë të mos arrijmë në një marrëveshje”, konfirmoi ministri, i vënë nën presion nga homologët për të përshpejtuar diskutimet për programin e reformave që Athina është angazhuar të paraqesë.

Ministri grek pranoi që negociatat po zgjasin. Por, kjo ndodh sepse ne nuk dëshirojmë të marrim angazhime që nuk do të mund t’i mbanim (…) që grekët nuk mund t’i mbështesin plotësisht.

---Nënvizuam bashkarisht progresin esencial që është shënuar kohët e fundit në negociatat e Grupit të Brukselit dhe se është mbuluar një pjesë e madhe e distancës, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras, duke iu referuar takimit që pati me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Hollande dhe presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Cipras u shpreh optimist se “do të mundim së shpejti të kemi një evidentim të këtij progresi esencial”.

Sipas kryeministrit “jemi më afër marrëveshjes së ndërmjetme, nga sa ishim ditët e mëparshme dhe për këtë jam shumë optimist”.

Lidhur me kryetemën e samitit të jashtëzakonshëm, problemin e emigrantëve dhe refugjatëve, Cipras tha se është “një nga çështjet më të rëndësishme që ka për të trajtuar Europa në vitet e ardhshme dhe do të ishte mirë që çështje të tilla të mos trajtohen spontanisht me rastin e ngjarjeve të dhimbshme, por të planizojmë një strategji totale që do të respektojë sa të drejtat e njeriut, aq edhe sigurinë e qytetarëve evropianë”.

”Në samit e bëmë të qartë se problemi i emigrantëve dhe refugjatëve nuk ka të bëjë vetëm me zonat e Mesdheut në Afrikën Veriore, por edhe Mesdheun Lindor, ku ekziston një portë e rëndësishme prej nga hyjnë fuklse kryesisht refugjatësh”, theksoi Cipras.

---Me një shkresë urgjente, Departamenti i Financave i Pushtetit Vendor i Ministrisë së Brendshme ka dërguar të premten vonë pasdite në Administratën e Decentralizuar dhe në bashkitë e vendit të gjitha detajet, lidhur me zbatimin e aktit legjislativ për rezervat monetare të komunave dhe rajoneve.

---Në një klimë të tensionuar ka vazhduar të diskutohet në seancën plenare të Parlamentit, Akti legjislativ për transferimin e rezervave financiare të subjekteve të qeverisë së përgjithshme në Bankën e Greqisë, i cili është votuar nga partitë e shumicës dhe u kundërshtua nga opozita, në Komisionit Parlamentar kompetent. 

Krahas, takimeve të veçanta me Bashkimin e Rajoneve të Greqisë dhe me Bashkimin Qendror të Bashkive të Greqisë do të ketë të shtunën, kryeministri Aleksis Cipras.

---Shifra 5.945 përcaktohet si numri maksimal i emërimeve në Pushtetin Lokal të shkallës së parë dhe të dytë për vitin 2015 sipas Vendimit të Përbashkët Ministror, që është nënshkruar nga Ministri i Brendshëm dhe Riorganizimit Administrativ, Nikos Vucis, zëvendës Ministri i Reformës Administrative, Giórgos Katroúngalos dhe zëvendës ministri i Financave, Dimitris Mardas.

---Ministri i Jashtëm grek, Nikos Koxias deklaroi se homologu i tij amerikan John Kerry e kishte siguruar se SHBA-ja ishte e gatshme për një kundërofertë ndaj gazsjellësit rus ”Gazprom”, në ndërkohë që i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për çështjet energjetike ndërkombëtare, Amos Hochstein do të vizitonte së shpejti Athinën.

Gjatë një interviste me agjencinë Associated Press, në Uashington, ku analizoi qëndrimet e Greqisë, Koxias përmendi edhe çështjen e Savas Ksiros si edhe ecurinë e negociatave greke me kreditorët.

Koxias i cilësoi bisedimet me ”Gazprom”-in si një vendim ekonomik dhe jo politik.

I pyetur për negociatat e Greqisë me kreditorët evropianë, Koxias tha se Greqia ishte e gatshme të bënte kompromise dhe se evropianët do të duhej të respektonin fitoren e zgjedhjeve të janarit nga SYRIZA.

---Erdhi drejtësia për banorët e Ithakis dhe të Kefalonias, pasi është nënshkruar nga Zëvendës ministri i Marinës Detare, Theodhori Dricas shpallja e fillimit të linjës së tragetit që lish Samin dhe Ithakin me Patrën, pas tetëmbëdhjetë muajsh ndërprerje të linjës.

---Tre ishuj grekë janë në vendet e para të dhjetë ishujve më të bukur në të gjithë Evropën, ndërsa Santorini përveç «vendit të parë evropian», renditet në vendin e katërt të ishujve më të bukur të botës, sipas renditjes vjetore të TripAdvisor për vitin 2015 (Travellers’ Choice Awards for 2015).

Në vendin e parë të ishujve më të mirë në mbarë botën është gjetur parajsa ekzotike e Karaibeve që mban emrin Turks dhe Caicos (Turks and Caicos) dhe Maui në Hawaii dhe Roatán në Honduras plotësojnë tre vendet e para.

Në listën Evropiane, përveç Santorinit, dy ishujt e tjerë grekë që u dalluan janë Zákynthos dhe Kreta, ndërsa Spanja ka arritur të ketë tre ishuj të saj në dhjetë vendet e para.

Ishujt më të mira në botë: Providenciales, Turks dhe Caicos, Maui,Hawaii, Roatán, Honduras, Santorini, Greqi, Ko Tao, Tajlandë, Madeira, Portugali, Bali, Indonesi, Mauritius, Bora Bora, Polinezia Franceze, Fernando de Noronha, Brazil, 

Ishujt më të mirë të Evropës: Santorini, Greqi, Madeira, Portugali, Kreta, Greqi, Zakynthos, Greqi, Fuerteventura, Spanjë, Jersey, Channel Islands, Majorca, Spanjë, Capri, Itali, Tenerife, Spanjë, Corsica, Francë.

Shqipëria
---Kryeministri Edi Rama nisi të premten një vizitë në Stuttgart, kryeqendra e landit të tretë më të madh në Gjermani, Baden Wurttemberg. Kryeministri shoqërohet në këtë vizitë nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Takimin e parë, Kryeministri e zhvilloi me Kryeministrin e qeverisë së Baden Wurttemberg, Winfried Kretschmann, ku u diskutua mbi mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit dhe u mbështet nevoja për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për vlerësimin e tyre.

Në fjalën e tij të mikpritjes, Kretschmann i shprehu Kryeministrit konsideratën për ndërmarrjen e një kursi të vështirë reformash, por të rëndësishme për vendin dhe perspektivën europiane të tij.

Në takim u fol për nxitjen e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e dijes dhe posaçërisht të arsimit profesional. Sipas Kryeministrit Rama, ajo çka Shqipëria mund të përfitojë nga Gjermania është sidomos ekspertiza e nivelit të lartë. Kryeministri zhvilloi gjithashtu një bashkëbisedim me investitorë të automobilistikës të landit të Baden Wurttemberg-ut, në Mercedes-Benz Museum.

Kryeministri Edi Rama bëri një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri, reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, sikundër iniciativat në kuadrin ligjor për lehtësimin e klimës së bërjes biznes dhe investimeve.

---Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Ambasadori Gjerman në Tiranë, Helmutt Hoffman zhvilluan të premten në mesditë një inspektim në pikën e kalimit kufitar të Morinës, në Kukës.

Gjatë inspektimit, Ministri Tahiri dhe Diplomati Gjerman në Tiranë u njohën nga afër me procedurat e kalimit në pikat kufitare, rigorozitetin e punës së punonjësve të policisë kufitare në respektimin e rregullave të kalimit kufitar.

Në një prononcim për mediat, Ministri Tahiri dhe Ambasadori Hoffman i bën apel qytetarëve shqiptarë të mos bien pre e mashtrimeve për azil.  “Policia kufitare po punon me rigorozitet maksimal për të garantuar kalimin e qytetarëve nga njëri vend në tjetri”, tha Tahiri. Gjithashtu ai garantoi se të gjithë qytetarët shqiptarë që kërkojnë të shfrytëzojnë regjimin e lirë të vizave nuk do të kenë asnjë problem për të kaluar në pikat kufitare. Po ashtu Tahiri tha se Policia e Shtetit po heton të gjitha agjencitë e udhëtimit, apo persona të veçantë që po abuzojnë me çështjen e kërkesës për Azil.

---Gjatë vitit 2014, eksportet me vendet e BE-së zunë 77,4 % të totalit, me një rritje prej 4,8 %, krahasuar me 2013-tën, ndërsa eksportet me vendet e CEFTA (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Moldavia) zunë 11,6 % të eksporteve, duke u rritur 12,3 % krahasuar me një vit më parë.

Italia, Greqia, Kosova, Kina dhe Turqia mbeten në vendet e para për shkëmbimet tregtare, ndërsa përvijohet zgjerimi i hartës gjeografike. Produktet kryesore të eksporteve shqiptare për periudhën 5-vjeçare 2010-2014 ishin kryesisht nga përpunimi aktiv i produkteve si tekstile dhe këpucët, mineralet, nafta.

---Të gjithë personat që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë duhet të plotësojnë deklaratën individuale vjetore. 

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, afati përfundimtar për deklaratën e të ardhurave të vitit 2014 është 30 prilli.

Plotësimi i deklaratës bëhet vetëm në formë elektronike dhe individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë që realizojnë me të ardhura personale mbi 2 milion lekë në vit dhe personat jo-rezidentë (individë të huaj) që realizojnë të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë mbi 2 milionë lekë në vit.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave, përmban një sërë të dhënash dhe kategorish që duhet të plotësohen brenda formularit përkatës të saj. Të gjithë ata që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë duhet të plotësojnë formularin dhe ta dorëzojnë atë pranë tatimeve. Formulari është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë bëhet deklarimi individual i personit që ka krijuar të ardhurat.

Ndërsa në pjesën e dytë bëhet plotësimi me të dhënat shtesë të personave nën kujdestarinë e deklaruesit. Ky dokument përfshin të dhëna personale për individin, shoqëruar më pas nga ato që kanë të bëjnë me punët ku ai është përfshirë apo aktivitetet e ndryshme, që i sigurojnë atij të ardhura gjatë vitit. Deklarimi i të ardhurave personale dhe familjare nga ana e qytetarëve do të ndihmojë në uljen e evazionit fiskal./a.gjonaj/ /a.ke/

---Sezoni veror turistik ka trokitur dhe fundjavat popullojnë qytetin e Durrësit dhe vijën bregdetare të tij. 

Nderkohe, masat për të pastruar këtë vijë bregdetare ende nuk kanë nisur te merren. Në plazhin e Durrësit frekuentuesit e parë shprehin shqetësim për zonën që nuk është pastruar, ndërkohë që një vit më parë në këtë aksion u përfshi edhe ushtria.

Na ndajnë pak ditë nga hapja e sezonit turistik dhe bregdeti i Durrësit vijon të jetë i pushtuar nga mbeturinat e shumta. Zonat turistike duket se po neglizhohen pasi ende asnjë institucion nuk eshte angazhuar për marrjen e masave në terren. Vetë vizitorët shprehen të shqetësuar për vonesën, sepse kanë nisur t’a frekuentojne qe tani zonën e plazhit.

Gjatë sezonit të vitit të kaluar gjithashtu bregdeti i Durrësit pati  probleme me mbeturinat, por angazhimi i bashkisë, strukturave të Ministrisë së Turizmit, si dhe i Forcave të Armatosura, bënë që situata të normalizohej, duke çuar në një sezon normal turistik në këtë vijë bregdetare. /a.ke/

Bota
---Udhëheqësit evropianë kanë rënë dakord për të trefishuar financimet për operacionet e kërkimit dhe shpëtimit të migrantëve në Detin Mesdhe.

Pas një takimi urgjent, mbrëmjen e së enjtes, liderët e BE-së po ashtu kanë thënë se do të shohin mënyrat për kapjen dhe shkatërrimin e anijeve të kontrabandistëve dhe për dërgimin e zyrtarëve të migracionit në vendet joanëtare të BE-ë.

Disa vende evropiane kanë premtuar më shumë anije dhe burime të tjera.
Samiti është zhvilluar pas vdekjes së gati 800 migrantëve të dielën. Ata janë mbytur, pasi anija e tyre, e cila është nisur nga Libia, është fundosur në ujërat e Mesdheut.

---Disa udhëheqës botërorë, mes të cilëve presidentët francez dhe rus, François Hollande dhe Vladimir Putin, kanë zhvilluar të premten homazhe në Erevan për viktimat me rastin e 100-vjetorit të gjenocidit armen, duke premtuar se ata nuk do të harrohen kurrë.

Në Memorialin e Gjenocidit, i ndërtuar në kryeqytetin armen, krerët e delegacioneve të huaja kaluan një nga një “Rrugën e zisë” për të takuar çiftin presidencial armen.

Pasi mbajtën një minutë qetësi, para një tribune ku ishin ulur pranë njëri-tjetrit François Hollande dhe Vladimir Putin, presidenti armen falenderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm, duke u shprehur se asgjë nuk harrohet.

Ndër të tjera, presidenti francez vlerësoi se Turqia pati “rol kryesor” në gjenocidin armen, por “të tjerë janë duke pritur diçka”, pasi Ankaraja ende refuzon të pranojë masakrat e vitit 1915.

“Për Rusinë, asgjë nuk mund t’i justifikojë masakrat massive”, tha presidenti rus. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka që popujt të mos përjetojnë tmerret e ksenofobisë, dallimit fetar apo nacionalizmit agresiv”, tha ai./m.l/ a.jor.

---Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka përshkruar vrasjen masive të armenëve etnikë nga forcat otomane, 100 vjet më parë, si masakër të tmerrshme, por ka shmangur përdorimin e termit gjenocid.

"Populli armen i Perandorisë Osmane është dëbuar, masakruar dhe ka marshuar deri në vdekje. Kultura dhe trashëgimia në atdheun e tyre të lashtë janë shuar", ka thënë Obama.

Vrasja dhe dëbimi i 1.5 milion armenëve nga turqit otomanë gjatë Luftës së Parë Botërore, nga shumë historianë dhe shtete konsiderohet si gjenocid.

Turqia nuk e pranon këtë term, duke thënë se shifrat e armenëve të vrarë kanë qenë shumë më të vogla. Obama ka thënë se qëndrimi i tij për çështjen nuk ka ndryshuar.

---Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan konfirmoi të premten se vendi i tij ndante dhimbjen me komunitetin armen, që sot përkujton 100-vjetorin e vrasjes së rreth 1,5 milionë armenëve, pas dëbimit në Anadoll gjatë viteve 1915-17.

Në një mesazh të lexuar gjatë një meshe përkujtimore në Patriarkanën Armene të Stambollit, Erdogan tha se “portat e zemrave tona janë të hapura për pasardhësit e armenëve të vrarë otomanë”.

Në ndërkohë, Turqia feston sot 100-vjetorin e Betejës së Dardaneleve./a.jor.

---Policia italiane tha të premten se kishte zbuluar një rrjet islamik të al-Kaedës me bazë në Sardenjë dhe urdhëroi arrestimin e 18 personave, mes tyre edhe dy ish-truproja të Bin Ladenit, nën akuzën se kishin marrë pjesë në aktet terroriste në Pakistan.

Këta 18 persona, tetë prej të cilëve u ndaluan në Galura në Sardenjë, u akuzuan se i përkisnin “një organizate të dedikuar ndaj akteve kriminale ndërkombëtare, duke u frymëzuar nga Al-Kaeda dhe nga organizata të tjera radikale që përhapin luftën kundër Perëndimit dhe rebelimin kundër qeverisë aktuale të Pakistanit”, thuhet në mandatarrestin e tyre.

Mes tyre, gjendeshin edhe dy ish truproja të ish kreut dhe themeluesit të Al-Kaedas të vrarë në vitin 2011 në Pakistan, Osama Bin Laden. Këta islamikë akuzohen gjithashtu se janë përgjegjës ose kanë marrë pjesë në aktet terroriste në Pakistan, ku sulmi në tregun Meena Bazar në Peshawar në tetor të vitit 2009 solli vdekjen e 100 personave.

Organizata në Itali kishte udhëheqës një imam, i lëvizjes “Tabligh Eddawa” me qendër në Lombardi (në veri), i cili përfitonte nga autoriteti fetar dhe nga prestigji i tij për të mbledhur fonde. Ministri i Brendshëm, Angelino Alfano, e cilësoi “të jashtëzakonshëm” zbulimin e këtij rrjeti./m.l/ a.jor.

---Policia e Velesit ka njoftuar se të enjten rreth orës 22:30 treni që ka qarkulluar në relacionin Veles-Shkup ka shtypur mbi 50 emigrantë dhe mendohet që ka shumë të vdekur.

Disa media maqedonase thonë se numri i të vdekurve mund të jetë mbi 10 persona. Për shkak se vendi ku ka ndodhur tragjedia nuk është i kapshëm me automjete por vetëm me tren, është vështirësuar edhe ndihma ndaj të lënduarve.

---Zvicra kryeson Indeksin e Lumturisë në Botë, të hartuar nga Rrjeti për Zhvillim të Qëndrueshëm, një iniciativë kjo e Kombeve të Bashkuara. 

Ajo është e para në listën prej 158 vendeve. Pas saj radhiten Islanda, Danimarka, Norvegjia dhe Kanadaja. Rradhitja e vendeve ballkanike sipas këtij dokumenti është interesante. Kosova zë vendin e 69-të, Mali i Zi 83-tin, Serbia 87-in, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë 93-tin, Shqipëria në të 95-in dhe Bosnja 96-in.  

Ndërkaq vendet ku popullsia është me pak të lumtura gjenden në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Togo, Burundi, Benini, Ruanada dhe Siria janë më së paku të lumtura. Indeksi i Lumturisë në Botë ka për qëllim të ndikojë në politikat qeveritare të vendeve të ndryshme.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Shtunën, 25 prill vransira me shira lokale dhe stuhi sporadike, kryesisht në rajonet qendrore dhe në zonat malore kontinentale dhe përmirësim gradual. Në mëngjes, dukshmëria do të jetë lokalisht e kufizuar në zonat qendrore dhe veriore, ndërsa favorizohet transferimi i pluhurit në rajonet jugore.   

Në Attikë parashikohen vransira të shumta me shira lokale, kryesisht në mesditë dhe pasdite, ndërsa në zonat veriore ka mundësi të ketë stuhi sporadike. Nga mbrëmja moti do të përmirësohet. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 3 deri në 5 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 10 deri në 20 gradë Celsius.

Në Selanik priten vransira të shumta me shira lokale dhe në mesditë e pasdite do të ketë stuhi sporadike, ndërsa në mbrëmje moti do të përmirësohet. Era do të fryjë mesatare në drejtime të ndryshme nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 8 deri në 19 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54