Lajmet në gjuhën shqipe 05/06/2015

---Ka filluar të premten pasdite, përpara rendit të ditës diskutimi në Parlament me iniciativën e qeverisë për të informuar deputetët në lidhje me rrjedhën e negociatave.

Arritja e një marrëveshjeje mes Athinës dhe kreditorëve, BE-së dhe FMN-së, për të garantuar mbijetesën financiare të vendit është më pranë se kurrë pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe planit absurd propozuar Athinës nga kreditorët, konfirmoi kryeministri grek, Aleksis Cipras në fjalën e tij para Parlamentit.

“Ne jemi më pranë se kurrë një marrëveshjeje, që duhet të mbyllë një klauzolë përsa i përket qëndrueshmërisë së borxhit grek”, theksoi Aleksis Cipras gjatë seancës së jashtëzakonshme para deputetëve, ku ai u kërkoi kreditorëve të tërheqin propozimet absurde për masat buxhetore paraqitur në Bruksel nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker kreut të ekzekutivit grek.

---Ndërkaq, sipas një sondazhi të kompanisë ALCO për NEWSIT, 
50 për qind e të anketuarve janë për një tërheqje nga vijat e kuqe, nëse nuk pranohen propozimet greke, ndërsa 41 për qind janë kundër dhe 9 për qind nuk pranoi të përgjigjet.

---Për zhvillimet aktuale është mbledhur të premten në Parlament dhe Grupi Parlamentar i Grekëve të Pavarur, nën drejtimin e kryetarit dhe ministër i Mbrojtjes, Páno Kamméno.

---Greqia nuk do t’i shlyejë Fondit Monetar Ndërkombëtar këstin prej 300 milionë eurosh, të premten, siç ishte parashikuar, për t’i paguar njëherësh të katërt detyrimet.

Qeveria e Athinës do të mund të shlyejë 1.5 miliardë euro deri më 30 Qershor, ditë kur përfundon marrëveshja e shpëtimit financiar me Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras po përpiqet të arrijë një marrëveshje për të zhbllokuar fondet, përpara se vendi të mbetet pa para.

---Ka filluar të premten Kongresi tre-ditor i jashtëzakonshëm i PASOK-ut dhe pasardhësit kandidatë të Evangelos Venizelos kanë marrë pozicionet e tyre të betejës të ditën e ardhshme.

----Të premten, gjithashtu ka filluar dhe Kongresi i 4-të i së Majtës Demokratike, punimet e të cilit do të përfundojnë të dielën, 7 qershor.

---Presidenti i Qipros, Nikos Anastasiadis, priti të premten në Pallatin Presidencial, Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Greqisë, Dimítris Kucúmbas. 

Pas takimit, z.Kucúmbas deklaroi ndër të tjera, se në këtë takim shkëmbyen mendime dhe u informua mbi zhvillimet në problemin e Qipros.

---Ndihmë urgjente ka nevojë Greqia për të përballuar rritjen e numrit të emigrantëve që vijnë në ishujt e saj, i cili është rritur gjashtë herë më shumë nga viti i kaluar, një fakt që  intensifikon presionin në ekonominë e saj të prekur nga kriza, njoftoi të premten OKB.

---Do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 23:00 e së shtunës në mbrëmje e deri në orën 06:00 të dielën në mëngjes në autostradën e re Korinth-Patra në të dy korsitë, mes nyjeve Ksilokastro dhe Derveni, për shkak të punimeve në këtë segment. 

Lëvizja e automjeteve gjatë këtyre orëve do të bëhet nëpërmjet rrugës së vjetër kombëtare.

---Një tubim proteste kanë organizuar të premten në vendin e urgjencave, punonjësit në spitalin «Evangelismós», pasi siç thonë ata, ky spital është në kufijtë e tij, për shkak të mungesës së fondeve dhe të personelit.

Ata shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me mungesën e stafit, pasi në total në të gjitha specialitetet, vendet vakante arrijnë në 1000.

---Punonjësit e ERT-it dhe ertopen, POSPERT dhe Koordinimi Kundër Mbylljes dhe Disponueshmërisë bëjnë thirrje për një tubim të enjten, 11 qershor në orën 19:00 pasdite në ndërtesën e ERT-it në Agia Paraskevi. 

Më 11 qershor mbushen dy vjet nga mbyllja e ERT-it dhe përpjekja për të pretenduar ERT-in e ëndrrave tona dhe të shoqërisë, një ERT i hapur, publik, të lirë dhe me të gjitha strukturat e tij vazhdon.

---Rreth 22,3% është rritur në krahasim me vitin e kaluar, lëvizja në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës në muajin maj, pasi ka pritur 1,65 milionë pasagjerë.

Si numri i pasagjerëve nga brenda vendit dhe numri i pasagjerëve nga jashtë vendit është rritur ndjeshëm në nivele të ngjashme (rreth 22,1% dhe 22,4% respektivisht). Numri i udhëtarëve grekë ka regjistruar një rritje prej 15% dhe i vizitorëve të huaj gjithashtu u rrit me 28%.

Në total, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2015, lëvizja në aeroport ka tejkaluar numrin prej 6 milion pasagjerë, i rritur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014 me më shumë se 1 milion pasagjerët (+ 23,7%).

Lëvizja e udhëtarëve brenda vendit, por dhe lëvizja e udhëtarëve nga jashtë ka paraqitur përqindje të lartë të rritjes (+ 28,2% dhe + 22,4% respektivisht). Numri i udhëtarëve grekë u rrit rreth 20%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj ka shënuar një rritje prej 28%.

---5 qershori njihet ndryshe si Dita Botërore e Mjedisit. Kjo ditë u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB -se.

U zgjodh kjo datë, pasi përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vemendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.

Qëllimi i kësaj dite është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar. Në të kaluarën tema të kësaj dite kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke patur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.

Kanë kaluar shumë kohë nga kjo nismë pozitive për ruajtjen e mjedisit ku jetojmë, por është bërë shumë pak për ruajtjen e tij. Bota sot është e shqetësuar për atë që quhet -Ngrohja Globale. Shkencëtarët përditë japin alarmin për shkrirjen e akujve dhe rritjen e nivelit të deteve, për prishjen e ekuilibrit të ozonit në atmosferë dhe të sëmundjeve kancerogjene që shfaqen përditë e më shumë në organizmin e njeriut.

Mijëra tonelata dioksid karboni shkarkohen në atmosferë çdo ditë. Mbetje e hedhurina të padekompozueshme gjenden në gjëndje të lirë duke lëshuar toksinat e tyre. Me mijra hektare pyje priten pa kriterin zëvëndësues, lumenj e dete të ndotur dhe gjallesa të shumta në zhdukje për shkak të ndotjes mjedisore. 

Shqipëria
---Shqipëria, Mal i Zi dhe Kosova nënshkruan të enjten një marrëveshje të përbashkët për menaxhimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme nëpërmjet sistemit dixhital. 

Sipas ministrit shqiptar të drejtësisë, Nasip Naço, kjo marrëveshje do të shërbejë për mbështetjen e projektit të ri të bashkëpunimit me Bankën Boterore, në lidhje me përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave të zyrave hipotekore në të tre vendet. Ajo hap perspektiva edhe për tregun ballkanik të imobiliareve. 

---Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR ka publikuar këtë të premte raportin e përkohshëm për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. 

Në të thuhet se fushata ka qenë në përgjithësi paqësore, por e fokusuar në akuza personale, sidomos nga partitë kryesore.

“Fushata, e cila zyrtarisht nisi më 22 maj, ka qenë gjerësisht paqësore, por është fokusuar në akuza personale, veçanërisht nga partitë kryesore. Akuza që nga presioni mbi punonjësit e shtetit deri tek keqpërdorim të fondeve shtetërore. Zyrtarë të lartë të Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë shpërndarë një numër të madh certifikatash legalizimi gjatë fushatës”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu vëren që, edhe pse “Kodi Zgjedhor ka një sërë boshllëqesh dhe paqartësish në lidhje me zgjedhjet lokale, ai siguron një bazë të shëndoshë ligjore për zgjedhje demokratike, nëse respektohet nga palët. Amendamentet e vitit 2015 sigurojnë një përfaqësim të barabartë gjinor në listat e kandidatëve”.

Ndërsa lidhur me ankesat, raporti vëren se KQZ ka marrë 22 ankesa ndaj vendimeve të KZAZ-ve, kryesisht për regjistrimin e kandidatëve. “Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të Tiranës ka shqyrtuar 17 ankesa kundër vendimeve të KQZ-së, dhe 6 prej vendimeve kanë lënë në fuqi verdiktin e KQZ-së”, nënvizon raporti. /gj.m/ /a.ke/

---Sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës në vitin 2014 për popullsinë në moshë pune 15-64 vjeç, rezulton se pjesa më e madhe, 51,1%, janë femra dhe 48,9 % e popullsisë meshkuj.

Por, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për meshkujt e moshës 15-64 vjeç është 72,2 %, duke shënuar një hendek prej 18,9 pikë përqindje në shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës, shfaq tendencën se në krahasim me femrat, meshkujt janë më aktivë në tregun e punës.

Gjatë vitit 2014, të punësuarit e moshës 15-64 vjeç zunë 50,5 % të popullsisë në moshë pune, ku shkalla e punësimit për meshkujt arriti 58 % ndërsa për femrat 43,4 %. Struktura e punësimit sipas statusit në punësim tregon se 42,6 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 31,8 % janë punëtorë pa pagesë të familjes dhe 25,6 % janë të vetë-punësuar. Ndërsa femrat kanë 1,3 herë më shumë shanse se meshkujt që të punojnë si punëtore pa pagesë në biznesin e familjes, tek të vetëpunësuarit dhe të punësuarit me pagë mbizotërojnë meshkujt me përkatësisht 57,2 dhe 70,5 %.

Sipas aktiviteteve ekonomike, në vitin 2014 rezulton se sektori bujqësor punëson 42,7 % e të punësuarve, pasuar nga sektori i shërbimeve (të tregut dhe jo të tregut ) me 49,4 %. Pesë në dhjetë gra të punësuara janë të angazhuara në aktivitete të bujqësisë. Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave është ai i shërbimeve, ku përfshihen aktivitete si administrimi publik, shërbimet sociale, shërbime të tjera.

Për popullsinë e meshkujve të moshës 15-64 vjeç punësimi mbizotëron në sektorin e bujqësisë, por në shkallë më të ulët sesa për femrat, pasi kanë 1,4 herë më pak shans nga femrat për të punuar në aktivitete bujqësore. Më së shumti, meshkujt në 40,6 % janë të punësuar në sektorin e shërbimeve dhe 11,1 % në sektorin e ndërtimit./n.m/ /a.ke/

---Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, tha të premten se sulmet dhe kërcënimet e ditëve të fundit kundër gazetarëve në Shqipëri janë të papranueshme.

Më 2 qershor, Aurora Koromani, gazetare në gazetën “Gazeta Shqiptare” mori një kërcënim nga një militant islamik i dyshuar. Ajo e denoncoi kërcënimin në polici, e cila e vlerësoi si serioz dhe tani e ka marrë nën mbrojtje Koromanin. Në një incident tjetër, më 4 qershor, një makine që i përkiste Enver Doçit, gazetar i televizionit “News 24”, iu vu flaka dhe u shkatërrua në qytetin e Burrelit, në veri të Shqipërisë.

“Këto sulme janë tërësisht të papranueshme dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për median e lirë”, tha Mijatović. “Unë e vlerësoj faktin që autoritetet kanë nisur me të shpejtë hetimet për këto incidente dhe që policia po i jep mbrojtje Koromanit. Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhen lënë kurrë pa u ndëshkuar”.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet në fushën e medias, në të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo bën paralajmërim të hershëm për shkeljet e të drejtës së shprehjes dhe lirisë së medias dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias./a.g/

Bota
---Presidenti rumun Klaus Iohannis u është bashkuar zërave që kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Viktor Ponta, i përfshirë ditët e fundit në një skandal korrupsioni.

Thirrja e tij erdhi pasi prokurorët në Bukuresht ngritën zyrtarisht të premten, 17 akuza ndaj Kryeministrit, për korrupsion, pastrim parash, evazion fiskal e falsifikim dokumentash.

Gjatë një konference për shtyp pas takimit me Kryeministrin Ponta, Presidenti rumun u shpreh se vendi ishte në një situatë “të pamundur” dhe rrezikon të zhytet në një krizë të thellë politike. Kryeministri Ponta i hodhi poshtë akuzat dhe tha se nuk do të jepte dorëheqjen. Ai do të përballet me një mocion mosbesimi nga deputetët e djathtë të Partisë Liberale Kombëtare në opozitë, pjesë e së cilës është edhe Presidenti Iohanis. Por mocioni pritet të dështojë, pasi opozita nuk i ka votat e nevojshme.

Akzuat për korrupsion ndaj Pontës kanë të bëjnë me periudhën kur ishte deputet i partisë Social – Demokrate, që aktualisht drejtohet prej tij. Bëhet fjalë për vitet 2007 – 2008, kur ponta ushtronte profesionin e avokatit. Prokurorët e antikorrupsionit akuzojnë Kryeministrin se në atë periudhë ai ka marrë vazhdimisht rryshfet nga një zyrë avokatie, e drejtuar nga miku i tij Dan Sova.

Pasi u zgjodh Kryeministër, Ponta e emëroi Sovan Ministër të Projekteve me Interes Kombëtar dhe Investimeve të Huaja, post të cilin e mban edhe sot. Sova është edhe senator nga rradhët e partisë Social – Demokrate në qeveri.

---Numri i të vdekurve nga përmbytja e anijes në lumin Yangtze në Kinë ka arritur në 82, raporton media shtetërore në Kinë sot. 

Ndërkaq, autoritetet në Kinë kanë thënë se nuk ka asnjë shans për të gjetur ndonjë person tjetër të gjallë. Ekipi i shpëtimit është kthyer në ekip të nxjerrjes së qindra trupave nga anija, e cila kishte në bord 456 njerëz, kur më 1 qershor u goditën nga një ciklon i fuqishëm.

Vetëm 14 persona kanë arritur të mbijetojnë nga fundosja e anijes.
"Në një situatë të tillë ku gjykimi i përgjithshëm të thotë se nuk ka shansa që njerëz të tjerë të kenë shpëtuar, ne mund të mendojmë që të fillojmë punën për të tërhequr anijen", ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Transportit.

Shumica e udhëtarëve në bord ishin të moshuar, të cilët kishin planifikuar që të vizitonin vendet më turistike përgjatë lumit Yangtze.

---Zjarri i shpërthyer në një pikë karburanti, në kryeqytetin ganez Akra, dhe më pas i përhapur në zonën përreth ka shkaktuar deri tani 200 të vdekur, sipas burimeve qeveritare.

”Shërbimet e sigurisë dhe atë të emergjencës kanë konfirmuar zyrtarisht deri tani 200 të vdekur”, deklaroi presidenti ganez, John Dramani Mahama.

”Një rrjedhje nafte nga pika e karburantit shkaktoi shpërthimin e fuqishëm që vrau dhjetëra persona, në ndërkohë që kërkonin strehë nga një shi i fuqishëm që përmbyti qytetin”, shtoi ai. “Zjarri u përhap shpejt në një farmaci dhe në disa banesa aty pranë duke marrë jetë të tjera njerëzish”, theksoi Mahama.

“Kjo është një tragjedi kombëtare”, deklaroi ministri i Brendshëm, Mark Woyongo. Duke filluar nga e hëna, qeveria dekretoi tri ditë zi kombëtare./ a.jor.

---Në Vjenë zhvillohet takimi i 167 i 12 vendeve të Gjirit Persik, anëtare të OPEC-ut. 

Gjatë këtij takimi do të vendoset, për rritjen ose jo të çmimit të naftës.
Çmimi ka rënë me mbi 50%, krahasuar me maksimumin prej 115 dollarësh për fuçi, që u arrit verën e kaluar

---Senati në Kaliforni miratoi ligjin për vetëvrasjet e asistuara nga mjekët.

Ligji u jep mundësi pacientëve me sëmundje të pashërueshme t’i japin fund jetës me vullnetin e tyre. Shkon kështu në 6 numri i shteteve federale amerikane, që kanë një ligj të tillë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Shtunën, 6 qershor mot të paqëndrueshëm, me vransira, shira lokale dhe stuhi sporadike në rajonet kontinentale, në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në Egje në drejtimin verior nga 6 deri në 7 ballë, ndërsa temperatura do të shënojë një rënie të vogël, kryesisht në rajonet lindore. 

Në Attikë moti parashikohet i paqëndrueshëm, gjatë ditës me vransira dhe shira të përkohshme, kryesisht në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior nga 4 deri në 5 ballë dhe në zonat lindore deri në 6 ballë. Temperatura do të variojë nga 18 deri në 25 gradë Celsius, ndërsa në zonat veriore dhe lindore të saj do të jetë dy me tre gradë më e ulët.

Në Selanik, parashikohen vransira të cilat do të dendësohen me shira lokale dhe stuhi sporadike, kryesisht në zonat malore. Era do të fryjë mesatare në drejtimin veri - veriperëndim nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 16 deri në 27 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54