Lajmet në gjuhën shqipe 17/03/2015

---Pavarësisht toneve të ashpra të këtyre ditëve të fundit mes dy
vendeve, kryeministri grek, Aleksis Cipras ka telefonuar të hënën me
kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe ka pranuar një ftesë për të
shkuar në Berlin të hënën e ardhshme, 23 mars, për herë të parë që
prej ardhjes në pushtet në muajin janar.

”Kancelarja gjermane, Angela Merkel i dërgoi një ftesë kryeministrit,
Aleksis Cipras për të vizituar kancelarinë gjermane në Berlin”,
njoftoi zyra e kryeministrit.

Në një bisedë telefonike me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald
Tusk, kryeministri kërkoi të zhvillohet të enjten para fillimit të
samitit, takimi i Angela Merkel, Francois Hollande, Jean-Claude
Juncker dhe Mario Draghi.

Më 8 prill në Moskë është caktuar takimi i kryeministrit Aleksi Cipra
me Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin me kërkesën e paraqitur nga
qeveria greke.

Qeveria greke, që po bën përpjekje për të minimizuar kërcënimin e
asfiskisë financiare që rëndon mbi vendin, shpreson të gjejë një
zgjidhje këto ditë me partnerët evropianë.

---Kryeministri Aleksi Cipra është takuar të martën pasdite në
kryeministri me Ambasadoren, Victoria Nuland, ndihmës sekretarja
amerikane e Shteteve të Bashkuara, përgjegjëse për çështjet evropiane
dhe euroaziatike.

---Projekt-ligji i parë i qeverisë në lidhje me trajtimin e krizës
humanitare, por dhe rregullimin e çështjeve funksionuese të
institucioneve qeveritare dhe shtetërore debatohet në seancën
parlamentare nga sot dhe pritet që të votohet të mërkurën në mbrëmje.

---Komision për Auditimin e Borxhit njoftoi kryetarja e Parlamentit,
Zoí Konstantopoúlou, e cila gjatë një konference për shtyp theksoi se
është «e pakonceptueshme që të ketë ndonjë sektor që nuk do të japë
informacion për Komisionin».

Në konferencën për shtyp foli eurodeputetja Sofía Sakoráfa dhe Eric
Toussaint, shkencëtar ekspert për çështjet e borxhit të paligjshëm.

---Nuk janë çregjistruar veprat penale, për të cilat akuzohet
ish-ministri Giórgos Papakonstantínou vlerësoi në fjalën e saj
Prokurorja e Gjykatës Speciale,  Kséni Dimitríou..

---Vazhdohet greva e urisë e të burgosurve politikë në burgjet e
vendit dhe paralelisht aktivitetet e shumta të solidaritetit në të
gjithë vendin. Lirimin me kushte kufizuese të nënës së vëllezërve
Cákalou, Athinas dhe shoqes së Gerásimos Cákalos sugjeron prokurori
Dimitris Asprogérakas në Këshillin e Ankesave, i cili do të vendosë
për këtë çështje.

---Një çift gjerman ka paguar sot në institucionin bamirës «Portali i
Kulturës» në Náfplio pas takimit që kishte me Kryetarin e Bashkisë së
qytetit, shumën 875 euro si pjesë të tyre kundrejt huasë që Gjermania
kishte marrë nga Greqia në kohën e pushtimit.

---Është varrosur sot në fshatin e tij Vangélis Giakoumákis. Një tubim
në kujtim të tij, por edhe kundër dhunës dhe frikësimit kanë
organizuar sot Bashkia e Janinës, Universiteti i Janinës dhe Drejtoria
Rajonale e Arsimit të Epirit përpara ndërtesës së bashkisë.

---Një trishtim i madh në familjen e ERT-it dhe të gjithë botën
gazetareske të vendit erdhi për të përhapur lajmin e vdekjes së
papritur të kolegut, gazetarit, ish-përgjegjësit të EPA - Kozanit,
mikut të mirë dhe bashkëluftëtar, Thomá Dimitriádi.

Ai vdiq, papritmas, në zyrën e revistës «Together», (të cilën e
themeloi së bashku me kolegët e tij të ERA - Kozanit, pas mbylljes së
ERT-it) në moshën 50 vjeç, duke lënë pas gruan e tij dhe dy fëmijët e
tyre 8 dhe 5 vjet ..

---Vdiq të martën në mëngjes në spitalin Erythró Stavró, Vangélis
Vékios pas një muaji që kishte mbetur në koma.

Ishte anëtar i grupit muzikor «Mousikés Taxiarchíes». Ishte producent
i radios në  shumë radio si 90,2 FM, Athina 98,4, PLANET, në radion
Kosmos të ERT-it, ndërsa në vitet e fundit ka qenë drejtor i programit
të radios «105.5 Sto Kókkino». Varrimi i tij do të bëhet të mërkurën
në orën 17:00 pasdite në Holargó.

---Rregullime të reja të qarkullimit në rrugën nacionale Korinth -
Patra, për shkak të punimeve. Në veçanti, duke filluar nga sonte në
mbrëmje e deri në orën 06:00 të mërkurën, makinat që shkojnë drejt
Patrës do të hyjnë në autostradën e vjetër, nga  kryqëzimi i
Selianitika dhe do të kthehen në autostradën e re nga kryqëzimi i
Rios. Makinat që shkojnë drejt Korinthit do të hyjnë në autostradën e
vjetër përmes daljes së përkohshme në kilometrin e 196 dhe do të
kthehen në autostradën e re, përmes hyrjes së përkohshme në kilometrin
e 192.

Shqipëria
----Banka e Shqipërisë bën të ditur se për vitin 2014, transaksionet e
bankingut në distancë u rritën me 64% krahasuar me vitin 2013.

Statistikat tregojnë se në numër,  pjesa më e madhe e veprimeve
bankare në distancë kryhen nga individët, ndërsa në volume
mbizotërojnë transkasionet e bizneseve, që prekin vlera më të larta.
Pjesën dërrmuese të veprimeve bankare në distancë e zënë traksionet
përmes internet banking, me rreth 64% të totalit.

Këto shërbime kanë njohur rritje të rëndësishme në vitet e fundit, si
për bizneset, ashtu edhe për individët. Kryerja e pagesave nga
internet është një alternativë në komoditet, sepse shmang
domosdoshmërinë për të shkuar vazhdimisht pranë sporteleve të
bankave./f.n/

---Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerësoi te martën
Medresenë e Tiranës me rastin e 90-vjetorit të themelimit  me Titullin
 “Për merita të veçanta civile”.

“Si një shkollë e arsimit fetar në Shqipëri, e cila duke u bërë pjesë
e arsimit tonë, përgatiti për disa dhjetëvjeçarë në një nivel të lartë
një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në
ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar”, ishte motivacioni i ketij
titulli .

Në ceremoninë e organizuar në Presidencë, ku ishin të pranishëm
drejtues të Komunitetit Mysliman Shqiptar, mësues e nxënës, klerikë,
Kreu i shtetit tha se dekorata që i akordojmë sot kësaj shkolle është
një nderim i vonuar shtetëror dhe institucional ndaj kësaj vatre të
arsimit shqiptar të shekullit XX. Sot, theksoi Presidenti, Medreseja e
Tiranës dhe të gjitha simotrat e saj në Shqipëri po kontribuojnë që me
anë të një mirëdukimi dhe arsimimi, ku gërshetohen shkencat ekzakte me
vlerat e besimit, e sidomos me normat dhe parimet e Islamit, të kemi
një shoqëri më të shëndetshme moralisht dhe shpirtërisht, nga të cilat
do të rrezatojë paqja, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa pa dallim race,
gjinie dhe feje./f.n/

---Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti Shqiptar i
Statistikave nënshkruan të martën një memorandim bashkëpunimi për
prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave ekonomike zyrtare.

Memorandumi i bashkëpunimit vjen në përgjigje të kërkesës në rritje
për informacion të përdoruesve kombëtare dhe ndërkombëtarë të
statistikave. Ky memorandum përcakton detyrimet reciproke sa i përket
prodhimit dhe shpërndarjes së statistikave ekonomike zyrtare, duke
respektuar afatet kohore të publikimit të tyre.

Memorandumi u nënshkrua, për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga
Brisida Shehaj, Drejtore e Përgjithshme dhe, për Institutin Shqiptar
të Statistikave, nga Gjergji Filipi, Drejtor i INSTAT. Ky memorandum
është i vlefshëm deri në nënshkrimin e një memorandumi të ri./a.g/

---Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Rusi, Arben Gazioni ishte
i pranishëm në aktivitetin kulturor “Dialogu muzikor Rusi-Shqipëri”, i
zhvilluar në Moskë në sallën e muzeut Vernadskij.

Sipas brimeve nga ambasada e Shqipërisë në Rusi, në këtë aktivitet u
ekzekutuan vepra të kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi dhe të
autorëve rusë nga Konservatori i Çajkovskij.

Në aktivitet morën pjesë dashamirës të muzikës dhe anëtarë të Shoqatës
së Miqësisë Rusi-Shqipëri./a.g/

---Me dhjetra aktivitete do të zhvillohen thuajse në të gjithë
Shqipërinë që prej datës 18 deri në 28 mars 2015 me rastin e
evenimentit të quajtur “Pranvera e Frankofonisë”.

Organizatorët bëjnë me dije se këtë vit harta e aktiviteteve dhe
qyteteve është zgjeruar, duke dalë jashtë kryeqytetit, drejt Shkodrës,
Korçës, Fierit, Elbasanit, Durrësit, Vlorës, por edhe në Përmet,
Gramsh, Mamurras, Pogradec, madje edhe në Tropojë.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Punëve të
Jashtme, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrin
Kombëtar për Fëmijë, Universitetin e Arteve, Akademinë “Marubi”, disa
galeri private si “Zeta” e “Tulla”, etj., Ambasada  Franceze dhe
përfaqësitë diplomatike të vendeve të tjera frankofone, “Pranvera E
frankofonisë 2015” do të sjellë në Shqipëri kësaj here artistë dhe
ngjarje kulturore për të mos u humbur.

Koncerte, ekspozita, shfaqje teatri të luajtura nga profesionistë apo
nxënës shkollash, projeksion videosh, shfaqje filmash, mbrëmje
poetike, degustim gatimesh, por edhe shumë aktivitete të tjera, do të
vijnë përgjatë 10 ditëve të ngjeshura./a.ke/

Bota
---Në Izrael zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare qe
shihen si një referendum për kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Ai tha të hënën se shteti palestinez nuk do të lind nëse ai e fiton
mandatin e katërt të kryeministrit. Gjatë fushatës ai ka tërhequr
vërejtjen kundër çfarëdo marrëveshjeje me Iranin lidhur me programin
atomik të këtij vendi.

Zoti Hercog e ka akuzuar Netanyaahun për shfrytëzimin e shqetësimeve
të sigurisë për ta larguar vëmendjen nga çështjet sociale, siç është
çmimi i lartë i jetesës. Deri tash, asnjë parti në Izrael nuk e ka
fituar shumicën e vetme në parlamentin prej 120 anëtarëve.
Rrjedhimisht, partia fituese ka rast ta formoj koalicionin me parti më
të vogla.

---12 persona janë dënuar me varje në Pakistan, dhe ky është numri më
i madh i personave të ekzekutuar në këtë vend brenda një dite.

Një zëdhënës i Ministrisë së brendshme të Pakistanit ka bërë të ditur
se ata që janë ekzekutuar sot me varje nuk ishin vetëm "terroristë",
por vrasës të dënuar dhe të tjerë, që kanë kryer "krime të tmerrshme".

Kryeministri i Pakistanit, Naëaz Sdharif, faktikisht e ka tërhequr
moratoriumin për dënim me vdekje më 17 dhjetor, një ditë pasi
talibanët e armatosur pakistanezë sulmuan një shkollë, duke vrarë më
se 150 vetë, shumica prej tyre fëmijë.

---Shteti Islamik ka depërtuar në Afganistan dhe tashmë po zevendeson
talebanët. Kjo konfirmohet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në
Afganistan.

Xhihadistët po bashkojnë grupet ekstremiste islamike nën tutelën e
tyre. Sipas diplomatëve rusë në OKB, ata po krijojnë baza të forta për
t’u zgjeruar edhe në vende të tjera të Azisë Qëndrore.

---Drejtuesi e një agjencie antikorrupsion themeluar nën drejtimin e
Bashkimit Evropian, dha sot dorëheqjen në Rumani pas akuzave nga
drejtësia për abuzime me pushtetin, njoftoi sot avokati i tij.

Horia Georgescu, i cili drejtonte Agjencinë Kombëtare për Integritet
(ANI) ngarkuar për të shqyrtuar origjinën e të ardhurave të zyrtarëve
politikë, është akuzuar për mbivlerësimin me 75 milionë euro të vlerës
të të ardhurave në çështjet që datojnë në vitet 2008-2009, kur ka qenë
anëtar i komisionit të ngarkuar për kthimin e pronave të sekuestruara
në kohën e komunizmit.

Prokurorët e agjencisë antikorrupsion (DNA) e kanë marrë në pyetje dje
dhe sot dhe kanë vendosur masën e ndalimit në paraburgim për 30 ditë.

Edhe nëse Horia Georgescu shpallet i pafajshëm për akuzat e ngritura
kundër tij, ai ka vendosur të japë dotëheqjen, për të mos ndikuar në
imazhin e Agjencinë Kombëtare për Integritet (ANI), theksoi avokati i
tij Christian Ene, cituar nga agjencia e lajmeve Agerpres.

Rumania, një prej vendeve më të varfëra të familjes evropiane, mbetet
e prekur nga korrupsioni, por ka realizuar progrese të mëdha këto
vitete e fundit, sipas Brukselit./ec/

---Presidentët turk, Recep Tayyip Erdogan dhe azarbaxhanas, Ilham
Aliev i hapën rrugën punimeve për ndërtimin e gazsjellësit Tanap
(Trans Anatolian Natural Gas Pipeline), që do transportojë përmes
Turqisë gazin nga gjiganti azerbaxhanas Shah Deniz deri në kufirin e
Bashkimit Evropian.

---Disa ekspertë mjeko-ligjorë në Spanjë kanë zbuluar një varr
qindravjeçar, për të cilin  ata besojnë se i përket shkrimtarit të
njohur spanjoll, Miguel de Servantes.

Gati 400 vjet pas vdekjes së tij, shkencëtarët besojnë se kanë gjetur
eshtrat e Servantesit, gruas së tij dhe të afërmve të tjerë që janë
varrosur në Madrid.
Sipas hulumtuesve, identifikimi dhe ndarja e eshtrave të tij do të
jetë një proces i vështirë për shkak të dëmtimeve të mëdha që kanë
pësuar nga faktori kohë. Autori i Don Kishotit u varros në vitin 1616
dhe kisha në të cilën iu dha atij lamtumira e fundit u rindërtua disa
vite më parë. Eshtrat e njeriut që njihet si “Princi i Shkronjave” u
zhvendosën në fund të shekullit të 17-të në një kishë të re.

“Fundi i tij ishte ajo e një njeriu të varfër. Një veteran lufte që
mori me vete vetëm plagët e tij të betejës”, tha Pedro Corral, kreu i
artit, sportit dhe turizmit në Madrid.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të mërkurën 18 Mars
vransira në të gjithë vendin, shira të dobta lokale dhe dëborë
sporadike në zonat malore si dhe në rajonet e Maqedonisë me lartësi më
të ulët.

Në Attikë, temperatura maksimale do të jetë 11 gradë Celsius, ndërsa
në Selanik temperatura maksimale do të jetë 8 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti
i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme
- nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët
e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00
pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet
televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54