Lajmet në gjuhën shqipe 24/03/2015

---Klima e mirëkuptimit në lidhje me të ardhmen e Greqisë në euro ka
mbizotëruar në takimin e Kancelares gjermane Angela Merkel me
kryeministrin grek Aleksis Cipras dje në Berlin.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, të dy palët janë referuar në të
ardhmen e përbashkët evropiane të të dy vendeve, duke vënë në dukje
nevojën për të kapërcyer ndonjë mosmarrëveshje që ekziston, përmes
dialogut.

Kryeministri Aleksis Cipras u referua edhe për çështjen e kredisë që
Gjermania ka marrë nga Greqia gjatë luftës, kryesisht për arsye
morale, por dhe kontributin gjyqësor të qeverisë gjermane, në mënyrë
që të jepet drejtësi për veprimet e kompanisë Siemens në Greqi.

---Kryeministri Aleksis Cipras në kuadër të vizitës së tij në
Gjermani, u takua të martën me ministrin e Jashtëm Frank-Walter
Steinmeier, me bashkë-presidenten e Die Linke, Katja Kipping dhe
Kryetarin e Grupit Parlamentar Gregor Gysi, me zëvendës kancelarin
Sigmar Gabriel me kryetarët e të Gjelbërve dhe vizitoi Memorialin e
Holokaustit.

---Presidenti i Parlamentit evropian, gjermani, Martin Schulz theksoi
se një marrëveshje e vendeve të eurozonës me Greqinë për ndihmën
evropiane për Athinën është e mundshme deri në fund të javës, në një
intervistë të dhënë për të përditshmen ”La Repubblica”.

“Për mendimin tim, deri në fund të javës do të arrijmë në një
marrëveshje të re që do të jetë e mjaftueshme për zhbllokimin e
financimeve, për të cilat Greqia ka një nevojë urgjente”, deklaroi
Schulz.

“Më pas, nuk do ketë më shumë se tre muaj, deri në afatet e ardhshme
financiare greke në muajin qershor për të pasur një projekt të
besueshëm, të detajuar dhe përfundimtar në bazë të të cilit do të jetë
i mundur lançimi i një programi konstruktiv investimesh në Greqi”,
theksoi presidenti i Parlamentit Evropian.

---Ministri i Jashtëm Níkos Kotziás është në Abu Dhabi në Emiratet e
Bashkuara Arabe, ku takohet me ministrin e Jashtëm të vendit, Sheikun
Abdullah bin Zayed.

Menjëherë, më pas z.Kotziás do të niset për në Pekin, ku të njëjtën
ditë do të ketë takim me ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore
të Kinës Wang Yi, në kuadër të vizitës së zv/kryeministrit grek,
Giánni Dragasáki.

---Tetë projekt-ligje që do të ristrukturojnë forcat e armatosura
pritet të dorëzohen në të ardhmen e afërt, tha Ministri i Mbrojtjes,
Panos Kammenos.

Duke folur në emision televiziv në mëngjes tha se tashmë janë bërë
shumë ndryshime brenda dy muajve të kaluar, si transferimi i forcave
në Evro dhe ishujt për forcimin e kufijve, por edhe për heqjen siç tha
të ryshfetit.

Në projekt-ligjet siç deklaroi përfshihet dhe regullimi për
rivendosjen e MOMA së vjetër, e cila do të mundësojë tek të rinjtë që
shërbejnë në ushtri, të shtyjnë shërbimin edhe për dy vjet të tjera me
pagesë.

---Qëndrimi i qeverisë për një Koorporatë Elektroenergjitike të vetme
dhe publike është i panegociueshëm.

Një Koorporatë Elektroenergjitike private e Greqisë do të ishte
katastrofë për ekonominë, tha ministri i Riorganizimit Produktiv,
Mjedisit dhe Energjisë Panagiotis Lafazanis gjatë vizitës së tij në
termocentralin Kardiás, në Kozani në vizitën dy ditore që bën sot dhe
nesër.

---Për të pestën herë është bërë vjedhje në ambientet e radios
Rajonale të Rodos, në një periudhë gati tre muaj dhe e dyta brenda 24
orëve.

Koorporata Elektroenergjitike ka ndërprerë furnizimin me energji
elektrike me urdhër të NERIT dhe kështu nuk funksionon asnjë sistem i
sigurisë. Nga ana tjetër në radion ERA të Komotinis ka filluar përsëri
sot  transmetuesi i valëve të mesme, duke sjellë përsëri zërin e
ERT-it në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Shqipëria
---Komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe
Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ndodhet në Shqipëri për raundin
e Peste të Dialogut të Nivelit të Lartë, BE-Shqipëri.

Në kuadër të këtij Dialogu, Komisioneri Hahn ka nisur sot takimet e
tij në Shqipëri, ku fillimisht është takuar në Sallën e Hartave me
Kryeministrin Edi Rama.

Më pas Komisioneri Hahn ka zhvilluar takim me Kryetarin e Parlamentit,
Ilir Meta. Gjatë takimit, Meta u shpreh se Shqipëria është e fokusuar
në implementimin e pesë prioriteteve kyçe, si reforma në administratën
publike, reforma në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit,
lufta kundër krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut, përfshirë
edhe të drejtën e pronës.

Komisoneri Hahn zhvilloi sot dhe një takim me Ministrin e Punëve të
Jashtme, Ditmir Bushati. Ministri Bushati e njohu Komisionerin Hahn
mbi ecurinë e reformave dhe të përpjekjeve të Qeverisë për të
përmbushur në kohë kriteret e parashikuara në udhërrëfyesin për pesë
prioritetet kyç.

---Komisioneri Hahn zhvilloi një takim edhe me kreun e PD-së, Lulzim
Basha. Basha i shprehu Komisionerit Hahn mirënjohjen për mbështetjen e
fuqishme që Komisioni Europian dhe Komisioneri Hahn i japin Shqipërisë
për projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në BE.

Basha e siguroi Komisionerin Hahn për angazhimin e plotë dhe pa
rezerva të Partisë Demokratike në mbështetje të 5 prioriteteve dhe të
çdo mase në funksion të anëtaresimit sa më të shpejtë të vendit në BE.

Komisioneri Hahn vlerësoi rolin e rëndësishëm që opozita shqiptare ka
në këtë proces i cili duhet të jetë një proces gjithpërfshirës.

---Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi zhvilloi një takim
me Ministren e re Plotësuese për Politikat e Emigracionit, Tasia
Kristodolopoulou.

Duke i uruar suksese në detyrën e saj të re, Ambasadori Dervishi ka
vlerësuar qëndrimin dhe vizionin e hapur të qeverisë së re greke,
përkundrejt çështjeve të emigracionit, të cilat u konkretizuan me
ngritjen e një strukture përkatëse, siç është Ministria e Emigracionit
për trajtimin e gjithë tematikës që prek komunitetet e huaja që
jetojnë prej vitesh në Greqi, çka ka munguar deri më tani në gjithë
qeveritë e mëparshme greke.

Duke iu referuar interesimit të palës shqiptare lidhur me një integrim
të plotë të komunitetit të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi, si
komuniteti më i madh mes të huajve (që përbën 67%), Ambasadori
shqiptar ka renditur në vijim, vullnetin për bashkëpunim në zgjidhjen
e gjithë çështjeve që prekin direkt ose indirekt të përditshmen e
komunitetit shqiptarë, si përmirësimi i mëtejshëm i legjislacionit
grek për një legalizim sa më të plotë të komunitetit të shtetasve
shqiptarë, njohja e sigurimeve shoqërore për vitet e pensionit për
brezin e parë të emigrantëve, paisja me dokumente afatgjata për brezin
e dytë, njohja e diplomave mes dy vendeve, etj.

Nga ana e saj, Ministrja Plotësuese greke, ka ndarë vlerësimin e saj
me z. Dervishi për nevojën e thellimit e zgjerimit të mëtejshëm të
bashkëpunimit mes dy vendeve, në të mirë të komunitetit të shtetasve
shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi, që është komuniteti më i
madh e i më mirë integruar, krahasuar me ato të tjerat.

Duke informuar për vizionin e qeverisë së re për mbështetjen e
komuniteteve të emigrantëve, në funksion të integrimit të mëtejshëm të
tyre në shoqërinë greke, ajo informoi se aktualisht po punohet për një
plotësim të kuadrit ligjor për emigracionin, në kuadër të Kodit të
miratuar më 2014. Në këtë kontekst, ka evidentuar angazhimin e
qeverisë për disa amendamente të reja në drejtim të çështjes së
shtetësisë për brezin e dytë, gjithmonë bazuar në dëshirën dhe
kërkesën tyre dhe jo si një arsye e detyruar për të zgjidhur gjithë
hallet e tjera të emigracionit, si dhe në drejtim të plotësimit të
kuadrit për punësimin sezonal.

Në mbyllje të takimit Ambasadori Dervishi ka përcjellë ftesën e
autoriteteve shqiptare, në adresë të Ministres Kristodolopoulou, për
një vizitë të kësaj të fundit në Tiranë, të cilën kjo e fundit e ka
pritur pozitivisht, duke theksuar se do të mbetet prioritare në
axhendën e saj aktuale./a.g/

---Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, bëri të
ditur se datat 23-27 mars do të konsiderohet ndryshe si java e rinisë.

Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve për tu bërë pjesë e kësaj
jave festive.

Qyteti Studenti do të hapë dyert për të organizuar mbi 20 evente në 5
ditë rresht. Ndërkaq, organizatat rinore do të organizojnë një panair
në sheshin “demokracia” në qytetin studenti, i cili do të qëndrojë i
hapur përgjatë tërë javës. /a.g/

---Biblioteka Kombëtare përuron ekspozitën kushtuar dy figurave të
shquara  të jetës kulturore, politike, letrare e shoqërore të vendit
dhe kolonive të tij në botë, Fan Noli dhe Faik Konica.

Në përkujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Nolit dhe 140-vjetorit të
lindjes së Konicës, respektivisht më 13 dhe 15 mars, Biblioteka
kombëtare i propozon publikut një qasje të veçantë që ndjek dialogun
kompleks që karakterizoi të dy personalitetet duke vënë në dukje
njëkohësisht kontributet e tyre të përbashkëta si shkrimtarë,
përkthyes, kritikë letrarë e kritikë socialë, dijetarë të hollë në
debatet ndërkombëtare të kulturës botërore por edhe polemistë të
fuqishëm ndaj zhvillimeve politike jo vetëm Shqiptare por edhe
rajonale e europiane. Në këtë event merr pjesè edhe Ministrja e
Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kjo ekspozitë organizohet në trajtat e një albumi sekuencial, në
tekste dhe imazhe, që përcjellin një nga marrëdhëniet më komplekse të
botës shqiptare, një homazh admirues për dy figurat e papërsëritshme
të jetës sonë kulturore e politike, Fan Noli dhe Faik Konica./a.g/

Bota
---Avioni i kompanisë gjermane ”Germanwings” që u rrëzua të martën në
mëngjes në Francë transportonte 150 persona, 144 pasagjerë dhe gjashtë
anëtarë të ekuipazhit, theksoi drejtuesi i kompanisë në një deklaratë
të shkurtër televizive.

“Duke parë informacionet e disponueshme, për momentin nuk mund të
themi nëse dhe sa të mbijetuar ka”, deklaroi drejtuesi, Oliver
Wagner,për stacionin televiziv gjerman n-tv.

Më herët autoritetet franceze njoftuan për 148 persona në bordin e
avionit, gjashtë prej të cilëve anëtarë të ekuipazhit.

Avioni i filialit të Lufthansa-s kryente fluturime të linjës nga
Barcelona në Spanjë në Dysseldorf në Gjermani.

”Ai u rrëzua pranë Barcelonnettes në juglindje të Francës. Aksidenti
ndodhi rreth orës lokale 11:20 (10:20 GMT)”, theksoi Wagner duke
shtuar se nuk mund të jepte asnjë informacion për zhvillimin e
ngjarjeve.

Sipas presidentit francez, Francois Hollande, shtetas spanjollë,
gjermanë dhe padyshim turq bëjnë pjesë mes 150 të vdekurve të
dyshuar./ec/

---Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh e tronditur nga rrëzimi
i avionit të kompanisë ajrore ”Germanwings” në juglindje të Francës që
fluturonte nga Spanja drejt Gjermanisë me 148 persona në bord, sipas
një zëdhënësi.

Merkel, e cila zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin francez,
François Hollande dhe kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy, ka anuluar
takimet e tjera.

Ministri gjerman i Transporteve, Alexander Dobrindt dhe ambasadorja
gjermane në Paris u nisën drejt vendit të aksidentit.

---Zyrtari provincial në Kabul, Attahullah Khogyani, tha se 13 vetë
janë vrarë të martën nga persona të armatosur, që kanë hapur zjarr
kundër udhëtarëve në një autostradë në provincën Vardak.

Agjencia AP ka raportuar se Khogyani ka thënë se personat e armatosur
kishin shtënë kundër tri veturave, përfshirë një autbus, që lëviznin
kah jugu.
Ai ka sugjeruar se të 13 personat e vrarë ishin udhëtarë të autobusit.
Khogyani e ka cituar një zyrtar të lartë të provincës fqinje, Ghazni,
që ka thënë se personat e armatosur i kishin marrë dhe vrarë viktimat
një nga një.

Pjesa më e madhe e këtij rajoni është nën kontroll të talibanëve,
ndërsa luftëtarët e tyre shpeshherë vendosin bomba në rrugë dhe i
sulmojnë konvojet e sigurisë që kalojnë andej.

---Çmimet e naftës pësuan një rënie të ndjeshme në Azi pas publikimit
të shifrave zhgënjyese mbi prodhimin industrial në Kinë, konsumatori i
dytë në botë i naftës bruto.

Nje fuçi nafte ”light sweet crude” (WTI) për livrim në muajin maj
humbi 44 cent duke u shitur me 47,01 dollarë, ndërsa një fuçi naftë
”Brent” nga Deti i Veriut pësoi gjithashtu rënie me një humbje prej 30
cent duke u shitur me 55,62 dollarë.

Sipas të dhënave paraprake të bankës HSBC të publikuara sot, prodhimi
industrial kinez rezultoi këtë muaj në nivelin më të ulët në 11
muaj./b.s /ec/

---Muzeu Bardo rihap dyert për publikun të paktën një javë pas
atentatit të marrë përsipër nga grupi i Shtetit Islamik, ku si pasojë
mbetën të vrarë 21 persona.

Do të ketë një ceremoni me një koncert të orkestrës simfonike të Tunizit.

---Dita Botërore e Tuberkulozit mbahet çdo vit në 24 mars.

Çdo vit 9 milion njerëz preken nga kjo sëmundje në Botë dhe 3 milion
prej tyre nuk arrijnë të marrin kujdesin shëndetësor që meritojnë.

Ndërsa vendet e botës shënojnë Ditën Botërore të Tuberkulozit, më 24
mars, Organzata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, po nxjerr një strategji
të re për t’i dhënë fund epidemisë botërore të tuberkulozit. OBSH po
bën thirrje për mbështetje në shkallë botërore për ta zhdukur këtë
epidemi në 20 vitet e ardhshme. Dy strategji të mëparshme i kanë hapur
rrugën kësaj të fundit, që është plani më ambicioz. OBSH ka bindjen se
strategjia e tanishme, e quajtur “End TB”, ka shanse të mira për të
patur rezultat, për shkak të suksesit të straegjive “DOT TB” dhe “Stop
TB”, që u paraqitën në fillim të shekullit.

Vitet e fundit, në luftën kundër tuberkulozit është arritur përparim i
jashtëzakonshëm. Mes viteve 2000 dhe 2013, rreth 37 milionë jetë
njerëzish janë shpëtuar përmes diagnostikimit dhe trajtimit të
tuberkulozit. Por OBSH thotë se nevojitet të bëhet shumë më tepër për
të luftuar këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Synimi i ditës botërore të turbekulozit është që të promovojë
ndërgjegjësimin, njohuritë dhe motivimin për të vepruar kundër
tuberkulozit në mbarë botën. Ajo e ka origjinën në vitin 1882, kur u
festua 100 vjetori i zbulimit të bacilit të TB-së nga Koch. Por,
pavarësisht se ka më shumë se një shekull që është zbuluar shkaktari
dhe shumë dekada që ekzistojnë medikamente efikase për luftimin e saj,
përsëri kjo sëmundje vazhdon të marrë miliona jetë njerëzish. Çdo vit
sëmuren rreth 9 milionë njerëz me TB dhe, ndër ta, rreth 1.2 milionë
vdesin./a.g/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të mërkurën 25 mars
vransira me shira lokale fillimisht në rajonet perëndimore dhe
gradualisht në rajonet më të shumta të vendit, dëborë në zonat malore
të Epirit dhe Maqedonisë Perëndimore.

Kushtet meteorologjike favorizojnë transportin e pluhurit nga Afrika,
kryesisht në rajonet qëndrore dhe jugore. Temperatura minimale dhe
maksimale do të jenë 5 dhe 9 gradë Celsius.

Vransira që shumë shpejt do të rriten dhe do të ketë shira presim të
mërkurën në Attikë dhe temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 9
dhe 13 gradë Celsius. Vransira do të ketë dhe Selaniku, ndërsa
temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 5 dhe 9 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti
i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme
- nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët
e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00
pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet
televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54