Ειδήσεις στα Αλβανικά
Shumica e grekëve dënoi politikën e memorandumeve
70% e votuesve grekë dënuan politikën Samara - Venizelos. Partia e parë në zgjedhje del SYRIZA me 3,5% dhe partia e dytë, Demokracia e Re. Në mënyrë të veçantë, kur është numëruar 98% e votave, SYRIZA merr 26,54% të votave, Demokracia e Re merr 22,82%, Agimi i Artë 9,41%, Elia 8,03%, Potami 6,60%, KKE 6,07%, Grekët e Pavarur 3,42%, LAOS 2,70%, Qytetarët Evropianë Grekë 1,42% dhe e Majta Demokratike 1,21%.
Selitë e partive politike greke në Parlamentin Evropian
Në bazë të të dhënave, SYRIZA zgjedh gjashtë eurodeputetë, Demokracia e Re pesë, Agimi i Artë zgjedh tre evrodeputetë, nga dy deputetë për Parlamentin Evropian zgjedhin Elia, KKE, dhe Potami, ndërsa Grekët e Pavarur zgjedhin vetëm një. Jashtë Parlamentit Evropian mbeten LAOS (2,70%), Qytetarët Evropianë Grekë (1,42%) dhe E Majta Demokratike (1,21%).
Partia myslimane në vendin e parë në Rodopi dhe Ksanthi
Në zonat zgjedhore të Rodopit dhe Ksanthit, partia e parë në këto zgjedhje del Partia e Barazisë, Paqes dhe Miqësisë, e myslimanëve që drejtohen nga Konsullata turke.
Zgjidhet Rena Duru në Qarkun e Attikës
Rena Duru fitoi me një diferencë të vogël në numër, Qarkun e Attikës, që përfaqëson rreth gjysmën e popullsisë së Greqisë. Fitoi me 50,87%, kundrejt rivalit të saj, Jannis Sguros me 49,13%.
Në rajonet e tjera
Në përgjithësi, 6 rrethe i ka fituar Demokracia e Re dhe dy SYRIZA. Në Kretë rizgjidhet prefekti që ishte më parë dhe që u mbështet nga PASOK-u, Stavros Arnautakis. Në rajonin e Peloponezit fitues është Petros Tatulis, i cili kishte mbështetjen e PASOK-ut dhe Demokracisë së Re. Në Maqedoninë Qendrore, fitues i madh është Tzitzikostas që nuk është mbështetur nga asnjë parti. Në Maqedoninë Perëndimore u zgjodh gjithashtu, i pavaruri Theodoros Karypidis. Së fundi, i pavaruri Theodoros Katsifaras u zgjodh në Greqinë Perëndimore.
Jorgos Kaminis fitoi Bashkinë e Athinës
Me një diferencë të vogël votash, fitoi Bashkinë e Athinës, Jorgos Kaminis nga rivali i tij, Gavriil Sakelaridis i mbështetur nga SYRIZA. Fitore e madhe për Gianni Butarin në Bashkinë e Selanikut. Moralis dhe Beos në timonin e Bashkive në Pire dhe Volo, ndërsa Peletidis i mbështetur nga partia Komuniste Greke fitoi në Bashkinë e Patrës.
Deklaratat e kryetarëve të partive pas rezultatit të zgjedhjeve
Pas rezultateve të zgjedhjeve të djeshme, Aleksi Tsipra kërkoi të zhvillohen së shpejti zgjedhjet parlamentare në vend.
* Kundërshtim të qartë të shantazhit të partisë më të madhe opozitare, treguan zgjedhjet sipas Evangjelos Venizelos.
* Negativ është rezultati për të Majtën Demokratike, komentoi kryetari i saj, Fotis Kuvelis. * Do të vazhdojmë deri sa të ndryshojmë të gjitha, por pa dëmtuar vendin, deklaroi kryetari i Potamit, Stavros Theodorakis. * Rezultati i zgjedhjeve nuk mund të sjellë përmbysjen, theksoi sekretari i KKE-së, Dimitris Kutsubas. * Mosmiratimi i qeverisë është fakt, theksoi kryetari i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos.
Kryeministri Andonis Samaras drejtohet për reformimin e qeverisë
Me qëllim ruajtjen e kohezionit të frontit qeveritar, kryeministri Antonis Samaras duket se do të drejtohet në zgjidhjen e reformimit të qeverisë, pas kërkesës edhe të Evangjelos Venizelos për aktualizimin e marrëveshjes së programit qeveritar.
Kryetari i SYRIZA takohet me Presidentin e Republikës
Në Pallatin Presidencial shkoi sot krzetari i SYRIZA, Aleksis Tsipras, ku u takua me Presidentin e Republikës, Karolos Papulias.
"Me çfarë legjitimiteti politik do të negociojë z.Samaras çështjen e borxhit dhe do të vendosë masa të reja të vështira, për të cilat tashmë ka vendosur", ishte pyetja që ai i shtroi Presidentit.
Mbledhje në PASOK
Nën kryesimin e kryetarit të PASOK-ut, Evangelos Venizelos u mblodhën sot Këshilli Politik dhe Sekretariati i Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë.
Medalje për ekipin e meshkujve në gjimnastikë
Medaljen e argjendit në ushtrimet në tapet ka marrë Lefteris Kosmidis, në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës për meshkuj, që përfundon të dielën në Sofje.
Fundi për bankat e Ukrainës në Krime
Me urdhër të Kremlinit ndalon nga sot funksionimi i bankave të Ukrainës në Krime dhe Sevastopol, «për shkak të dështimit të tyre në përmbushjen e detyrimeve të tyre ndaj kreditorëve».
U hapën qendrat e votimit në Egjipt
Në Egjipt janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale që do të zgjasin dy ditë dhe në të cilat fitues i sigurt do të jetë ministri i mbrojtjes Abdel Fattah el-Sisi, edhe pse është -për arsye procedurale- edhe një kandidat tjetër, zëdhënësi i socialistëve.
Vazhdon udhëtimin e tij Papa Francisco
Në një fjalim në Muzeun izraelit të Holokaustit vazhdon Papa Francisco udhëtimin e tij në Tokën e Shenjtë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve, që të punojnë më intensivisht për paqen.
Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për sot, e hënë 26 maj 2014 mot të mirë me diell në të gjithë vendin dhe temperatura do të arrijë deri në 30ºC.