Lajmet në gjuhën shqipe 12/02/2015

---Kryeministri, Aleksi Tsipra në kuadrin e Samitit të Lartë pati të
enjten takime të njëpasnjëshme me krerë të shteteve dhe me Presidentin
e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
"Evropa duhet të respektojë demokracinë dhe rregullat e BE-së", tha
kryeministri pas takimit me homologun e tij belg Charles Michel

---Plani i qeverisë së re të Greqisë për çështjen e borxhit nuk ka
mundur të bindë ende anëtarët e Eurogrupit. Pas më shumë se 7 orë
bisedimesh intensive, ministrat e Financave madje nuk kanë mundur as
të formulojnë një deklaratë zyrtare, si zakonisht, për shkak të
kundërshtimit të delegacionit grek; si dhe nuk ranë dakord për hapat e
tjerë procedurialë në të ardhmen.

Megjithatë, palët thanë se do të vijojnë me negociatat gjatë mbledhjes
së rradhës së Eurogrupit të hënën më 16 Shkurt. Greqia ka përgatitur
një plan 10-pikësh që synon që të rinegociojë 30% të borxhit të saj,
ndërsa ka marrë zotimin për të respektuar marrëveshjet për pjesën
tjetër.

---Shënuam progres në diskutimet për Greqinë, por kjo nuk ishte e
mjaftueshme që të kishim një deklaratë të përbashkët konkluzionesh,
deklaroi gjatë konferencës për shtyp kreu i Eurogrupit, Jeroen
Dijsselbloem, duke shtuar se diskutimet do të vazhdonin.

Sipas Dijsselbloem, ministrat e Financave të eurozonës kishin rastin
të shkëmbenin mendime me homologun e tyre grek.

Komisioneri për Financat i BE-së, Pierre Moscovici deklaroi se takimi
i Eurogrupit ishte i nevojshëm dhe ndihmoi në sqarimin e situatës,
ndërsa pala greke kuptoi se si e shohin situatën vendet e tjera të
eurozonës.

”Ekziston një vullnet i dyfishtë, nga njera anë të respektohet
verdikti i popullit grek dhe nga ana tjetër, Greqia të respektojë
angazhimet që ka ndërmarrë në kuadër të eurozonës”, tha ai.

“Jemi optimistë, sepse Evropa e di gjithmonë të gjejë një zgjidhje”,
deklaroi ministri grek i Financave, Ganis Varufaqis në përfundim të
punimeve të Eurogrupit. I pyetur nëse pati presione mbi palën greke
për shtyrje afati të programit ekzistues, ai tha se “u bënë diskutime
dhe na u shtrua çështja se ekziston një marrëveshje kredie që duhet të
zgjatet”.

“Ne u shpjeguam se qytetarët grekë na zgjodhën me qëllim refuzimin e
atij programi. Ajo që kërkohet është të ketë një ekuilibër ndërmjet dy
parimeve bazë që bien ndesh me njëri-tjetrin”, vuri në dukje
Varufaqis.

Ndërkohë, mohon si Giánis Varoufákis dhe zëdhënësi i qeverisë, Gavriíl
Sakellarídis botimin në Financial Times se delegacioni grek në
Eurogrup kishte rënë dakord fillimisht me formulimin e komunikatës së
përbashkët.

---Pak pas orës 4 në mëngjes, ministri i Financave me një tweet në
adresë të Financial Times dhe gazetarit të njohur Peter Spiegel mohoi
kategorikisht botimin konkret në  blogun e gazetës, duke shkruar "Ju
mund të kishit shmangur pretendimet e dyshimta që bazohen në rrjedhjet
e dyshimta; Është plotësisht e padinjitetshme" shkroi Giánis
Varoufákis.

---Në të njëjtën linjë edhe zëdhënësi i qeverisë Gavriíl Sakellarídis
ka mohuar botimin në fjalë. Duke përshkruar "atë që ndodhi" gjatë
negociatave të djeshme, z.Sakellarídis theksoi se komunikata e
përbashkët është vendosur që të refuzohet nga pala greke, sepse ajo
përmbante një referencë për "një zgjatje të programit".

---Pavarësisht se cila do të jetë ecuria e bisedimeve, qeveria e re ka
ende mbështetje të fortë të popullit, ku ndër parrullat kryesore të
manifestimit të një nate më parë ishte “të falimentuar, por të lirë”.
Në tubim ishin edhe eksponentë  të lëvizjes “Podemos” si dhë
përfaqësues të refugjatëve sirianë e kurdë.
Ndërkaq në shumë qytete të Europës si Amsterdam, Bruksel, Londër,
Edinburg, Kopenhagen, Romë, Lisbonë, Berlin, Paris, Vienë e Madrid ka
nisur një valë manifestimesh në mbështetje të qeverisë greke, për t’i
thënë jo masave shtrënguese që imponohen nga Brukseli.

---Për «përgënjeshtrim të të gjithë atyre që dëshironin të
shtrembëronin deklaratat dhe të kalojnë tek populli se koalicioni
qeveritar bën hapa prapa», foli përfaqësuesja e Grekëve të Pavarur,
Marína Hrysovelóni, në komentin e saj mbi takimin e djeshëm të
Eurogrupit. «Qeveria greke ka treguar se di të rezistojë dhe nuk
dorëzon armët», tha ajo në deklaratën e saj.

---Çadra, parulla dhe flamuj nga qendra e përpjekjes së pastrueseve të
ministrisë së Financave, mësuesve në disponueshmëri, të grevistëve të
Coca Cola dhe punonjësve të ERT-it në Aristotélous janë mbledhur me
urdhër të zëvendës kryetarit të bashkisë së Selanikut, Thanási Pappá,
pa asnjë paralajmërim, me arsyetimin e prishin estetikën.

---Me këngën «ju vëllezër ratë viktima», që kënduan në dyert e
mbyllura të ERT-it, por dhe me slogane, punonjësit e ERT-it kanë
nderuar të vdekurit (punonjës në ERT dhe solidarë) në tubimin me
rastin e 20 "muajve të zeza" nga mbyllja e ERT-it. Komponenti i
përbashkët i fjalimeve të mbajtura ishte kërkesa për hapjen e
menjëhershme të ERT-it, pa kompromentuar angazhimet e qeverisë para
zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë është theksuar se ERT-i nuk hapet «duke
filluar nga zero», pasi ishte në funksionim dhe duke pasur si
trashëgimi një luftë prej 20 muaj. Aktivitete me këtë rast janë
mbajtur dhe në radiot e ERA-s në rajonet e vendit.

---Në 1.063.928 persona ka arritur numri i të papunëve të regjistruar
në muajin dhjetor të vitit 2014, sipas të dhënave të OAED. Në muajin
nëntor 2014, numri total i të papunëve ishte 1.060.067.

---Në MAD TV e Andréa Kourí ka autorizuar organizimin e spektaklit për
zgjedhjen e këngës që do të përfaqësojë Greqinë në Eurovision,
Këshilli i Drejtorëve të NERIT, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve
parlamentare. Punonjësit e shkurtuar nga dyqanet Metropolis denoncojnë
se NERIT do të ofrojë për Andréa Kourí edhe më shumë fitime, pasi në
bazë të vendimit të Bordit të Drejtorëve dhe pas rekomandimit të
Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimeve Administrative dhe Financiare,
Andréa Kourí përveç shumave të dhuruara, do të marri dhe shpërblimin
që i takon.

Shqipëria
---Diskutimet për ecurinë e Korridorit Jugor të Gazit mblodhën të
enjten në Baku, ministrat e Energjisë së Azerbajxhanit, Shqipërisë,
Gjeorgjisë, Greqisë, Italisë, Turqisë, Bullgarisë dhe zv.presidentin e
Komisionit Evropian, Maros Sefcovic.

Sipas deklarates per shtyp te Ministrise se Energjise dhe Industrise,
Ministri Gjiknuri gjate ketij takimi deklaroi se qeveria e shqiptare
ka mbështetur fuqimisht realizimin e projektit të gazsjellësit TAP,
pjesë e Korridorit Jugor të gazit.

Gjiknuri ka cilesuar se, së fundi qeveria ka miratuar edhe kalimin e
tokave shtetërore nga ku kalon tubacioni, duke mundësuar tanimë nisjen
e fazës së punimeve në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit. Në
këtë linjë, Ministri insistoi se është me rëndësi të madhe që
kompanitë vendase të mund të bëhen pjesë direkte e fazës së ndërtimit
të rrugëve të aksesit në Shqipëri por edhe në çdo fazë tjetër të
projektit si nënkontraktorë. Një hap ky, që sipas tij do të mund të
ndikonte edhe më shumë në rritjen e përfitimeve për ekonominë tonë,
duke ju referuar deklarates per shtyp.

---Në selinë e Partisë Socialiste është organizuar sot dhurimi
vullnetar i gjakut për fëmijët që vuajnë nga talasemia.

Koordinatorja për dhurimin e gjakut vullnetar, Xhulieta Muçollari u
shpreh për ATSH-në se “të rinjtë e Partisë Socialiste, por jo vetëm
ata, kanë tre vjet që dhurojnë gjak në mënyrë vullnetare. Vitin e
kaluar rreth 68 % e dhuruesve janë dhurues familjarë, 22 % janë
dhurues vullnetarë dhe 10 % janë dhurues me pagesë”.

Gjatë bisedës me të rinjtë, të cilët ishin të pranishëm dhe dhuronin
gjak në mënyrë vullnetare, Vezuela Sanxhaku, një ndër dhurueset më të
rregullta, shprehu gatishmerine e saj për t’i ardhur në ndihmë
fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Gjithashtu, organizata
shqiptare për dhurimin e gjakut vullnetarë, bën thirrje që të gjithë
qytetarët që duan të dhurojnë gjak, mund të dhurojnë ditën e sotme,
nga ora 16:30-19:00 në mjediset e kësaj organizate. Në Shqipëri 600
fëmijë janë të prekur nga talasemia. /a.ke/

---Shqipëria ka përmirësuar me tri pikë pozicionin e saj në renditjen
e raportit për lirinë e medias të Reporterëve pa kufij.

Sipas këtij raporti nga 180 vende, Shqipëria renditet në vendin e
82-të, nga 85 që ndodhej një vit më parë. Por megjithatë kategoria ku
përfshihet Shqipëria është prapë e njëjtë, ajo ku problemet me mediat
janë të dukshme, duke e renditur njësoj me Guine, Armeni etj. Kosova,
në raportin e këtij viti, është renditur në vendin e 87-të, në listën
prej 180 vendesh, duke shënuar përkeqësim nga viti 2014, kur ka qenë
në pozitën numër 80.

---Tre ditë para mbrëmjes së madhe të ndarjes së çmimeve, të enjten në
mbrëmje Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin do të flasë shqip.
Është premiera botërore e “Burrneshat”, filmi me patentë shqiptare,
por një bashkëprodhim, që u realizua me fonde nga Shqipëria, Kosova,
Italia, Zvicra dhe Gjermania.

Në edicionin e 65 të Berlinales, historia shqiptare, që roli kryesor i
“Burrneshës”, “Hanes” i është besuar italianes, Alba Rohrwacher, e
vlerësuar me 20 çmime ndërkombëtare, është renditur në 10 filmat
konkurente me pritshmërinë më të lartë. Edhe pse më herët janë shkruar
dhe realizuar dokumentare të shkurtër për burrneshat shqiptare nga
media të njohura të botës, si BBC apo CNN, fenomeni shqiptar po zgjon
kureshtjen e publikut dhe kritikës gjermane.

“Burrneshat” është cilësuar si një film pretendent edhe për faktin
sepse për Laura Bispuri ky është prezantimi i saj i parë si regjisore
në Berlinale. Producentët shkojnë në këtë garë të rëndësishme të
kinematografisë botërore, ku garojnë regjisorë e aktorë të karrierës,
si konkurentë të fortë për aktoren dhe regjisoren më të mirë.
Ekranizimi i romanit të Elvira Dones “Hana” kushtoi 1 milionë e 200
mijë euro. Prej shtatë ditësh në Berlinale, në një stendë të
përbashkët Shqipëria dhe Kosova po prezantojnë “Burrneshat” dhe
prodhime të tjera, një mundësi kjo për t’i njohur regjisorët e huaj me
kinematografinë shqiptare.

Bota
---Grupi i kontaktit i përbërë nga të dërguarit ukrainas, rus dhe
përfaqësuesit e OSBE-së nënshkruan me rebelët një plan për zbatimin e
paqes, njoftuan sot presidentët rus, ukrainas, francez dhe kancelarja
gjermane.

“Grupi i kontaktit nënshkroi dokumentin që kishim përgatitur me një
tension të madh”, theksoi Petro Poroshenko në përfundim të 16 orëve
negociatash në Minsk, një informacion i konfirmuar nga Putin.

“Të gjitha çështjet janë trajtuar në këtë plan që u nënshkrua nga
grupi i kontaktit dhe separatistët”, deklaroi François Hollande në një
deklaratë të përbashkët me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

---Masa të sigurisë së përforcuar për samitin e Bashkimit Evropian në
Bruksel janë marrë sot në kryeqytetin belg pas alarmit terrorist të
lëshuar një muaj më parë pas kërcënimeve për atentate terroriste
xhihadiste.

Në ndryshim nga samitet e tjerë, u mbyll plotësisht për të gjithë
ditën e sotme metroja si edhe u ndalua qarkullimi i autobusëve dhe
trenave në zonën e Schumanit, ku janë selitë e institucioneve të
Bashkimit Evropian dhe ku do të zhvillohet samiti. Perimetri i
sigurisë për kalimtarët është rritur dhe në zonë janë të pranishme një
numër i konsiderueshëm makinash policie, përveç ushtarëve të
armatosur, të cilët prej një muaji ruajnë objektet e mundshme për
sulme terroriste./ a.jor.

---Liria e medias ka pasur rënie drastike në të gjithë botën vitin e
kaluar, raportojnë "Reporterët pa kufij". Kjo pjesërisht për shkak të
grupeve ekstremiste si Shteti Islamik.

Raporti vjetor i organizatës ka vënë në pah se gjatë vitit 2014 ka
pasur 3.719 shkelje të lirisë së informacionit në 180 vende të botës.
8 për qind më shumë se vitin paraprak. Sipas raportit, Irani, Kina,
Siria dhe Koreja e Veriut janë në mesin e vendeve me nivelin më të
ulët të lirisë së mediave.

---Juria e konkursit World Press Photo bëri një deklaratë të qartë
kundër persekutimit të homoseksualëve në Rusi, duke përzgjedhur një
fotografi të Mads Nissen si foton më të mirë në botë për vitin 2014.

Nissen, një fotograf i së përditshmes daneze ”Politiken” fitoi çmimin
me vlerë 10.000 euro për një imazh ku duket një çift gay në një moment
intim në Shën Petërburg, Rusi.

“Eshtë një moment historik për këtë imazh”, deklaroi Michele McNally,
kryetare e jurisë dhe drejtoreshë e fotografisë në të përditshmen
amerikane ”The New York Times”. “Kjo foto është estetikisht e fuqishme
dhe humane”, shtoi ajo.

Juria e përzgjodhi foton e Nissenit pas seleksionimit të rreth 98.000
fotografive nga 131 vende. Fotoja fituese do të bëjë një udhëtim në 40
vende të botës./ a.jor.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 13 shkurt
shira lokale apo dëborë në Evia, në Egjeun Jugor, reshje dëbore në
zonat malore të Kretës dhe reshje të pakta dëbore në zona malore të
Greqisë lindore.
Në Attikë temperatura do të arrijë në 8 gradë Celsius dhe në Selanik
në 9 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital
në frekuencat 34 në qendrën e Athinës dhe 58 në Attikën Lindore,
ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54